Pse Shqipëria është kthyer në një vend tërheqës për investitorët e huaj?

0
132

vendet turistikeErvin Kaduku

 

Në rast se ka një tregues tjetër të rëndësishëm të suksesit të formulës ekonomike të zhvillimit, të adoptuar ne tetë vitet e fundit nga qeveria “Berisha”, ky është thithja e investimeve të huaja. Investimet e huaja direkte kanë vijuar që të jenë të larta në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i investimeve të huaja për janar-mars 2013 arriti në 197 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve përbëhet nga kapitali i vet dhe fitimi i riinvestuar nga kompanitë, tashmë të pranishme në ekonominë shqiptare.

Edhe gjatë vitit të kaluar, IHD-të ishin relativisht të larta në pjesën e parë të vitit, për të rënë më pas ndjeshëm në tremujorin e fundit.

Pavarësisht nga përshkallëzimi i krizës ekonomike evropiane, nuk duket se ka një frenim të investitorëve të huaj. Një rritje e ndjeshme e investimeve të huaja u konstatua veçanërisht në tremujorin e parë të 2012-s në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me pothuajse një trefishim, nga 85 milionë euro në 206 milionë euro.

Në total, investimet e huaja direkte për gjithë vitin 2012 arritën në 746 milionë euro, duke qëndruar në të njëjtin nivel si në vitin 2011. Por, perspektivat janë për shumë më tepër.

Ajo që bën përshtypje në rastin e investimeve të huaja, është fakti që qeveria ka arritur të tërheqë ndjeshëm kapitale të lira, falë shumë kushteve pozitive që ka krijuar për këtë.

Një vend ku marrin jetë reforma të shpejta dhe që fokusohet në lehtësimin e të bërit biznes, një vendndodhje strategjike, aksesi në tregun e lirë, taksat e ulëta dhe stimujt ekonomikë, si dhe një forcë pune e motivuar, e shkolluar dhe konkurruese, e bëjnë Shqipërinë një destinacion të shkëlqyer për investime.

Rritja pozitive ekonomike e regjistruar sipas treguesve të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet 2005-2013 është rritur me norma shumë të larta, duke arritur pikun prej 7.8 përqindësh në vitin 2008. Ajo mbeti në nivel pozitiv rritjeje, edhe në një kohë kur shumë vende fqinjë, madje edhe me zhvillim dhe fuqi të konsiderueshme ekonomike, shënuan recesion. Aktualisht, sipas edhe raportit më të fundit të publikuar këto ditë nga Banka Botërore, Shqipëria renditet përkrah ekonomive më forta të Evropës Juglindore. Vendndodhja e saj në qendër të një udhëkryqi natyror, midis korridoreve më të të mëdha të transitit, si edhe lidhja me rrjetin evropian të transportit, i jep Shqipërisë një pozicion strategjik e të favorshëm për shkëmbimet tuaja tregtare.

Regjistrimi i bizneseve të reja në vend bëhet tani në 24 orë, me një tarifë simbolike prej 100 lekësh, ndryshe nga më parë, kur për të regjistruar një subjekt kërkohej kohë e konsiderueshme dhe shuma më të larta. Licencimi i biznesit bëhet, përmes një procedure të thjeshtë dhe transparente, nga Qendra Kombëtare të Licencimit dhe verifikohet lehtë nëpërmjet internetit, me një shumë gjithnjë prej 100 lekësh. Ndërkohë, funksionon, ndryshe nga më parë, sistemi i taksave online për dokumentimin dhe pagesat. Kuadri ligjor biznesit është në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Pse interesohen kryesisht të huajt?

Ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar si në aspektin e energjisë së rinovueshme, turizmit, agrobiznesit, infrastrukturës dhe shërbimeve. Burimet natyrore përfshijnë ato hidrike, diellore, të erës, tokë bujqësore, por, mbi të gjitha, edhe mbi 400 kilometra vijë bregdetare të tipit mesdhetar. Vendi është i pasur me naftë dhe gaz dhe depozita të vlefshme minerale, të tilla si bakër, hekur krom dhe xeheror.

Regjimi fiskal në Shqipëri imponon një taksim më liberal se shumë vende në rajon. Legjislacioni tatimor shqiptar parashikon për biznesin një taksë të sheshtë prej 10%. Tatimi mbi të ardhurat personale është po në masën 10%.

Në Shqipëri numërohen mbi 1 milion e 100 mijë të rinj, profesionistë të mirarsimuar. Mbi 57% e popullsisë është nën moshën 35-vjeçare. Gjuha angleze, italiane, franceze dhe gjermane janë të përfshira në sistemin e arsimit. Gjuhë të tjera rajonale përdoren gjerësisht. Afro 96 mijë studentë pranohen çdo vit në universitete, 5.000 prej së cilëve studiojnë në fushën teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Pikërisht për këto arsye tetë vitet e fundit është regjistruar një tërheqje e investimeve të huaja në rritje progresive. Kuadri ligjor liberal që rregullon investimet e huaja garanton trajtim të barabartë dhe të paanshëm për investitorët e huaj. Nuk ka kufizim në pjesën e përqindjes së pjesëmarrjes së huaj në kompani dhe 100% pronësi e huaj është e mundur. Investitorët e huaj kanë të drejtë të largojnë të gjitha fondet dhe kontributet e tyre në lloj të investimit. Nuk aplikohet asnjë kontroll mbi këmbimin valutor. Qeveria shqiptare ka miratuar dhe aplikon mbrojtje të veçantë për investitorët e huaj në rast çështjeje gjyqësore ku ata janë palë.

Nga ana tjetër, përmirësimi i infrastrukturës ka qenë një prioritet për qeverinë shqiptare dhe është konkretizuar përmes realizimit të veprave infrastrukturore, kryesisht në rrjetin rrugor, me qëllim shfrytëzimin maksimal të potencialit të pozicionimit strategjik të Shqipërisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency