Zgjedhjet e 23 qershorit Vëzhguesit Vendorë: Vetëm KQZ certifikon rezultatin. Përfaqësuesit e partive: Në Kolegj

0
203

zgjedhjetGëzim Saliu

Gjonçaj, Muho dhe Zguri: Pa shumicë në KQZ, i takon Kolegjit të shpërndajë mandatet

 

Certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe shpërndarja e mandateve nuk mund të bëhet nga Kolegji Zgjedhor, pasi në bazë të Kodit Elektoral, kjo është një kompetencë që i takon vetëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kështu deklaruan dje përfaqësuesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë në raportimin para final për zgjedhjet e 23 qershorit, duke theksuar se shpallja e rezultatit nga Kolegji do të cenonte legjitimitetin e procesit. “Kodi Zgjedhor në nenin 24, pika 1, gërma “a” parashikon se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore”. Ligji Zgjedhor ia ngarkon specifikisht vetëm KQZ-së detyrimin e shpërndarjes së mandateve dhe nuk parashikon asnjë institucion tjetër që në rast eventual të marrë përsipër këtë vendimmarrje. Kodi Zgjedhor e përcakton Kolegjin Zgjedhor si një trupë gjyqësore të përkohshme (ad hoc), të ngritur nga përzgjedhja me short prej gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit. Kjo trupë gjykuese shërben si një shkallë e dytë gjykimi, pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat, të dyja së bashku, mund të konsiderohen si sistemi i drejtësisë zgjedhore. Nisur nga ky argumentim dhe bazuar në Kodin Zgjedhor, në konsideratën e Koalicionit, Kolegji Zgjedhor nuk mund të investohet për të kryer shpërndarjen e mandateve. Çdo zgjidhje alternative për tejkalim e këtij ngërçi, është në mos përputhje me Kodin Zgjedhor. Finalizimi me një akt të tillë, do mund të cenojë legjitimitetin e arritur të gjithë procesit”, – thuhej në përfundimet e Koalicionit.

Reagimet

Ndërkohë, përfaqësuesit ligjorë të partive politike në KQZ pohuan dje se do të jetë Kolegji Zgjedhor që do të bëjë shpërndarjen e mandateve. “KQZ me 4 anëtarë e ka të pamundur të shpërndajë mandatet. Dhe kërkon një minimum një shumicë të cilësuar. Ky ngërç mund të zgjidhet duke u bazuar në kodin zgjedhor, kur KQZ s’mund të marri vendim, do jetë kolegji zgjedhor që do bëjë vendimmarrjen. Besojmë se nëse do ecim në këtë terren, rreth datës 15 korrik të kemi një rezultat të shpallur”, – tha për “News 24” Genci Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ, Ilirjan Muho, i cili theksoi: “Ne besojmë se procesi po ecën normalisht, jo për meritë të KQZ, por te popullit shqiptar që nuk i la hapësirë KQZ të ndërhyjë. Ajo që ka ndodhur me KQZ ka qenë shkelje të kodit. Por kolegji do te jete institucioni që do japë zgjidhje për certifikimin”. Po ashtu edhe anëtari i KQZ-së Klement Zguri bëri të ditur se në pamundësi të shumicës në institucionin më të lartë zgjedhor, i mbetet detyrë Kolegjit që të miratojë tabelat e rezultateve dhe të certifikojë rezultatin. “Ne ligjërisht përmbushim tabelat përmbledhëse, ndërsa për ndarjen e mandateve duhet një shumicë e cilësuar dhe duke qenë se KQZ është e pamundur për këtë vendim, është kolegji që pas tabelave të bëjë ndarjen e mandatave”, – tha Zguri. Ndërkohë lidhur me punën e KQZ dhe procesin në tërësi, përfaqësuesi ligjor i PS-së tha se zgjedhjet kanë vuajtur nga mungesa e konsensusit e mendimit teknik. “Edhe kësaj radhë KQZ nuk arriti të dalë mbi urdhërimin që i është bërë, nga politika, pra u bë palë në atë pjesë të procesit. Do bëjmë të pamundurën që vështirësitë e ndodhura ndaj opozitës së djeshme të mos përsëritën, ndaj opozitës së sotme”, – pohoi ai. Ndërsa Muho theksoi se merita që procesi zgjedhor në tërësi shkoi në mënyrën e kërkuar erdhi për shkak të votës së qytetarëve, dhe jo për rolin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Ai bëri të ditur se Lëvizja Socialiste për Integrim po mbledh prova për të ankimuar rezultatin zgjedhor në qarkun e Kukësit. “Ne kemi afat 5 ditë për të ankimuar çështjen, jemi duke mbledhur faktet dhe provat që mund të çojnë në një ankimim të mundshëm”, – deklaroi përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ. Krejt ndryshe nga përfaqësuesit ligjorë, anëtari i KQZ-së nënvizoi se zgjedhjet e 23 qershorit arritën standardet e kërkuara, pavarësisht se KQZ funksionoi me 4 anëtarë. “Absolutisht janë zgjedhjet më të mira në 10-vjeçarin e fundit. Arritëm të zhvillojmë zgjedhje brenda parametrave të kërkuara. Hap përpara për zhvillimet dhe integrimin e Shqipërisë në BE”, – deklaroi Zguri.

 

Raporti parafinal

Koalicionit Vëzhguesve Vendorë: Procesi, pozitiv, problem ishte votimi familjar

Përfaqësuesit e Koalicionit Vëzhguesve Vendorë në raportin e tyre para final e cilësuan dje pozitiv ecurinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Risi e këtij procesi për vëzhguesit vendorë ishte pranimi i rezultatit nga palët, ndërsa ne raportin final në fund të muajit korrik do të rekomandohen edhe ndërhyrje në kodin elektoral, pas problemeve të konstatuara në procesin e 23 qershorit. “Klima e këtyre zgjedhjeve është risi, krahasuar me zgjedhjet që ne kemi vëzhguar. Risia ishte legjitimiteti dhe pranimi i rezultatit nga të gjithë forcat politike”, – tha Gerta Meta, nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë. Më tej në raportin e tij, KVV nënvizoi se problemet gjatë zgjedhjeve kanë qenë të vogla, duke e vënë theksin tek votimi familjar, i cili shtrihet në një pjesë të mirë të vendit. Sipas raportit, në masën 34% është vene re fenomeni i ekzistencës së më shume se një zgjedhësi në dhomën e fshehtë të votimit. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nuk bie dakord me konstatimin e disa aktorëve politikë se ka pasur intimidim të zgjedhësve në masë të konsiderueshme. “Ka pasur tendencë për të provokuar votuesin, por kanë qenë sporadike dhe besoj që nuk kanë pasur një prekje të madhe në mënyrën e votës qytetare”, – tha Meta. Po ashtu përfaqësuesit e Koalicionit bën të ditur se ka pasur një përqindje të konsiderueshme të votuesve me aparat celular me vete gjatë procesit të votimit, gjë kjo e ndaluar nga Kodi zgjedhor. “Janë vërejtur në 13% të QV zgjedhës që kanë pasur celularin në dhomën e fshehtë, çka nuk lejohet, sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor dhe në udhëzim. Pjesa nëse realisht është fotografuar apo jo, ka pasur raste sporadike”, – tha Premto Gogo.

 

 

Të majtët: Të gatshëm për të ndryshuar Kodin

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim shprehen të gatshëm për të gatshëm për të ndërhyrë sërish në Kodin Zgjedhor, duke ndryshuar ato pika që çaluan në zgjedhjet e 23 qershorit. Duke marrë për bazë sugjerimin e shefes së ODIHR-it, se Kodi Elektoral duhet ndryshuar sërish, pasi ndërrimi i shpeshtë i komisionerëve krijoi bllokim të pamotivuar gjatë numërimit të votave, të majtët shprehin gatishmërinë e tyre për të korrigjuar Kodin Elektoral. Nënsekretari për çështjet elektorale në PS, Koli Bele, tha se janë gati të korrigjojnë Ligjin Zgjedhor. “Në një kohë të dytë me qetësinë e nevojshme dhe kujdesin e nevojshëm mund të rregullohet Kodi Zgjedhor. Ka edhe një element tjetër, që shpresojmë të rregullohet në zgjedhjet e ardhshme, në fazën ë përgatitjes së zgjedhjeve procesi vuajti presionin e qëndrimit partizan të KQZ-së”, – tha ai për “Vizion Plus”. Ndërkohë, i ngarkuari i LSI-së për të ndjekur çështjet zgjedhore, Ylli Manjani, theksoi se ndryshimi real duhet të vijë nga klima me të cilën palët shkojnë në procesin e votimit. “Para se të fillojmë të bëjmë ndërhyrjet e radhës, ne duhet të fillojmë të përgatisim klimën politikë në vend. Ajo që duhet riparë si nga ana ekzekutive ashtu edhe legjislative është roli i shtetit në zgjedhje. E dyta, mundësitë e risive teknologjike”, – pohoi Manjani. Ndërsa për demokratët, ndërhyrja në Kod, megjithëse mund të jetë një akt i nevojshëm për të rritur cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme, duhet të jetë një veprim i matur. Eksperti elektoral i PD-së, Ivi Kaso, dhe avokat i kësaj force politike në KQZ dhe Kolegj, pohoi se duhet pritur për të parë rekomandimet përkatëse të ODIHR-it dhe më pas ato të komentohen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency