Takimi me kreun e shtetit Kukan: Fati i zgjedhjeve varet nga reagimi i forcave politike pas 23 qershorit

0
121

Gëzim Saliu

nishaniPresidenti Nishani: zgjedhjet janë momenti më i rëndësishëm i demokracisë funksionale

 

Në një takim me Presidentin e vendit Bujar Nishani, kreu i delegacionit ad-hoc të Parlamentit Evropian Eduard Kukan deklaroi se fati i zgjedhjeve të ditës së sotme varet në një masë të konsiderueshme nga reagimi i forcave politike pas përfundimit të procesit elektoral. Nga ana e tij, Presidenti Nishani theksoi se infrastruktura ligjore, kapacitetet infrastrukturore si lista elektronike e votuesve, dokumentet e identifikimit, numërimi transparent dhe ndihma e faktorit ndërkombëtar janë faktorë shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane.

 

Takimi

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Eduard Kukan, i pohoi kreut të shtetit se PE mbështet, inkurajon dhe ndihmon në vijimësi vendin në këtë proces shumë të rëndësishëm elektoral,por ai i mëshoi faktit se faktori bazë mbetet ai shqiptar. Më tej, Kukan vlerësoi si shumë të rëndësishme që pas një fushate zgjedhore relativisht të qetë, mbetet sjellja e partive politike pas mbylljes së garës së ditës së sotme. Ndërkohë, kryetari i shtetit e vlerësoi praninë e Delegacionit të Parlamentit Evropian në Shqipëri si shprehje të vlerësimit, përkujdesjes dhe partneritetit që ky institucion dhe të gjithë institucionet e Bashkimit Evropian tregojnë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit evropian të saj. Në këtë kontekst, kreu i shtetit bëri të ditur se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i Shqipërisë, suksesi i të cilit sipas Nishanit, bazohet para së gjithash në vullnetin e palëkundur të qytetarëve shqiptarë. Më tej, kreu i shtetit nënvizoi se zgjedhjet janë momenti më i rëndësishëm i demokracisë funksionale kur qytetarët e kanë pushtetin në dorë duke vënë në dukje se kjo fushatë zgjedhore është bazuar përgjithësisht në paraqitjen e programeve dhe jo në sulme individuale, e për rrjedhojë mund të cilësohet si më e mira. Nishani u shpreh besimplotë se përqasja e politikanëve pas zgjedhjeve do të jetë e njëjtë me atë të qytetarëve shqiptarë, të cilët me sjelljen e tyre, theksoi Presidenti, po tregojnë një pjekuri që garanton suksesin e zgjedhjeve. Po ashtu ditën e djeshme, Delegacioni i Parlamentit Evropian i kryesuar nga Eduard Kukan dhe Libor Roucek u prit dje në një takim nga kreu i komisionit të jashtëm Ditmir Bushati në kryesinë e Kuvendit. Në këtë u trajtuan shqetësimet e opozitës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare si dhe angazhimi i partnereve ndërkombëtar në këtë moment të rëndësishëm për vendin. Bashkëbiseduesit shprehen bindjen se një proces i ndershëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare do të afrojë vendin me perspektivën evropiane.

 

 

1 vit ACT Now!

Arvizu: Shqipëria që dëshironi, realitet nëse kontribuoni të gjithë

Nisma e shoqërisë civile e mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ACT Now! festoi dje 1 vjetorin e themelimit të saj. Nëpërmjet një videoje mbështetëse të ACT Now, ambasadori i SHBA-së Arvizu bëri thirrje për të votuar. “Ideja kryesore e nismës ACT Now! është nxitja e një komunikimi më të mirë midis qytetarëve dhe udhëheqësve të zgjedhur prej tyre, për të mirën e vendit, dhe për të mirën e të gjithë shqiptarëve. Dhe, siç e kam thënë dhe më parë, ka qenë diçka që na ka ngrohur zemrën të gjithëve ne këtu në Ambasadë, kur kemi parë se si kjo ide ka arritur të prekë imagjinatën e njerëzve, dhe se si njerëzit e kanë përqafuar atë ide me entuziazëm. Në mbarë vendin, ne kemi parë nisma, të mëdha e të vogla, që i kanë afruar njerëzit ndaj njeri-tjetrit, i kanë bërë bashkë ata, në një frymë shprese, optimizmi dhe pozitiviteti, të cilat, në të vërtetë, përfaqësojnë pikërisht nismën ACT Now! Të dielën, në 23 qershor, shqiptarët në mbarë vendin do t’iu drejtohen kutive të votimit dhe do të angazhohen realisht në aktin më të rëndësishëm të nismës ACT Now!, që është të shprehurit e rolit të tyre, dhe dhënia e votës së tyre për zgjedhjen e udhëheqësve të ardhshëm”, thuhej në videon e kryediplomatit amerikan. Në mesazhin e tij, Arvizu falënderoi të gjithë mbështetësit e nismës ACT Now! ose Albanians Coming Together Now!, duke theksuar se,: “Dua të falënderoj të gjithë ata që e përqafuan këtë nismë me kaq entuziazëm, shqiptarët në mbarë vendin, si edhe personelin e Ambasadës. Unë dëshiroj të falënderoj secilin personalisht, përfshirë dhe personelin këtu në Ambasadë, që është përpjekur shumë për ta bërë realitet këtë ide”.

 

 

Mesazhi i Presidentit

Nishani: Votoni për të vendosur të ardhmen tuaj, mosvotimi është pasivitet i pafalshëm

Presidenti i Republikës Bujar Nishani dha dje një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë, me anë të të cilit kërkoi pjesëmarrje të gjerë në votime si shenjë të demokracisë dhe lirisë. “Nesër (sot) do të votojmë. Pra do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë. Që është veprimi politik, qytetar, shoqëror, më i rëndësishëm, që përmban në vetvete, thelbin e Demokracisë. Si të tillë, kjo ditë dhe ky akt, kërkojnë prej të gjithëve ne, përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri, për gjithçka që ka lidhje me këto votime. Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh Lirinë, për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen”, tha kreu i shtetit. Sipas Presidentit, mos votimi nga ana e qytetarëve përbën një shenjë pasiviteti të pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë. Të mos harrojmë për asnjë çast rëndësinë e jashtëzakonshme që ka dita e nesërme lidhur me punët, problemet, perspektivat e brendshme. Të vlerësojmë si duhet rëndësinë që votimet e nesërme kanë lidhur me marrëdhëniet tejet të rëndësishme të vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura”, u shpreh Nishani. Nga ana tjetër, kryetari i shtetit kërkoi që në zgjedhjet e sotme të votohet duke respektuar rendin dhe veçanërisht procedurat e votimit, kjo në radhë të parë, sipas tij, për vetë zgjedhësit, pastaj edhe për autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave. “Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit. Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon. Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore; Se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një. Të mundësojmë sa më tepër të rinj të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë…që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur. Votim të mbarë!”, – përfundoi mesazhin e tij Presidenti i Republikës Bujar Nishani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency