Vendosja e regjimit ushtarak në Shqipëri

0
218

Çelo Hoxha

 

ushtaret-serbeRegjimi komunist në Shqipëri u instalua me anë të ushtrisë, me projekt të dërguar nga Jugosllavia, i cili u bë publik në rastin e parë që komunistët u grumbulluan në një qendër urbane, që pas themelimit të PKSH-së. Deri në Kongresin e Përmetit, 24-28 maj 1944, udhëheqja komuniste – Miladin Popoviçi, Enver Hoxha, e ndonjë tjetër që u rrinte pranë si Liri Gega e Ramadan Çitaku – kishte qëndruar jashtë qyteteve. Ata fshiheshin në zona malore, të shkelura pak nga vendasit e thuajse aspak nga të huajt. Përveç themelimit, nëntor 1941, asnjë aktivitet tjetër i rëndësishëm i PKSH-së nuk u zhvillua në Tiranë, deri më 28 nëntor 1944. Konferenca e Pezës, 1942, u mbajt jashtë Tiranës, në një zonë që italianët e kishin lënë të lirë me marrëveshje. Gjatë viteve ‘43-‘44 udhëheqja e PKSH-së u strehua në malet e Elbasanit, Skraparit dhe Gramshit, një terren ku ishte e vështirë të shkoje, veçse në mënyrë primitive. Konferencat I, pranverë 1943 dhe II, vjeshtë 1943, të PKSH-së, u zhvilluan në Labinot të Elbasanit. Kongresi i Rinisë, verë 1944, u mbajt në Helmës. Përmeti ishte një qytet i vogël, i larguar nga qendrat urbane me rëndësi strategjike, në skajin jugor të Shqipërisë, rreth 240 km larg kryeqytetit, në një zonë ku, pas largimit të nacionalistëve prej vëllavrasjes, komunistët lëviznin të lirë. Gjermanët nuk e kishin në vëmendje Përmetin. Ai ishte rreth 40 km larg nga rruga kombëtare Gjirokastër-Tiranë, që atyre iu interesonte për tërheqjen e forcave nga Greqia. Gjermanët nuk sulmonin kënd nëse nuk i sulmonte kush. Në Evropë fitorja e luftës nga aleatët ishte e dukshme, pas një jave do të hapej Fronti i Dytë. Gjermanët kishin filluar të tërhiqeshin nga Ballkani.

Kongresi i Përmetit zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar, organ legjislativ dhe ekzekutiv. Kryetar i tij u zgjodh Omer Nishani, ish-anëtar i Asamblesë Kushtetuese, të thirrur nga pushtuesit fashistë më 12 prill 1939, për të legjitimuar pushtimin e Shqipërisë dhe për t’i dhuruar kurorën e Mbretërisë Shqiptare mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III. Këshilli kishte të drejtën të formonte Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e një qeverie të përkohshme, që, ndryshe nga këshilli, ishte organ “më i math dhe udhëheqës i pushtetit ekzekutiv”. Me vendimin e parë të kongresit dhe me vendimin e parë të KANÇ nis fletorja e parë zyrtare e pushtetit komunist, e cila u botua më 21 dhjetor 1944. Struktura e shtetit të ardhshëm, të paktën deri më 11 janar 1946, ishte sipas modelit të funksionimit të një partie. Gjithçka varej nga njeriu më i fortë në parti, i cili ishte sekretar politik i partisë, kryeministër dhe komandat i përgjithshëm i ushtrisë.

Dy vendimet e para të KANÇ ishin për organizimin e pushtetit. Vendimi i tretë kishte tri pika që paralajmëronin prishjen e vazhdimësisë në strukturën e shtetit shqiptar dhe ndryshimin e dhunshëm të politikës së tij të jashtme. E para, mbretit shqiptar iu ndalua kthimi në Shqipëri, duke mos e përfillur statusin ekzistues të formës së regjimit në Shqipëri, gjë që pushtuesit, të paktën gjermanët, nuk e cenuan; e dyta, do të rishikoheshin gjithë marrëveshjet e deriatëhershme të Shqipërisë me shtetet e huaja, por jo marrëveshja për Shën Naumin dhe Vermoshin me Jugosllavinë  dhe e treta, nuk do të njihej asnjë marrëveshje dhe asnjë lidhje ndërkombëtare që mund të bëhej brenda ose jashtë vendit nga grupe të tjera politike ose qeveri shqiptare. Ky vendim shpalli totalitarizmin.

Një ditë më vonë Enver Hoxha, i graduar gjeneral konolel me të njëjtin vendim, u emërua Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane Vullnetare Nacionalçlirimtare. Po atë ditë u krijua Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar dhe në krye të tij u emërua Enver Hoxha. I njëjti person do të drejtonte ushtrinë dhe qeverinë e përkohshme. S’kishte asnjë paqartësi, platforma diktatoriale e Përmetit do të zbatohej me dhunë kundër shqiptarëve që konsideroheshin rivalë për pushtet dhe forma e qeverisjes do të ishte ushtarake.

Pas kongresit, bërthamës diktatoriale nuk i mbetej gjë tjetër, veçse ta shtrinte kontrollin e saj në të gjithë vendin. Shumë shpejt ushtria partizane nisi mësymjen për të marrë nën kontroll pjesën tjetër të Shqipërisë dhe kështu u fashitën gjithë dyshimet pse partizanët gjatë vitit 1943 nuk luftonin kundër gjermanëve. Deri atëherë, një ushtarak britanik kishte kujtuar se partizanët kishin pasur frikë. Një britanik tjetër ka shkruar kështu për paraqitjen e dobët të Brigadës I: “Kishte, natyrisht, dhe një pikë që nuk ishte ende e dukshme për mua: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk i ngrinin formacionet ushtarake me qëllim që të luftonin kundër gjermanëve e italianëve, por të kontrollonin Shqipërinë për veten e tyre. Ata nuk kishin ndërmend të rrezikonin në humbje serioze në operacione, që për ta kishin rëndësi të dorës së dytë”. Ajo që Dejvid Smajli e kujtonte punë frike, ndërsa Peter Kemp nuk e shihte qartë asokohe, pas Përmetit u vërtetua: ajo kishte qenë një llogari e pastër politike për marrjen e pushtetit me dhunë.

Më 1 qershor 1944, Enver Hoxha urdhëroi Divizionin I të ushtrisë të niste mësymjen në veri të Shkumbinit. Objektivi ishte asgjësimi i Abaz Kupit dhe forcave të tij. Urdhrat ishin të prera: gjermanët s’duheshin luftuar ashpër, ndërsa Abaz Kupi duhej zhdukur.

Abaz Kupi, deri në vjeshtën e vitit 1943 kishte qenë pjesë e Frontit Nacionalçlirimtar, por komunistët e shpërdoruan besimin e tij. Në Plenumin e Beratit, Enver Hoxha tregoi qëllimin e bashkëpunimit të PKSH-së me Kupin: ta përdornin për shkak të influencës së madhe që kishte në popull, për shkak të çetës së madhe të tij dhe për shkak të përvojës që ai kishte nga lufta kundër italianëve gjatë zbarkimit në Durrës, më 1939-ën. Dyfytyrësia e Enver Hoxhës është e dokumentuar në një artikull të shkurtit të vitit 1943, ku çmonte heroizmin e Abaz Kupit dhe urdhrat për Divizionin I, 1944, ku e dënonte me vdekje. Ja një fragment nga artikulli: “Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes… Bazi i Canës i goditi fashistët pa mëshirë… Bazi i Canës që luftonte për një qëllim të shenjtë: çlirimin e atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtimi i vendit tonë”. Vlerësimet e komunistëve për luftën e Abaz Kupit ndryshonin sipas konjukturave politike të ditës, ndërsa ai gjatë gjithë kohës kishte bërë të njëjtën gjë, luftonte kundër pushtuesve si në 1939-ën, ashtu edhe në vitin 1942 e 1944. Kur FNÇ nisi vëllavrasjen, Kupi fitoi statusin për t’u likuiduar. “Bazi për ne ishte një figurë që përcipërisht mund ta përdornim, por që ishim të bindur se ai do na linte”, – tha Enver Hoxha në Berat, nëntor 1944. Lufta e komunistëve kundër Abaz Kupit vazhdoi gjatë, ashtu si ajo kundër të gjithë antikomunistëve, edhe kur ai ishte larguar nga Shqipëria. Në prill 1945, Sejfulla Malëshova e denigroi në këtë mënyrë: “Pushka që hodhi Abaz Kupi më 7 prill 1939 nuk ishte pushka e një njeriu që i ka shpallur luftë për vdekje okupatorit… Pushka e Abaz Kupit në Durrës ishte një luftë sa për sy e faqe”.

Më 4 gusht 1944, Enver Hoxha urdhëroi edhe Divizionin II të kalonte në Shqipërinë e Mesme. Ky urdhër përkon me kohën kur pranë Shtabit të Përgjithshëm shqiptar erdhi Velimir Sojniç, me porosinë e Titos, për forcimin e lëvizjes së njësive ushtarake në Veri. Detyrat e Divizionit I dhe II, në dy telegrame në veçanta, ishin identike: a) goditja e armikut, b) shkatërrimi i rrugëve të komunikacionit të tij, c) goditja dhe likuidimi i Abaz Kupit dhe forcave të tij, d) spastrimi i zonës së Çermenikës, Zaranikës, rrethin e Tiranës, Matin dhe Dibrën, e) të ngrinte dhe forconte pushtetin nacionalçlirimtar në zonat e çliruara, f) të mobilizonte popullin në luftë dhe g) të mëkëmbte njësitë partizane të shkrira nga dimri i kaluar. Urdhri tregon qartë që ushtria pratizane nuk luftonte pushtuesin, por kundërshtarët politikë vendas, ndërsa në pikën “e” duket që pushteti i komunizmit vendosej nga ushtria. Megjithatë, që partizanët nuk luftonin kundër gjermanëve ka edhe dëshmi të tjera, nga vetë drejtuesit e lartë të ushtrisë. Diskutimi i Manush Myftiut, zëvendëskomisar politik i Brigadës V, në Plenumin e 2 të Beratit, ia vlen të citohet gjatë.

“S’kemi patur pikëpamje të qartë se si duhej të silleshim me bajraktarët. Dinim vetëm që bajraktarët ishin pjesë e reaksionit dhe që do të na luftonin dhe do t’i luftonim. Për Muharrem Bajraktarin, kur kemi dëgjuar se ky kishte filluar të luftonte gjermanët, ne u dëshpëruam, se ky element i pademaskuar dhe i pakompromentuar do të fitonte influencë dhe do të hiqte turmat me vete. Pas një tentative që u bë për ta futur atë në front, ky s’pranoi, por deshi të luftonte jashtë frontit. Ky qëndrim i rrezikshëm na e forcoi bindjen për ta zhdukur. Zhdukja e tij ishte e domosdoshme. Ne menduam dhe për mënyrën si ta zhduknim. Menduam se ky do të sabotonte punën tonë. Në rajonin ku do të shkonin e të vepronin forcat tona, ato do të gjenin kundërshtim dhe ne do ta eleminonim atë. Nuk na pëlqente që ky të qëndronte në shtëpinë e tij. Donim që ta provokonim që të na luftonte dhe ta vrisnim. Kështu shkuam në Lumë. Por ai nuk na kundërshtoi, por na priti shumë mirë. Ai s’ka folur kurrë kundër luftës nacionalçlirimtare, përkundrazi, thashë që na priti mirë; ai mendonte se ne po shkonim në ndihmë të tij, pse po luftonte me gjermanët. Ai nuk sabotoi formimin e këshillave nacionalçlirimtarë. Populli nuk e donte një konflikt midis Frontit dhe Muharremit. Shkuan shumë ditë dhe ai s’po na provokonte. Ne kërkonim të gjenim një pretekst dhe e shtynim atë që të na luftonte. Kur forcat tona shkuan në frontin ku ai luftonte, i hoqi forcat e tij në një sektor tjetër për të na e lëshuar neve. Kështu dhe provokacioni ynë shkoi kot. Atëherë, meqë nuk na luftonte, filluam të flisnim në popull sikur ne i patëm bërë thirrje dhe ai s’kishte pranuar të luftonte bashkërisht. Kjo, me dashje pa dashje, do të bënte që ai të shkonte me armikun. Qëndrimi i popullit na dha të kuptonte se nuk i besonte një gjëje të tillë. Populli e kuptoi se një ditë do të pëlciste lufta me Muharremin, por ai s’qe për një luftë të tillë. Muharremi thirri miqtë e tij dhe tha se FNÇ nuk pranonte asnjeri jashtë frontit të luftonte kundër gjermanëve. Për t’iu larguar konfliktit, ai i shpërndau forcat e tij. Duke parë se forcat e tij ishin të pakta, për ne u bë e domosdoshme që ta rrethonim e ta likuidonim, por ne s’mundëm të vepronim siç menduam. Mospërfillja jonë për të bëri që aksioni ynë të dështonte me humbje shumë të rënda: 28 partizanë të vrarë e 30 të plagosur, përveç humbjes së punëtorëve kosovarë, të cilët, në mosdije, u pritën nga forcat e Muharrem Bajraktarit: 22 të vrarë të tjerë e shumë të plagosur. Por humbja më e madhe ishte politike. Populli pa se ne e goditëm Muharrem Bajraktarin prapa krahëve, kur ai kishte ardhur të na jepte dorën për sukseset që kishim pasur në luftë. Ne kemi hedhur dy trakte, ku kemi dashur të tregojmë se Muharrem Bajraktari është tradhtar dhe se na goditi më përpara, por populli s’e besoi. Këto gjëra nuk qenë të rastit, por si rrjedhim i vijës sonë, sidomos i insistimit të Lirisë. Kjo qe rezultat i edukatës tonë të mëparshme, i qëndrimit tonë me nacionalistët”, tregonte zv.komisari i Brigadës V, Manush Myftiu.

Për të njëjtën ngjarje, në një raport të Ministrisë së Brendshme shkruhej se në datën 11 dhe 12 shtator 1944 komunistët kishin hyrë në rajonin e Bicajt dhe të Surroit, duke kërcënuar Muharrem Bajraktarin dhe kishin zhvilluar luftime. Mendohej se Bajraktari ishte plagosur. Telegrami pas një jave bën një saktësim: “Muharrem Bajraktarit ia kanë djegë shtëpiat komunistët. Nuk asht plagosë”. Një i plagosur në përplasjen e komunistëve me Muharrem Bajraktarin kujton se, Bajraktari nuk pranoi t’i bashkonte forcat me komunistët dhe kur ai u largua nga takimi, “në një largësi prej 20 metrash, komandanti gjuan me qëllim që ta vrasë”.  Kështu nisi lufta për të cilën Enver Hoxha, në Plenumin e 2-të të Beratit, tha: “Çështja e Muharrem Bajraktarit është tipike. Jo vetëm që këtë njeri, që s’paraqitej haptazi kundër Frontit dhe që kishte shumë shpresa me ne, jo vetëm që e trajtuam nga lart dhe në mënyrë krejt në kundërshtim me vijën tonë politike, po e goditëm edhe nga pas, krejt në kundërshtim me vijën tonë politike, po e goditëm edhe nga pas krahëve, kur ai na jepte dorën si mik”. Urdhrin që të hidhej në Lumë një trakt kundër Muharrem Bajraktarit, ku të thuhej se ai u ftua të luftonte kundër gjermanëve, por refuzoi, me qëllim që ushtria partizane të kishte një justifikim ta shpallte armik e pastaj ta likuidonte Bajraktarin, e kishte dhënë vetë Enver Hoxha.

Më herët, në Vlorë, komunistët kishin bërë të njëjtën gjë, ata që nuk ishin me Frontin ishin kontigjent për t’u zhdukur. Lista e atyre që komunistët kishin planifikuar për të vrarë ishte me 42 vetë, një pjesë e tyre konsideroheshin të pafajshëm edhe prej vetë komunistëve. Për vrasjen e Muharrem Bajraktarit, Brigada V ishte këshilluar edhe me një jugosllav të Kosmetit, i cili ishte dakord me vrasjen e tij, por jo me mënyrën. E njëjta mënyrë u përdor edhe për të sulmuar Gani Kryeziun në Kosovë, me të cilin rrinte Lazar Fundo, një ndër komunistët më të hershëm shqiptarë, i dënuar me vdekje nga Kominterni dhe Tito kishte porositur PKSH-në për asgjësimin e tij. Vrasja e Kryeziut ishte me rrezik, sepse për luftën e tij kundër gjermanëve kishin folur edhe radiot aleate dhe pranë forcave të tij kishte përfaqësues të misioneve angleze. Komunistët kishin planifikuar t’i kërkonin Fundon, Kryeziu do të revoltohej dhe ata do ta vrisnin. Por edhe në këtë rast, ashtu si me Bajraktarin, u zhgënjyen. Fundoja u arrestua, ndërsa Gani Kryeziu shpëtoi. Komunistët i bënë thirrje të hynte në Front, me shpresën mos ai kundërshtonte, që ta vrisnin, por Kryeziu pranoi që forcat e tij të hynin në një brigadë të re të Frontit, e cila po krijohej. Drejtuesit e Brigadës V u zhgënjyen nga gatishmëria e Kryeziut për bashkëpunim. “E ç’na e hodhi. E pe? Pse nuk na provokoi”, – i tha Hito Çako, komisari i brigadës, Manush Myftiut.

Vera dhe vjeshta e vitit 1944 janë citë me vrasje të tilla. Derisa mbërriti në Veri, ushtria partizane kishte bërë masakra kundër shqiptarëve në Shqipërinë e Mesme dhe Juglindore. Në fillim të qershorit, batalionet partizane “Hakmarrja” dhe “Tomori” sulmuan forcat balliste në disa fshatra të Kolonjës, për herë të katërt. Në këto beteja palët ishin krejtësisht shqiptare. Në të njëjtën kohë u zhvilluan luftime mes partizanëve dhe nacionalistëve edhe në Fier, në fshatrat Vidhisht, Marinëz e Roskovec. Më 8 qershor batalioni i parë i Brigadës V sulmoi ballistët në fshatin Ermenj, ku u vranë 35 ballistë, ndërsa nga partizanët një i vrarë dhe shumë të plagosur. Pasi kaluan Devollin, më 11 qershor, dy batalione të Brigadës V sulmuan ballistët e batalionit të Malit të Thatë, pastaj u sulmua fshati Bitinckë. Pas tërheqjes së forcave gjermane në zonën Vërçë-Sulovë, më 18 qershor Brigada I sulmoi forcat balliste dhe xhandare në këtë zonë. Spastrimi vazhdoi edhe në zonën e Shpatit. Në këtë kohë, komandanti i Divizionit I, Mehmet Shehu, i shkruante Shtabit të Përgjithshëm: “Dy batalione i kemi hedhur qysh sot në mëngjes në Gramsh, për të spastruar Shpatin e për t’u hedhur prapë këtu në Sulovë”. Mehmet Shehu mendonte se, para se Divizioni I të kalonte në Shqipërinë e Mesme, ai duhet të asgjësonte krejtësisht forcat kundërshtare në Sulovë, Vërçë dhe Shpat. Luftime për spastrimin e kundërshtarëve u bënë në fshatin Lanabregas, më 17 qershor, në Velçan, më 20 qershor, në Pajun, më 26 qershor, në Qarrishtë, më 27-28 qershor, në Neshtë, Fanaras dhe Zgozhdë, më 28 qershor. Komandanti i Brigadës I, Muhamet Prodani, nuk harronte që në raportet e tij për shtabin të kujtonte se luftimet nuk bëheshin kundër gjermanëve, por kundër ballistëve dhe banorëve të fshatrave që nuk e pranonin komunizmin. “Siç duket, gjithë fshatrat anës xhades do të na presin me pushkë e për këtë duhen djegur ca shtëpi”,- shkruante Prodani. Zëvendëskomisarja e Bigadës I, Fiqrete Sanxhaktari, në fshatrat Zgozhdë, Letmë dhe Lunik, vëren se fshatarët i braktisnin shtëpitë: “As gra, as burra nuk kanë qëndruar”. Populli largohej menjëherë nga shtëpitë, sa dëgjonte për ardhjen e partizanëve. Në Qarrishtë, shkruante Tuk Jakova, “krejt fshati, me përjashtim të shtëpisë së Bilal Biçakut e të një shtëpie tjetër, kishin ikur, duke mos lënë asnjë send në shtëpitë. Mbasi u bamë thirrje të vijnë populli në shtëpitë, nuk erdhën, por na goditën nga pyjet e shkëmbinjtë e lartë, atëherë kundër këtij fshati morëm masa të rrepta, dogjëm 10 shtëpi reaksionarësh koshientë”. Kjo ishte një panoramë e ngjashme me letrat që merrte qeveria e Vlorës për masakrat e bandave greke në vitin 1913, ndërsa Enver Hoxha i shkruante Nako Spirut: “Në Çermenikë Brigada I kapi robër ballistët dhe më tepër se 70 prej tyre u vranë në luftë. Siç shihet Brigada I po lufton për mrekulli”.

Në një njoftim të posaçëm, me rastin e krijimit të Legalitetit, në dhjetor 1943, Abaz Kupi bëri publike arsyet përse u largua nga FNÇ, pjesë e të cilit kishte qenë që nga Konferenca e Pezës: “Mora iniciativën për me e shpallë (Legalitetin) vetëm kur pashë shenjat e para të vëllavrasjes, pse nuk doja me ba pjesë në nji organizatë që vret shqiptarë për hatrin e të huajve, ndoshta dhe me dorën e të huajve (për këtë kam fakte). A ka mëkatë më të madhe që shqiptarët të vriten nëpër rrugë si qentë, pa kaluar prej gjyqit? Nuk jam tue folë për spiunët dhe për ata që me vepra pengojnë luftën për çlirimin e Shqipnisë, por për ata që vetëm kanë shpallë ndonji mendim kundër ndonji partie ose tjetrës dhe për politikanët si Idomene Kosturi, bir i një shtëpie patriote të vjetër që ka dhënë disa dëshmorë për çështjen shqiptare”. Edhe pas daljes nga FNÇ, Abaz Kupi nuk i sulmoi kurrë forcat komuniste, por kjo nuk e shpëtoi nga sulmet e tyre, sepse dalja nga FNÇ ishte arsye e mjaftueshme për ta asgjësuar.

*Shkëputur nga libri “Fillimet e diktaturës në Shqipëri”, kreu i parë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency