Intervista e eurodeputetit Knut Fleckenstein Eurodeputeti gjerman: Ngërçi në KQZ ka ngjallur shqetësim në BE, duhen zgjedhje me standarde

0
132

Florenc Drizari

Knut Fleckenstein: Papërgjegjshmëri e lartë që partitë e bënë të paaftë KQZ-në në kryerjen e detyrave kuntkryesore të saj

 

Ngërçi i krijuar prej disa javësh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas zëvendësimit të një anëtari dhe dorëheqjes së tre anëtarëve të tjerë, vazhdon të jetë në fokusin e deklaratave politike të përfaqësuesve të lartë nga Bashkimi Evropian.

Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein deklaron se drejtuesit e partive politike në Shqipëri nëse nuk arrijnë të realizojnë një proces elektoral brenda standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët, ata do të ndëshkohen nga vetë qytetarët të cilët duan integrimin pranë BE-së.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Fleckenstein thekson se Parlamenti Evropian pret nga Shqipëria që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Sipas tij, ngërçi në KQZ ka ngjallur shqetësim të madh në Parlamentin Evropian dhe për këtë klasa politike shqiptaret duhet të gjejë një konsensus politik.

KNUT FLECKENSTEIN

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion që ka legjitimitetin për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Prandaj është një papërgjegjshmëri e lartë që partitë pjesëmarrëse në këto zgjedhje kanë pranuar ta dobësojnë këtë institucion në një mënyrë që KQZ-ja nuk është më e aftë të kryejë funksionet e vet. Kjo situatë ka ngjallur shqetësim të madh tek partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në Parlamentin Evropian.

Për fat të keq Shqipëria ka një histori zgjedhjesh të kontestuara. Dukej sikur me legjislacionin e ri zgjedhor që u adoptua, zgjedhjet e kontestuara do të mbeteshin në të shkuarën. Shqipëria dukej se qëndronte në shinën e duhur drejt më shumë stabiliteti politik. Ja, pse Komisioni Evropian rekomandoi që t’i jepet Shqipërisë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse nuk ishin të kryera plotësisht të gjitha reformat e nevojshme”, – deklaroi eurodeputeti gjerman.

Duke komentuar situatën parazgjedhore në Shqipëri, eurodeputeti gjerman foli për vizitën e tij para dy muajsh në Tiranë,dhe përshtypjet që i la atij dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, zhvillimi i fushatës. “Përshtypja ime është ajo e një fushate shumë të tensionuar. Kur isha në prill në Shqipëri, dukej sikur fushata kishte filluar tanimë kohë më parë. Gjithsesi, fushata zyrtare filloi shumë më vonë. Shokuese, shumë e habitshme për një vëzhgues që vjen nga jashtë Shqipërisë është polarizimi ekstrem i debatit politik. Deri në një farë shkalle, ky është qartë efekti i një fushate elektorale, ku kandidatët janë në konkurrencë për vëmendjen e medias, popullaritet dhe në fund të fundit për votat. Në rastin e Shqipërisë, gjithsesi, kjo tendencë është shumë më e theksuar se në vende të tjera evropiane. Kjo e bën më të vështirë për kandidatët që fitojnë zgjedhjet, që më pas të pranohen si përfaqësues të gjithë vendit”, – tha eurodeputeti.

Sipas tij, grupimi politik që ai përfaqëson në Parlamentin Evropian, është shumë mbështetës ndaj Shqipërisë në vazhdimin e procesit të integrimit. “Ne do të donim që Shqipërisë t’ i njihet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Është zhgënjyese për ne të shohim se pavarësisht nga përpjekjet tona ky qëllim mund të mos arrihet. Unë i kam bërë thirrje vazhdimisht BE-së të mbështesë më fuqimisht Shqipërinë. Por kjo bëhet një detyrë gjithmonë dhe më e vështirë nëse drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk realizojnë gjithë sa u premtojnë qytetarëve shqiptarë. Ata që besojnë në të ardhmen politike të Shqipërisë në BE, duhet të sigurojnë që këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme dhe do të njihen si të tilla nga gjithë partitë politike pjesëmarrëse dhe nga votuesit e tyre”, – deklaroi Fleckenstein.

Knut Fleckenstein është socialdemokrat gjerman, anëtar i Parlamentit Evropian nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, anëtar i Komitetit të PE për çështjet e jashtme dhe aktiv në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.

 

 

Bujar Nishani takohet me Presidentin e Izraelit, Shimon Peres

Presidenti i Republikës Bujar Nishani u prit dje në një takim nga Presidenti i Shtetit të Izraelit, Shimon Peres. Takimi i Nishanit me Peres u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 5-të Presidenciale. Presidenti Peres vlerësoi marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë si të veçanta, duke evidentuar zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë dhe konsolidimin demokratik. Ai vuri në dukje mundësitë e shumta për pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat.

“Në përshëndetje, Presidenti Nishani, pasi uroi përsëri Presidentin Peres për 90-vjetorin e tij, vlerësoi bashkëpunimin midis dy vendeve duke vënë në dukje se bazuar në miqësinë tradicionale dhe të shkëlqyer mes dy popujve tanë dhe mundësitë praktike që ofrojnë Shqipëria dhe Izraeli, ka shumë hapësirë për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat në interes të zhvillimit të ndërsjellë dhe forcimit të lidhjeve midis dy vendeve tona.

Presidenti Nishani vuri në dukje kontributin e Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit, për bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, duke shtuar se pas marrëveshjes Serbi – Kosovë, Shqipëria pret mbështetjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet që ende nuk e kanë njohur.

Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Presidenti Nishani siguroi homologun e tij izraelit se qëndrimi i Shqipërisë nuk do ndryshojë, duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë pranë Izraelit në përpjekjet e tij për paqe.

Presidenti Peres në përgjigje u shpreh se shqiptarët e meritojnë plotësisht miqësinë e popullit izraelit dhe se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë shembull i shkëlqyer se si dy vende të ndryshme mund të kenë përqasje të njëjta për çështje shumë të rëndësishme”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

 

Dy ditë para zgjedhjeve, KQZ vijon akreditimet dhe ndryshimin e anëtarëve të KZAZ-ve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë mbledhjes së djeshme miratoi me 4 vota pro një sërë vendimesh si, akreditimin e disa vëzhguesve nga përfaqësi të huaja si dhe zëvendësimin e anëtarëve të KZAZ-ve. Kërkesat për zëvendësimin e anëtarëve të KZAZ-ve u bënë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe LSI.

“Projektvendimin “Për miratimin e vëzhguesve të Ambasadës së Suedisë, për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend, të datës 23 qershor 2013”. KQZ akreditoi 4 vëzhgues afatshkurtër dhe 2 përkthyes për vëzhgimin e procesit zgjedhor të 23 qershorit; Projektvendimin “Për miratimin e Vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend, të datës 23 Qershor 2013”. KQZ akreditoi 48 vëzhgues afatshkurtër për vëzhgimin e procesit zgjedhor të 23 qershorit; Projektvendimin “Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 qershor 2013 etj.”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency