Kukësi si Flamurtari, kalon dy ture

0
181

Altin Vorpsi

Kukësi përsërit Flamurtarin e famshëm të viteve 80-të. Në debutimin e saj evropian, skuadra verilindore arrin të kualifikohet në raundin e tretë të Europa Ligë duke eleminuar dhe boshnjakët e Sarajevës. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu siguroi kalimin në raundin tjetër, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e kthimit, ndërkohë që në ndeshjen e parë kishte fituar 3-2

 

581402_471526716277595_1971158724_nKukësi bëri një ndeshje heroike në transfertë ku dhe pse kundërshtari ishte superior në lojë, arriti falë zemrës dhe forcës së karakterit të mbajë të paprekur portën e Halilit. Ky i fundit madje në minutën ishte heroi ndeshjes, jo vetëm për pritjet e realizuara por gjithashtu dhe për faktin se arriti të presë një 11-metërsh në minutën e 68-të. Skuadra kuksiane me këtë barazim kalon tashmë në raundin e tretë ku do të përballet me ukrainasit e Metalurg Donetsk.

Formacioni

Tri ndryshime bëri Cungu në radhët e skuadrës verilindore. Ka rrokadë në prapavijë ndërmjet Renato Malotës dhe Rrahman Hallaçit, sepse kapiteni rikthehet nga minuta e parë pas mungesës në sfidën e një jave më parë për arsye shëndetësore. Interesante duket vendosja e Malotës në qendër të mesfushës, në rolin e një shkatërruesi, që do të ketë më tepër detyra difensive, duke mbetur në stol fantazisti Alikaj. Duke nuhatur një përballje fizike dhe të egër në mesfushë, Cungu dhe Starova besojnë më tepër te lezhjani. Në sulm vërehet një lëvizje e papritur dhe e paparashikueshme, teksa serbi Popovic nuk figuron në formacionit titullar të fillimit, i zëvendësuar nga Malindi. Kukësi vendoset në fushë me skemën 4-3-3, cka do të thotë se nuk mbrohet, por kërkon të shënojë në fushën kundërshtare. Kështu, në portë luan Halili. Në mbrojtje, Peqini në të djathtë, Brahja e Malakarne në qendër dhe Hallaçi në të majtë. Mesfusha përbëhet nga Allmuca në të djathtë, Malota në qendër dhe Karabeci në të majtë. Treshja e sulmit ka në qendër Malindin, ndërsa nga krahët vijnë Progni dhe Hoxha.

Kronika

Pjesa e parë e ndeshjes është dominuar tërësisht nga boshnjakët, që e kanë kërkuar golin me ngulm, duke pasur shumë forca në repartin e përparmë. Sarajevo, e mbështetur fuqishëm nga tifozëria e vet e zjarrtë, i ka synimet të qarta: duhet të zhbllokojë rezultatin dhe t’i hapë vetes perspektivën e kualifikimit, sepse kalimi i minutave në të tilla ndeshje e rrit së tepërmi presionin psikologjik. Kësaj gjejë nuk i shpëtoi dot skuadra vendëse, që shpenzoi shumë energji, e kontrolloji topin dhe terrenin, por qe e paqartë në fazën konkluduese. Natyrisht, përballë gjeti një kundërshtar të mirëvendosur në fushë, ku mesfusha dhe mbrojtja mbështesnin njëra-tjetrën, duke ndërtuar dy “filtra” para portës së Halilajt. Edhe ky i fundit, në rastet e rrezikshme që u paraqitën në portën e vet, tregoi gadishmëri e formë të shkëlqyer sportive. Trajneri Cungu duket qartë se i ka udhëzuar të tijtë të mos pësojnë gol, ta mbajnë kundërshtarin sa më larg portës dhe të mundohen të dalin në kundërsulm nga krahët. Progni dhe Hoxha kanë për detyrë të bëjnë “pistonin” e të mbështesin sulmuesin qendror, Malindi. Nuk zhbilancohen verilindorët, përkundrazi, janë tepër të kujdesshëm e të përqendruar në detyrat që duhet të kryejnë. Në fundin e këtij fraksioni loje shënohet edhe rasti i parë i volitshëm për Sarajevon, pas një goditjeje nga këndi, por Tadejević bën më të vështirën, duke gabuar para portës së Halilajt. Kundërpërgjigjet Kukësi me anë të Prognit, duke goditur jashtë kuadratit vendas, pa sjellë ndonjë rrezik të madh. Minutat kalojnë dhe ndeshja i afrohet fundit të pjesës së parë, që mbyllet me shifra të bardha, me Sarajevon dominuese, por me kuksianët pragmatistë dhe mjaft të qartë në aspektin taktik.Po ashtu, kryesori ka nxjerrë dy kartonë të verdhë, një për Peqinin dhe tjetrin për Malindin. Gjuajtjet në 45 minutat e para janë 9-1 për Sarajevon, nga këto në portë raporti është 4-0, kornet 6-0 dhe shanset ideale per shenim 2-0. Shifra këto që tregojnë supremacinë e boshnjakëve, por në atë që është më e rëndësishmja, goli, ka barazpeshë. Verilindorët shkojnë në dhomat e zhveshjes të kualifikuar, po e njëjta lojë u shfaq edhe në pjesën e dytë kur portieri i Kukësit bën mrekullinë. Në minutën e 68’ Brahja ndalon në mënyrë të gabuar Šunjevarić dhe kryesori akordon 11-metërsh. Godet nga pika e bardhe Melunović, por pret mrekullisht Halilaj. Numri një i skuadrës së cungut ruajti rrjetën e paprekur duke i dhënë kështu të drejtën të tijve të festonin kalimin e turit.

 Skeda

SARAJEVO – KUKESI  0-0

SARAJEVO: Bandović, Tatomirović, Tadejević, Dupovac, Haurdić, Todorović, Šunjevarić (Osmanagić 74′), Džakmić, Cimirot, Suljić (Huseinbašić 75′), Melunovic (Karić 69′). Trajner: Husref Musemic

 

KUKËSI: Halili, Brahja, Hallaçi, Malakarne, Peqini, Malota, Progni (Progni 92′), Malindi (Popovic 70′), Allmuça, Karabeci, Hoxha (Manuka 84′). Trajner: Armando Cungu

 

Gjyqtarë: M. Vilkov, A. Vorontsov, V. Danchenko (Rusi)

 

Kartonë të verdhë: Peqini 29′, Malindi 44′, Karabeci 90+3′

 

Merkato

Mojes: Do bëjmë një ofertë të tretë për Fabregasin

Barcelona ka refuzuar dy oferta, njëra 30 milionë dhe tjetra 35 milionë euro për Cesk Fabregas, por Junajtid nuk dorëzohet. “Negociatat për të vazhdojnë”, – tha menaxheri, i cili konfirmoi se dje në miqësoren kundër Cerezo Osakës ai ka rikuperuar Van Persin dhe holandezi pritet të jetë në fushë. “E ka lënë pas dëmtimin muskulor dhe është gati të luaj”, – pohoi skocezi.

 

Angli

Totenhemi ka frikë mos humbë Bejlin

Totenhemi është i shqetësuar për motivimin e Garet Bejlit pas akordit me Realin dhe do përpiqet të përshpejtojë rinovimin me asin uellsian. Presidenti Daniel Levi është gati t’i ofrojë një rrogë prej 9 milionë eurosh në sezon nga 4.5 që merr aktualisht për të mos e humbur uellsianin. Spërsat janë shumë pranë edhe firmës me Soldadon. Sulmuesi i ka kërkuar Valencias se dëshiron të shkojë në Londër.

 

Triumfi

Ronaldinjo fiton Kupën Libertadores

Në kohën kur Papa Françekso është në Brazil, ndodhin edhe mrekulli në futboll. Atletiko Mineiro kishte humbur 2-0 finalen e parë në Asunsion kundër Olimpias, por i mund paraguaianët me të njëjtin rezultat në ndeshjen e kthimit. Dhe pas kohësh shtesë dhe penalltive, janë bardhezinjtë nga Belo Horizonte ata që ngrenë trofeun e Kupës Libertadores. Ndodh për herë të parë në historinë e tyre, ndërsa ky ishte triumfi i katërt radhazi i një skuadre braziliane pas atyre të Internacional (2010), Santos (2011) dhe Korinthians (2012). Klimë e tensionur para ndeshjes, pasi disa tifozë të Atletikos goditën me gurë hotelin ku ishte akomoduar skuadra paraguaiane në shenjë hakmarrjeje për goditjen me gurë ndaj Ronaldinjos gjatë ndeshjes së parë. Olimpias iu desh të ndërronin hotel për t’iu shmangur dhunës, madje e kishin parashikuar diçka të tillë, duke prenotuar edhe një hotel të tretë. Presionin jashtë fushe duket se miqtë e ndjejnë edhe brenda saj. Shënon Zho në minutën e 46-të, ndërsa Da Silva e dërgon ndeshjen në shtesë 4 minuta nga fundi. Olimpia mbeti me 10 vetë që prej minutës së 84-ët, por rezistoi deri tek penalltitë, ku fati i buzëqeshi vendësve. Në fund Ronaldinjo shpërtheu kundër kritikave që e masakruan për performancën e finales së parë: “Iu tregova se nuk kam mbaruar. U ktheva në Brazil për të fituar të vetmin trofe që më mungon. Tani qepeni gojën të gjithë. Ia uroj fitoren nënës time dhe përshëndes mikun tim Mesi, lojtarin më të mirë në botë, i cili është i lumtur për mua”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency