Vrasja e Dervishit, hetime në dy pista, verifikim pamjeve filmike

0
178

Elton Qyno

Ekzekutimi mafioz, policia thuajse e dorëzuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve

Sekuestrohen kamerat në kryqëzimin e rrugëve “Bardhyl” dhe të Dibrës. Dëshmitë: Autori, pa probleme

 

Edmond DervishajVrasja e Edmond Dervishit ende nuk ka autor dhe policia e Tiranës duket se është dorëzuar përballë kësaj ngjarjeje të rëndë. Hetimet janë duke u krye në dy pista kryesore si ajo e një hakmarrjeje të mundshme dhe e ndonjë flirti të momentin që mund të ketë pasur viktima. Policia i ka mëshuar më tepër pistës së hakmarrjes, duke menduar se ekzekutimi mafioz i Dervishit është bërë për shkak të problemeve të mbartura nga vëllai i tij, Gentian Dervishi, i cili u ekzekutua mes grupeve rivale në afërsi të Shkollës së Kuqe, nga ata që njiheshin si djemtë e rrugës “Bardhyl”. Pikërisht lufta brenda llojit, ka prodhuar një seri vrasjes të njëpasnjëshme, ku me sa duket, ata që kanë mbetur tashmë gjallë, vijojnë të organizojnë vrasjet. Pikërisht, dora e tyre, dyshohet se ka qëlluar edhe mbi 50-vjeçarin Edmond Dervishi, i cili teksa kthehej në banesën e tij, është qëlluar me 18 plumba, ku 9 prej të cilëve i kanë marrë jetën. Burime policore thanë se gjatë ditës së djeshme janë marrë të afërmit e viktimës në pyetje si dhe disa prej komshinjve. Të gjithë dëshmitarët kanë pohuar se viktima njihej si person pa precedentë penalë dhe se nuk konfliktohej me askënd.

Kamerat e sigurisë

Duke marrë shkas nga dëshmitë e dhjetëra personave që kanë rrëfyer se tre personat që qëlluan mbi Edmond Dervishin, janë larguar me një Benz të zi, policia e Tiranës, gjatë ditës së djeshme ka verifikuar të gjitha kamerat e kryqëzimeve të rrugës “Bardhyl” si dhe ato të Rrugës së Dibrës, prej nga mendohet se kanë ecur autorët me makinë. Aktualisht ky proces është në fazë verifikimi, por burimet thanë se nga këqyrja e filmimit pikërisht në orarin kur ka ndodhur vrasja nuk është arritur të konstatohet asnjë Benz i zi. Edhe ndonjë automjet i dyshimtë që shfaqet në kamerat e kryqëzimeve, dukë u larguar me shpejtësi, sërish nuk është arritur të zbulohet me saktësi vendndodhja e makinës. Aktualisht hetimet në këtë drejtim po kryhen në rrugë operative dhe se dyshimet flasin se autorët mund ta kenë shitur në ndonjë servis automjetin, duke e çmontuar tërësisht atë, për të mos lënë asnjë provë, nëse do të zbulohet nga policia. Në të njëjtën kohë, policia e Tiranës ka kërkuar informacion nga kompanitë celulare për të mësuar nëse viktima Edmond Dervishi ka pasur ndonjë konflikt me persona të ndryshëm, dhe që mund të ketë shkëmbyer mesazhe kërcënuese. Këto verifikime kryhen edhe nëse Dervishi ka pasur ose jo lidhje intime, për të verifikuar dhe këtë pistë, e cila për momentin ndodhet në tavolinën e hetuesve dhe që sipas tyre mund te jetë bërë shkak për vrasjen e Dervishit në pragun e shtëpisë së tij.

Vrasja para shtëpisë

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:55 minuta të së dielës në rrugën “Thanas Ziko”, pranë gjimnazit “Partizani”. Edmond Dervishi u qëllua 9 herë, me pistoletë me silenciator sapo ka vënë këmbët në shkallët e pallatit ku jetonte. Policia njoftoi se në atentatin me armë kanë qenë 3 persona, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e tij. Njëri prej tyre ka qëndruar në makinën tip “Mercedes-Benz”, ngjyrë e zeza dhe pa targa, ndërsa dy tjerët e kanë ndjekur dhe sapo është futur në hyrje të pallatit, e kanë qëlluar, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa vetë janë larguar me makinë, të favorizuar dhe nga errësira. Edmond Dervishi, muajt e fundit kishte punuar dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i punësuar si magazinier, vetëm për 3 muaj, sa të mbaronin zgjedhjet parlamentare. Gjatë ditës së djeshme familjarët tërhoqën nga morgu trupin e viktimës, duke e përcjellë atë në banesën e fundit në varrezat e Tufinës. Ngjarja tronditi zonën e shkollës “Partizani”, e cila njihet si zonë tepër e qetë. Viktima njihej nga të gjithë banorët si njeri tepër i urtë dhe që nuk përzihej me askënd.

 

 

Padia në gjykatë e ish-komandantit të “Briskut”

Policia arrestoi avokatin, Bardhi Koçi i kërkon dëmshpërblim me 200 mijë euro

Avokati i njohur Bardhi Koçi, dhe ish-komandanti i Forcave të “Briskut” ka paditur policinë e Tiranës për shpërblim dëmi, duke i kërkuar si shpërblim një shumë prej 200 mijë euro. Koçi disa kohë më parë është vënë në pranga nga strukturat e krimit ekonomik-financiar për akuzën e mashtrimit, por më pas është liruar menjëherë me urdhër të prokurorisë. Organi i akuzës e ka quajtur arrestimin si të paligjshëm, dhe për pasojë policia ka lënë të lirë ish-kolegun e tyre. Mirëpo pas kësaj situate, tashmë Bardhi Koçi, ka ngritur padinë civile në gjykatën e Tiranës, duke akuzuar Drejtorinë e Policisë së Kryeqytet se i ka shkatërruar imazhin me arrestin e gabuar që i ka bërë. Në këto kushte, Koçi i kërkon gjykatës që të pranojë kërkesën dhe të dëmshpërblejë atë me një vlerë prej 200 mijë euro. Padia e avokatit është regjistruar në datën 12 korrik, dhe se në objektin e saj kërkohet detyrimi i të paditurve ti shpërblejnë paditësit dëmin jopasuror në shumën 200 000 euro. Detyrimin e të paditurve që të heqin nga skedat e policisë gjeneralitetet e paditësit. Aktualisht për këtë padi, shorti i gjykatës ka zgjedhur gjyqtarin Bledar Abdullai. Në një reagim për shtyp nga ana e studios Ligjore me administrator avokat Bardhi Koçin, u deklarua pak kohë më parë se “veprimi i kryer nga ana e policisë së Komisariatit nr. 3, Tiranë në dëm të tij dhe të studios ligjore që ai drejton, është një veprim i turpshëm nga segmente të politizuara të Policisë së Shtetit”. Përfundimisht dështon inskenimi i turpshëm i policisë së komisariatit nr. 3 Tiranë, konfirmuar kjo nga vendimi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i dhënë të drejtë kjo e fundit veprimeve të ligjshme të kryera nga avokatët e studios ligjore “Gega & Koçi”.

 

Tenton vetëvrasjen

Tiranë, 39-vjeçari qëllon me thikë veten

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar rreth orës 18:00 të pasditen e djeshme në kryeqytet. Një 39-vjeçar ka qëlluar veten disa herë me thikë teksa ka tentuar vetëvrasjen. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tij në rrugën “Jordan Misja”. Sipas burimeve të policisë, konfirmohet se shtetasi Artan Bakushi është dërguar menjëherë në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve atje, gjendja e 39-vjeçarit është kritike për jetën dhe nuk jepen shpresa për të. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarjeje të dytë të rëndë pak minuta larg njëri-tjetrit teksa në Kodrën e Priftit një grua u vra nga bashkëshorti i saj, i cili më pas tentoi edhe ai vetëvrasjen, por gjendet në kushte aspak të mira shëndetësore në Spitalin Ushtarak

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency