Anëtari i Kryesisë së PS-së Erion Braçe: Si e mendoj qeverinë e re të majtë, pse duhet e vogël dhe me emra të rinj

0
92

braceGëzim Saliu

Parimet për ekzekutivin e ri, deputeti i PS-së: 7 pikat ku duhet të mbështet

 

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, njëkohësisht i rizgjedhur si deputet në zgjedhjet e 23 qershorit, Erion Braçe, shpreh mendimin e tij për parimet mbi të cilat duhet të ngrihet qeveria e re e majtë. Duke kërkuar mendimin e qytetarëve në rrjetin social Facebook, nëpërmjet një forumi të hapur, për mënyrën se si ata e mendojnë ekzekutivin e ri, deputeti socialist shpreh edhe opinionin e tij lidhur me këtë çështje aktuale të jetës politike në vend. Ai parashtron 7 piketa parimore mbi bazën e të cilave duhet të ngrihet sipas tij qeveria e re në shtator, ku thekson domosdoshmërinë e një ekzekutiv të vogël, me emra të rinj dhe transparent.

 

Qeveria e re

“Shikoni, unë e mendoj qeverinë kështu (jo shumë ndryshe nga ju): qeveri e vogël: domethënë shume pak e kushtueshme nga pikëpamja e shpenzimeve administrative, më e vogël se qeveria aktuale; qeveri unitare-domethënë pavarësisht se nga cila parti e koalicionit fitues vijnë ministrat, qeveria duhet të funksionojë si një e tërë, ndryshe nga qeveria aktuale ku kufijtë në përqindje të çdo partie zhbënë qeverisjen; qeveri funksionale-domethënë me ministri të dedikuara çështjeve prioritare dhe nevojave të shtetit-shtetasve, ndryshe nga qeveria aktuale ku kemi ministri të dedikuara individëve dhe të ndenjurave të tyre dhe një armate zëvendësministrash që plotësojnë qokat e çdo partie sado e vogël në koalicion”, – theksoi Braçe në analizën e tij lidhur me mënyrën se si ai e mendon ekzekutivin e ri. Në të njëjtën linjë ai pohoi se domosdoshmëri mbetet edhe krijimi i një qeverie të re, ku, sipas tij, pas 8 vitesh opozitë dhe 15 vitesh larg nga viti 1997-ta, në krye të vendit duhet të jetë një gjenerate e re drejtuesish, ekspertësh politikë e profesionale që frymëzojnë me dijen, pasionin, përkushtimin, përulësinë, punën në shërbim të shtetit dhe njerëzve. “Qeveri e pastër-domethënë me përbërje prej njerëzve të denjë, burra e gra pa pengje në të shkuarën, shkollim-diplomat e merituara, punë-konkrete e rezultate, raport me ligjin-shkelje administrative apo më keq penale; qeveri transparente – domethënë në sy të publikut, për çdo vendimmarrje politike, legjislative, ekzekutive, por qoftë edhe të karakterit rutinor administrativ, për çdo shpenzim të parave publike, nga shpenzimet për investimet publike-kontratat e qeverisë, deri tek shpenzimet operative shtetërore, pse jo edhe ato personale të çdo ofiqari të lartë”, – shkruante deputeti i PS-së. Në fund të mendimit të tij, Braçe kërkon ngritjen e një ekzekutivi sa më të thjeshtë dhe normal: “Në kuptimin që ministri është i tillë brenda zyrës-institucionit, në raport me ligjin, shoqërinë etj. është një qytetar i zakonshëm dhe i barabartë me të gjithë, qoftë nga respekti ashtu edhe nga privilegjet!” Deri më tani, pas takimit të parë mes kreut socialist Edi Rama dhe kryetarit të LSI-së Ilir Meta, janë vendosur zyrtarisht vetëm për postet që do të mbajnë dy liderët në qeverisjen e ardhshme. Kështu, në krye të qeverisë së re është vendosur të jetë kryesocialisti Rama, si kryetar i forcës që arriti të merrte numrin më të madh të mandateve të deputetit në zgjedhjet e 23 qershorit e ndërsa lideri i LSI-së Meta, si kryesues i forcës së dytë të koalicionit të majtë, do të mbajë postin e Kryetarit të Kuvendit. Po ashtu, sipas paktit PS-LSI, mandati i deputetit do të ndahet nga detyra ekzekutive e ministrit. Ndërkohë, prej ditësh, burimet nga selitë përkatëse të dy forcave kryesore të koalicionit të majtë kanë bërë të ditur detaje për mënyrën se si do të ndahen ministritë mes Aleancës për Shqipërinë Evropiane, si edhe emrat më të përfolurit për të marrë drejtimin e tyre. Pritet që PS të marrë drejtimin e 8 ministrive, Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të përfitojë 5 portofola ministrorë, 1 ministri do t’i takojë PBDNJ-së dhe gjithashtu pritet që një ministri të merret në drejtim nga kreu i PLiDr-së Spartak Ngjela.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency