Mospagesa për punën, bariu Hysa vret punëdhënësin

0
200

Sonja Caka

Përplasja mes barinjve në Karaburun

Policia: Mendoi se i vrau të dy baxhanakët dhe u arratis, i plagosuri zbriti në fshat dhe njoftoi policinë. Autori me çrregullime mendore, po punohet për kapjen e tij

 

vrasje_pisoletëVendi tronditet sërish nga krimi. Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur, pasi drejt tyre është qëlluar me armë zjarri nga një bari. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të dy netëve më parë në një stan në Karaburun të Vlorës. Sipas policisë, viktimë ka mbetur 62-vjeçari Shedat Vangjeli ndërsa i plagosur baxhanaku i tij Bexhet Bodoj, 59 vjeç. Si autor i ngjarjes dyshohet një bari nga Elbasani, Xhezar Hysa, 45 vjeç, ndërsa si shkak mësohet se ka qenë një grindje për shkak të pagesës. Nga hetimet paraprake theksohet se ka pasur një grindje mes bariut të gjedhëve dhe punëdhënësve të tij për shkak të pagesës. Refuzimi i tyre për të bërë pagesën siç e kërkonte bariu duke se ka nervozuar këtë të fundit, duke e detyruar të drejtojë armën pa e menduar dy herë ndaj tyre. Policia është njoftuar nga i plagosuri për ngjarjen, duke ngritur postblloqe apo dhe bërë krehjen e zonës për gjithë natën dhe ditën e djeshme, por pa mundur ta vënë në pranga. Sipas policisë, autori i ngjarjes njihet si një person me çrregullime mendore.

Ngjarja

Policia e Vlorës bën me dije se “dy netë më parë, rreth orës 22.00 në gadishullin e Karaburunit Vlorë është vrarë me armë gjahu shtetasi Shedat Vangjeli, 62 vjeç, banor i fshatit Dukat Vlorë, si dhe është plagosur lehtë shtetasi Bexhet Bodaj, 59 vjeç, të cilët ishin barinj në këtë zonë. Nga hetimet e deri tanishme ka rezultuar se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Xhezar Hysa, 45 vjeç, banor i fshatit Mollas të rrethit Elbasan, i punësuar si bari tek viktima, i cili sipas të dhënave të deritanishme vuan nga çrregullime mendore”. Efektivët po krehin zonën për kapjen e tij, por deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk është bërë e mundur kapja e tij.

Njoftimi

Fati e ka ndihmuar baxhanakun e viktimës, Bexhet Bodoj që të mos mbeste i vrarë dhe të kishte mundësi të njoftonte policinë për ngjarjen. Pasi Hysa i ka qëlluar Vangjelin dhe Bodoj me një çifte me të cilën ruante stanin, me mendimin se i ka vrarë të dy, është larguar me shpejtësi nga stani duke u arratisur në kodrat e Karaburunit. Ndërkaq, Bexhet Bodoj që kishte mbetur i plagosur ka mundur të zbresë nga stani drejt zonës së banuar dhe të lajmërojë rreth krimit. Menjëherë uniformat blu, sapo kanë mësuar ngjarjen dhe identitetin e autorit, kanë nisur nga puna për kapjen e tij. I plagosuri ka dhënë për policinë detaje rreth motivit të përplasjes mes tij dhe baxhanakut me bariun nga Elbasani, i punësuar nga viktima Vangjeli.

 

Tiranë

Vodhi Laptopin në një banesë, pranga 20-vjeçarit

Një 20-vjeçar u vu në pranga nga policia e kryeqytetit pasi kërkohej për veprën penale të “vjedhjes”. Sipas burimeve policore, u arrestua 20-vjeçari Sabah Selmani, lindur dhe banues në Tropojë, pasi ky shtetas dyshohet si autor i vjedhjes se një Lap Topi, në banesën e shtetasit D. Q., banues në “Qytetin Studenti” Tiranë. Kjo vjedhje mësohet se ka ndodhur në mes të muajit Qershor 2013. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes se kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134 & 25 të Kodit Penal.

Fier/ Lushnje

Vjehdja e banesave, pranga tri personave

Tre persona janë arrestuar ditën e djeshme në qytetin e Fierit pasi akuzohen për vjedhjen e dy banesave. Të arrestuarit janë Ardit Isufaj, 20 vjeç, Luan Shehaj, 21 vjeç dhe Sami Osmanaj, pasi akuzohen për vjedhjen e banesave në Fier dhe në Lushnjë. Sipas policisë Isufaj dhe Shehaj nga Fieri, kanë bërë vjedhje në Fier, ndërsa, Sami Osmanaj nga Lushnja akuzohet edhe për disa vjedhje të tjera. Autorët vidhnin banesa në të dy këto qytete. Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë, ndërsa po punohet për hetimin e plotë të ngjarjes.

Tiranë

Rrahu policin e “Shqiponjave”, prangoset

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 42-vjeçar nga Tirana, pasi akuzohet për kundërshtim të policisë dhe dhunim të një efektivi të patrullës “Shqiponja”. Sipas policisë, është arrestuar Enton Shahaj, 42 vjec, pasi duke kaluar në rrugën «Ibrahim Rugova» Tirane, duke drejtuar mjetin tip «Fiat Punto», me targë TR 6081 U, ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit e policisë së autopatrullës Elitë «Shqiponja» në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Menjëherë është bërë shoqërimi i tij në polici, ndërsa pasi u kryen veprimet proceduriale, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Kundërshtim  i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 236 & 237 të Kodit Penal.

 

 

Masa

Vodhën zvicerianin, në qeli studentja dhe i fejuari laçian

E akuzuar për vjedhjen e një biznesmeni zvicerian, gjykata la dje në qeli studenten e Informatikës, Lorena Ismailaj dhe të fejuarin e saj nga Laçi. Prokurori Gjergji Tako i ka kërkuar gjykatës lënien në burg për katër nga pesë të arrestuarit, pasi njëri prej tyre ishte i mitur. Në seancën e djeshme, e akuzuar është paraqitur në sallën e gjyqit para gjyqtares Teuta Hoxha, ku është njohur me akuzën si dhe masën e sigurisë. Para togave të zeza mësohet se e pandehura Ismailaj ka pranuar krimin e vjedhjes së një shume prej 6000 euro-sh. Ndërsa para oficerëve të policisë gjyqësore vajza është justifikuar se ato para i ka huazuar dhe nuk ka pasur asnjë formë tjetër sesi t’ia kthente sërish. Lorena ka bashkëpunuar me të dashurin e saj Florenc Marashi, 19 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë, emigrant në Itali, si dhe Kristofor Palushaj, 19 vjeç, Igzidor Palushaj, 19 vjeç, këta të dy vëllezër binjakë, për të cilët gjykata ka caktuar masën e “arrestit me burg”. Ndërsa, mësohet se është lënë i lirë në “arrest shtëpie” i mituri Ndue Malçi, 16 vjeç. Policia tha se studentja e Shkencave Politike, Lorena Ismailaj, ishte njohur me shtetasin zviceran Andrea Grasselli, 47 vjeç, në auditorët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Atje shtetasi zviceran studionte gjuhën shqipe, pasi për këtë qëllim kishte mbërritur në Shqipëri. Bëhet me dije se vajza aty bënte kurse për gjuhën angleze. Sipas kallëzimit që ka bërë Grasselli, vajza i ishte ofruar që ta ndihmonte të njihte Tiranën dhe të mësonte më mirë gjuhën dhe kështu kishte nisur miqësia e tyre. Zvicerani ka shpjeguar se ky raport me vajzën ishte kthyer në një lidhje dashurie. Dy javë para se të ndodhte grabitja, studentja i kishte kërkuar atij 3 mijë euro borxh, me pretendimin se do i hiqnin nënën nga puna dhe i duheshin për të ndërhyrë te një person në administratë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency