Përrenjas Rama: Pronat në Shqipëri janë bërë “lesh e li”, brenda mandatit të parë japim certifikatat

0
139

Gëzim Saliu

perrenjasi“Do të vendosim statusin për minatorët”

 

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzon mazhorancën e djathtë se nuk ka mbajtur premtimin për pronat, duke premtuar zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje në të gjithë vendin brenda mandatit të para qeverisës. Në “këndin e fjalës” së zhvilluar në Përrenjas, kryesocialisti theksoi se vetëm duke dhënë votën për PS, do të mund të përfundohet reforma e tokës. “Prona në Shqipëri është bërë “lesh e li”, çdo vit që kalon komplikohet. Asaj i janë mbivendosur orekset e oborrit të kryeministrit që i ka transformuar çështjet e pronës në një çështje pushtimi. Pushtim i pronave nëpërmjet abuzimit me ligjin dhe shtetin, në të katër anët, duke privuar shqiptarët pronarë, duke mos përfunduar reformën e tokës dhe duke mos i zgjidhur problemin e legalizimeve. Këto janë problemet, e para pronarët që ngelën gjyqeve pa marrë zgjidhje, fermerët që punojnë tokën, por që certifikatë të tokës nuk kanë dhe e treta pronat e ndërtuara me gjak e sakrifica në kushtet e mungesës së shtetit që nuk po legalizohen. Zotohem se brenda mandatit të parë dorëzojmë certifikatat e tokës, do përfundojë reforma e tokës”, – tha Rama.

Bashkëbisedimi

Në bashkëbisedimin e djeshëm në Përrenjas, u vu re fakti i rëndimit të tonit akuzues të kreu socialist ndaj kundërshtarit të tij politik, duke theksuar: “Nuk ka komunist më të keq, është specia e mbijetuar e Luftës së Ftohtë. Edhe krom, edhe skorie në të njëjtën kohë. Ne nuk tregojmë përralla, ne duam ta rilindim këtë sektor, na duhet që të kemi një projekt të qartë që të mbyllim ciklin, që materiali të përpunohet brenda përbrenda. Shpresoj që pas 4 vitesh këtu nuk duhet të jetë bërë as Zvicër as Itali, por gjërat do t’i kemi çuar përpara. Shqipërinë do ta kthejmë në punë”. Më tej, duke ironizuar deklaratat e kryeministrit Berisha për uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve, Rama bëri batutë edhe me moshën e kryeministrit. “Deri të premten do e çojë moshën e pensionit në 40 vjeç, se e filloi para tre muajsh me 60, e çoi 55 dhe tani e çon 50. Ai mund ta çojë për minatorët deri 40 vjeç, për veten e vet mazallah se e ul e të pranojë se nuk ka më takat”, – tha kreu i PS-së. Nga ana tjetër, Rama hodhi poshtë akuzat e Kryeministrit se ai jo vetëm nuk do bëjë legalizimet, por se do t’i kthejë banorët andej nga kanë ardhur. Sipas kreut të PS-së, Berisha bën opozitën gogol, sepse nuk di si të justifikojë premtimet e 8 viteve për legalizimet. “Ditët e fundit Saliu ka ndërmarrë një përpjekje të dëshpëruar se do t’i kthej unë andej nga kanë ardhur njerëzit dhe se nuk do bëj legalizimet. Historia ka treguar që unë nuk jam armiku i tyre, por Saliu nuk është miku i tyre i ka dashur mish për top në fushata, i ka dashur vetëm për vota, dhe kurrë si ka trajtuar si njerëz. Sot duhet të dilte para tyre dhe të thoshte unë ua bëra legalizimet, nuk gjen fjalë tjetër për t’ju thënë veçse të bëjë opozitën gogol”, – u shpreh ai. Ndërkohë interesimit të minatorëve të minierës së hekur-nikelit në Përrenjas, Rama iu përgjigj duke thënë se synimi i PS është të kthejë Shqipërinë në punë. Ai tha se problemet e tyre do marrin fund me vendosjen e statusit të minatorëve. “Saliu ka refuzuar propozimet tona për minatorët, kujt ja tregon ky që do ta çojë moshën e pensionit 50 vjeç, që do ulë çmimin e naftës kur i ka refuzuar me votë në Parlament propozimet tona. Ne duam të nxisim investitorët të vijnë këtu dhe të realizojnë një projekt konkret”, – deklaroi kreu socialist Rama, duke shtuar se PS-së i duhet vota e minatorëve për të marrë mandatin e për të zgjidhur më pas problemet që kanë njerëzit që kanë punuar në nëntokë.

 

 

Takimi i PR në Shijak

Mediu: Agron Duka, përfaqësuesi juaj më dinjitoz në Parlament. Kandidati: Do punoj sa të kem frymë

Partia Republikane ka zhvilluar dje një takim elektoral në Shijak, ku ka përfaqësuar para tyre kandidatin për deputet Agron Dukën. Në fjalën e tij, kreu i PR-së, Mediu, u shpreh se Shijaku do të përfaqësohet denjësisht në Kuvendin e ardhshëm, nga djali i tij Agron Duka që ka punuar dhe do vazhdojë të punojë për vendin e tij. “Shijaku do të ketë në Kuvend zërin e tij të vërtetë, Gon Duka nuk është përfaqësues vetëm i PR-së, por i gjithë Shijakut. Familja Duka është e nderuar në Shijak, po ashtu edhe Goni ka punuar çdo ditë, çdo javë e muaj për të ndërtuar mirëqenie për familjen e për të punuar me gjithë Shijakun për më shumë mirëqenie”, – tha ai. Në këtë kontekst Mediu shtoi: “Partia Socialiste i kërkoi Dukës që të bëhej deputet në Berat, por Duka ka pasur dhe ka një synim, të përfaqësojë ata me të cilët ka punuar, banorët e Shijakut. Për Gon Dukën politika është dytësore, njerëzit e thjeshtë për të i japin vlerë politikës. Zgjidhni njeriun që është afër jush”, – shtoi ai. Sipas Mediut, PR është partia që kërkon të punojë nëpërmjet rrugës së ndershme. Ai u fokusua edhe tek problemi i pronave, duke thënë se, çështja e pronës duhet të marrë zgjidhje sa më parë. Ndërkohë kandidati për deputet i PR, Agron Duka u shpreh para qytetarëve të tij se do mund t’i përfaqësojë ata me dinjitet në Kuvend, nëse i japin votën Partisë Republikane. “Unë jam këtu për të përmbushur një betim për zonën time, që ti shërbej me përkushtim. Si shijakas moralin tim dhe tuajin e kam të shenjtë, unë i përkas kësaj zone dhe do të punoj për të sa të kem frymë, prandaj më votoni”, – tha Duka. Duke ftuar shijakasit të votojnë të sigurt Partinë Republikane dhe numrin 45, Duka theksoi: “Gjatë gjithë karrierës sime të shenjtë mbeteni vetëm ju, ndjej për detyrë t’ju shërbej”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency