Pas arratisjes nga burgu në vitin ‘97 nuk u kap nga policia, i parashkruhet dënimi

0
253

Sonja Caka

Prokuroria dorëzon kërkesën, gjykata e pranon. Nuk provohet të jetë arrestuar pas arratisjes 16 vjet më parë, kishte vuajtur vetëm 4 vjet burg

 

vendimPër 16 vjet me radhë nuk u bë e mundur të arrestohej dhe kjo do të ndodhte vetëm disa muaj më parë në shtetin grek ku qëndronte i fshehur prej vitesh. Por sërish, Hytbi Lila, i dënuar me 25 vite burg për vjedhje me dhunë me pasojë vdekjen, do t’i shpëtonte qëndrimit në burg, pasi kishte kaluar afati dhe i ishte parashkruar dënimi. Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila pasi ka verifikuar faktet dhe ka disponuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga Policia e Shtetit dhe burgjet, ka vendosur ta pranojë kërkesën e Lilës. Tashmë, ky shtetas është i çliruar nga çdo akuzë apo masë dënimi, edhe pse vuajti vetëm 4 vjet nga 25 vjet që ishte dënuar në vitin 1993 nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “Vjedhjes së pasurisë me pasojë vdekjen” në bashkëpunim.

Kërkesa

Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilën kërkon “Parashkrimin e ekzekutimit të vendimin penal Nr. 188 dt. 13.4.1993 për të dënuarin Hytbi Lila. Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezultoi se me vendimin nr. 188 dt. 13.4.1993, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurve Astrit Haruni dhe Hytbi Lila etj, për veprën penale të “Vjedhjes së pasurisë me pasojë vdekjen” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 13, 102 të Kodit Penal (të vjetër), duke e dënuar përfundimisht të pandehurin me 25 vjet heqje lirie. Ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila e ka lënë në fuqi këtë vendim dhe ka marrë formë të prerë me datë 19.5.1993. Sipas shpjegimeve të prokurorit në seancë gjyqësore, i dënuari Hytbi Lila gjatë gjykimit ka qenë i arrestuar që më datë 2.5.1992 deri në vitin 1997 duke vuajtur dënimin dhe është arratisur nga burgu në trazirat e vitit 1997. Më date 30.5.2013, me shkresën nr. 2186 kl/2 të ZQK Interpol Tirana është njoftuar Prokuroria e Përgjithshme se është bërë arrestimi në Greqi i shtetasit Hytbi Lila, pikërisht për ekzekutimin e këtij vendimi.

Dispozita përfituese

Sipas vendimit të gjykatës, në nenin 68/a të Kodit Penal me titull “Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit” është parashikuar se: “Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar 20 vjet për vendimin që përmban dënim 15-25 vjet burgim…”. Nga interpretimi i dispozitës së mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se do të përfitojnë nga kjo dispozitë, ata të gjykuar që, me vendim gjykate të formës së prerë janë dënuar me burgim gjer në njëzet e pesë vjet apo dënime të tjera më të lehta dhe që plotësojnë njërin nga dy kushtet e mëposhtme: a) ky vendim nuk është ekzekutuar asnjëherë brenda 20 vjetëve që nga dita kur ai ka marrë formë të prerë; b) pas fillimit të ekzekutimit, i gjykuari është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe që nga ky çast të kenë kaluar më shumë se 20 vjet pa u ekzekutuar pjesa e mbetur e këtij dënimi. Këtë qëndrim kanë mbajtur edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vendimin e tyre unifikues nr. 7, dt. 11.10.2002. Sipas këtij vendimi theksohet: “Në dispozitën e nenit 68 të Kodit Penal ligjvënësi ka parashikuar afatet, me kalimin e të cilëve, vendimi i dënimit i formës së prerë, dhënë ndaj një personi për vepra penale të kryera prej tij, nuk mund të ekzekutohet më”. Në rastin konkret Gjykata vëren se i dënuari Hytbi Lila është dënuar me 25 vjet burgim, me vendimin nr. 188, dt. 13.4.1993 të Gjykatës Rrethit Tiranë. Ky vendim ka marrë formë të prerë më dt. 19.5.1993. Rezulton se, që nga dt. 19.5.1993, kur vendimi i dënimit ka marrë formë të prerë e deri më në datën e gjyqit, pra për më shumë se 20 vjet, nuk është bërë i mundur ekzekutimi i dënimit të dhënë ndaj të gjykuarit Hytbi Lila, me vendimin nr. 188, dt. 13.4.1993 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. “Në këto kushte, bazuar ne nenin 68/c të Kodit Penal rezulton se është parashkruar ekzekutimi i dënimit për vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë nr. 188 dt. 13.4.1993, për shkak se nga dita e shpalljes se këtij vendimi deri në datën 26.6.2013, ka përfunduar afati 20-vjeçar i parashikuar në ligj për ekzekutimin e këtij vendimi” arsyeton gjykata duke vendosur pranimin e kërkesës së Lilës.

 

Vendimi

Kërkohej nga shteti italian për trafik droge, pranohet ekstradimi i Seferit

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e shtetit italian për ekstradimin nga Shqipëria në Republikën e Italisë të shtetasit shqiptar Fredi (Frederik) Seferi. Sipas vendimit të gjykatës, kjo gjykatë pranoi kërkesën për ekstradimin e 38-vjeçarit për shkak se nga ana e autoriteve të shtetit Italian akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “Organizatës kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, vepër penale kjo e cila parashikohet edhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, vepër penale kjo e cila në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë i korrespondon veprave penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “Organizatës Kriminale” të parashikuar nga nenet 283/a dhe 333 të Kodit Penal. Sipas vendimit të Gjykatës së Napolit rezulton se shtetasi shqiptar Fredi Seferi në bashkëpunim me persona të tjerë shtetas shqiptar dhe italianë, me anë të organizatës së themeluar nga Romano Carmine e Sianni Raffaele realizonin importimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike të tipit ketaminë dhe vaj hashish nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency