Kapiteni Pirat, historia e fundit që jeton në brigjet e Sarandës

0
147

Violeta Murati

Reportazh/ Në qytetin që nuk i mbaron historia, që gërryen kodrat dhe ha detin: Kapiteni Pirat, 70 vjeçari që imiton plakun e librit të famshëm të Ernest Heminguejt, “Plaku dhe Deti”, në brigjet e Sarandës, i vetmi që e sheh qytetin përballë dhe nuk e mposht dot adhurimin për detin dhe qytetin

 

 

954800_10151754467680768_1183035627_nRruga për në Sarandë po nuk u bë herët nga Tirana, zor se i gjen shije udhëtimit. Tani, njerëzit që shkojnë të pushojnë në ato anë, janë në dilemë: ti bien nga bregu apo nga qafa e Muzinës?! Për frikacakët bregu, ndonëse një mrekulli, është e vështirë për t’u kapërcyer. Ndërsa nga mali siguria është më e madhe.

Fundi i korrikut drejt vendit më të epërm të jugut, pati aryse festivalin e teatrove në Butrint. Ky është një rast që kanë nisur ta shfrytëzojnë mjaft pushues, si aryse për të kaluar mbrëmjet e nxehta në amfiteatrin antik, disi më e kulturuar duke ndjekur teatro nga vende të ndryshmetë botës, sesa të haje misra të pjekur në bulevardin e qytetit. Në pak ironi kush provon këtë vit pushimet atje xhepi do t’ju shpohet, dhe paratë gati dalin jashtë kontrollit. Në qytetin bregdetar kanë nisur të ngrihen sërish çmimet, ashtu si para disa vitesh – derisa një ditë Saranda u boshatis, e vendalinjtë zunë të qajnë hallet me të paktë turistë. Vetëm plaku 70 vjeçar, Kapitani Pirat qëndron në breg me varkën e tij vozitëse për pushuesit, duke i çuar në aventurën e blusë së detit, më shumë se në qytet.

 

***

Pasi ke kaluar rrugët në qetësi të plotë, dhe në freski duke ndalur në pikat mëse të zakonshme tashmë si në ujin e ftohtë në Tepelenë, për të ngrenë paçe pilaf, e ndonjë tas kos të freskët, e djathë të bërë vetë rruga të ndalon vetiu te syri i kaltër.

Dy veta presin te trau, gati për të prerë biletën për të hyrë në atë që quhet parku i Syrit të Kaltër.

Shumë njerëz kanë imazhin e një vendi të shkatërruar në gjithë këto vite. Prandaj dhe rrallë është vizituar në vite më parë,ose dhe ata që kanë ndalur prej kurioizitetit kanë ikur shpejt. Por tani nuk ndodh kështu. Rruga është e prishur, duhet të kërcesh ca me makinën për të shmangur gropat dhe ndonjë degë peme. Po ashtu duhet bërë kujdes kur mbërrin në vend pasi gunga e dheut për të shkuar në të parin lokal është pak e lartë, e pashtruar.

Megjithatë sapo parkon makinën e ndjen se aty gjërat kanë ndryshuar. Një vajzë nuk ndan aparatin nga dora duke ndërsyer qenin e saj të madh për të hyrë në lumë, për t’u larë! Shoku i saj rri gati për ta mbajtur qenin nën kontroll, pasi na duket pak i frikshëm për të qenë aq i lirë.

Një grumbull fëmijësh mblidhen në këtë spektakël me qenin, e për këtë të fundit një garë sfiduese me njeriun. Lokalet kanë mbushur vendin, gjithë hapësirën e syrit të Kaltër. Era mish, patate kundërmojnë mënjeherë. Është kohë dreke, dhe pothuaj në tavolina njerëzit lëpijnë gishtat në mbarim ose në mes të ushqimit. Disa të tjerë, ata më të guximshmit (e këta duken më shumë të huaj) zgjedhin sfidën e zhytjes m’u aty ku buron “Syri i Kaltër”.  Ca foto të bukura në natyrë na mjaftojnë nga gjithë kjo pamje, dhe lëmë vendin duke përshendetur dy rojet e në të dalë, me fjalët e tyre: Kemi akoma punë për të bërë këtu!

 

***

Në mesditë mbërrijmë në Sarandë. Vendi është plot me pushues. Plazhi në qytet është i tejmbushur. Në rrugë, gati çdo pesë metra, burra me nga një pankartë të vogël në duar thonë: 30 euro dhoma! Mbajmë habinë. Pallatet pafund, e plot prej tyre gërmadha, ende të pambaruara duket që janë bosh. Çmimi shumë i lartë! “Mos u habisni, sivjet cmimet do t’i gjeni mjaft të shtrenjta në Sarandë, kanë luajtur mendsh”, na thotë shoqëruesja jonë duke na çuar në hotelin e pronotuar gati 1 km larg qytetit. “U vendosëm këtu se ishte hoteli më i lirë për nga çmimi, pasi dhe bashkia e Sarandës është turp të themi se sa pak lekë na mbështeti këtë vit për festivalin”, po flisnim me drejtorin e festivait, Alred Bualoti që priste të ftuarit e festivalit m’u te hyrja. Pamja nga hoteli merr në pëllëmbë të dorës gjithë detin. Horizonti është krejt i hapur. Asnjë godinë nuk e zë pamjen, të paktën tani për tani. Por në këtë zonë mungon plazhi.Duhet të marrësh kilometra pas, ose para për nga qyteti që të gjesh ndonjë vend për të bërë plazh. E zonja e hotelit na tregon se ja, aty poshte hotelit, pak greminë, nga rruga kryesore (hoteli është buzë rruge) po “mbushet deti me dhe”, për të sajuar zonë për plazh. Pamë ca buldozerë që gërmonin dheun dhe e hidhnin në det. Ishte bërë një si rrugë duke ngrënë detin, dhe “deri në gusht do të jetë gati për pushuesit”, na tha zonja e hotelit.  Këtu nuk shërbenin ekspress, vetëm kafe turke sepse vetëm pak vetë ishim, të ftuarit e festivalit. Dhe valët e internetit i aktivizonin vetëm nëse e kërkojë, në të kundërtën jo. Ashensori mund të qëllonte “i prishur”, ose derën mund ta kishte lënë hapur në katin e pestë pastruesja- ja këto ishin kushtet praktike, ndonëse ky hotel përmbushte mirëqenien aq sa për ti vënë “tre yje”! Kështu ndodh pothuaj me të gjitha hotelet në Sarandë. Mund të duken sikur janë të populluara, por shumica janë bosh. Në qytet nuk mund t’i prekësh çmimet e tyre.

 

***

I vetmi që nuk e humb durimin dhe as qetësinë në gjithë qytetin me tekat e pushuesve është Kapiteni i Piratëve. Në mbrëmje në mol, në qendër të qytetit ai ankoron varkën dhe ngre lart tabelën: Kapiten Pirati, shëtitje në shpellën e piratëve. Kush më kërkon ja nr i telefonit:…., por e shkruan dhe në anglisht: “Capiten Pirate”.

Shënimi s’ka njeri në mbrëmjë që s’ndalet për ta lexuar. Varka është e bardhë. Por gjatë ditës Kapiteni i piratëve lëviz gjithë bregut duke bërtitur me të madhe, ftuar pushuesit për një shëtitje me varkë.  Disa fëmijë të vegjël që mbledhin lekët e çadrave sa vjen Kapiteni aty i shkojnë afër, flasin, qeshin me zë dhe largohen. Por së shumti i shohim që ndihmojnë sa Kapitenin dhe njerëzit që të hipin në varkë. Kur bëhet fjalë për një shëtitje një orëshe, Kapiteni thotë se kushton 1000 mijë e lekë, ndërsa për të të çuar tek Shpella e Piratëve, si joshje për legjendën, shifra është shumë e madhe: 3000 mijë lekë. “Është tre orë udhëtim. Është vend shumë i bukur. Atje do shikoni mrekullinë por dhe mund të laheni”, thotë Kapiteni. Ai mund ta japë Sarandën në pëllëmbë të dorës, bashkë me historinë e qyteitit, njerëzit, detin dhe peshqit!

Kapiteni i piratëve ka krijuar legjendën e tij. I hedh benzinë varkës, tërheq litarin e motorrit fort dhe mënjëherë nis bisedën. “E njihni Ernest Heminguejn”, na drejtohet Kapiteni. Ai është idhulli im, vazhdon, pa na pyetur në duam të ndjekim apo jo  bisedën e tij!

Por plaku nuk i ndahet tregimit: “Unë jam si plaku i detit të Hemniguejt. Por më i zoti. Nëse ai luftoi me peshkaqenin, e kapi dhe e solli në breg skelet, ja unë po ju them se e kam sjellë një peshk më të madh deri në breg. Fitova shumë lekë”. Ne qeshim, po plaku nuk mjafton me këtë reagim: Njerëzit e Sarandës janë të butë, dhe a e dini pse? Ne, kemi Jonin, detin që ka jod, ndaj njerëzit janë më të qetë këtu.

Kapiteni i piratëve e do shumë qytetin e tij. Ndërsa ne e shikojmë me dhimbshuri nga larg, se godinat e larta, gati të përbindshme nuk i japin asnjë bukuri qytetit, plaku nuk dihet për të satën e herë e sheh me admirim. “Në këtë det jam rritur. Kam gjithë jetën që jam kapiten. Dhe prej 20 vitesh që shëtis njerëzit me këtë varkë. Kështu jetoj unë, në det, në varkë. E dua shumë qytetin tim, ndaj nuk kam ikur në Greqi”. Ai është ciceroni i detit, tregon gjithë misteret e tij në një orë. Të vërteta apo jo, Kapiteni i piratëve e shtyn kureshtinë e vizitorëve të varkës së tij dhe tej, në thellësitë e detit. Sa shihet si  një gropë e errët e thellë, Kapiteni e vëzhgon frikën tonë, dhe mënjeherë vazhdon të flasë: “Ja, këtu, e shikoni (gati të të bindë dhe pse nuk shohim gjë), ja këtu janë reliket e anijeve angleze, që erdhën të pushtojnë greqinë! Aty është akoma. E di unë, se jam zhytur e kam parë me qindra herë”, thotë Kapiteni.

Çdo udhëtari që hip në varkën e tij, atij të më privilegjuarit i jep kapelen e tij të Kapitenit, për të marrë ndjesinë e marinarit, dhe nxit për të bërë foto. Vetë ndez duhanin dhe merr qëndrimin kapiteni në bash të varkës, pasi vë edhe kapelen. Ky është kapiten Pirati, që nuk e ndryshon historinë, të njëjtat për çdo vizitor- si një histori e fundit që i mbetet këtij qytetit, për ta parë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency