Performancë pozitive e Tatimeve: PBB rritet 3.8 herë, treguesit fiskalë 6.7 herë

0
157

 Ervin Kaduku

tatimetPrej më shumë se një viti, Fondi Monetar po asiston teknikisht administratën tatimore. Qëllimi: Futja e mentalitetit të ri, vullnetarizmi i pagesës së taksave. Të hiqet dorë nga forca dhe planet

 

 

Në rang vendi numërohen rreth 80 subjekte aktive tatimore, që kryejnë aktivitet nga veriu në jug, lindje dhe perëndim, ndërsa inspektorë tatimorë janë rreth 1300. Me këto të dhëna del treguesi se një inspektori i takon të kontrollojë në muaj nga pesë biznese, kudo qofshin, edhe në majë të malit.

Natyrisht, që për administratën tatimore është e vështirë, gati e pamundur të kontrollohen të gjitha subjektet në terren, dhe kjo ka sjellë vlerësimin e deklaratave në distancë, ose më saktë rivlerësimin e bilanceve, në mënyrë hipotetike (referenca etj.).

Biznesi dhe shoqatat, madje edhe selitë diplomatike, ankohen për mënyrën se si Tatimet i trajtojnë sipërmarrjet private, mentaliteti i vlerësimeve, duke gjobitur, etj.

Për këto, si dhe të tjera fenomene që pengojnë miradministrimin e taksave, prej më shumë se një viti, ekspertë të Fondit Monetar (FMN) janë stacionuar në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT).

Zyra e FMN-së në Tiranë sqaron se të tilla asistenca janë të zakonshme dhe kryhen çdo vit, por ndryshe nga herët e kaluara, Tatimet kanë kërkuar një “trajtim” më të veçantë. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, ka parë të duhur futjen e modelit të ri në menaxhimin e të ardhurave, por problemi qëndron te shtrirja e formës së re në terren, tek inspektorët.

Edhe pse në këto katër vitet e fundit, administrata tatimore i ka rritur tej mase shërbimet në aspektin teknologjik, ku pothuajse çdo deklaratë realizohet përmes kompjuterit, pa qenë nevoja të dorëzohet dorazi, sërish vërehen probleme me terrenin, pra me inspektorët.

Zgjidhja e propozuar nga FMN: të hiqet dorë nga mbledhja e të ardhurave me forcë, pra vendosja e gjobave, por të analizohen me kujdes sektorët me më shumë risk. Ideja është që taksapaguesi të bindet për t’i deklaruar dhe për të paguar taksat në mënyrë vullnetare.

 

“Paguaj taksat, blej qytetërimin”

Kjo është një moto e thënë në shekullin XVIII nga një gjykatës amerikan. “Më pëlqen të paguaj taksat, me to blej qytetërimin”, është e vendosur në një pllakat në hyrje të zyrave qendrore të Tatimeve në SHBA, të cilën po mundohet ta ndjekë edhe administrata jonë tatimore.

Nëse nuk paguaj taksat, do të kemi më pak të ardhura, dhe me pak të ardhura do të kemi më pak investime dhe shërbime, për rrjedhojë nuk do të kemi zhvillim, qytetërim.

Sa mund të realizohet kjo në realitetin shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranon se te krerët e saj, nocioni “i ri” është përthithur në nivelin e duhur, por problemi qëndron te shtrirja e konceptit të ri në terren, te drejtorët rajonalë, shefat e tyre të departamenteve dhe inspektorëve nëpër rrethe.

Ideja është që të identifikohen sektorët më me risk, në mënyrë që kontrolli dhe miradministrimi i të ardhurave të jetë sa më eficient.

“Me strategjinë tonë të përmbushjes, e njëjtë me ato të administratave tatimore më të zhvilluara në botë dhe e ndërtuar në bashkëpunim me Misionin e FMN-së në vendin tonë, për vitin 2013 janë përcaktuar si sektorë ekonomikë me risk hoteleri-turizmi, shërbimet shëndetësore private dhe ndërtimi”, – deklaron Drejtoria e Përgjithshme.

Nga analizat e deritanishme rezultonte se këta sektorë, gjatë vitit 2012, kanë shfaqur nivel të ulët pajtueshmërie me ligjin, shmangie nga detyrimi për të deklaruar e paguar realisht aktivitetin e tyre ekonomik dhe pasqyrimin e drejtë të tij. Vetëm në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, sektori i shërbimeve shëndetësore private përfaqëson 4 për qind të totalit të tatimpaguesve të regjistruar në TVSH dhe disa prej tyre deklarojnë xhiro vjetore nën 2 milionë lekë.

Por çfarë zgjidhje kanë ofruar tatimet për subjektet e këtyre sektorëve?

U është bërë thirrje që brenda datës 30 qershor 2013 të korrigjojnë deklaratat e tyre, në mënyrë që të shmangim penalizimet gjatë veprimeve të mëvonshme që do të ndërmarrë administrata tatimore. Natyrisht që kjo “ide” ka ardhur pas konsultimeve me FMN-në dhe është një hap drejt ofrimit të ndihmës dhe informimit për të rritur sa më shumë “nivelin e përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, që është qëllimi ynë kryesor duke shmangur penalizimin e tyre”. Megjithatë, edhe këtu ka një problem teknik, pasi edhe në rast se korrigjohen deklaratat, pra në rast se subjekti ndërgjegjësohet dhe “tregon” të vërtetën, ai sërish nuk iu shmanget gjobave, pasi i tillë është sistemi.

FMN, bashkë me Ministrinë e Financave, po shikojnë mundësinë e korrigjimit të ligjit “Për procedurat tatimore”, në mënyrë që t’u japë mundësi atyre, “të penduarve” të mos paguajnë gjoba, pas reflektimit për gabimet, me dashje apo dashje në bilanc. Kjo do të jetë reforma e re që pritet të ndërmerret në Parlamentin e ardhshëm.

 

Çfarë kërkon FMN-ja

Dy janë projektet, nëse mund t’i quajmë kështu, apo detyrat e FMN-së në administratën tatimore: sistemi i IT-së (nga ku varet suksesi dhe fleksibiliteti i administrimit) dhe vendosja e planeve operacionale për drejtoritë rajonale tatimore.

Kjo reformë ka nisur në Moldavi dhe pritet të ndodhë edhe në Portugali, ndërsa në Shqipëri është duke u implementuar.

Mësohet se deri më sot janë organizuar mbi 15 workshop-e me përfshirjen e 780 punonjësve të administratës tatimore.

FMN ka kërkuar që drejtoria qendrore të jetë e qartë me planet operacionale, sipas sektorëve, të analizohet me kujdes me ekspertët e posaçëm, madje të vendoset edhe një grafik, kalendar se si dhe kur do të veprohet. Për të pasur një ide më të qartë rreth nivelit të zbatimit të këtyre operacioneve është parë e arsyeshme krijimi i një zyre të posaçme menaxhimi, në formatin e një bordi menaxherial dhe monitorimin e vazhdueshëm të projekteve.

Duke realizuar këto objektiva, Drejtoria e përgjithshme, apo më konkretisht ky bord, tërheq në mënyrë të vazhdueshme vëmendjen dhe interesin ndaj administratës tatimore, pra “përpunon” mentalitetin e të punuarit të inspektorit, si dhe nga ana tjetër, që është më e rëndësishme, shpërndan koncepte për të gjithë menaxherët.

Ideja është që bashkë me zbatimin e ligjit nga taksapaguesit, të krijohet paralelisht edhe mentaliteti i pagesës vullnetare të taksave. Ajo që quhet boshllëk tatimor, lidhet me faktin e analizës se cilat taksa duhen paguar dhe cilat nuk janë paguar, për t’i analizuar më pas shkaqet.

FMN tenton të thyejë tabunë e planeve, pra të heqjes së “fiksimit” për t’i realizuar me patjetër objektivat e realizimit të të ardhurave, por sipas kontributit në ngushtimin e boshllëkut tatimor. Sa efektive do të jetë kjo, pritet të shikohet në të ardhmen, pasi po flitet për një reformë të vërtetë në sektorin e fiskut.

Pra nuk është çështje e shkallëve tatimore, por e administrimit, pagesës dhe kulturës së ndërveprimit ndërmjet tatimeve dhe biznesit.

Mjafton të përmendet rasti i mbledhjes së zhvilluar në sezonin e kaluar mes përfaqësuesve të administratës tatimore dhe operatorëve turistikë në Sarandë. Këta të fundit ankoheshin për mungesë kushtesh në infrastrukturë, etj. Fakti ishte se vetëm 2-3 nga këto subjekte ishin regjistruar si biznes i madh, ndërsa të tjerët, edhe pse me hotele 5-6-katëshe, ishin gjoja si biznes i vogël, duke iu shmangur detyrimeve reale tatimore. Pra, nuk paguanin taksat dhe nga njëra anë ankoheshin për mungesë kushtesh në infrastrukturë. Tatimet i kishin të listuara të gjitha subjektet në sektorin e turizmit në Sarandë dhe pas ballafaqimit se sa taksa kishin paguar secili, dolën në përfundimit se “mungesa e rrugëve, ujit apo e dritave, ishte pasojë e evazionit etj.”.

Nuk është çështje e shkallëve tatimore, por e administrimit, pagesës dhe kulturës së ndërveprimit ndërmjet tatimeve dhe biznesit

 

Vendimmarrje më e mirë

Rreth tre vjet më parë, administrata tatimore nisi të zbatonte një model të ri kontrolli, sipas riskut. Kjo bazohej te një “formulë”, duke parë deklarimet e subjektit, vendndodhjen e tij etj., por nga rezultatet e deritanishme, duket se nuk është arritur ndonjë objektiv pozitiv.

Objektivi i zbatimit të menaxhimit të riskut në këtë kontekst është aftësimi i administratës tatimore qendrore (pra Drejtorisë së Përgjithshme) në përmbushjen e misionit duke lehtësuar menaxhimin për një vendimmarrje më të mirë. Ky proces ndihmon në identifikimin e hapave të ndryshëm gjatë vendimmarrjes duke i mundësuar menaxhimit vendime më efektive dhe të qarta, për secilin hap përpara se të bëhet.

Nga analizat e kryera deri më tani, ekspertët e sektorit të taksave mendojnë se menaxhimi i riskut mat më mirë cilësinë e vendimmarrjes së çdo hapi të individit, duke e lehtësuar identifikimin e defekteve, por nga ana tjetër, trajton në mënyrë të njëjtë tatimpaguesit. Në këtë mënyrë, barra e kontrollit bie mbi tatimpaguesit që nuk është bashkëpunues me ligjin.

Administrata tatimore, natyrisht që për çdo fillimviti, e ka një plan, por ai është i vetëm dhe lidhet me mbledhjen e të ardhurave. Të dhënat tregojnë për rënie të performancës, që nuk lidhet vetëm me krizën. Ekspertët i mëshojnë faktit se duke punuar më mirë në terren, te sektorët me më shumë risk do të kemi një nivel më të lartë të deklaruesve të taksave.

 

 

Si është rritur eficienca fiskale

Prodhimi i Brendshëm në Shqipëri për periudhën që është marrë në analizë ka një rritje prej 3.8 herë (2012 krahasuar me 1996). Një nivel rritje në këto dimensione makroekonomike tregon për një zgjerim të ekonomisë në masën 382 për qind më të madhe. Në krahasimin e dy viteve që kufizojnë periudhën 1996-2006, rritja e prodhimit të brendshëm është 2.5 herë. Nëse krahasimin e bëjmë për periudhën 2002 deri në 2012, rritja e Prodhimit të Brendshëm është 2.1 herë më e madhe. Nga krahasimi midis viteve skajore të periudhës 2000-2006 zgjerimi i prodhimit të brendshëm është 1.7

herë. Nga krahasimi midis viteve skajore të periudhës 2007–2012 zgjerimi i prodhimit të brendshëm është 1.4 herë.

Treguesit fiskalë për periudhën 17-vjeçare kanë një nivel rritje me 6.4 herë. Niveli i rritjes më i madh është për periudhën 1996-2006 me 4.4 herë. Niveli i rritjes së të ardhurave buxhetore në periudhën 2002-2012 është 2.1 herë. Kur shqyrtojmë periudha kohore më të vogla rezulton se për periudhën 2000-2006, rritja e të ardhurave buxhetore është 1.8 herë, ndërsa për periudhën 2007-2012, rritja e të ardhurave buxhetore është 1.3 herë.

Ndikimi më i madh në rritjen e të ardhurave buxhetore vjen nga të ardhurat nga tatimet dhe doganat, me peshë kryesore në të ardhurat buxhetore. Treguesit e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për periudhën 1996–2012 janë rritur me 8.3 herë

Për periudhën 1996-2006, niveli i rritjes është me 5.5 herë. Për periudhën 2002-2012, niveli i rritjes së të ardhurave nga tatimet dhe doganat është 2.4 herë. Nëse krahasojmë periudha kohore më të vogla, rezulton se për periudhën 2000-2006 rritja e të ardhurave

është 1.9 herë, ndërsa për periudhën 2007-2012 rritja e të ardhurave buxhetore është 1.3 herë.

“Nëse analizojmë strukturën e të ardhurave buxhetore në periudhën 17-vjeçare, ka një ndryshim të saj duke pasur një zhvendosje të barrës të të ardhurave buxhetore nga taksat doganore te TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Një rënie e peshës në strukturë kanë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Pesha e TVSH-së është kryesore me 38.7 për qind të të ardhurave.

Në vend të dytë është fondi i sigurimeve shoqërore me 16.5 për qind. Në vend të tretë është akciza me 12.1 për qind.

Taksat nacionale dhe lojërat e fatit kanë një peshë prej 9,5 për qind, pasuar nga tatimi mbi të ardhurat personale me 9.3 për qind. Të gjitha bashkë zënë 86 për qind në totalin e të ardhurave buxhetore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency