Lefter Koka takon Ramën: Unë ministër? Më parë do flas me strukturat e LSI-së

0
131

Gëzim Saliu

“Me Ramën kam njohje të hershme, shkëmbyem mendime për zgjedhjet e 23 qershorit”

 

LEFTER KOKAFormimi i qeverisë së re dhe emrat që do ta përbëjnë atë mbeten çështja kryesore brenda së majtës. Vetëm një ditë pas takimit mes kryetarit të LSI-së Ilir Meta dhe kreut të PS-së Edi Rama, ditën e djeshme zyrën e liderit socialist e vizitoi deputeti i qarkut të Durrësit Lefter Koka. Ky takim mes tij dhe kryesocialistit vjen pikërisht në ditët më përcaktuese lidhur me ndarjen e përgjegjësive qeverisëse brenda koalicionit të majtë, ku emri i deputetit të LSI-së është një ndër më të lakuarit për të marrë drejtimin e një ministrie. Lidhur me këtë çështje, i pyetur nga gazetarët pas përfundimit të takimit, Koka tha: “Besoj se këto do të jenë diskutime të mëpasshme. Do ta diskutoj tek LSI-ja dhe do t`ju jap përgjigje në ditët në vijim”.

Takimi

Sipas deputeti të LSI-së, në takimin me kreun e PS-së nuk është diskutuar për postet ministrore në qeverinë e re, por theksoi ai, biseda u përqendrua tek zgjedhjet e 23 qershorit. “Ka qenë thjesht një takim miqësor. Me Ramën kam njohje të hershme, kemi qenë që në 2003 ish-kryetar të bashkish, të qytetit të Durrësit dhe Tiranës. Shkëmbyen disa mendime për ecurinë e zgjedhjeve që sapo kanë përfunduar”, – tha Koka. Ndërkohë i pyetur nga mediat nëse do të ishte i gatshëm të linte mandatin e deputetit për një post ministror, ligjvënësi i LSI-së theksoi se do të prononcohet për këtë pasi ta diskutojë me strukturat e LSI-së. “Me sa jam njohur unë grupi i punës po punon për ndërtimin e strukturës së re qeverisëse. Besoj se këto do të jenë diskutime të mëpasshme. Do ta diskutoj tek LSI-ja dhe do t`ju jap përgjigje në ditët në vijim”, – pohoi Koka. Dy ditë më parë, ishte kryetari i LSI-së Ilir Meta i cili zhvilloi një takim në selinë e Partisë Socialiste, me kreun e forcës më të madhe të koalicionit të majtë, Edi Rama. Burimet pranë selive përkatëse bën të ditur se temë kryesore diskutimi mes kryesocialistit dhe Metës ka qenë ekzekutivi i ardhshëm, si edhe programi i përbashkët bashkëqeverisës për 300 ditët e para. Ky takim mes dy liderëve të koalicionit të majtë është paraprirë më parë nga një sërë takimesh më shumë private se sa publike mes tyre, ku është folur lidhur me ndarjen e përgjegjësive qeverisëse. Sipas një marrëveshjeje paraprake mes PS-së dhe LSI-së, e cila përflitet në ambientin e majtë, forca e parë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” do të marrë drejtimin e 9 deri në 10 ministrive në ekzekutivin e ardhshëm. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të përfitojë 4-5 portofola ministrorë, nga ku më të përfolurat janë Ministria e Arsimit, Ministria e Integrimit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Transporteve. Për këtë të fundit emri më i lakuar është pikërisht ai i deputetit të qarkut të Durrësit Lefter Koka. Ndërkohë që një tjetër çështje e nxehtë në kampin e majtë është edhe ajo që lidhet me ndarjen ministër-deputet, ku në bazë të paktit të bashkëpunimit mes PS-së dhe LSI-së, i cili u nënshkrua në marrëveshjen e Shkodrës, pritet që kabineti i ri qeveritar të mos përfshijë brenda tij deputetë të kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë. Rama dhe Meta kanë konfirmuar publikisht se ato deputetë që do të përzgjidhen nga krerët si drejtues së ministrive, do të duhet të heqin dorë më parë nga mandati i deputetit të marrë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo pikë ka hasur deri më tani një terren të vështirë, pasi një pjesë e mirë e ligjvënësve të parlamentit të ri, kryesisht ata socialistë, kanë shprehur kundërshtinë e tyre. Nisur nga kjo pritet që 15 ditët e këtij muaji të jenë përcaktuese jo vetëm për të kuptuar se cila do të jetë forma dhe përbërja e qeverisë së ardhshme, por edhe për ti dhënë përgjigje debatit të lindur tek e majta për ndarjen mes postit të ministrit dhe atij të deputetit.

 

Debati tek e majta për taksimin

PS dhe LSI skema të ndryshme për progresivitetin tek të ardhurat personale

Kur mbeten edhe pak ditë nga publikimi i pjesës së parë të programit bashkëqeverisës për 300 ditët e para, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se nuk po gjejjnë konsensusin për dy pika kryesore; taksimin progresiv tek të ardhurat personale dhe sistemin shëndetësor. Në kohën kur, koordinatori i programit të qeverisë së re të majtë, përfaqësuesi i LSI-së Edmond Haxhinasto ka bërë të ditur pak ditë më parë se shëndetësi nuk do të jetë falas, ditën e djeshme Ilir Beqaj ka pohuar se PS dhe LSI kanë dallime sa i përket progresivitetit tek të ardhurat personale. I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “A1 Report”, përfaqësuesi socialist në hartimin e programit bashkëqeverisës theksoi se mes forcës ku ai bën pjesë dhe LSI-së ka debat mbi taksën progresive mbi të ardhurat personale. “Të dy partitë janë shprehur për këtë. Te LSI ka një skemë me nivele, te ne jo me nivele. Ne kemi shpjeguar se çdo të ndodhë me të ardhurat mujore. Jemi shprehur se pa vënë në vend një administrim të mirë fiskal, pa i thënë ndërmarrjes se kemi hequr taksën e sheshtë, të kohës dhe ryshfetit, nuk do nisim të negociojmë me ta për 10%. Në kontaktet me biznesin dhe takimin që patëm me ambasadorët e BE-së ngulën këmbë te marrëdhëniet me ndërmarrjet për rimbursim të TVSH-së. Efektet që krijohen në biznes nga vonesat e tvsh, pagesat e pakryera për punët publike janë një barrë më e madhe se 10-12% shkallë tatimore mbi fitim”, tha ai. Taksimi mbi të ardhurat personale mbetet një çështje që ndan dy forcat kryesore të koalicionit të majtë, pasi nuk është vendosur ende se cilat do të jenë kategoritë që do të taksohen mbi apo nën vlerën 10 për qind.

 

Qeveria e re

Arben Malaj: Duhet shmangur shtimi i strukturave dhe rritja e shpenzimeve

Ish-anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, këshillon koalicionin e majtë fitues të zgjedhjeve që të shmangë praktikën e shtimit të strukturave qeverisëse. Si ish-ministër i Financave, Malaj theksoi se diskutimet dhe debatet publike për sfidat e vendit dhe prioritet e qeverisjes së ardhshme mund të fokusohen më shumë në modelin e demokracisë funksionale që bazohet tek institucionet e forta. “Reformat deri kushtetuese që përmirësojnë ndarjen dhe kontrollin e pushteteve, reformat që e mbështesin qeverisjen e mençur – SMART Government – përball “qeverisë së fortë” duhet të jenë prioritete të programit qeverisës. Reformat që mbështesin rritjen ekonomike duhet të jenë prioritare ndaj aksioneve për suksese të sforcuara. Qeveritë e koalicioneve shpesh shoqërohen me shtimin e strukturave qeveritare dhe me rritjen e shpenzimeve. Ky risk duhet eliminuar pasi sjell pasoja negative si në cilësinë e qeverisjes edhe ne sfidat e deficitit dhe borxhit”, shkruante ai në rrjetin social Facebook. Sipas burimeve pranë selive të dy partive kryesore të koalicionit të majtë, PS dhe LSI, pritet që qeveria e ardhshme të jetë e përbërë nga më shumë dikastere se ekzekutivi aktual. Kështu përflitet se nga 14 ministri që janë aktualisht, numri i tyre në qeverisjen e majtë të shkojë deri në 17 ose 18 ministri.

 

Rama në Londër, sot takim për qeverisjen e re me Tony Blair-in

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është nisur dje drejt Londrës, ku qëllimi kryesor i vizitës së tij në Angli mbetet takimi me ish-kryeministrin Tony Blair. Kreu socialist informoi në rrjetin social Twitter për vizitën e tij në Londër ku shkruante: “Në aeroportin e Londrës ku sapo zbritëm për takimin e punës nesër (sot) me km Tony Blair dhe ekipin e tij”. Këshillimi që pritet të japë Blair për qeverinë e re të majtë u përfol para fushatës elektorale edhe nga mediat londineze, ku e përditshmja britanike “Sunday Telegraph” shkruante se PS mund të ketë paguar miliona paund për shërbimet që do të japë kompania e ish-kryeministrit britanik. “Të jeni të sigurt se vullneti i Blair-it për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim për të mirat që do sjellë. Ndërsa kontrata nuk do të rëndojë hiç fare mbi buxhetin e shtetit dhe të publikut”. Në reagim të këtij shkrimi, por edhe kritikave të ardhura nga kundërshtarët politikë, Rama theksoi në atë kohë se kontrata mes tij dhe Blair-it nuk do të rëndojë mbi buxhetin e shtetit dhe të publikut. “Të jeni të sigurt se vullneti i Blair-it për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim për të mirat që do sjellë. Deri tani kemi thjesht një marrëveshje ende të pakonkretizuar me kontratë të bazuar në dëshirën e të dy palëve për të bashkëpunuar në të mirë të Shqipërisë”, – ka reaguar ai. Vizita e sotme pritet të konkretizojë marrëveshjen e bashkëpunimit mes kompanisë së Tony Balir-it dhe qeverisjes së re të majtë, ku rol i kësaj kompanie do të kufizohet në kuadër të këshillave ekonomike dhe fiskale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency