Shkurte

0
136

berishaMbyllet fushata në Klos dhe Burrel

Kryeministri: Vota për PD-në, votë për integrimin

Klosi dhe Burreli ishin dy ndalesat e paradites së djeshme të selisë blu. Në fjalët e mbajtura përpara qytetarëve të këtyre rretheve, shefi i mazhorancës u shpreh se do të vijojë që të mbajë fjalën për të gjitha premtimet e bëra për qytetarët shqiptarë dhe pikërisht për këtë arsye duhet që të votohet Partia Demokratike. “Përshëndetjet më të përzemërta dhe falënderimin më të madh për këtë pritjet ë zjarrtë dhe me këtë rast ju ftoj më 23 qershor të votoni për fitoren, të votoni për alternativën e PD, votoni për veten tuaj. Le te votojmë ne së bashku për një mirëqenie më të madhe për banorët e Klosit dhe të mbarë Shqipërisë. Ne jeni të vendosur në mandatin e ardhshëm të rrisim rrogat në 700 dollarë rrogën mesatare dhe rrogën e mësuesve, në 350 dollarë rrogën minimale, në 150 dollarë pensionin minimal dyfishimin e pagesës së papunësisë rritjen me 50% të ndihmës ekonomike. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve të Klosit dhe të mbarë Shqipërisë, të rrisim bizneset duke ulur taksat, të shtojmë subvencionet për fermat, të trefishojmë grantet, të ndërtojmë infrastrukturë moderne në të katër anët e Klosit matit dhe të gjithë Shqipërisë. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë për Klosin, Matin Dibrën dhe mbarë Shqipërinë, sistemin vaditës më të mirë, do të shfrytëzojmë të gjitha potencialet turistike të Klosit, Matit dhe të gjithë Shqipërisë. Burimet tuaja të mëdha natyrore do të shndërrohen në vlera për ju, studimet perspektive dëshmojnë rezerva kolosale të kromit në malet e Klosit dhe të Bulqizës”, – tha lideri i demokratëve. Ai nënvizoi se integrimi do të jetë një nga prioritetet më të mëdha të të gjitha kohërave, ndërsa premtoi se në fund të vitit do të merret statusi i vendit kandidat, dhe po ashtu do të hapen negociatat. “Gjatë muajve që vijnë ne do të marrim statusin do të hapim negociatat me Bashkimin Evropian, ndaj dhe ju ftoj të ecim përpara së bashku”, – u shpreh zoti Berisha. “Bashkohuni me ne për të ndërtuar ujësjellës, kanalizime dhe infrastrukturë moderne, për matjanët kudo që banojnë. Bashkohuni me ne, në udhëtimin tonë fisnik drejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropiane. Ne u anëtarësuam në NATO, ne hoqëm vizat, ne merituam statusin”, – përfundoi kreu i mazhorancës. Ky i fundit pret në Dibër që të merren 5 deputetë, ndërsa u shpreh se kjo është totalisht e mundur për këtë qark.

 

 

Kavajë

Berisha: Fitorja është me ne

Edhe ditët e fundit të fushatës elektorale, kryetari i PD-së, Berisha, është duke i shfrytëzuar në maksimum për të bindur çdo qytetar që në 23 qershor të hedhë votën në kutinë e djathtë. Nga mbyllja e fushatës në qytetin e Kavajës, kreu i demokratëve shprehu bindjen se fitorja e 23 qershorit është e sigurt dhe ndaj e cilësoi edhe mitingun e djeshëm si një fitore të madhe. “Edhe 2 ditë na ndajnë nga dita e fitores së madhe. Unë ju bëj thirrje ju, vajzave dhe djemve, grave dhe burrave të Kavajës që këto dy ditë të punojmë çdo orë, të punojmë çdo minutë për të bindur çdo qytetar të këtij qyteti të mrekullueshëm, çdo fermer të këtij rrethi të mrekullueshëm, çdo mik që keni kudo, në Kavajë dhe jashtë saj që me 23 qershor të bashkojë votën me ne për Kavajën e zhvilluar, për Kavajën krenare që ecën e sigurt drejt niveleve më të larta të zhvillimit, drejt mirëqenies dhe drejt punësimit, për Kavajën e integruar në Bashkimin Evropian, për Kavajën fitimtare, për Shqipërinë fitimtare, për fitoren”, – tha lideri demokrat. Me premtimin e rritjes së rrogave e të pensioneve, shtimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, lideri i demokratëve Sali Berisha iu drejtua kavajasve. “Shpreh zotimin tim solemn se fitorja e 23 qershorit do të jetë fitorja juaj. Do të jetë fitorja në të cilën ne do të ecim të vendosur drejt niveleve më të larta të mirëqenies, në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë. Firoja e 23 qershorit do të jetë fitorja e punësimit masiv të qytetarëve të Kavajës dhe gjithë Shqipërinë. Fitorja hap dyert për dyfishimin e turizmit në Kavajë dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike të saj. Katër vitet që vijnë do jenë vitet e lidhjes direkte të Kavajës me Tiranën me autostradën. Do jenë vitet në të cilat Kavaja do kapë nivelet më të larta të zhvillimit. Katër vitet që vijnë do jenë vitet e integrimit të Shqipërisë, vitet e statusit dhe hapjes së negociatave për vend anëtar në BE”, – u shpreh Kryeministri. Në fjalimin e djeshëm në Kavajë, Kryeministri nuk sulmoi as programin e PS-së dhe as liderin e saj, por u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mbështesin PD-në më 23 qershor, “si mënyrën e vetme për të ecur të sigurt drejt mirëqenies dhe integrimit”.

 

 

Kryeministri: 44, numri im i fatit, kujdes nga 29-ta është dështim

Bashkohuni me PD-në për integrimin, mirëqenien, punësimin dhe zhvillimin tuaj

Për herë të parë, Kryeministri nga zona ku ka kandiduar historikisht, nga Kavaja, u mor me krahasimin e numrave që partitë mbajnë në fletën e votimit, duke lënë pas programet politike që ofrojnë këto parti në këto zgjedhje. Duke i besuar edhe pak fatit zoti Berisha tha se 44 është numri i tij me fat dhe sigurisht që do të fitojnë dhe do të shpërblehen të gjithë shqiptarët pa asnjë dallim. Shefi i demokratëve u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes nga numri 29, pasi siç tha ai, ky është numri i dështimit. “Për ju dhe gjithë shqiptarët dua t’ju pohoj këtu sonte se unë gjithë jetën jam përpjekur, por kam pasur dhe fat dhe fati im i madh është 44 se linda në “44. Askush nuk do zhgënjehet. 44 është numri i fatit, është numri i lirisë së shqiptarëve. Lexoni pak për 29-ën, është dështimi, është Edi Rama. Kujdes prej atij numri, nuk sjell fat, nuk ka mbarësi, ka dështim. Bashkohuni për punësimin, zhvillimin, për të ardhmen tonë në Evropë”, – tha Berisha. Kryeministri Berisha iu drejtua qytetarëve të Durrësit me zotimin për rritje të rrogave dhe pensioneve, shtimin e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit dhe mbështetje për bizneset e fermerët. “Fitorja e 23 qershorit do të jetë fitore për mirëqenien e çdo qytetari të Durrësit dhe të çdo shqiptari. Rritja e madhe e rrogave, e pensioneve, e pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike është një nga objektivat madhorë të fitores sonë, të projektit tonë. Fitorja e 23 qershorit është fitore për punësimin e të rejave dhe të rinjve, grave dhe burrave të Durrësit edhe të Shqipërisë. Fitorja e 23 qershorit është për durrsaket dhe durrsakët Durrësi i zhvilluar, me një port të madh që nuk e ka pasur kurrë më parë; është Durrësi i universitetit më modern; është Durrësi i bizneseve dhe rritjes së madhe të tyre; është Durrësi me portin energjetik kryesor të Shqipërisë, por edhe në rajon; është Durrësi me portin e peshkatarëve ndër më të bukur në rajon. Fitorja e 23 qershorit është fitorja e të rejave dhe të rinjve të Durrësit, shkollimit të tyre gjithnjë e më cilësor, punësimit të tyre masiv, heqjes së çdo takse për 3 vitet e para të punësimit, kredi të buta për çdo të ri që dëshiron të punësohet në një profesion. Është përpjekja jonë e madhe që të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë me energjinë e tyre të ngjisin vendin në lartësitë më të mëdha të revolucionit teknologjik. Fitorja e 23 qershorit për vajzat, gratë, nënat, motrat e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë është para së gjithash fitore në përpjekjen tonë fisnike për barazinë gjinore, për barazinë e nënës me babanë, motrës me vëllain, vajzës me djalin. Vajzat, gratë, nënat, motrat e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se me programin e Partisë Demokratike ia dolëm të përgjysmojmë dallimin në paga midis burrave dhe grave. Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë përsëri do ta përgjysmojmë dhe ju do merrni rolin që ju takon në shoqëri, në politikë e në çdo fushë. Vajzat dhe gratë e Durrësit duhet ta dinë se me Partinë Demokratike punësimi i tyre ka njohur dimensione që nuk i ka njohur më parë. Nga viti 2008 deri më sot tregu i punës në Shqipëri u rrit me 7.5 për qind gra dhe 4 për qind burra”,- tha Kryeministri.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency