Refuzimi i KQZ-së, si rrëzim politik i zgjedhjeve

0
151

votimiNga Pëllumb Seferi

Hajdar Noka

Juristë

 

1. Në shoqëritë demokratike, zgjedhjet dhe institucionet zgjedhore janë rruga nga e cila kalon e drejta politike për të pretenduar qeverisjen e vendit. Ligji kushtetues përcakton se qeverisja e vendit bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Nëpërmjet zgjedhjeve populli ushtron sovranitetin, që i takon vetëm atij. Pra, zgjedhjet janë e drejta e popullit për të shprehur sovranitetin përfaqësues, jo një vullnet i subjekteve politike në vend. Subjektet politike kanë të drejtë vetëm të konkurrojnë në një palë zgjedhje për të fituar sovranitetin përfaqësues të popullit, brenda një periudhe të caktuar zgjedhore, sepse populli ka të drejtë të verifikojë sovranitetin përfaqësues, nëpërmjet zgjedhjeve periodike. As periodiciteti i zgjedhjeve nuk është në varësi të vullnetit të subjekteve politike, por një përcaktim kushtetues i të drejtës së popullit për të kontrolluar sovranitetin përfaqësues.

 

2. Nëse zgjedhjet janë e drejta e popullit për të shprehur sovranitetin përfaqësues, institucionet zgjedhore janë lexueset ligjore të këtij sovraniteti. Sovraniteti përfaqësues nuk lexohet nga altoparlantët në oborret e partive politike, por nga institucionet zgjedhore, që ligji i cakton për këtë qëllim. Institucionet zgjedhore ligjore janë funksione të të drejtës së zgjedhjes, që populli ushtron në cilësinë e sovranit. Ato nuk mund të trajtohen si njësi shërbime, që subjektet politike duan ia ofrojnë popullit, nuk duan, ia refuzojnë. Nuk mund të kërkosh përfaqësim të sovranitetit të popullit jashtë institucioneve zgjedhore ligjore ose duke i anashkaluar ato.

 

 

3. Subjektet politike, me sovranitet përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë, në dakordësi të plotë kanë vendosur që rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të jenë të natyrës politiko-administrative. Në zbatim të këtij përcaktimi, institucionet zgjedhore janë caktuar të formohen me anëtarë, të cilët përfaqësojnë kandidatura të propozuara nga subjektet politike parlamentare. E drejta e propozimit u takon partive, në bazë të pozicionimit të tyre në grupimet shumicë parlamentare-pakicë parlamentare. Sipas nenit 14 të Kodit Zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas kësaj procedure: “a) 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare, që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë; …ç) anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës”. Sipas nenit 29 e 39 të Kodit Zgjedhor, KZAZ dhe KQV, si njësi të administrimit të zgjedhjeve formohen sipas mënyrës dhe kritereve, që kanë si bazë të njëjtin rregull përfaqësimi politik, me ndryshimin që, anëtari i pestë zgjidhet si propozim nga partia e dytë e shumicës parlamentare, ndërsa anëtari i gjashtë, si propozim nga partia e dytë e opozitës parlamentare.

 

4. Partitë politike parlamentare mund të pozicionohen dhe ripozicionohen politikisht në çdo kohë. Kjo është një e drejtë dhe liri politike e pakushtëzuar. Një subjekt politik, pjesëmarrës në qeveri, zgjedh të bëhet pjesë e grupimit opozitar ose e kundërta, pa asnjë llogaridhënie. Ndërsa, ndërtimi i strukturave administrative zgjedhore, me përbërje të barabartë nga kandidatura të partive parlamentare, në bazë të pozicionimit pozitë-opozitë, paraqitet një formulë ligjore e pamenduar, pse jo e gabuar. Liria për të ndryshuar pozicionimin politik rrezikon në çdo kohë prishjen e raportit të përfaqësimit pozitë-opozitë, në institucionet zgjedhore. Nëse ky raport prishet, pavarësisht shkakut, qëndrueshmëria e institucioneve zgjedhore lëkundet, sepse përbërja vihet menjëherë në diskutim. Por, institucionet zgjedhore ligjore nuk duhet të thuren dhe shthuren, sipas ndryshimit të orëve politike.

 

5. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë është marrëveshje politike, e materializuar në ligj. Zbatimi i marrëveshjeve politike sigurohet pikësëpari, nëpërmjet vullnetit politik. Lindja e problematikave, kur ato nuk janë të parashikuara në ligj i adresohen për zgjidhje veprimit politik. Mungesa e parashikueshmërisë, që zgjidh një situate të lëndës politike nuk e rrëzon marrëveshjen. Marrëveshjen nuk e rrëzon as mungesa e komunikimit politik, as veprimi i njëanshëm për zgjidhjen e situatës politike në konflikt. Tërheqja e LSI -së, nga grupimi shumicë parlamentare dhe bashkimi me grupimin opozitar prishi raportin politik të përfaqësimit të këtyre grupimeve në KQZ. Pas kalimit në opozitë, LSI e humbi të drejtën e anëtarit në këtë institucion, të fituar si pjesë e grupimit politik qeverisës. Situata nuk ishte ligjore, por politike. Pozicionimi politik korrekton të drejtat politike të fituara. Liria politike dhe të drejtat nuk përputhen. Me largimin nga qeveria, LSI duhej të tërhiqte me dorëheqje anëtarin e KQZ-së, të identifikuar si kandidaturë e propozuar prej saj, si një akt edukacioni politik e institucional. Në veprimtarinë politike, sjellja duhet të jetë në përputhje me lirinë e zgjedhjeve që bën. Pretendimi se, KQZ, pas formimit është organ i pavarur është një akrobaci politike me shumë.

 

6. KQZ nuk është institucion i pavarur. Sipas nenit 17, pika 2, të Kodit Zgjedhor, anëtari i KQZ-së ushtron funksionin në mënyrë të pavarur. Ushtrimi i funksionit në mënyrë të pavarur është parim i veprimtarisë. Në Kodin Zgjedhor, parimi i veprimtarisë është i ndarë nga parimi i formimit dhe i përbërjes. Termat “formim” dhe “përbërje” nuk paraqesin të njëjtën situatë. Formimi nënkupton ngjizjen, ngritjen e institucionit, përbërja paraqet gjendjen. Por, gjendja është ndryshueshmëri. Nëse politikisht, parimi i formimit nënkupton edhe përbërjen, atëherë në çdo fazë të procesit zgjedhor, anëtarët e KQZ-së duhet të reflektojnë raportin e balancuar të përfaqësimit politik, pozitë parlamentare-opozitë parlamentare. Kur balanca e përfaqësimit politik ndryshon ose prishet, përbërja me anëtarë e KQZ-së i nënshtrohet procesit të baraspeshimit. Procesi i baraspeshimit mund të jetë ligjor, por edhe vetëm politik. Nëse, shkaku që prishi balancën nuk është i parashikuar në marrëveshjen politike-ligjore, rivendosja e baraspeshimit i nënshtrohet komunikimit dhe veprimit politik. Veprimi politik tejkalon mungesën e parashikueshmërive në ligj, që prodhojnë mosmarrëveshje, konflikt apo terren për tinëzi politike.

 

 

7. Dorëheqja e tre anëtarëve në detyrë të KQZ-së, të zgjedhur si kandidatura të opozitës parlamentare PS+PBDNJ është e pakuptimtë, e pajustifikueshme dhe e papranueshme. E paraqitur si një akt personal, kjo dorëheqje përbën braktisje të detyrës. Anëtari i shkarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë ishte zgjedhur në shkelje të kritereve ligjore të caktuara në nenin 12, germa “ë” të Kodit Zgjedhor. Shkaku i paraqitur formon kriter pazgjedhshmërie. Ekzistenca e një kriteri pazgjedhshmërie ndërpret mandatin, ndonëse nuk është në rastet e ndërprerjes para kohe të mandatit të anëtarit të KQZ-së, të parashikuara në nenin 18 të Kodit Zgjedhor.

Ndërsa, zëvendësimi është bërë i bazuar në parimin politik të renditjes dhe përkatësisë të partisë propozuese, që gjen shprehje në nenin 19, pika 2 të Kodit Zgjedhor. Sipas këtij parimi, në çdo rast zëvendësimi, nëse subjekti propozues i anëtarit të KQZ-së, që i ka mbaruar mandati nuk plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të Kodit Zgjedhor, kandidatura zëvendësuese propozohet nga partia politike, e cila plotëson kriteret e renditjes dhe përkatësisë. Shkarkimi dhe zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së, nga Kuvendi i Shqipërisë, në respektim të plotë të përcaktimeve politiko-ligjore të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, nuk përbën cenim të “pavarësisë” së institucionit. Peshorja duhet të funksionojë gjithnjë në bazë të parimit të baraspeshimit. Vendosja e peshores së prishur në balancë, nuk përbën ndërhyrje në punën e saj, por sigurim të funksionimit sipas parimit të ndërtimit.

 

8. Tërheqja dhe mosplotësimi i anëtarëve takues në KQZ, nga ana e opozitës nuk ka lidhje me pretendimin se, me shkarkimin dhe zëvendësimin e anëtarit është ndryshuar rregulli i lojës, kur loja ka filluar. Ky pretendim nuk është ligjor, as politik. Një skuadër nuk mund të luaj me një lojtar, i cili, në fushën e lojës vesh fanellën e ekipit kundërshtar. Refuzimi i heshtur i KQZ-së fsheh në fakt papajtueshmëritë e opozitës, për përfaqësim në këtë organ, tani pas konfigurimit të ri të saj. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, neni 14, pika 1, plotësimi i 3 vendeve takuese të opozitës në KQZ bëhet nga 2 anëtarë që propozohen nga PS dhe 1 anëtarë, si kandidaturë e propozuar nga grupimi i deputetëve të partive të tjera opozitare, përjashtuar PS-në. Zbatimi i këtij rregulli ligjor duket se e trazon bashkimin e brishtë opozitar PS, LSI dhe PBDNJ. LSI, nuk do që të humb anëtarin në KQZ, për shkak të bashkimit politik me opozitën. Po kështu, PBDNJ nuk e lëshon vendin e anëtarit, i zgjedhur si propozim i saj. Në të njëjtën kohë, as PS nuk i lejon vetes që t’i jap LSI-së, njërin anëtar në këtë institucion.

 

9. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë e përkufizon KQZ-në, si organi më i lartë shtetëror i përhershëm, i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, në përputhje me rregullat e caktuara në këtë Kod. Kompetencat dhe detyrat që Kodi Zgjedhor i cakton KQZ-së, të përshkruara në nenin 21 të Kodit Zgjedhor, në funksion të administrimit të procesit të zgjedhjeve janë thelbësore për procesin, disa prej të cilave të pazëvendësueshme dhe të pa transferueshme. Shumë prej kompetencave dhe detyrave funksionale, në faza të ndryshme të procesit janë të pamundshme të ushtrohen, pasi janë të kushtëzuara me statusin ligjor të vendimmarrjes. Vendimet për disa çështje zgjedhore, si ato të caktuara në nenin 24 pika 1 të Kodit Zgjedhor konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së. Ushtrimi i funksioneve vetëm me 4 anëtarë nuk ndalon veprimtarinë, por pengon aftësinë e organit për të administruar problematika të caktuara të procesit zgjedhor, në përputhje me ligjin. Një situatë e tillë është e papranueshme dhe e rrezikshme. Të bllokosh funksionimin në bazë të ligjit të organit më të lartë shtetëror të zgjedhjeve, do të thotë të synosh rrëzimin politik të institucionit të zgjedhjeve në Shqipëri.

 

10. KQZ, si organ shtetëror, nuk mund të shkelmohet, të gjymtohet, të refuzohet apo anashkalohet, me përdorim të taktikës së pleshtit në jorgan. Opozita në vend vazhdon të dëshmojë se, i mungon edukimi politik shtetëror. Shteti që duam apo kërkojmë të ndërtojmë përbëhet nga institucionet. Shteti nuk lind apo rilind, aq herë sa partitë ndërrojnë kuajt e karrocave politike. Ndërtimi, përbërja, cilësia, siguria dhe funksionaliteti i institucioneve zgjedhore janë detyrime kushtetuese e ligjore. Opozita duhet të kapërcejë mendësitë, edukimin dhe veprimin politik revolucionar. Taktikat e mospjesëmarrjes në institucione apo premtimet për zhbërje të shtetit, tani në emër të “rilindjes”, nuk janë ves elektoral, por një sëmundje politike, që duhet ta kurojmë me shpejtësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency