Xhafa dhe Abazi kërcënojnë me jetë Breçanin: Të mbaroi koha

0
190

brecaniNgjarja, në qendrën e numërimit nr. 33 në Tiranë. Dy deputetët konfliktohen me nëndrejtorin

Konflikti, pas futjes në qendër të gjashtë punonjësve të kompanisë “CEZ Shpërndarje”

 

Deputetë të Partisë Socialiste kanë ofenduar rëndë nëndrejtorin e Policisë së Tiranës Erzen Breçanin, duke shkuar akoma dhe më tej, duke e kërcënuar, pasi i kanë pohuar se për fat kishte mbaruar koha e tij. Kjo deklaratë e fortë është bërë nga deputeti Fatmir Xhafa, i cili së bashku me deputetin tjetër Sadri Abazi, i kanë bërë presion Breçanit gjatë ushtrimit të detyrës së tij. E gjithë ngjarja ka ndodhur në KZAZ-në nr. 33, që ndodhet në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Tiranë. Pikërisht në këtë vend mes nëndrejtorit të policisë së kryeqytetit dhe dy deputetëve socialistë ka pasur debate me fjalë, të cilat kanë shkuar deri në kërcënime ndaj Breçanit. Shkak i kësaj situate janë bërë futja në qendrën e numërimit të gjashtë përfaqësuesve të kompanisë “CEZ”, të cilët sipas dy deputetëve të PS-së kanë dëmtuar disa kuti votimi dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Sipas Abazit dhe Xhafës, gjashtë punonjësit janë paraqitur me një makinë dhe kanë hyrë fshehtas në qendrën e numërimit. Pasi u kanë kërkuar numëruesve të PS-së të largohen në një klasë tjetër, pikërisht aty i kanë mbyllur me çelës dhe kanë filluar të dëmtojnë kutitë e votimit. Më pas, sipas tyre, ata janë larguar sërish nga mbrapa shkollës.

Informimi i policisë

Të ndodhur në kushtet e izolimit, numëruesit dhe disa prej vëzhguesve kanë marrë në telefon policinë e Tiranës, duke e njoftuar për situatën. Me shpejtësi ka shkuar një patrullë policie, ndërkohë që në zonë është shfaqur dhe nëndrejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani, i cili ka urdhëruar hapjen e derës dhe rikthimin në ambientet e numërimit të komisionerëve të Partisë Socialiste. Nga marrja në pyetje e tyre është mësuar se kanë qenë pikërisht 6 persona, mes tyre Arben Qirjako, kandidat për deputet i PD-së në Tiranë dhe Tahir Muhedini. Ndërkohë, personi që ka dëmtuar disa kuti votimi, ka qenë Igli Çela, i cili pas largimit është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës. Mirëpo pavarësisht deklarimeve të komisionerëve të PS-së, policia e Tiranës gjatë verifikimit në qendrën e numërimit nuk ka konstatuar asnjë kuti të dëmtuar, duke u larguar më pas nga qendra e numërimit.

Debati në KZAZ nr. 33

Pas daljes së policisë nga qendra e numërimit një debat i fortë ka shpërthyer mes kandidatëve të PS-së, Sadri Abazi dhe Fatmir Xhafa, me zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, që kishte ardhur në qendër pas sinjalizimit. Abazi tha: “Policia i ka lejuar të hyjnë në KZAZ pa autorizim. Në momentin që kam ardhur, punonjësit e CEZ-it janë larguar nga prapa shkollës dhe policia nuk ka vepruar. Policia thotë që ata ishin me autorizim, por nuk kanë shënuar emra”. Në këto momente, Abazi i është drejtuar Breçanit, që e kundërshtonte duke i thënë se ata nuk kishin hyrë fshehurazi: “Më thuaj çfarë dokumentacioni kishin, ma trego dokumentacionin! Ti je njeriu që akuzohesh publikisht”. Zv.drejtori i policisë u kundërpërgjigj: “Unë jam gjeneral i Policisë së Shtetit, as i Saliut, as i kurrkujt!” Por, Breçanit iu kthye edhe kandidati Fatmir Xhafa: “Ti je i kriminalizuar, je pa edukatë dhe pa asgjë. E quaj për turp të merrem me ty. Ti je aksident në polici. Për fat mbaroi koha jote. E ke përdorur Policinë e Shtetit. Ti je ordiner”.

Vendimi i komisionit

Pas gjithë kësaj rrëmuje, komisioni i numërimit ka vendosur të largohet nga qendra duke dalë jashtë. Për pasojë, është zhvilluar një mbledhje ku është marrë një vendim për bllokimin e numërimit në këtë qendër. Ndërkohë, për sa u përket kutive të pretenduara se janë dëmtuar, nëse do të konstatohen të tilla gjatë procesit të numërimit, atëherë do të njoftohet policia, ku edhe do denoncohet si rast. Nga ana tjetër përfaqësuesit e PS-së në komision kanë pohuar se do të kryejnë kallëzim penal ndaj personave që kanë kryer këto veprime arbitrare. Si pasojë e këtij vendimi, në qendrën e numërimit janë mbledhur shumë persona dhe nga ana e saj, policia e Tiranës ka marrë masa për garantimin e sigurisë dhe rendit në këtë zonë.

 

Bernard Çaushaj: Incidenti u vetëkrijua vetë nga PS-ja

Qirjako: Jam i hapur për verifikim

do bëj kallëzim në prokurori për PS-në

 

Pas krijimit të këtij incidenti, kandidati i PD-së, Arben Qirjako, që u akuzua nga PS-ja se tentoi të fuste fletë votimi në favor të PD-së, hodhi poshtë këto akuza. Qirjako tha se do të bëjë denoncim në prokurori për akuzat e bëra në emër të tij. Kandidati Sadri Abazi dhe Fatmir Xhafa deklaruan për mediat se një makinë që presupozohet të jetë e “CEZ Shpërndarje”, sipas tyre, ka hyrë në rrethimin e shkollës “Bajram Curri”, që pa autorizim nuk lejohet të hyjë asnjë automjet dhe brenda makina ka pasur vota për subjektin e Partisë Demokratike. Sipas PS-së, ky veprim është ndërmarrë kur komisionerët e PS-së po bënin pushim dhe më pas ata janë futur në një klasë. “Është mbyllur dera, më vonë simpatizantë të PS-së kanë njoftuar se është një tentativë për të manipuluar kutitë e votimit. Policia i ka hapur derën një makine që pretendonte se ishte e Kuvendit, ka ardhur Igli Çela dhe Tahir Muhedini dhe punonjës të “CEZ” me makinë. U bëj thirrje komisionerëve të PSs-së të jenë vigjilent”, – tha Sadri Abazi, kandidat i PS-së. Kreu i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, pas inspektimit në KZAZ nr. 33, e ndodhur në shkollën “Bajram Curri” në Tiranë, deklaroi se të gjitha strukturat e policisë së kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave për ruajtjen e materialeve të votimit dhe sigurimin e vendnumërimit të votave deri në përfundim të të gjithë procesit zgjedhor. Ndërkohë, nga ana tjetër, drejtori i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, sqaroi se incidenti në njësinë numër. 33 u vetëkrijua teksa hodhi poshtë akuzat e PS-së, duke nënvizuar se efektivët e policisë janë në krye të detyrës. “Tani që po flas nga KZAZ, në mënyrë verbale është dhënë versioni se nuk ka shkelje, po përgatisin procesverbalin t’ia dërgojnë prokurorin. Përveçse vendit të numërimit të votave, policia ka detyrë kryesore të garantojë dhe rendin për qytetarët. Detyra jonë është të garantojmë procesin e votave dhe rendin dhe qetësinë. Policia ka qenë në krye të detyrës”, – tha Çaushaj. Ky i fundit ka bërë thirrje që të ruhet qetësia në KZAZ-të e Tiranës, aty ku policia është e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency