Masa e arrestit/ Dhunoi për vdekje Fatjon Tahirin, Gjykata lë në burg Gjashtën

0
151

Sonila Mesareja

Gjykata e Tiranes_9_14 Ekspertiza mjekoligjore zbuloi shkakun e vdekjes, nuk ishte natyrale, por vrasje. Policia ekzekutoi vendimin e marrë nga Gjykata në mungesë, arrestoi të riun

 Kur mendoi se ia kishte hedhur dhe vdekja e personit që dhunoi deri në humbjen e jetës u raportua si natyrale, ngjarjet morën tjetër rrjedhë. Ekspertiza mjekoligjore zbuloi shkakun e vdekjes. Fatjon Tahiri ishte vrarë, nuk kishte vdekur natyralisht për shkak të problemeve të tij shëndetësore. Ky përfundim vuri në lëvizje organin e akuzës së kryeqytetit, e cila mori masën e arrestit në mungesë dhe menjëherë kërkoi nga policia ekzekutimin e saj një ditë më pas, duke vënë në pranga autorin e dyshuar, personin tashmë nën hetim Tatjan Gjashta. Por, nuk ishte vetëm ekspertiza që e zbuloi këto fakt, pasi edhe disa dëshmi të mbledhura më vonë zbuluan dhunën sistematike që Gjashta ushtronte ndaj Tahirit, të cilit i kërkonte të lironte banesën ku jetonte. Dje, gjykata ka lënë në fuqi masën e marrë në mungesë për Gjashtën, përkatësisht “Arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

 

Seanca

Gjykata e Tiranë ka zhvilluar mesditën e djeshme seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për shtetasin Tatjan Gjashta, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” në dëm të shtetasit të ndjerë Fatjon Tahiri. Ngjarja për të cilën dyshohet shtetasi Gjashta ka ndodhur në 25 Janar 2014, kur është gjetur i vdekur shtetasi Tahiri. Në verifikimet paraprake rezultoi që vdekja dukej se ishte natyrale. Por, pas daljes së aktit të ekspertimit, në qershor 2014, u krijuan dyshime të arsyeshme se vdekja kishte ardhur nga faktorë të jashtëm. Nga veprimet hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi Gjashta, ndaj të cilit është vendosur nga gjykata masa e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë, në dt. 24.9.2014. Ky vendim u zbatua ditën e enjte, dt. 25.9.2014.

 

Ngjarja

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur prej Komisariatit të Policisë nr. 4, Tiranë, më datën 22.7.2014 ka regjistruar procedimin penal për veprën penale Vrasja me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, pasi më datën 25.1.2014, në orën 08:00, është marrë njoftim nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, se në rrugën “Ali Pashë Gucia” është gjetur i vdekur shtetasi Fatjon Tahiri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë dhe nga ana e oficerit të policisë gjyqësore është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes, e cila është shoqëruar edhe me fotografi, si dhe në Morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore është bërë kqyrja e kufomës. Për të përcaktuar dëmtimet e shkaktuara tek shtetasi F. Tahiri dhe shkakun e vdekjes, prej oficerit të policisë gjyqësore është vendosur të bëhet ekspertimi mjeko-ligjor për ekzaminimin e kufomës. Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor datë 18.06 2014 mbi ekzaminimin e kufomës së shtetasit Tahiri, ka rezultuar se “shkaku i vdekjes së shtetasit Fatjon Tahiri ka qenë pamjaftueshmëria e punës së zemrës dhe mushkërive te një person që ka pësuar dëmtime të jashtme dhe që vuante nga sëmundja e infeksionit të shprehur të mushkërive, cirroza e mëlçisë, etj”.

 

Ekspertiza

Sipas akuzës, në lidhje me shkakun e vdekjes është pyetur edhe mjeku-ligjor i cili në deklarimet e dhëna prej tij konfirmon faktin se dëmtimet e konstatuara në kufomën e shtetasit F. Tahiri dhe të përshkruara në akt mund të kenë ndikuar në ardhjen më të shpejtë të vdekjes së tij. Plagët e konstatuara tek ai janë të freskëta, jo shumë kohë para vdekjes, apo edhe në momentin e vdekjes. Lidhur me këtë fakt janë pyetur si deklarues disa shtetas. Sipas deklarimeve të dhëna prej tyre shtetasin Fatjon Tahiri vazhdimisht e dhunonte shtetasi Tatjan Gjashta. Edhe një ditë më parë se Fatjoni të gjendej i vdekur, pra më datën 24.01.2014, gjatë orëve të vona të darkës ai është dhunuar, goditur dhe përplasur me forcë përtokë prej shtetasit Gjashta. Konflikti me këtë shtetas ka nisur për shkak se ai është pronar i objekti ku kanë banuar më parë disa familje, të cilat në bazë të urdhërit të ekzekutimit përmbarimor janë nxjerrë prej objektit. Por, viktima Tahiri vazhdonte të jetonte në një pjesë të paprishur të këtij objekti dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që Gjashta e dhunonte, pasi donte që ai të mos rrinte aty.

 

Takimi/ Llalla, drejtuesve të Prokurorisë: Në sitë zyrtarët e legalizimeve

“Dëmi ekonomik shkaktuar shtetit me procesin e fitimit të pronësisë me dokumente të falsifikuar dhe legalizime abuzive do të sjellë shumë shpejt arrestime të reja dhe zyrtarë, të cilët do të përballen me drejtësinë. Ky fakt është paralajmëruar nga kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili ka mbajtur këtë të premte një takim me vartësit e tij në të gjithë Shqipërinë, ku veç të tjerash ka kërkuar dhe hetim për cilindo zyrtar të përfshirë në korrupsion. Dosjet hetimore të papërfunduara dhe lufta ndaj korrupsionit duhet të trajtohen me rimte të shpejta pasi në çdo muaj prokurorët shqiptarë do të vlerësohen për punën e tyre”, – ka theksuar në takim me vartësit kryeprokurori. Ka qenë ky vendimi i marrë në një takim të mbajtur midis kreut të Akuzës shqiptare Adriatik Llalla dhe vartësve të tij në 23 prokurori rrethesh përfshi dhe ato të Apelit dhe Krimeve të Rënda. Mbledhja e zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme pa praninë e medieve, mësohet të ketë pasur tension mes prokurorëve dhe vetë shefit të tyre, pasi ka rezultuar se në analizën e deritanishme shumë dosje janë lënë pas dore. Teksa Prokuroria thotë se së shpejti pritet që në sitën e hetimeve të kalojnë ish-zyrtarë dhe zyrtarë të Legalizimeve që kanë shkaktuar për buxhetin e shtetit një dëm ekonomik duke kryer legalizime të jashtëligjshme. Po ashtu, mësohet se Llalla u kërkoi vartësve të tij që brenda shtatorit të dërgojnë kërkesat për gjykim të çështjeve të bujshme që po hetohen në disa prokurori, e disa më të nxehtat nga Akuza e kryeqytetit. Sakaq, 6 drejtues të Prokurorive pritet të ndryshojnë në kuadër të riorganizimit në strukturat drejtuese në bazë të performancës së deritanishme për çdo prokurori. Njëzet e tre drejtuesit e Prokurorive në rrethe si dhe të Apelit morën porosi të drejtpërdrejta për goditjen e korrupsionit, veçanërisht në rangun e zyrtarëve të lartë mësohet nga i njëjti burim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency