Meta kthehet pas 9 vitesh në selinë e PS-së, diskuton me Ramën për qeverinë e re

0
124

Gëzim Saliu

Kreu i LSI-së, pas takimit me kryesocialistin: Ishte thjesht një kafe

 

rama_meta_ne_takimPas thuajse 9 vitesh, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është rikthyer dje në selinë e Partisë Socialiste, ku ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kreun e forcës më të madhe të koalicionit të majtë, Edi Rama. Mësohet se në qendër të bisedës me kryesocialistit dhe aleatit kryesor të PS-së ka qenë qeveria e re që pritet të marrë detyrën në fillim të muajit shtator. Dy krerët e koalicionit të majtë, i cili u shpall fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, kanë preferuar që takimi të ishte konfidencial, pra pa praninë e shoqëruesve nga të dyja palët, si edhe larg syve të medias.

Takimi

Rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme në selinë e purpurt ka mbërritur kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai ka ngjitur shkallët e selisë së PS-së dhe i është drejtuar zyrës së kryesocialistit, ku ka zhvilluar me të një takim tejet konfidencial. Për rreth 60 minuta, Rama dhe Meta kanë bashkëbiseduar mes tyre, ku sipas burimeve pranë selive përkatëse mësohet se temë kryesore diskutimi ka qenë ekzekutivi i ardhshëm, si edhe programi i përbashkët bashkëqeverisës për 300 ditët e para, i cili pritet të bëhet publik këtë javë nga dy kryesuesit e grupeve të punës Edmond Haxhinasto dhe Ilir Beqja. Ndërkohë në përfundim të takimit, Meta në një reagim të shkurtër ka thënë se me Ramën nuk është diskutuar për emrat e kabinetit qeverisës. “Ishte thjesht një kafe”, – pohoi ai për “Kanalin 7”. Takimi i djeshëm mes kreut socialist dhe kryetarit të LSI-së nuk ishte bërë i ditur më parë nga zyrat e shtypit respektive të dy partive si edhe pas tij nuk u dha asnjë njoftim lidhur me zhvillimin apo përfundimet e arritura në të. Po ashtu, rëndësia e privatësisë së bisedës mes dy liderëve të koalicionit majtë u vërejt edhe nga fakti se si Meta ashtu edhe Rama kishin zgjedhur të zhvillonin takimin mes tyre në formë tërësisht konfidenciale, duke mos u shoqëruar nga asnjë përfaqësues i dy forcave politike. Ditët e fundit, kryesocialisti dhe kreu i LSI-së i kanë shtuar kontaktet mes tyre, ku vetëm dy ditë më parë ata ishin së bashku në Qeparo. Krahas një fundjave ndryshe, mendohet se Rama dhe Meta nuk kanë lënë pas në bashkëbisedimin e tyre dhe diskutimet për qeverinë e ardhshme, ku deri më tani janë bërë zyrtare vetëm poste që ata vetë do të mbajnë. Kështu kryesocialisti do të jetë në postin e kryeministrit të vendit e ndërkohë Meta do të marrë drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Por pavarësisht se palët kanë mohuar nisjen e bisedimeve mes tyre për ndarjen e përgjegjësive qeverisëse, deri më tani janë përfolur në të dy selitë përkatëse si edhe në ambientin mediatik një sërë emrash që pritet të marrin kryesimin e ministreve të qeverisë së ardhshme. Sa i përket ministrive, tashmë është bërë e ditur se numri i tyre do të rritet, nga 14 që janë aktualisht do të shkojë në 16 ose 17 ministri. Partia Socialiste si forcë e parë e koalicionit fitues do të marrë më shumë portofola ministrorë se të gjitha forcat e tjera të majta, 9 ose 10 ministri. Nga ana tjetër, pritet që Lëvizja Socialiste për Integrim si forcë e dytë e koalicionit, të marrë drejtimin e 4 ose 5 ministrive, ku përfliten Ministria e Transporteve, ajo e Arsimit, Ministria e Integrimit dhe Ministria e Mbrojtjes. Po ashtu një portofol ministror është thuajse i sigurt që do të shkojë Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila arriti të marrë një mandat deputeti në zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo forcë politike, pritet të marrë drejtimin e ministrisë së Mjedisit ose atë të Punës dhe Çështjeve Sociale. Në të njëjtën linjë me PBDNJ-në, edhe Partia Kristian Demokrate, që arriti të marrë një mandat deputeti në qarkun e Shkodrës, i kërkon Ramës që t’i përmbahet marrëveshjes parazgjedhore për të përfituar një post ministror në qeverinë e re. Dy javët në vijim do të jenë përcaktuese për të kuptuar se cila do të jetë forma dhe përmbajtja e ekzekutivit të ri, ku me siguri thuhet se në fillim të muajit gusht do të bëhet publike ndarja e përgjegjësive qeverisëse si edhe emrat që do të drejtojnë ministritë.

 

Takimi me Dhomën Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë

Arvizu: SHBA pret transparencë dhe përgjegjshmëri. Rama: Klimë e re për biznesin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë në selinë e Partisë Socialiste, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan, Alexander Arvizu. Në takimin, i cili zgjati për më shumë se 60 minuta, u vendosën në qendër të diskutimit politikat e qeverisë së re për biznesin si edhe domosdoshmëria e konsultimit mes palëve. Shefi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark C. Crawford tha se ajo që kërkon biznesi është qartësia. “Do ishte mirë, që biznesi të kishte takime direkte jo vetëm me kryeministrin, por edhe me ministra. Do ishte mirë të kishte një strukturë, një periudhë kur të merren vendime, por gjatë kësaj periudhe biznesi duhet të konsultohet. Duhen konsultime përpara jo pas. Do donim të ishim pjesë e këtij procesi, që çon drejt vendimeve dhe ato të merren në kohën e duhur. Ishte takim shumë i mirë dhe po presim me kënaqësi këtë administratë të re”, – theksoi Crawford. Ndërsa ambasadori Arvizu deklaroi fillimisht: “Zoti Rama e bëri shumë të qartë, që ai do të punojë ngushtësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe veçanërisht me ShBA-të dhe ofruam mbështetjen e plotë, asistencën me praktikat më të mira të punës”. Nga ana tjetër kryediplomati amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-ve për qeverinë e re, ku tha: “Shtetet e Bashkuara janë besimplotë se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta do t’u përgjigjen kërkesave të votuesve”. Ai më tej shtoi se në takimin u dhanë këshilla për biznesin, gjë kjo sipas Arvizus mund të bëhet në çdo fushë. “Transparencë në çdo fushë, kredibilitet dhe parashikueshmëri dhe përgjegjshmëri. Këto janë tre shtyllat ku bazohet bashkëpunimi dhe këshillimi që SHBA-të presin”. Ndërkohë në përfundim të takimit, edhe kryesocialisti Rama komentoi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook. “Një klimë e re për biznesin. Me Dhomën Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë për piketat e një rruge të re marrëdhëniesh qeveri-biznes”.

 

Aleati i PS-së

PPSHR, Dajti nuk njeh Ramën si kryeministër: Meta ka çelësat e qeverisë dhe Parlamentit

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, aleate e Partisë Socialiste, njeh si udhëheqës faktik të koalicionit të majtë, kreun e LSI-së Ilir Meta. Sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSHR-së Marko Dajti në një reagim për situatën e rendit në vend, e cila sipas tij është rënduar edhe më shumë nga deklaratat e përfaqësuesve të PS-së për pushime nga puna të efektivëve të policisë, deklaroi dje se përgjegjësitë për fatet e vendit i takojnë Metës. “Në mënyrë të veçantë i bëjmë thirrje fituesit dhe udhëheqësit faktik të mazhorancës së ardhshme, z. Ilir Meta, të cilit populli shqiptar i ka dorëzuar çelësat e parlamentit, qeverisë dhe presidencës, që të jetë gjithmonë i matur dhe i mençur, pasi fitorja e madhe sjell gjithmonë përgjegjësi të mëdha për fatet e vendit”, – u shpreh Dajti, duke shtuar se është detyrë e kreut të LSI-së për të këshilluar politikanët e PS-së që të mos bëjnë spastrime të papërgjegjshme në administratë. Në këtë kontekst, Sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSHR theksoi se pavarësisht problemeve në radhët e forcave të rendit, efektivët profesionalë nuk duhet të zëvendësohen nga militantë partiakë. “Disa politikanë të Partisë Socialiste, të etur për pushtet, po bëjnë deklarata të papërgjegjshme për pushime masive nga puna, çka po shkakton demotivim në radhët e uniformave blu. Pavarësisht elementëve të korruptuar në radhët e Policisë së Shtetit, të cilët meritojnë të largohen një herë e përgjithmonë së bashku me Sali Berishën, pjesa dërrmuese e efektivë të kësaj strukture janë të ndershëm dhe punojnë me përkushtim, duke u përballur ditën dhe natën, në kushte jashtëzakonisht të vështira, me krimin dhe kriminelët. Ne nuk do lejojmë që njerëzit e ndershëm dhe patriotë të zëvendësohen nga militantë partie”, – përfundoi deklaratën e tij Sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSHR-së Marko Dajti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency