Presidenti i Dhomave të Tregtisë, pro taksës së sheshtë

0
153

rrobaqepsi Ervin Kaduku

– Për biznesin mbetet e pakuptimtë sidomos ideja për heqjen e TVSH-së për ushqimet, e cila është një goditje direkte e biznesit vendas, konkretisht bujqësisë, e cila në këto 8 vite ka arritur të konsolidohet

 

Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, mendon se, siç ndodh në prag të çdo fushate elektorale, ekonomia ka pauzat e veta, aq më tepër kur palët politike janë tepër të kundërta në objektivat e veta. Ai ndan mendimin se në këto kushte është krejt normale që biznesi të vëzhgojë dhe të ndjekë me vëmendje strategjinë e të dy palëve politike. Në këtë situatë disa biznese, si ai i reklamave, shërbimeve që kanë lidhje me politikën, kanë një dinamikë më të madhe, ndërkohë, thekson Zhilla, investimet janë në pauzën e vet, praktikë e situatës parazgjedhore siç edhe ndodh.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, i pyetur mbi dy propozimet e kampeve, taksën e sheshte dhe atë progresive, Zhilla shpjegon se thelbi i taksës së sheshtë dhe taksës progresive duhet kuptuar në atë se çfarë gjeneron në ekonomi sepse pa u gjeneruar ekonomia nuk ka me çfarë të kemi buxhete pozitive familjare dhe nacionale. “Mendimi i biznesit është se taksa e sheshtë duhet mbështetur dhe duhet të qëndrojë për një kohë mjaft të gjatë në Shqipëri, pasi ka dhënë efektivitet dhe e ka bërë ekonominë shqiptare tepër konkurruese. Ky është fakt që ilustrohet me rritjen e investimeve të huaja që për rajonin ne jemi në krye”, – deklaron Zhilla.
Sa i takon faktit se sa do të zbatohen premtimet e bëra nga politikanët, Zhilla thotë se duke analizuar mazhorancën e sotme ne kemi elementë pozitive, pasi një pjesë e madhe e tyre janë bërë fakt i kryer. Ndër to, shprehet më tej ai, janë zerimi i tatimit për të ardhurat personale deri në 30 mijë lekë, heqja e TVSH-së për një sërë pajisjesh dhe makinerish për bujqësinë, investimet në energjetike, heqja e TVSH-së për një sërë lëndësh të para në ndërtim si çimento, hekura etj.
Përgjatë këtyre 8 viteve, sipas Zhillës, biznesi ka një praktikë pozitive midis të thënës dhe të të bërit për sa i përket premtimeve të kësaj maxhorance.
Në palën tjetër, thotë Zhilla, ne shohim një konfuzion në ato çfarë thuhen, si thuhen dhe si ndryshohen në vijimësinë e tyre. “Por për biznesin mbetet e pakuptimtë sidomos ideja për heqjen e TVSH-së për ushqimet, e cila është një goditje direkte e biznesit vendas, konkretisht bujqësisë, e cila në këto 8 vite ka arritur të konsolidohet dhe të ketë progresin më të mirë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Për më tepër që janë bërë investime shumë të mëdha dhe cilësore si për sa i përket industrisë së qumështit, gurit, misrit, mishit, etj. Heqja e importeve të këtyre produkteve do të thotë të nxjerrësh produktet vendase jashtë loje. në një kohë, kur ne kemi një problem. Kemi luajtur me një treg të hapur dhe pa barriera. Është shumë e rëndësishme që ne të vendosim reciprocitetin me vendet e rajonit. Ato barriera që kanë vendosur karshi nesh t’i kemi edhe ne”, – tha ndër të tjera Zhilla.
Lidhur me taksën progresive, sipas Zhillës, biznesi ka justifikimin e vet. “Taksa progresive është taksa e ideologjisë së krahut të majtë. E mirëkuptojmë, por nonsens është fakti që Partia Socialiste përpiqet të bindë biznesin për dobinë e kësaj. Kjo mund të ketë dobi për shtresat e tjera, por asnjëherë për biznesin dhe për dinamiken pozitive të ekonomisë”, – thekson Zhilla.

 

 

 

Nis puna për segmentin lindor të Unazës së Tiranës

Firma zbatuese e projektit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ka nisur punimet për ndërtimin e një segmenti të Unazës së madhe nga Kthesa e Saukut deri tek Bregu i Lumit.

Ky është loti i tretë i pjesës verilindore të Unazës dhe shuma e vendosur në dispozicion për ndërtimin e tij është rreth 1.9 miliardë lekë. Ndërkohë së shpejti, pritet të nisin punimet për segmentin nga “Qyteti i Nxënësve” deri tek rruga “Komuna e Parisit”, për të cilin aktualisht është lidhur kontrata me firmën që do të kryejë punimet dhe procesi ndodhet në fazë shpronësimesh.

Kosto fillestare e përllogaritur dhe e vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për ndërtimin e këtij segmenti shumë të rëndësishëm për minimizimin e trafikut në kryeqytet është llogaritur rreth 2.5 miliardë lekë. Ndërtimi i Unazës së madhe është ndarë në segmente të veçanta, disa prej të cilave financohen nga qeveria dhe të tjera nga Bashkia e Tiranës. Aktualisht është ndërtuar segmenti nga rreth-rrotullimi i Doganës tek Qyteti i Nxënësve dhe nga Komuna e Parisit deri në Lundër.

Ndërkaq, burime nga Drejtoria e Rrugëve bëjnë me dije se segmenti nga rreth-rrotullimi pranë TEG deri tek materniteti “Koço Gliozheni” është në fazën e lidhjes së kontratës. Më tej, për segmentin nga “Koço Gliozheni” tek Uzina e Autotraktorëve deri në Tufinë ka përfunduar projekti dhe pritet nisja e zbatimit, ndërsa nga Tufina tek Bregu i Lumit do të financohet nga Bashkia e Tiranës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency