Valbona Çarçani u ankua në polici, denoncoi ish-bashkëshortin për bezdisje

0
156

Sonja Caka

Dëshmia e autorit: Nuk më linte të takoja vajzat, më tradhtonte prej vitesh. Para se të shkoja në komisariat, i kërkova shpjegime

 

vrasja 2

Denoncimi i të shoqit në polici për bezdisjet e shpeshta orë e pa orë në shtëpi duket se ka sjellë edhe acarimin e Genci Çarçanit ditën e ngjarjes, ku pas zënkës me të shoqen, e ka masakruar atë në mes të rrugës. Fakti u bë i ditur nga fqinjët e saj pas ngjarjes, ndërsa konfirmohet zyrtarisht edhe nga policia. Mësohet se Valbona Çarçani përndiqej nga i shoqi dhe kërcënohej shpesh, çka e detyroi atë të regjistronte edhe një kallëzim penal në komisariatin nr. 1, ku kërkonte ndërhyrjen e policisë për të shmangur atë që ndodhi tri ditë më parë. Për këtë kallëzim, ish-bashkëshorti është thirrur për të dëshmuar në polici në orën 09:00, por që për shkak të ngarkesës, marrja në pyetje është lënë për gjysmë ore më pas. Autori është ulur në një kafe pranë komisariatit, pranë së cilës gjendej edhe banesa private ku ish-bashkëshortja dhe dy vajzat rrinin me qira. Në momentin që ka parë viktimën, Genci Çarçani e ka thirrur, më pas kanë nisur një debat mes tyre, ku ai i kërkonte sqarime lidhur me kallëzimin në polici, si dhe për faktin se ku ishin vajzat. Valbona ka refuzuar t’i përgjigjet dhe kjo ka sjellë irritimin e 48-vjeçarit, i cili e ka ndjekur nga pas dhe e ka qëlluar katër herë më thikë, duke i shkaktuar vdekjen.

Ankesa

Dy ditë para vrasjes, Valbona Çarçani i kishte telefonuar policisë, duke iu ankuar se ish-bashkëshorti po e bezdiste, duke i ardhur në çdo orë të natës në shtëpi, fakt që atë dhe vajzat po e bezdisnin. Për këtë arsye, Genci Çarçani ishte lajmëruar të paraqitej në komisariatin nr. 1 dhe ditën e ngjarjes ndodhej në këtë rrugicë për t’u marrë në pyetje lidhur me këtë fakt. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në orarin e caktuar Çarçani është paraqitur në polici, por i është kërkuar nga oficeri që kishte marrë ankesën ta priste edhe gjysmë ore, ndaj dhe, në pritje të marrjes në pyetje, ai është ulur në një kafe pranë derisa aty pranë i është shfaqur Valbona, ish-bashkëshortja me qenin e saj të zi. Ata kanë nisur të debatojnë mes tyre për këtë ankesë në polici dhe për faktin se ku ndodheshin vajzat e tij. Edhe vetë autori ka pranuar për policinë se në këtë kohë e ka thirrur Valbonën dhe po i kërkonte t’i jepte shpjegime për këtë ankesë dhe për vajzat. Në debat e sipër, i dyshuari ka nxjerr thikën dhe e ka qëlluar disa herë në shpinë, në qafë dhe në gjoks ish-bashkëshorten duke e lënë në mes të rrugës të shtrirë. Edhe para prokurorisë, i dyshuari e ka pranuar krimin dhe ka treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes, duke pretenduar se ajo prej shumë vitesh e tradhtonte dhe nuk e lejonte t’i takonte dy vajzat. Sipas dëshmisë së dhënë, 48-vjeçari Çarçani deklaron se para se paraqitej në komisariat kishte kërkuar nga ish-gruaja që të sqarohej por ajo e kishte goditur me çantë duke e acaruar bisedën mes tyre.

Dëshmitë

Dy orë pas krimit, fqinjët kanë zbërthyer shkaqet e debatit mes çiftit, madje duke bërë publik edhe faktin se Valbona kishte lajmëruar policinë, duke denoncuar ish-bashkëshortin për bezdisje. “Ajo kishte pak kohë që po jetonte në këtë zonë. Ishte në një shtëpi private bashkë me vajzat. Por ishte grua e qetë dhe shumë e komunikueshme dhe e muhabetit. Na kishte treguar se ishte e ndarë dhe jetonte me vajzat. Kishte ardhur këtu që t’i fshihej burrit. Ai vinte herë pas here dhe në orare të ndryshme të ditës e natës. Gruaja kishte raste që ia hapte derën, por kur ai vinte rreth orës 1 ose 2 të natës, e linte pas derës. Këtë javën e fundit nuk ka qenë shumë në terezi. Madje, me vështirësi na përshëndeste dhe dukej se e shqetësonte diçka. Para dy ditësh, burri i erdhi dhe filluan të debatonin. Ai i kërkonte shpjegime se ku ishin vajzat, por ajo nuk donte t’i tregonte. Madje kanë debatuar para banesës dhe gruaja telefonoi policinë. Ajo i thoshte policisë: “Hajde merreni se po më përndjek, po më bezdis”. Ai ka ardhur në mëngjes dhe dimë vetëm që janë ulur në kafe” kanë dëshmuar për “Standard” ditën e ngjarjes fqinjët e gruas.

Masa

Gjykatë, sot vrasësi i Valbona Çarçanit, para Krimeve të Rënda

Sot pritet që Genci Çarçani të dalë para togave të zeza të Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzën, atë të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta në mjedise publike” parashikuar nga nenet 79/c dhe 279/2 të Kodit Penal. Për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal, prej 1 qershorit të gjitha krimet brenda familjes i kanë kaluar për kompetencë te Krimet e Rënda. Për këtë krim të kryer, autori i saj, Genci Çarçani, rrezikon dënim nga 20 vjet deri në “Burgim përjetë”, ndërsa për këto lloj krimesh nuk parashikohet asnjë lloj lehtësie dhe se minimumi që duhet të japë gjykata është 20 vjet, jo më pak. Ndryshimet e fundit ligjore përcaktojnë se krimi në familje gjithashtu do të jetë kompetencë e kësaj gjykate. Çdo vrasje në familje me viktimë personin bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues, ish-bashkëjetues, gjini e afërt apo krushqi me autorin, kalon në kompetencën e prokurorisë e më tej të Gjykatës se Krimeve të Rënda. Ndryshimet në Kodin Penal u botuan në “Fletoren zyrtare” më datë 21 maj dhe 15 ditë pas publikimit, ato hynë në fuqi, duke bërë kështu Krimet e Rënda kompetente për hetimin dhe gjykimin e këtyre krimeve.

Arma

Genci Çarçani nuk ka qenë i qartë në të gjithë dëshminë e tij, të paktën për elementin kryesor, atë të armës. Ai ka qenë kontradiktor për këtë moment të hetimit, pasi në fillim ka pohuar se e ka gjetur thikën në rrugë e më pas se e ka blerë në një dyqan aty afër.

Motivi

“E vrava se Valbona nuk më linte të takoja vajzat. E kisha të pamundur që të komunikoja me to edhe në telefon”, – mësohet të ketë deklaruar para hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa në momentin e arrestimit është shprehur: “E vrava se më nxiu jetën”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency