Turistë në diell dhe shi!

0
181

Violeta Murati

 

22666_256329902435_522528_nNisja me autobus gjithmonë për shqiptarët duhet llogaritur si ora e Londrës, vetëm se shumë orë pas. Gati gjysmë ore vonesë nga orari i lënë, u nisën rreth 30 gazetarë të kulturës, medias së shkruar dhe asaj televizive, nga një ofertë promovuese që organizoi Ministria e Kulturës për të “prekur realitetin” në disa pika monumentale që besojnë se mund të shërbejnë dhe si turizëm.

Ide më interesante se kjo nuk ka pasur ndonjëherë ministria, si për të ndihmuar dhe mediat që janë të varfra për t’ia dalë këtij udhëtimi turistik në jug të Shqipërisë! Kameramanët e televizioneve ishin pak më të bezdisshëm sepse në çdo kohë të udhëtimit, mos të thuash sekondë për sekondë bërtisnin “ndal shofer”; sepse syri po u hante plane të bukura nga peizazhi, natyra ashtu siç e kishte bërë Zoti. Por kjo ishte vetëm në segmentin Vlorë-Porto Palermo, ku asnjëherë nuk ke të ngopur nga ajo rrugë. Fati këtë vit ishte me turistët vërtet, sepse rruga ishte e shtruar, mjaft e mirë dhe shoferët sikur kishin zënë mend. Nuk ecnin aq shpejt, si duket dhe atyre, si të gjithëve iu prishte mendtë natyra.

Por dalja nga Tirana është pak e kushtueshme. Trafik nuk ka më. Ka shumë ndotje, plehrat jo më pak. Fluturojnë qeset në mes të autostradës. Sidomos në zonat ku ka banim, apo rrethinat, nuk guxon të kapësh horizontin qoftë nga ndërtime karabina, apo dhe nëpër qendra provinciale mjegulla e ndotjes është e njëllojtë si në kryeqytet.

Akoma ruhet zymtësia e qyteteve të vogla, ato pak pallate që nxihen nga lagështira dhe shëmtia e ndërtimit urbanistik që na la në derë diktatura.

E këpusim drejtimin e autostradës që të çon në Fier, për të hyrë nëpër rrugën e vjetër, – nëse nuk e di nga bie, – tabela nuk ka për në Ardenicë!

Është akoma herët, rreth 09:30 e mëngjesit dhe e tatëpjeta e rrugës për në manastir shpesh na vështirësonte drejtimin, se nga duhet të shkonim. Nuk ishte faji i shoferit, ndonëse ne ishim duke udhëtuar me autobusin e ekipit të futbollit të Gramozit.

Policët si duket nga kjo nuk na nxirrnin pllakën e vogël, të rrumbullakët me vrik, siç bëjnë kur shohin autobusë, furgonë, apo gjëra që kanë rimorkio të madhe.

Kështu që gjaku nuk na ngrinte shumë, nga frika se mos na ndalnin policët. Ngjitëm kodrën dhe në majë ndalëm duke parë rrotull – ku nuk pipëtinte asgjë, veç zogjve që harliseshin mbi pisha, e pemë të larta. Me durimin e njerëzve që jetojnë në kryeqytet, që bëjnë zgjimin e sforcuar me kafe, këtu në Manastir po hynim pak me nerva mu për këtë arsye. Megjithatë porta e madhe prej druri na u hap dhe një burrë rreth të 60-ave hapi krahët, a thua se do hynim me forcë, kur pa një shpurë kamerash dhe disa gazetare nga pas, që përgatisnin fletë e stilolapsa, apo bënin gati diktofonët.

Sikur nuk donim të na shpëtonte asnjë sekondë nga turi ynë, financuar nga Ministria!

Burri rreth të 60-ave ishte… nuk dimë si t’ia themi emrin, sepse pothuaj, në të gjitha këto pika monumentale, roja është dhe recepsionist, është dhe ciceron, është dhe kujdestar e mirëmbatjës i vendit.

Oborri i Ardenicës nuk ka ndryshuar, vazot me lule janë rreshtuar në portik. Ndërsa godina e manastirit, ndonëse na tërheq për bukuri, duket e vjetër dhe veranda që kombinohet me drurin rreth të duket sikur po shembet, por ato akoma nuk janë sosur.

E sigurt kjo për vizitorët që mund ta kenë parë Ardenicë sot e 15 vjet më parë.

Në Manastir nuk u lejua filmimi, ishin disa rregulla shkruar në letër të verdhë, vendosur në portën prej druri, në hyrje, dhe që roja këmbëngulte që duhej ta lexonim. Pasi shihte “forcën” e kamerave dhe fjalët tona se ishim aty për të folur mirë për këtë vend, që t’ia shtonim vizitorët! Por roja qëndroi stoik. Ai plot zell na priu brenda në kishë, mësuar përmendësh, na nisi pa ndalur me zërin e tij pak të vështirë për t’u dëgjuar gjithë historikun e Ardenicës. Fletëpalosje nuk kishte që turistët ta kishin guidën në dorë. Ardenica është pronë e kishës ortodokse dhe e vetmja që manastiri ishte funksional. Katër murgjër janë ngujuar aty, shqiptarë të përgatitur në shkolla teologjike. Ata nuk na u dha mundësia t’i takonim dhe asnjë informacion nuk morëm nga jeta e tyre, pse në ditët e sotme ishin sakrifikuar duke u mbyllur në manastir. Si gjithë historia e kishave shqiptare, dhe Ardenica në kohën e diktaturës ka qenë kazermë ushtarake, për këtë shkak muralet janë dëmtuar dhe brendia e tyre gjithashtu. Dhe në vitet ‘90-’96 pushtohej nga lokalet. Më vonë e mori kisha ortodokse, duke e administruar e ruajtur vendin, ku akoma kryhen ritet fetare.

Mbi kokat e besimtarëve, në kupolën e madhe, gdhendur në ngjyrë argjendi, lexohet ungjilli. Çdo gjë është e vjetër, muralet kanë përzhitjen në të zezë, ndonëse thuhet se në Ardenicë janë më të mbajturat. Ikëm si me vrap nga ky vend, që porta hapej e mbyllej, diell më diell. Jo pak metra larg, pasi pyetëm rrotull, ishte lokali në kodër të Ardenicës. Do ecni drejt, në rrugë të shtruar, ku duken antenat e larta. Mu aty peizazhi të vinte në pëllëmbë të dorës. Fusha pafund dhe degëzimet e rrugëve, të reja e të vjetra. Po në lokal nuk hahej mëngjes. Ushqimi bëhet si të hani drekë – na tha kamerieri. Në qoftë se do mish zgare, a pulë të pjekur! Me mundim porositëm dhe vonë shkoi, gati na zuri dreka aty – si çdo vend, lokalet turbullohen nga një fluks i madh turistësh, që zbrazen menjëherë.

Mbasi u ngatërruam mirë e mirë, nëpër rrugët e Fierit, në diell të fortë, pluhur dhe duke ndalur disa herë për të mësuar nga bie Apolonia – sosëm, roja me fytyrën plot gëzim, ngriti traun dhe bëri gati bllokun e biletave. Por u zhgënjye pak kur mësoi se ishim gazetarë, na liroi rrugën dhe autobusi u ngjit fare pranë hyrjes në Kishën e “Fjetjes së Shën Mërisë”. Aty u bëmë lëmsh, ca donin të hynin në manastir, të shihnin muzeun, të dinin për fatin e saj, pse ishte mbyllur dhe kur do të hapej. Ca të tjerë shihnin skulpturat e ngarkuara me pluhur, ku para se t’i prekje varej shiriti me vija kuqe. Ndërsa në vendin ku ka qenë ekspozuar, po bëheshin punime, aty pak muaj më parë kishte ndodhur rreziku, shirat patën shkaktuar çarje të murit, nga rrëshqitja e dheut. Megjithatë nuk mund të këshillohet që Apolonia të vizitohet në pikun e verës. Muajt më të mirë janë në pranverë dhe vjeshtë. Ciceroni ynë, i porositur, specialist i turizmit na thanë, Admir Zelaj, nisi të na shpjegonte historinë plot histori të Apolonisë, çfarë ka qenë ajo, si ka shërbyer në shkollë oratorie deri në madhështinë e cilësuar Pompeu i dytë i Shqipërisë. Admiri dukej tmerrësisht i mrekulluar, dhe kjo dukej nga pasioni si fliste. Sigurisht çdo vizitor do ta bënte për vete dhe në pak sekonda, afër hartës ku ai tregon hyrjen në manastir. Apolonia të madhështohet. Vetëm se në këto ditë shumë të nxehta, mushkonjat e vogla e bënin të padurueshme dëgjimin, gati të ikje me vrap. Dihet pasuria arkeologjike e Apolonisë, por megjithatë arkeologët nuk reshtin së thëni se është zbuluar vetëm 5% e qytetit antik. Pak është mbi tokë, por është realisht një vend i mirë vetëm për ta shëtitur në një ditë. Pak minuta nuk shërbejnë për t’i rënë rrotull. Vend për të ngrënë ka, është vila e famshme ku ka jetuar zbuluesi i Apolonisë, Leon Rei. Mund të ulesh dhe në hije të pemëve në tavolina prej druri, të improvizuar jashtë, në bar. Edhe një lokal është aty. Ndonëse ishte e shtunë, At Sokratin nuk e pamë. Bileta për të hyrë në Apoloni kushton 200 lekë. Për besimtarët që vijnë në kishë, nuk pritet biletë. Admiri thotë se ata dallohen, ngaqë vijnë vetëm të dielave, janë vendalinj nga gjithë zonat rrotull. Na thanë disa fjalë se aty ka dhe ca sherre për vendosjen e varrezave të zonës, një konflikt i vjetër, po që ka ngritur prapë krye. Madje dyshohej, se në procesin e varrimit, kur hapej gropa mund të gjeje objekte arkeologjike! “Pastrohej” dhe aty vinin të vdekurin! Gojët thoshin, se kështu nuk mund ta denonconte njeri. Po, ne nuk ishim aty për këto halle. Duhej të dinim dhe numrin e vizitorëve, sa të ardhura nxjerr Parku Arkeologjik i Apolonisë. Nuk ishin të kënaqur sa vitet e tjera drejtuesit, ishte përgjysmuar xhiroja e një viti, tani fitonin nga biletat vetëm 2.5 milionë lekë. Për ta bërë më atraktive për turistët, Admiri thotë se kanë një projekt që nuk do të shikojnë vetëm Apoloninë, por do ketë një fermë për breshkat, pasi është zonë e mbrojtur për to. Ai kishte testuar se të huajt, sidomos evropianët, i preferojnë shumë këto lloj argëtimesh me kafshë!

E lamë këtë vend, duke medituar pak mbi dëshirat e turistëve kur tek trau, roja na dha fletëpalosjet, jo shumë, vetëm disa copë, një faqe gjë, të sjellë shpejt e shpejt për gazetarët!

“Këtu nuk ke frikë nga asgjë”, – na kujton një thënie, të një këngëtari të huaj, një prej zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, që na shoqëronte në këtë tur turistik – sapo mbërritëm në Vlorë. Në hyrje të qytetit pamja është e tmerrshme; rruga e ngrënë si me dhëmbë, në pritje për t’u shtruar; pluhur i madh përpjetë; në dy anët e xhadesë pallate të stërmëdha, pa ngjyrë, të pambaruar, bosh. Ndërsa pamja na freskohet drejt “Skelës”. Qyteti vjen. Pallatet e reja kanë mbushur Vlorën, në anë të rrugëve. Po ashtu dhe mbi bregun, ku disa i ngjajnë anijeve në arkitekturë. Dhe pse janë mori, prapë janë më të bukura, pa katastrofën e betonit të Durrësit. E kalojmë shpejt qytetin, sepse destinacioni ynë është Orikumi. Ndonëse qielli kishte re, dielli nuk kishte ikur, dhe njerëzit e paktë dukeshin sikur largoheshin me bezdi nga bregu.

Dreka në Orikum mbajti emrin e peshkut. Gatimi në këtë vend është shumë i mirë, ashtu siç na tha dhe kryetari i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, të cilit nuk i kishte ndodhur ndonjëherë të ketë vëmendjen e kaq shumë kamerave dhe diktofonëve, posaçërisht të ardhur nga kryeqyteti! Guida e vjetër e Orikumit dhe atraksioni i ri – e shkruar në anglisht, do të jetë guida e re, që po përgatitet për këtë vend. Zonë që na tregohet me gjithë asetet turistike, veçse deri tani nuk i njohim. Shpresohet një ditë të bëhen bashkë: plazhi, mali, deti, parku kombëtar i Llogorasë, parku arkeologjik që është ndër tetë më të rëndësishmit në vend, Oriku – ja këto na tha kryebashkiaku Braho. Por, mos më pyesni për kapacitetet akomoduese – ishte përgjigjja tjetër! Ndonëse mësojmë se çmimet për një dhomë hoteli, edhe këtë vit kapin qiellin. Nuk flitet poshtë 50 euro dhoma, ku nuk ofrohet asnjë gjë tjetër veç detit, gurëve dhe shtratit marinar. Haraç që po e paguajnë jo pak qytetet bregdetare. Nga ecja buzë detit, jo pak hotele shkëlqejnë nga lyerja e re, por grilat janë të ulura dhe rrallë shohim ndonjë ballkon të hapur.

Orikumin e vlerësojnë si zonë në shpërthim, dhe i ditur bëhet lajmi; se për gjithë bregdetin e Orikumit, rreth 1200 hektarë, sapo ka përfunduar një studim urbanistik.

Edhe këtu ka probleme se përveç turistëve, shpresohet shumë të tërhiqet edhe vëmendja e investitorëve të huaj e vendas. Dy vende që mbahen si tërheqëse janë Dukati i vjetër dhe kalaja e Gjon Boçarit. Tabelat në rrugë na prezantojnë zonat, por dhe kryebashkiaku i Orikumit tregon se janë ndërtuar rrugët drejt tyre, si një ide për shëtitjet e turistëve. “Ndërkohë jemi marrë me infrastrukturën e qytetit të Orikumit dhe pas pak ditësh jemi duke përfunduar tre projekte të tjera në infrastrukturë. Një rrugë që lidh shëtitoren me unazën e Orikumit, por dhe një shëtitore gjatë bregdetit që shkon deri në shëtitoren e Pashalimanit, të gjitha këto objekte bëjnë atraktive zonën, po lehtësojnë dhe pushimet e vizitorëve”.

Braho, nuk tregon çmimin, por se tjetër argëtim për turistët është dhe porti turistik i jahteve, si i vetmi në Shqipëri, dhe në ditët e para të korrikut pritet udhëtimi i parë i famshëm; Otranto-Orikum, dhe kthim. Këto e bëjnë vërtet Orikumin më të veçantë. Ujë, drita, pastërtia, shërbimi të gjitha këto kryebashkiaku i lidh me zhvillimin e ri që do të marrë kjo zonë, nga ndërtimi i infrastrukturës. Ka mbaruar një studim urbanistik dhe Braho thotë se këtë javë do të japin lejet e para të ndërtimit. Bëhet fjalë për një studim urbanistik të pangjashëm me studime të tjera të bëra në Shqipëri. Kryebashkiaku, sikur të bëhet fjalë se kanë zënë mend nga gabimet e qyteteve turistike, nxitohet të thotë se do të ketë normativa dhe standarde që nuk do lejohen keqinterpretime apo interpretime sipas dëshirës. Kjo do të thotë se pallatet nuk do të bëhen me sa kate duan ndërtuesit, si shembulli i keq Vlora, Tirana, Durrësi. Përmend dhe ligjin Braho, për ata që e shkelin.

Na duket se gjithë dita jonë shkoi në autobus, kur na duhet të kalojmë shpejt nga Llogoraja, ku si gjithmonë kecat e pjekur, mish zgare e verë e ithët, alkool, janë ushqimi i kësaj zone alpine; po aq shpejt kalojmë gjithë zonën deri në Porto-Palermo.

Rruga është qetësia që kanë marrë turistët nga gjithë mundimi i mëparshëm, në lakmi për të pasur pushime në zonat bregdetare të Jonit. Ndalemi shpesh, si çdo udhëtar, sa herë kalohet andej, për të parë mbi Llogora horizontin ku bashkohet deti me qiellin, në ngjyrë e thellësi. Kameramanët vdesin të bëjnë plane në këto zona. Pa aparat fotografik andej nuk udhëtohet. Brikena, një nga punonjëset e ministrisë, specialiste e turizmit, thotë se do të rifreskojë arkivin e saj me këto të rejat. Dhe pse është e njëjta pamje, thotë se nuk ngopet kurrë. Të gjithë janë kështu. Po, ne na duhet të ecim shpejt, të shikojmë në një ditë, rrugën, bregun, ndërtimet, fshatrat – dhe ato të Dhërmiut, ku rruga duket shumë ekzotike, në dy anë ndërtesa dhe semafori, shpëton makinat. Nuk u prishën shtëpitë, që themelet i kanë ngulur në shkëmb. Ndoshta, rruga e re, që do marrë vijën bregdetare, do ta zgjidhë këtë problem të relievit të vështirë. Në këto anë ende nuk flitet për turizëm aventure, edhe pse është ndonjë ide. Ka nga ata që janë hedhur me parashutë nga mali deri në det, në mbi një metër lartësi. Ndërsa rrugës pamë të huaj, si gjithmonë, që sfidojnë terrenin e vështirë, ngjitur në biçikleta gati të zhveshur nga dielli, të nxirë fort, që merrnin maloren e Llogarisë. Ata janë të çmendur, – thoshin disa të rinj në autobus – gati në përbuzje, pse ndodhen të huajt në ato vende, në një ngjitje kaq të mundimshme! Në shumë segmente betonet-mur, që mbajnë anët e rrugëve plot fjalë, e parulla: “makinë me qira”, “kurvë”, “fuck greek”, “Çamëria e jona”, “qumësht, mjaltë, propolis”, “PD”, PS”, “votoni Artur Rroshin”, “rock & roll”, “Ina të kam zemër” etj., pafund faljesh mbi gur! Për të treguar se nuk ka hile shumë koshere bletësh, janë buzë rrugës, dhe vendalinj me një tavolinë shesin mjaltë në kavanoza. Ky, është vend i mjaltit.

Rruga e Jalës është e re, Drimadha po ashtu është bërë me rrugë që çajnë nga malet deri në bregdet. Këtu është parajsa e gjithë Shqipërisë, një vijë bregdetare e pafund, e virgjër dhe shumë e shtrenjtë. Nuk kemi kohë të shikojmë pikat turistike në veçanti, po rrugë ka.

Në këtë entuziazëm se të paktën këtu gjen rrugë të mira, ndalim përballë fundit të turit tonë, kështjellës së Ali Pashës, në Porto Palermo. Emër vënë nga venecianët, që menduan se mbërritën në Palermo, kur panë ngjashmërinë. Por më parë, ky vend quhej Parnomus, panorama për shkak të pamjes që ofronte. Një gji i vogël, dikur pushtuar nga ethet e diktaturës prej pushtimeve, dhe më herët një cep i fortë i këtyre anëve, me njëmijë e një histori, sofistikimesh, dhe strategji lufte për Ali Pashën.

Pasi bëjmë ca metra rruge si shteg plot ferra, në harkun e madh të portës na pret mirëmbajtësi i Kështjellës, një pretendues pasardhës i Ali Pashës, me toka në atë zonë. Kështu që atij i takonte të kujdesej për kalanë e pashait. Klark Koçi thotë se punon aty prej katër vitesh, ka një entuziazëm për rritjen e numrit të turistëve nga viti në vit. Në dorë mban dhe ai një bllok biletash, 100-lekëshe. Kaq është çmimi për të parë, kështjellën me bëmat e Ali Pashës. Klarku thotë se merr vesh nga historia, dhe pse merret me gjithë punët e kalasë; e mirëmban, pret vizitorët, i shoqëron, bën ciceronin dhe nuk mërzitet kurrë. I pëlqen të flasë për Ali Pashën, madje hedh mendime e ide, se si të bëhet më funksionale kalaja, të mos jetë kaq e varfër, pa rrugë deri atje. Ka propozuar të shtrohet me kalldrëm, po lekë nuk ka. Lekët që merr nga shitja e biletave i çon në bankë, se kështu i kanë thënë. Ka katër vjet që gjithë xhiron turistike e mbyll atje, dhe nuk merr vesh gjë më se ç’bëhet me to. Kalaja është në varësi të Muzeut të Vlorës, – na thotë, – dhe pret nga ata të qarkut të lëshojnë para, a të kujdesen. Ka ide, na tregojnë këta të Ministrisë që kemi me vete, që na shoqërojnë, se mund të jepet me koncesion ky vend. Ndryshe, kështu mendojmë edhe ne, nga Kalaja e Ali Pashës mund të marrësh dhe ndonjë sëmundje, si tifon. Muret e brendshme kanë nisur të kullojnë, tabani është ujë, lagështira ka gërryer muret. Ndriçimi në ndryshim nga koha e Ali Pashës, pra me pishtar, tani bëhet me qirinj të vegjël, vendosur për tokë. Ndonëse si mjedis është krejtësisht mistik, i rëndë dhe të përpin nga madhështia e arkitekturës. E kanë bërë francezët, dhe ndërtuar nga vendalinjtë – thotë mirëmbajtësi. Ky na tregon se një ditë një japonez kish ardhur deri në rrugë, por nuk kishte guxuar të hynte brenda. Ne po atë ditë takuam ca turistë holandezë, se me kalanë e Ali Pashës ishin njohur nga shishja e ujit, etiketa – kështu kishin ardhur dy-tri herë deri aty. Të pangopur dhe ata, ja nga rruga, ja dhe nga pashai ynë. Po nuk e pe me sytë e tu këtë vend, vështirë të tregohen labirintet e kështjellës; dhoma e Vasiliqisë, haremi i Pashait, cisterna e madhe, dhoma e armatimit, dritaret e pjerrëta ku rrinin gati pushkët, dritaret e pashait vendosur drejt dhe mbrohej tre metra nga jashtë prej kullës së rojës, frëngjitë e hapura në tavan lëshojnë dritën pingul, si projektorë etj. Në mure fjalë në të kuqe me shigjetë; vaj, benzinë – zëvendësonin pllakat në gjuhë italiane vënë në kohën e pushtimit, përdorur këtë kështjellë si vend ushtrie; të njëjtin fat i dha kalasë edhe Enver Hoxha, që e përdori si kazermë ushtrie, dhe birucë për të internuarit. Aty na tregon Koçi, te biruca që Ali Pasha e përdori për barut, në errësirë të thellë, e lagështirë deri në marrje fryme, ka qenë internuar Kolec Topalli; edhe në kohën e Zogut është përdorur si vend internimi, përmendin ngujimin e Ali Kelmendit.

Muret e kalasë janë dëmtuar në shumë vende. Mirëmbajtësi i saj thotë se më ’82 gjatë gërmimit për të vendosur cisternat e naftës, ka ndodhur dëmtimi nga hedhja e dinamiteve. Gjithë këto gjurmë janë pa mbërritur në Kala, kuptohet nga dy kazerma, bosh të nxira buzë rruge. Ato duhen shembur, – thotë Toçi, – e shëmtojnë vendin! Rreth 6 mijë vizitorë vijnë në këtë vend, të huaj e shqiptarë, dhe mirëmbajtësi na thotë se është aty orar e pa orar, 24 orë. Mjafton t’i çosh një zile telefoni, edhe në mes të natës, vjen te Ali Pasha, për t’i shërbyer! Rruga në kthim, mbante vetëm një dilemë të madhe; çfarë duhet të thoshim ndryshe për këto monumente!? Koha për të menduar ka kaluar, dhe në orën 12 të mbrëmjes në Tiranë, pamë shkarkimin e qiellit, shi, gjithë ditën e djeshme. Ndërsa në bregun e Jonit kishte diell.

20-21 qershor 2010

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency