Ardian Fullani “mbyllet” në Bankë!

0
155

Prej ditësh, gazeta “Standard” pret përgjigje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë në lidhje me shpenzimet marramendëse të administratës, si dhe çështjen e blerjes së ish-hotel “Dajtit”. Përgjigjja e vetme është ajo e zyrës së shtypit, pa asnjë përgjegjësi publike

 

Ardian-Fullani1Të gjithë, e sidomos kryeqytetasit, kur kalojnë nga qendra shikojnë çdo ditë të mbështjellë me “vello” kopjen e Bankës Qendrore të Shqipërisë, që presupozon se aty po kryhen punime restauruese. Por u bënë kohë që guvernatori Ardian Fullani anashkalon prononcimet publike në lidhje me shpenzimet që i duhet Bankës së Shqipërisë për të përballuar qiranë në një godinë tjetër. Çfarë konsiderohet shqetësuese në këtë vështrim të parë është se Banka e Shqipërisë vazhdon të shpenzojë qira marramendëse për strehimin e saj deri në mbarimin e rikonstruksionit të zyrave të saj në zemër të Tiranës, ndërkohë që prej disa vitesh ka blerë plot 30 milionë euro ish-hotel “Dajtin”, i cili po shkon drejt degradimit nga dita në ditë. Guvernatori Fullani ka parashikuar në strategjinë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2013-2015, rikonstruksionin dhe rikthimin e “Dajtit” në gjendjen e mëparshme. Por, duke parë se në këtë dokument të publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë, realisht mungon afati i nisjes dhe përfundimit të rikonstruksionit të kësaj godine, atëherë vetvetiu lind dyshimi që, edhe këto 3 vite në vazhdim, kjo godinë do të vijojë rrënimin e plotë si pasojë e braktisjes, kushteve atmosferike dhe mungesës së investimeve.

Pra, janë dy nga çështjet më të rëndësishme që lidhen së fundi me problematikën që ngre gazeta “standard” prej më shumë se një muaj, për të cilën Banka as nuk e ka vënë “ujin në zjarr”, në të kundërt është një anashkalim i zakonshëm i guvernatorit për t’ju shmangur realitetit në Bankë.

Në një material të njohur si për çështjen e blerjes së ish Hotel Dajtit, dhe lënies së saj në mëshirë të fatit, prej vitesh, si dhe me shpenzimet e pakursyera që ka bërë Banka e Shqipërisë- deri tani nuk ka pasur reagim. Zyra e shtypit pranë Bankës e ka të vështirë t’u përgjigjet kësaj problematike, nëse prej Fullanit duhet një reagim zyrtar. Para pak ditësh, me 1 gusht, gazeta “Standard” në vijueshmëri të njohjes së çështjes ka paraqitur pranë zyrës së shtypit një grup pyetjesh drejtuar guvernatorit Fullani. Vetëm pas disa ditësh nga dorëzimi i pyetjeve, ka reaguar zyra e shtypit duke dhënë një përgjigje të thatë, si për të hequr qafe, a thua se është një institucion privat, pa asnjë përgjegjësi publike. “Do të japim një përgjigje në ditët në vijim”, – ka qenë përgjigjja e vetme nga zyra e shtypit, pa nënkuptuar këtu nëse Fullani ka ndërmend t’u përgjigjet pyetjeve apo nëse është në dijeni të tyre!

Të dhënat zyrtare nga vetë bilanci i Bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që shpenzimet administrative janë dyfishuar. Duke konsideruar këtu dhe mënyrën e blerjes së ish hotel Dajtit, asnjëherë bërë transparente se si, guvernatorit i mbetet të hapë derën e të japë përgjigje publike, dhe jo të “mbyllet” në Bankën e Shqipërisë!

 

 

 

Reklamat e bankave, tërheqëse apo mashtruese?

Bankat komerciale që operojnë në vend, përmes reklamave të ndryshme në media të shkruara dhe elektronike, si dhe panove reklamuese, paraqesin oferta të ndryshme dhe tërheqëse për produktet e tyre, madje thuhet se ofrojnë norma të volitshme të interesit.

Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se klientët nuk duhet të ndikohen nga marketingu i tyre, sepse kamatat e kredive vazhdojnë të mbesin të larta, deri në 14 për qind.

Bankat ofrojnë kredi të ndryshme duke filluar nga ato familjare, kredi biznesi, blerje të shtëpive apo edhe për bujqësi. Normat e interesit, ndërkaq, dallojnë varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, shpreh dyshimin se reklamat mund të jenë mashtruese. Ai vlerëson se kjo është përgjegjësi e institucioneve që bëjnë mbikëqyrjen e tregut financiar, që të kontrollojnë nëse reklamat e bankave komerciale janë në harmoni me ofertat reale, të cilat ato i ofrojnë në tregun bankar në vend.

“Kemi pasur oferta edhe mashtruese në Kosovë, ku një nga bankat e caktuara ka thënë se japim kredi me kamatë shumë të ulët deri në 4 mijë euro. Ndërsa, kur kanë shkuar klientët nëpër banka, aty kanë vërejtur se ato kredi kanë qenë vetëm për punëtorët e sektorit publik”.

“Kjo ndodh për arsye se tregu në Kosovë është i ngopur me kredi dhe tashmë hapësira për kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve, është relativisht e ngushtë, sepse në vend ekzistojnë rreth 400 mijë kredi, që nënkupton se më tepër se numri i ekonomive familjare ne kemi kredi”, – thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Nga marketingu që bëjnë institucionet financiare, mund të ndikohen vetëm klientët, të cilët kanë nevojë shumë të madhe për kredi thotë, Muhamet Sadiku, profesor në kolegjin “RIINVEST” .

“Nga këto reklama mund të ndikohen vetëm ‘hallexhinjtë’ mund të ndikohen vetëm bizneset, të cilat janë vërtet në një situatë të vështirë, sa i përket likuiditetit të tyre. Por, ajo që dihet është se normat e kamatave të kredisë në Kosovë janë dyfish më të larta se në vendet me treg financiar të zhvilluar dhe dukshëm është më e lartë se sa në vendet e rajonit”.

“Në një situatë të tillë, kur mungojnë edhe instrumentet tjera financiare alternative, të gjitha bizneset dhe popullata janë të detyruara të shërbehen me kredi të shtrenjta, ndërsa me këtë situatë, bankat janë akomoduar”, – konsideron Sadiku.

Normat e larta të interesit për marrjen e kredive kanë bërë që të bjerë numri i kërkuesve për kredi, kështu që bankat detyrohen që në forma të ndryshme të paraqesin oferta tërheqëse, thotë eksperti tjetër i ekonomisë, Ismail Kastrati. Ai, ndërkaq, thotë se bankat duhet të jenë reale karshi klientëve të tyre.

“Sigurisht që klientët ndikohen nga reklamat, në fund të fundit ata ndikohen edhe nga vetë nevoja që të ata të zgjedhin problemet e ditës dhe të familjes. Por, me siguri shumë nga ta, do ta kenë vështirë t’i kthejnë kreditë, pastaj shkalla e kredive të këqija ka mundësi që të rritet. Prandaj, është mirë që bankat të paraqiten korrekte ndaj klientëve të tyre, jo reklama tërheqëse, por reale”, – vlerëson Kastrati.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency