Kryeprokurori Llalla drejtuesve të akuzës Politikë të ashpër penale ndaj vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje

0
174

Sonja Caka

llallaKreu i organit qendror të akuzës lançon si përparësi luftën ndaj korrupsionit. I jep rëndësi transparencës, por pa dëmtuar sekretin hetimor

 

“Aplikoni një politikë më të ashpër penale ndaj krimeve në familje, vrasjeve për gjakmarrje dhe hakmarrje” u është drejtuar kryeprokurori Adriatik Llalla krerëve drejtues të prokurorive gjatë një takimi të zhvilluar, ndërsa ka vënë theksin si përparësi në këtë mandat të tij do të jetë lufta ndaj korrupsionit dhe këtë duhet ta kenë në fokus të punës së tyre. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi dje një takim me drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorive të Apelit, për të diskutuar mbi problematikat e përballuara në 6-mujorin e parë të vitit 2013. Në këtë takim, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, përveç prezantimit të drejtuesve të rinj të emëruar kohët e fundit në organin qendror të akuzës, kryeprokurori Llalla prezantoi prioritetet e punës në vijim, nisur nga fakti që pjesa më e madhe e drejtuesve të prokurorive të rretheve tashmë janë ndryshuar. Prokurori i Përgjithshëm ritheksoi përparësinë e institucionit gjatë mandatit të tij, luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, në frymën e amendimeve të fundit në Kodin Penal, u kërkua nga drejtuesit e prokurorive në nivel lokal që të azhornojnë praktikën e tyre, si edhe të aplikojnë një politikë më të ashpër penale për vepra si krimi në familje, hakmarrja dhe gjakmarrja. Po ashtu, Kryeprokurori ritheksoi rëndësinë e realizimit të transparencës së institucionit, por, siç theksoi ai “në respektim të plotë të ligjit përsa i përket sekretit hetimor”. Gjatë mbledhjes, drejtorët e rinj në Prokurorinë e Përgjithshme prezantuan planin e tyre për forcimin e aktivitetit institucional, si edhe për përmirësimin e problematikave të hasura deri më tani.

Paketa e re penale

Kushdo që do të ngrejë dorë mbi policët dhe do të vrasë për gjakmarrje nuk do të ketë më një dënim më të ulët se 30 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Kushdo që do të ngrejë dorë mbi gruan do të ketë një dënim nga 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Gjithashtu, dhuna seksuale ndaj të miturve do të marrë 25 vjet burgim dhe për “armëmbajtje pa leje” s`do të ketë më dënime më të ulëta se 7 vjet deri në 15 vjet burg. Këto kanë qenë ndryshimet penale që hynë në fuqi më 4 qershor. Me këtë paketë penale, dënimi minimal do të jetë 10 vjet burg pa të drejtë lirimi me kusht, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, si dhe 38 vjet pa të drejtë lirimi me kusht, nga 25 vjet që ishte më parë për kryerjen e një vepre penale, si vrasje..etj, dhe në rast se veprat penale janë më shumë se 1, atëherë dënimi do të jetë i përjetshëm dhe pa të drejtë lirimi me kusht.

 

 

Vendimi

Gjykata refuzon ekstradimin e Dautit drejt Spanjës për trafik droge

I dënuar 5 vjet për trafik droge nga drejtësia spanjolle, Genc Dauti nuk do të ekstradohet drejt këtij shteti. Ky vendim është marrë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur të mos pranojë kërkesën për ekstradimin e këtij shtetasi me pasaportë britanike drejt Spanjës, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij nga qelitë e paraburgimit. Dauti u arrestua nga policia kufitare e Rinasit ndërsa ishte kthyer nga një udhëtim nga Londra drejt Shqipërisë. Dauti është nënshtetas britanik dhe me kombësi shqiptare dhe në sistemin TIMS, policisë kufitare i ka rezultuar se ishte shtetas në kërkim për një dënim që kishte marrë nga gjykatat spanjolle, të cilat e kanë dënuar me 5 vjet burg për “trafik droge”. Gjykata vendosi moslejimin e ekstradimit të shtetasit Genci Dauti, 34 vjeç, lindur në Xarrë-Sarandë e banues në Londër-Angli.

 

Maqedoni

Kapen 117 kg marijuanë, vinte me autobus nga Shqipëria

Drejtoria doganore e Republikës së Maqedonisë konfiskoi 117 kilogram drogë marijuanë në një autobus me targa shqiptare. Droga ka qenë e paketuar në 144 pako, të fshehura në boshllëqet mbi gomat e para dhe të prapme mes hapësirës së bagazhit dhe hapësirës për ventilim mbi ndenjëset e autobusit. Sipas burimeve doganore, autobusi i markës “Neoplan” me targa shqiptare, i drejtuar nga pronari, E.B. nga Tirana, dy netë më parë, rreth orës 20 e 30 minuta, është paraqitur për dalje nga Maqedonia. Në autobus ka pasur edhe një person të dytë K.B dhe rreth 20 udhëtarë. Të dyshuarit dhe droga janë dorëzuar te inspektorët e sektorit për hetim për procedim të mëtejshëm. Është konfirmuar se E.B. dhe K.B. kanë bërë marrëveshje të transportit të marijuanës përmes Kosovës, Maqedonisë deri në Beograd, ku duhet t’ia dorëzonin një shtetasi serb, ndërsa ata ta vazhdojnë udhëtimin përmes Hungarisë deri në Frajburg të Gjermanisë. Kundër autorëve është parashtruar edhe denoncim penal për “prodhim të paautorizuar dhe lëshim në fitim të drogave narkotike, substancve psikotrope dhe prekursorë”. Ata janë nxjerrë para gjykatësve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency