Çfarë parashikon e majta për 300 ditët e para të qeverisjes, dallimet PS-LSI

0
163

Gëzim Saliu

Bashkëhartuesit e programit qeverisës kanë parashikuar edhe një miniprogram për 100 ditët e para të qeverisjes me reformat më urgjente që duhen ndërmarrë. Publikimi, këtë fundjavë

 

Ilir-Meta-dhe-Edi-Rama2Programi i përbashkët qeverisës PS-LSI për 300 ditët e parë është thuajse i përmbyllur. Dy bashkautorët e hartimit të tij, Ilir Beqja për socialistët dhe Edmond Haxhinasto për Lëvizjen Socialiste për Integrim, janë në mbyllje të detajeve të fundit, ku gjithsesi çështjet e mbetura pezull apo të shtyra në një kohë të dytë në të nuk janë të pakta. PS dhe LSI mbeten të ndarë për çështjet e taksimit progresive për të ardhurat personale si edhe për sistemin shëndetësor, ku duket se kthimi i tij falas nuk do të realizohet në 300 ditët e para të qeverisjes së majtë. Ndërkohë sa i takon progresivitetit, palët mbeten ende të ndara lidhur me skemën që duhet të aplikohet, ku LSI kërkon progresivitet me nivele e ndërsa PS kërkon që ai të jetë pa nivel. Krahas këtyre konvergjencave, pritet që këtë fundjavë të dy bashkautorët e programit ta bëjnë publik atë, ku më parë draftin do të kërkojë aprovimin e dy krerëve të koalicionit të majtë, Edi Rama dhe Ilir Meta. Në program janë përfshirë edhe reformat emergjente të cilat duhet të ndërmerren brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së majtë.

Programi

Në fokus të programit të qeverisjes së majtë për 300 ditët e para do të jenë ekonomia, borxhi publik, hapja e vendeve të reja të punës, arsimi dhe shëndetësia. Kështu sa i përket ekonomisë programi parashikon rishikim të taksave dhe një sistem fiskal më të thjeshtë. Sektori fiskal konsiderohet si një ndër më të rëndësishmet e platformës qeverisëse të majtë, ku duke lënë mënjanë debatin për progresivitetin për të ardhurat personale, palët janë angazhuar për mirëpërcaktimin e një administrimi të mirë fiskal. Ndërkohë një tjetër pikë e rëndësishme e programit bashkëqeverisjes PS-LSI është edhe Shëndetësia. Edhe pse kthimi i sistemit falas duket i pamundur për 300 ditët e para, palët janë dakord dhe është përfshirë në program, ndërhyrja në drejtim të stabilizimit të sistemit të furnizimit me medikamente. Po ashtu është përfshirë në programin qeverisës edhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore, së cilës do t’i shtohen edhe materialet mjekësore. Gjithashtu masa që pritet të merren për këtë sistem janë edhe heqja e TVSH-së së medikamenteve, stabilizimi i furnizimit të ilaçeve, ulja e çmimeve të barnave jo më shumë se prodhimi, si dhe nevoja që brenda vitit të bëhen ndryshimet ligjore, ku sipas së cilit vitin e ardhshëm do ketë shëndetësi falas për moshat mbi 40 vjeç. Në këtë kontekst pritet të rishitet edhe zgjedhja në Universitetin Mjekësor në pozicione si rektor dhe shefa. Lidhur me buxhetin, PS dhe LSI kanë parashikuar një disiplinim të shpenzimeve, kryesisht në kuadër të mbledhjes së taksave. Ndërkohë programi ka parashikuar masa edhe mbi sektorët e tregtisë, industrisë prodhuese dhe mjedisit. Pjesë e platformës qeverisëse janë edhe anulimet apo rishikimet e privatizimeve, ku në 100 ditët e para pritet që të zhbëhet koncesioni i lotarisë kombëtare dhe ai i markimit të karburantit. Po me aq rëndësi në programin qeverisës është edhe punësimi, ku të dy forcat kryesore të koalicionit të majtë, PS dhe LSI, e kanë pasur atë si kryetemë të fushatës elektorale. Socialistët e drejtuar nga Rama kanë premtuar se do të hapin 300.000 vende të reja pune në katër vitet e mandatit, një synim ky i vështirë dhe jo pak i kritikuar si nga kundërshtarët politikë ashtu edhe brenda radhëve. Përpos shifrave, në programin qeverisës punësimi ka marrë rol primar, ku sektorët kryesorë që do ta garantojnë atë pritet të jenë bujqësia, turizmi dhe agro-biznesi.

 

Dallimet PS-LSI

 

Sistemi shëndetësor

LSI kërkon skemën e sigurimit për mbulimin maksimal të shëndetit publik.

PS kërkon mbulim universal

Taksimi progresiv

LSI kërkon që taksimi progresiv për të ardhurat personale të jetë me nivele

PS kërkon që taksimi progresiv për të ardhurat personale të mos ketë nivele

 

 

Vizita

Rama merr mbështetjen e Italisë: Frymë të re për të ardhmen evropiane

Kreu i partisë Socialiste Edi Rama, ka marrë mbështetjen e Italisë për qeverisjen e re të majtë që pritet të nisë detyrën në fillim të muajit shtator. Në takimet e zhvilluar në Romë me përfaqësuesit e lartë të shtetit italian, kryesocialisti është siguruar për faktin se Italia do të mbështesë fuqimisht kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Pas takimit me kreun e Ekzekutivit italian Letta, Rama zhvilloi një takim të veçantë me Ministren e Jashtme, Emma Bonino, ish-Kryeministrin Berlusconi dhe ish-kryeministrat Amato dhe D’Alema. Ministrja e Jashtme Italiane, Emma Bonino, në përfundim të takimit me liderin socialist, theksoi se,: “Njihemi në ulje ngritjet e politikës prej shumë vitesh dhe besoj që së bashku mund të vendosim themelet e një fillimi të ri, një fillimi të ri jo të miqësisë mes vendeve tona, por një fillim të ri mendoj për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Evropës”. Një tjetër takim i Ramës ishte edhe ai me ish- Kryeministrin Silvio Berlusconi, ku ky i fundit shprehur sigurinë për krijimin e një frymë të re në vend me qeverisjen e majtë. “Jam i sigurt që do sjellë për Shqipërinë një frymë të re, një frymë hapjeje drejt së ardhmes, bashkë edhe me një mbështetje nga ana e Italisë, që gjithmonë e ka parë Shqipërinë si një vend mik, ku dimë janë mjaft qytetarë që flasin italisht dhe ku do na pëlqente që mjaft sipërmarrje tonat të kishin selinë e tyre”, – u shpreh Berlusconi. Nga ana e tij, kreu i PS-së, Edi Rama vlerësoi dy ish-kryeministrat italian D’Alema dhe Amato, duke nënvizuar domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Fondacioni italian Europei, është një stacion i pashmangshëm për mua, për ne socialistët shqiptarë, ku gjejmë gjithmonë derën e hapur dhe dy miq të mëdhenj të Shqipërisë, Masimo D’Alemën dhe Giuliano Amaton, me të cilët kemi folur për të ardhmen, për ndihmën që kërkojmë, për eksperiencën që mund të na vënë në dispozicion dhe për burimet njerëzore të paçmueshme që mund të gjejmë falë tyre në mënyrë që jo thjesht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkojnë një hap më tutje, por që qeverisja jonë, politikat tona, sidomos hapja e një perspektive të re për investimet italiane në Shqipëri, të kthehen brenda katër viteve të ardhshme në një realitet të ri shqiptar”, u shpreh kreu i PS-së Edi Rama.

 

Takimi në PS

Ekspertët e FMN-së dhe BB-së diskutojnë bashkëpunimin. Beqja: Puna nis në tetor-nëntor

Ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore kanë vizituar dje selinë e Partisë Socialiste ku kanë zhvilluar një takim me Sekretarin për programin të kësaj force Ilir Beqja. Ky i fundit theksoi se takimi ishte i natyrës teknike dhe kishte të bënte me punën që pritet të zhvillohet gjatë muajve tetor-nëntor. Sipas Beqes, ky takim ishte kërkuar nga vetë përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore. Ndërkohë ekspertët e institucioneve më të rëndësishme financiare të cilët ndodhen në Shqipëri prej dy ditësh janë takuar më herët me ministrin e financave Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bashkisë së Shqipërisë Ardian Fullani. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, më kërkesën e institucioneve shqiptare Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB) do të kryejnë përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Nëpërmjet vlerësimeve të FSAP-së, dy institucionet e rëndësishme ndërkombëtare ofrojnë një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency