Takimi me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Berisha-Grossruck: Sigurojmë zgjedhjet me standardet më të larta ndërkombëtare

0
113

Ina Jano

grosGrossruck shprehu vlerësimet më të larta dhe përgëzimet më të sinqerta për fushatën elektorale intensive dhe transparente të zhvilluar, në një atmosferë të qetë, pa kurrfarë incidenti. Ai u takua edhe me Presidentin Nishani

 

Një ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotin Wolfgang Grossruck dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Kryeministri i vendit i ka dhënë garancitë ë tij personale dhe të qeverisë që drejton se zgjedhjet që do të mbahen sot në vend do të arrijnë standardet më të larta ndërkombëtare dhe do të jenë të lira dhe të ndershme. Sipas zyrës së shtypit pranë Këshillit të Ministrave, mësohet se zoti Berisha e ka falënderuar zyrtarin e lartë të OSBE-së për numrin e lartë të vëzhguesve që është vënë në dispozicion të këtij procesi elektoral. “Kryeministri Berisha e siguroi zotin Grossruck se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar, që këto zgjedhje të shënojnë standardet më të larta ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe shfrytëzoi rastin për të falënderuar komunitetin ndërkombëtarë për numrin e madh të vëzhguesve, të cilët ndodhen tashmë në Shqipëri dhe do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili padyshim do të jetë procesi zgjedhor më i mirë i zhvilluar në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave”, – citohet nga njoftimi i publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë.

Gjithashtu numri një i ekzekutivit, zoti Berisha falënderoi Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që po i dëshmojnë sërish Shqipërisë me ekipin e gjerë të vëzhguesve, të cilët do të ndjekin nga afër procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të ditës së diel në vendin tonë. Zoti Wolfgang Grossruck e falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet e tij më të larta dhe përgëzimet më të sinqerta, për fushatën elektorale intensive dhe transparente të zhvilluar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe në një atmosferë tërësisht të qetë pa kurrfarë incidenti dhe në një klimë thellësisht të civilizuar brenda, së cilës partitë politike shpalosën platformat dhe programet e tyre.

Nishani

Edhe kreu i shtetit pati dje një ditë të mbushur me takime, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë aludimeve mbi shëndetin e tij. Ai dje u takua me delegacionin e OSBE-së të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të saj. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se fushata zgjedhore ka qenë nga më të mirat sepse ajo është bazuar në paraqitjen e alternativave dhe debatin për programet dhe se ka shmangur në përgjithësi sulmet personale. Presidenti Nishani më tej shprehu mirënjohjen për OSBE/ODIHR-in për ndihmën e tyre në përgatitjen e kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe pasi bëri një paraqitje të detajuar të situatës parazgjedhore shprehu bindjen në suksesin e këtyre zgjedhjeve, e cila sipas tij bazohet në ligjin elektoral, infrastrukturën moderne zgjedhore, transparencën, sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve shqiptarë dhe me shpresën se partitë politike do të reagojnë në mënyrën e duhur pas rezultatit të zgjedhjeve. Sigurisht që duke mos fshehur interesin që ndërkombëtarët kanë vënë në dukje që në krye të herës, kreu i Asamblesë Parlamentare vuri në duke rëndësinë që ka në tërësi procesi, ndërsa vlerësoi si pozitive situatën e deritanishme. Ai shprehu interesin e tij që në të mirë të vendit, edhe gjendja në ditën e votimit, por edhe në periudhën paszgjedhore të vijojë e qetë. Zoti Grossruck vlerësoi zgjedhjet si shumë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin ku Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin e tij, duke shtuar se në suksesin e zgjedhjeve është veçanërisht e interesuar edhe OSBE-ja.

 

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Lleshi: Media, e lirë të bëjë punën e saj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë mbledhjeve të mëparshme ka analizuar dhe shqyrtuar të gjitha kërkesat për akreditimin e gazetarëve, jo vetëm ata që do të mbulojnë këtë institucion, por edhe që do të zbresin në terren për të vëzhguar procesin dhe do të jenë në qendrat e votimit. “Media është e lirë të bëjë punën e saj gjatë zgjedhjeve, edhe pa pasur akreditimin zyrtar nga KQZ”, – u shpreh po kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, gjatë mbledhjes së radhës së komisionit. Nisur nga një lloj konfuzioni i krijuar nga numri i madh i kërkesave për akreditim, në rastin e përfaqësuesve të medias, kryetarja Lleshi u shpreh se asgjë nuk e pengon median të kryejë detyrën e saj gjatë procesit zgjedhor. “Kemi pasur shumë kërkesa për akreditim edhe nga mediat. Por, kjo nuk do të thotë që edhe ato që nuk janë të akredituara të përjashtohen nga monitorimi pranë qendrave të votimit. Kjo është një cilësi që buron jo vetëm nga Kodi Zgjedhor, por dhe nga ligje të tjera. Edhe ai që nuk është i akredituar pranë KQZ-së me cilësinë e gazetarit ka të drejtë të kërkojë të vëzhgojë procesin”, – tha kryetarja Lleshi. “Media kudo është e lirë dhe nuk ka nevojë të kërkojë leje për të bërë punën e saj. Sa i takon ushtrimit të lirë të profesionit të tyre, gazetarët nuk i pengon asnjë ligj”, – u shpreh ajo. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh gjithashtu për të diskutuar problematikën e ndarjes së materialeve zgjedhore. Përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti, deklaroi se KQZ të zbatojë vetëm ligjin për çdo problematikë që do të vërehet. Ndërkohë kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, theksoi se institucioni që ajo drejton garanton çdo shtetas që të ushtrojë të drejtën e votës të dielën. “KQZ garanton çdo shtetas që të ushtrojë të drejtën e votës ditën e votimit. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, pasi infrastruktura e përgatitur për këtë qëllim nga Komisioni është në kohën e duhur, në kohë reale. Ajo që të gjithë duam është që faktorët politikë, njësoj si KQZ, të jenë të përgjegjshëm në lidhje me procesin zgjedhor”, – tha kryetarja Lleshi, vetëm një ditë para zgjedhjeve të reja parlamentare.

 

 

Deklarata

KMSH: Shprehni bindjen për qeverisjen me qetësi dhe harmoni

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dje ka u ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve, por edhe qytetarëve të tjerë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të qetë dhe me harmoni. Përmes një mesazhi Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) u është drejtuar besimtarëve myslimanë në vend dhe mbarë shqiptarëve që t’i shoqërojnë këto momente të zgjedhjeve parlamentare me qetësi, maturi dhe harmoni të plotë me të gjithë qytetarët e këtij vendi. “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e ushtrimit të së drejtës kushtetuese përmes votës së lirë për çdo besimtar dhe qytetar, i bën thirrje besimtarëve myslimanë dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që t’i shoqërojnë këto momente të zgjedhjeve parlamentare me qetësi, maturi dhe harmoni të plotë me të gjithë qytetarët e këtij vendi. Gjykojmë se të gjithë kanë të drejtë të shprehin me votë bindjen për qeverisjen që dëshirojnë, por ajo që ne urojmë dhe inkurajojmë është që kjo bindje të shprehet në qetësi qytetare dhe në respekt të plotë të normave më të bukura që ne trashëgojmë”, – thekson KMSH në mesazh. Gjithashtu, në mesazhin e tij ky komunitet distancohet nga çdo person apo organizëm tjetër që mund të bëjë fushatë apo thirrje politike për të mbështetur një forcë politike të caktuar. “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në përmbushje të funksionit të tij institucional ndaj besimtarëve dhe qytetarëve të këtij vendi, në vazhdimësi ka shprehur paanshmërinë ndaj spektrit politik, si dhe distancohet ndaj çdokujt që përdor emrin e KMSH dhe tenton të flasë në emër të fesë për efekte elektorale, thuhet më tej në mesazh, por KMSH njëherazi inkurajon të gjithë besimtarët të shprehin të drejtën e tyre ligjore përmes votës së lirë dhe të ndershme për të dhënë kështu kontributin e tyre për Shqipërinë e nesërme”, – përfundon deklarata e këtij komuniteti, i cili është gjithmonë i ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve dhe temave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency