Nuk i ktheu borxhin Përfundon hetimi për vrasësin e kineastit, dosja e Shahinit në gjykatë

0
319

 Sonja Caka

denimDosja, ish-bodigardi i Luan Hajdaragës vrau me pistoletë Bujar Barçin, pasi nuk i ktheu një borxh. Shahini, i dënuar më parë për vrasje

 

Katër muaj pas krimit të rëndë për një borxh të pakthyer, prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të Halit Shahinit, i akuzuar për vrasjen e kineastit të njohur Bujar Barçi. Dosja e ish-bodigardit të Luan Hajdaragës, ish-ministrit të Mbrojtjes gjatë viteve 1998-1999, ka mbërritur për gjykim pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës dhe pas hedhjes së shortit, do të jetë gjyqtari Sokol Tona që do kryesojë trupin gjykues që do ta gjykojë në ditët në vazhdim për veprën penale të vrasjes me dashje. Sipas hetimit, 51-vjeçari Halit Shahini është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit disa javë pas krimit, ku rrinte i strehuar në një banesë në Tiranë. I pandehuri Shahini akuzohet se në shkurt të këtij viti, në rrugën “Siri Kodra”, në orët e mëngjesit ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Bujar Barçi, 60 vjeç. Viktima dhe autori i krimit, sipas akuzës, njiheshin me njëri-tjetrin, pasi autori i kishte dhënë Barçit një sasi të konsiderueshme lekësh dhe nuk kishte mundur t’ia merrte për gati 4 vjet me radhë. Sipas akuzës, ka qenë pikërisht ky borxh mes viktimës dhe autorit që është bërë shkak i konfliktimit mes palëve, të cilët herë pas here kanë filluar të përplaseshin njëri me tjetrin duke u qëlluar me grushte.

Ngjarja

Krimi i rëndë ka ndodhur në orët e mëngjesit të 12 shkurtit, në rrugën “Siri Kodra”. Viktima sapo kishte dalë nga banesa e tij për të hapur dyqanin, por papritmas është ndeshur me Halit Shahinin. Ky i fundit ka filluar t’i kërkojë lekët, që ia kishte dhënë katër vite më parë, por më pas mes tyre janë shfaqur sërish konfliktet dhe nisur nga kjo situatë, Shahini ka nxjerrë nga trupi një pistoletë, duke e qëlluar nga afër 60-vjeçarin Barçi. Ky i fundit është rrëzuar menjëherë në tokë, ndërkohë që autori i krimit është larguar me shpejtësi duke mos arritur të kapet nga forcat e komisariatit nr. 4 të Tiranës. Pas transportimit në Spitalin Ushtarak, mjekët nuk i dhanë shumë shpresa mbijetese Barçit, pasi plumbat i kishin prekur organet kryesore jetësore. Disa ditë nga krimi i rëndë, Barçi ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, vendosi të caktonte masën “Arrest me burg” në mungesë për shtetasin Halit Shahini, i cili u identifikua nga policia si autori i vrasjes së borxhliut të tij Bujar Barçi. Sipas burimeve policore, Shahini rezulton të ketë qenë i dënuar më parë, pasi rrahu për vdekje rojën e një banke në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2005, pas një grindjeje për vendin e parkingut. Ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me një vit e dy muaj burg, me akuzën e “Vrasjes nga pakujdesia”.

 

Vendimi

Aksidentoi dhe nuk i dha ndihmë të aksidentuarit, dënohet me kusht

Një 30 vjeçar është dënuar me 1 vit burg, masë dënimi që iu pezullua, pasi aksidentoi dhe la të dëmtuar një shtetas, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Por, i dëmtuari është ndihmuar nga një kalimtar i rastit, i cili ka mundur të marrë targën e makinës dhe të lajmërojë policinë, ndërsa Vlash Simoni është dërguar me urgjencë për në Spital Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor të vitit të kaluar, në orët e paradites në rrugën “Don Bosko”, pranë kryqëzimit të bankës “Credins”. Sipas gjykatës, automjeti tip Audi A4, me targë AA 188 CU, ka aksidentuar shtetasin Vlash Simoni, duke i shkaktuar dëmtime dhe pas aksidentit, drejtuesi së bashku me automjetin është larguar me shpejtësi. I dëmtuari me mjet të rastit dhe i shoqëruar nga shtetasi Priam Dautaj (dëshmitar okular i ngjarjes) është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Ngjarja është parë nga shtetasi Priam Dautaj i cili ka fiksuar targën e mjetit i përfshirë në aksident AA 188 CU, dhe për këtë ka njoftuar shërbimet e policisë. Nga verifikimet rezulton se mjeti me targë AA 188 CU, është i llojit Audi, i regjistruar në emër të pandehurit Teodor Neçaj. I pyetur rreth aksidentit i pandehuri Teodor Neçaj fillimisht ka deklaruar se mjeti është i regjistruar në emër të tij, por përdoret nga i vëllai Taulant Neçaj. Shtetasi Taulant Neçaj i pyetur rreth aksidentit deklaron se mjeti Audi me targë AA 188 CU, përdoret edhe prej tij duke sqaruar se në momentin e aksidentit automjeti drejtohej nga i vëllai Teodor Neçaj. Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata shpalli fajtor për dy akuza të pandehurin, përkatësisht për akuzat e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugore” dhe “Largimit nga vendi i aksidentit“.

Vendimi

I dënuar me 16 vjet nga drejtësia italiane, pranohet ekstradimi i Ilir Peres

Gjykata e Tiranës ka pranuar dy ditë më parë kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e Ilir Peres drejt Italisë. Në vendimin e saj, gjyqtarja Rezarta Balliu argumenton se pranon ekstradimin në Republikën e Italisë të shtetasit shqiptar, Ilir Pere, 36 vjeç, për të vuajtur dënimin prej 16 vjet burgim, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76-22 i Kodit Penal dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal. Sipas gjykatës, Pere është arrestuar një muaj më parë për llogari të drejtësisë italiane, pas kërkesës së ardhur nga Interpol Roma.

Kërkesa

Operacioni “Sotto traccia – AL”, në gjykatë ekstradimi i Podës

Gjykata e Tiranës ka marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për ekstradimin në Itali të shtetasit Altin Poda alias Rinor Hajdaraj, vjeç 27, banues në Tiranë. Kërkesa është duke u shqyrtuar nga gjyqtarja Rezarta Balliu dhe pritet që në seancën e radhës të merret vendimi mbi ekstradimin ose jo të këtij shtetasi drejt shtetit fqinj. Poda u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Sotto traccia – AL”, për hetimin dhe goditjen e një organizate kriminale, që merrej kryesisht me “Trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike të llojit Kokainë dhe Heroinë”, “Favorizim dhe shfrytëzim të prostitucionit”, “Favorizimi dhe qëndrim i të huajve klandestin në vendet e BE-së”. Iniciativën për fillimin e hetimeve në lidhje me këtë operacion ndërkombëtar e ka pasur autoriteti policor italian. Këto hetime janë zhvilluar në një hark kohor disa vjeçar, duke u shtrirë në disa vende të BE-së. Bashkë me Podën u vunë në pranga edhe gjashtë të tjerë, kërkesat për ekstradim të të cilëve janë duke i shqyrtuar nga disa gjykata të vendeve ku ata kanë banimin.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency