Intervista Bundestagu gjerman: Te njihet rezultati i zgjedhjeve, humbësi t’i japë dorën fituesit

0
119

Florenc Drizari

gjermanKiesewetter: Në Parlamentin gjerman ka një simpati të madhe për të vlerësuar progresin e Shqipërisë

 

Deputeti kristiandemokrat, Roderich Kiesewetter, raportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm Parlamentar Gjerman mbi zhvillimet parazgjedhore në Shqipëri, u shpreh optimist për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Gjatë një intervistë për “Deutsche Welle”, deputeti i Bundestagut tha se në Parlamentin gjerman ekziston një mendim pozitiv për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Duke komentuar situatën e mundshme paszgjedhore, ai tha se pret që humbësi në opozitë ti jap dorën fituesit.

“Të dhënat ekonomike janë disi më të mira se sa pritej, por më e rëndësishme se kjo është që vetë partitë e kanë kuptuar se sa i nevojshëm është një parlament funksionues. Besoj se nga krizat e kaluara janë nxjerrë mësime. Kam vetëm një shpresë që pas zgjedhjeve humbësit të mos merren me fajësime të palës tjetër, dhe që fituesit të përdorin tone pajtuese, që ata t’i japin dorën njëri-tjetrit. Atëherë shoh perspektiva shumë të mira që Shqipëria ka shanse më të mira për të marrë statusin e vendit kandidat se para një viti”, – tha Kiesewetter.

Deputeti i Bundestagut komentoi edhe situatën në të cilën ndodhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri. Për këtë ai tha se pret që funksionaliteti i këtij organi administrativ me një rëndësi të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, të funksionojë në mënyrë të plotë.

“Unë do të apeloja tek personat përgjegjës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – i kemi ende pak javë kohë deri më 23 qershor – që KQZ të funksionojë me kapacitete të mjaftueshme. Nuk duhet të jetë thjesht një komision legal, legjitim, por ai duhet të jetë i aftë të funksionojë. Por kemi edhe pak kohë, dhe unë mbetem me besimin që në fund të triumfojë arsyeja”, – deklaroi Kiesewetter.

Sipas tij, të gjitha partitë politike që konkurrojnë për të qenë pjesë e parlamentit kanë një interes të madh që zgjedhjet këtë vit të jenë të ndershme dhe transparente.

Funksionaliteti i Parlamentit, administrata publike, shteti i së drejtës, luftimi i korrupsionit, por edhe luftë intensive kundër kriminalitetit të organizuar duhet të jetë në interes të parlamentit dhe qeverisë së re për deputetin gjerman. Sipas tij, testi më i rëndësishëm për klasën politike shqiptare është një parlament funksional dhe një qeveri me besueshmëri dhe e fortë.

“Kam besim se kështu do të jetë, do të ishte për të ardhur keq nëse do të ndodhte ndryshe, sepse kjo do ta shtynte edhe më tej marrjen e statusit të vendit kandidat. Jam optimist që jo vetëm elektorati, por edhe personat përgjegjës për zhvillimin e procesit zgjedhor do të bëjnë ç’është e mundur që këto zgjedhje të jenë zgjedhje tërësisht të pranuara”, – deklaroi për “Deutsche Welle” deputeti gjerman.

 

 

23 qershori, Arvizu: Test për demokracinë, shpresojmë se Shqipëria do ta kalojë

“Këto zgjedhje do të jenë një test për demokracinë në Shqipëri, test që shpresojmë se Shqipëria do t’i kalojë”, – është ky mesazhi i shkurtër që kreu i prezencës së SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka postuar në rrjetin social Twitter.

Teksa pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, përfaqësuesit e selive diplomatike në vendin tonë kanë ritheksuar apelet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe transparencën e tyre.

Pak ditë më parë, Ambasada Amerikane në Shqipëri u bëri thirrje shqiptarëve t’i drejtohen në masë qendrave të votimit më 23 qershor për të zgjedhur Parlamentin e ri. Ndërkohë, që në një takim me studentët Ambasadori Arvizu kërkoi shmangien e ndikimit të votës. Aktualisht, deklaratat e ndërkombëtarëve lidhur me procesin zgjedhor dhe respektimin e standardeve të kërkuara, janë intensifikuar me afrimin e ditës së zgjedhjeve.

 

 

PD, Vorpsi: Sulmet e Ramës ndaj ushtarëve jashtë vendit, fantazi e trilluar në sallonin mavi

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, akuzoi kryesocialistin Edi Rama duke thënë se ai me platformën “akuzo-shpif-moho” vazhdoi sulmet dhe turin e tij pesimist, dhe shprehet se ushtarët tanë në Afganistan dhe Irak po luftojnë për ryshfete.

“Kjo jo vetëm që është fantazi e pastër e trilluar në sallonin mavi të Ramës”, – vijoi Vorpsi, e cila, sipas saj, nuk ka të bëjë aspak me realitetin, por madje është dhe fyerje ndaj çdo ushtari që i shërben kauzës së lirisë.

“Shqipëria shërben me trupat e saj në Afganistan dhe Irak, sepse ne mbështesim luftën kundër terrorizmit dhe sepse ne jemi një vend krenar i NATO-s.

Ne e dimë që Edi Rama është kundër NATO-s pasi e ka quajtur atë edhe “NATË” dhe madje ai edhe ka protestuar ditën që ne morëm ftesën për t’u anëtarësuar në NATO. Por fjalët e Ramës sot janë sa absurde aq edhe të rrezikshme.

Vetëm Edi Rama arrin t’i ofendojë kështu përnjëherësh, trupat tanë, të ofendojë partnerët tanë në luftën kundër terrorizmit si edhe të ofendojë krenarinë tonë kombëtare. Edi Rama duhet t’u kërkojë ndjesë ushtarëve që janë në shërbim të kombit, familjeve të tyre, si dhe çdo qytetari të këtij vendi për ofendimet ndaj tyre si dhe pesimizmin e tij të vazhdueshëm”, – tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency