“E çove dosjen në gjykatë tani përgatitu për Tufinë”

0
261

 Elton Qyno

gjykataKërcënimi për lejen e ndërtimit, komshiu dënohet me 1 milion lekë nga gjykata

 

“E çove dosjen në gjyq, tani përgatitu për në Tufinë, o lavire ortodokse…” Ky është një nga shumë mesazhet telefonike që Fatmir Peturi i ka dërguar ish-komshiut të tij Sulejman Ismailaja. Shkak i këtij kërcënimi me vdekje është bërë një pengesë për ndërtimin e një objekti në dy pronat e përbashkëta që i takojnë Peturit dhe Ismailajës në zonën e “Ali Demit”. Të dyja palët kanë rënë dakord të prishin banesat e tyre të vjetra dhe mbi to të ndërtojnë një pallat të ri, por që në fakt pengesë është bërë dalja e lejes së ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Duke menduar se shkak për pengesë ka qenë shtetasi Sulejman Ismailaja, Fatmir Peturi për disa kohë me radhë ka kërcënuar me vdekje nëpërmjet mesazheve ish-komshiun e tij. Në numrin e telefonit të tij kanë mbërritur shumëllojshmëri mesazhesh kërcënuese dhe për pasojë, shtetasi Ismailaja e ka ndier vetën nën presion dhe menjëherë i është drejtuar policisë së Tiranës, ku edhe ka bërë kallëzimin penal. Policia dhe prokuroria kanë hetuar rastin në fjalë dhe në fund kanë vendosur të marrin të pandehur shtetasin Fatmir Peturi, duke e akuzuar këtë të fundit për “Keqpërdorim të thirrjeve telefonike”. Nisur nga kjo situatë, Gjykata e Tiranës pasi ka studiuar dosjen hetimore, ka vendosur të dënojë me 1 milion lekë gjobë shtetasin Fatmir Peturi.

Sms kërcënuese

Të tilla mesazhe janë identifikuar në aparatin e telefonit celular të kallëzuesit, kur i pandehuri i shkruan: “E çove dosjen në gjyq, tani përgatitu për në Tufine, o lavire ortodokse…”, “…U habitën në polici kur unë kam vendosur të të heq qafe…”, “…O pusht je i vdekur, o mashtrues… ”, “Pregatitu drejt Tufinës deri në 31 dhjetor dhe ler testamentin…” Duke i paraqitur gjykatës faktin si me sipër, si edhe provat që do të trajtohen me poshtë, organi i prokurorisë ka paraqitur në këtë gjykatë të pandehurin Fatmir Peturi të akuzuar për kryerjen e veprës penale të përcaktuar në pjesën hyrëse të këtij vendimi. Nga ana e tij i pandehuri ndonëse me dijeni rregullisht për zhvillimin e seancave gjyqësore, ai nuk u paraqit në gjykim (vetëm në një seancë që nuk u zhvillua), duke bërë në këtë mënyrë që kjo gjykatë t’i caktojë atij një avokat kryesisht, i cili e realizoi mbrojtjen e të pandehurit deri në përfundim të gjykimit. Në lidhje me sa më sipër, gjykata me provat që administroi në seancë gjyqësore, si ato shkresore dhe ato me dëshmitare vlerëson se organi i akuzës, ka çmuar drejt cilësimin juridik të veprës penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike” si dhe duke gjetur në të njëjtën kohë edhe fajësinë e të pandehurit të provuar, gjykata çmon se ai duhet të përgjigjet penalisht.

Dëshmia e të dëmtuarit

I pyetur në seancën gjyqësore të datës 21.5.2013, ky shtetas midis të tjerave pohoi: “I pandehuri Fatmir Peturi më kërcënon në kohë të ndryshme me sms, për shkak të mosdaljes së lejes së ndërtimit për një objekt që kemi rënë dakord për ta ndërtuar, por që na kanë filluar konfliktet, sms-të e tij janë bërë të padurueshme, ai me shkruan: “…ma ka lënë amanet vëllai im (që është i vdekur) që të të çoj tek ai…”, theksoj se këto sms më vijnë nga telefoni i tij, pasi unë numrin e tij e kam prej kohësh, me të cilin dikur kemi folur rregullisht”. Po kështu, me vlerën e provës, përveç sa sipër, gjykata administroi edhe korrespondencat e shoqërive telefonike me organin e akuzës, sipas shkresës 6156/1 prot., datë 21.12.2012. Gjithashtu, në funksion të provueshmërisë së faktit objekt akuze, gjykata administroi edhe tabulatet telefonike me nr. e telefonit dhe datat respektive të dërgimit të sms-ve, prej të pandehurit shtetasit Sulejman Ismailaja nëpërmjet këqyrjes së aparatit të telefonit të tij. Edhe për sa i takon kualifikimit ligjor të veprës gjykata çmon se organi i akuzës e ka vlerësuar drejt atë, pasi në rastin në gjykim çmohet se në veprimet e të pandehurit Fatmir Peturi, ekzistojnë elementët përbërës të figurës së veprës penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Nisur nga kjo situatë është vendosur dënimi me 1 milion lekë dhe se kjo shumë financiare duhet të shlyhet brenda 1 viti.

 

Mariglen Çeliku: Ika sepse në Tiranë nuk kisha shokë

U largua nga “Zyber Hallulli”, jetimi

gjendet nga policia në qytetin e Sarandës

Gjendet në Sarandë fëmija i zhdukur i jetimores së “Zyber Hallullit” në Tiranë. Mësohet se 13-vjeçari Mariglen Çeliku ishte zhdukur që prej 17 qershorit, duke ndërprerë kontaktet me drejtuesit e shtëpisë së jetimores. Sipas policisë, Çeliku disa ditë më parë, i ka hipur autobusit Tiranë – Sarandë dhe pa e menduar dy herë, ka trokitur në derën e jetimores për të kërkuar ndihmë. Kujdestarët e kanë pyetur se përse kërkonte që të strehohej në Sarandë dhe përse ishte larguar nga jetimorja e tij dhe vogëlushi u ka thënë se nuk ndihej mirë tek shtëpia e “Zyber Hallulit”, pasi atje nuk kishte shokë. Pas tragjedisë së Orikumit, Mariglen Çeliku ka qëndruar pak kohë në Sarandë dhe pretendon se është ndier mirë gjatë kësaj periudhe. Pas bisedës me 13-vjeçarin, stafi i jetimores ka kontaktuar policinë e Sarandës për të denoncuar rastin. Ata kanë përshkruar të gjitha karakteristika e Mariglen Çelikut dhe menjëherë pas marrjes së denoncimit, uniformat blu kanë shkuar për ta marrë. Më pas e kanë shoqëruar në policinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje për arsyet e largimit nga strehëza. “Nuk më pëlqen që të jetoj në shtëpinë ku më kanë çuar. Shokët i kam në jetimoren e Sarandës, ndërsa në Tiranë nuk kam asnjë. Më lini që të jetoj atje”, – mësohet të ketë thënë Çeliku në polici. Aktualisht, vogëlushi ndodhet në shtëpinë e jetimores “Zyber Hallulli” për të vazhduar jetën. Burimet thonë se 13-vjeçari ndodhet në gjendje jo të mirë psikologjike prej traumës që ka përjetuar pas vrasjes të nënës së tij nga njerku. Për më tepër ai vuan nga simptomat e klaustrofobisë dhe ka nevojë për ambiente të hapura. Kjo nuk është hera e parë që vogëlushi largohet pa lënë gjurme nga jetimorja. Sipas stafit të shtëpisë së jetimores, Mariglen Çeliku ishte shprehur shpesh që nuk i pëlqente të jetonte aty dhe si pasojë e kësaj largohej pa lënë gjurmë.

 

Konflikti

Klienti plagos me thikë pronarin e lotos

Qëllohet me thikë në Tiranë pronari i një pike lotoje nga klienti i tij. Ngjarja ka ndodhur në periferi të kryeqytetit, në zonën e Sanatoriumit, ku ka mbetur i plagosur 42-vjeçari Albert Bakiu. Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar i plagosjes është identifikuar si 18-vjeçari Brikel Marku, i dënuar dhe i dyshuar më parë për kryerjen e shumë veprave penale. Motivi i sherrit dyshohet se ka lidhje për një borxh të vjetër që autori i ka pronarit të pikës së lotos. Sipas policisë, mes palëve ka pasur konflikte të vazhdueshme, ku nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike. Bakiu i ka kërkuar klientit të tij borxhin e parave që 18-vjeçari kishte marrë për vendosjen e basteve. Kërkesa e të plagosurit është mohuar nga i riu dhe si pasojë e kësaj ka lindur konflikti, i cili degjeneroi deri në plagosjen me thikë. Fillimisht palët kanë shkëmbyer fyerje mes tyre, sherri ka vazhduar me dhunë fizike, duke përfunduar me përdorimin e thikës. Pas plagosjes 42-vjeçari është dërguar në spital dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, i dëmtuari nuk ka pranuar që të japë dëshminë e tij, në lidhje me sherrin. Po punohet për zbardhjen e plotë të motivit të plagosjes së pronarit të lokalit.

 

Ngjarja në Tiranë

Thyen vendimin e gjykatës, arrestohet

Thyen urdhrin e mbrojtjes, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari Dashnor Gjyriqi në Tiranë. Sipas policisë, 40-vjeçari në mënyrë të vazhdueshme dhe për një kohë të gjatë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj familjes. Si pasojë e kësaj, bashkëshortja e kishte denoncuar rastin në organet përgjegjëse, për të përfituar urdhër mbrojtje sepse ndihej e kërcënuar. Pavarësisht kësaj, Gjyriqi e ka shkelur vendimin e gjykatës, duke vazhduar që të ushtrojë dhunë mbi bashkëshorten dhe dy fëmijët. Sipas policisë, mesditën e së hënës, bashkëshortja e Gjyriqit ka bërë kallëzim ndaj 40-vjeçarit. Ajo ka thënë se ishte pajisur me një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Tiranës, por pavarësisht kësaj ndihej e kërcënuar, sepse babai i dy fëmijëve nuk e kishte respektuar vendimin e gjykatës. Çifti ka konflikte të përsëritura dhe motivet janë banale për xhelozi. Sipas policisë, 40-vjeçari në gjendje të dehur ushtronte dhunë mbi familjen e tij. Ndaj tij rëndon akuza e dhunës në familje dhe veprime në kundërshtime me vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency