Bashkëbisedimi në Elbasan Kryeministri: Për 2-3 ditë inaugurojmë rrugën Tiranë-Elbasan

0
125

Ina Jano

bb

Procedurat dixhitale më të rëndësishmet për biznesin

Së shpejti nis ndërtimi i by-pass-it të Elbasanit dhe parku industrial

 

Kryeministri Berisha iu rikthye përsëri bashkëbisedimeve me qytetarët dhe kategori të ndryshme të popullsisë. Ditën e djeshme në të gjitha aktivitetet elektorale të shtrira në qarkun e Elbasanit, shefi i qeverisë u ndal në një town-hall me biznesmenët dhe sipërmarrësit e këtij qytetit. Lajmi më i mirë që numri një i mazhorancës mund tu jepte kësaj kategorie ishte ai i hapjes së rrugës Tiranë-Elbasan, një nyje lidhëse e rëndësishme për të gjithë territorin e vendit. “Rruga Tiranë-Elbasan do të hapet këto ditë, ajo është një zhvillim për mbarë Shqipërinë. Ajo rrugë për 2-3 ditë do hapet, bashkon Tiranën me Elbasanin dhe mbi të gjitha bashkon tregun e Elbasanit me Tiranën. Do të sjellë një zhvillim të madh për mbarë Shqipërinë. Të them të drejtën investitorët e huaj preferonin Tiranën dhe pse unë u sugjeroja Elbasanin. Të huaj kërkonin rreth e rrotull Tiranës. Tani me hapjen e rrugës mendoj se do ndryshojë çdo gjë”, – u konfirmoi kreu i ekzekutivit të pranishmëve. Sipërmarrësit i shprehën disa herë falënderime numrit një të qeverisë për të gjitha premtimet e bëra dhe të mbajtura dhe u shprehën se kjo rrugë do tu japë një hov tjetër bizneseve të tyre. Ndërsa Kryeministri nga ana e tij mirëpriti me interesim sugjerimet dhe propozimet e tyre lidhur me çfarë qeveria mund të realizojë më mirë, në të ardhmen, për ti ardhur në ndihmë biznesit dhe zhvillimit të tij. “Dua të dëgjoj mendimet tuaja të gjithanshme për të pasuruar projektin tonë të përbashkët për një zhvillim të qëndrueshëm për një zhvillim të pandërprerë, për një zhvillim i cili garanton rritje të mirëqenies, rritje të punësimit në Shqipëri”, – iu drejtua, kreu i mazhorancës të pranishmëve. Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjithashtu gjatë bashkëbisedimit me biznesin e Elbasanit se, mbështetja ndaj biznesit është garanci për zhvillimin. “Biznesi është sektori që mund të asistohet në mënyrën më efiçente me procedurat dixhitale. Askund më shumë se në biznes këto procedura janë efiçente”, – tha Berisha.

Lidhur me pagesën e kontributeve shoqërore për emigrantët, Kryeministri u shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave me BE-në, i jep përgjigje përfundimtare këtij problemi.

“Jemi në negociata me qeveritë e vendeve të tjera. 100% kjo bëhet e sigurt kur të ecim më tej në rrugën drejt integrimit në BE. Më pas kjo nuk pengohet dot më sepse je duke hyrë përfundimisht në hapësirën evropiane. Por ne po përpiqemi ta bëjmë edhe më herët”, – shtoi lideri i selisë blu. Kryeministri siguroi se do të fillojë edhe ndërtimi i by-pass-it të Elbasanit dhe parku industrial. Berisha në këtë drejtim kërkoi nga biznesmenët e qarkut të Elbasanit që të krijojnë një projekt duke i ardhur kështu në ndihmë qeverisë. “Çfarë kërkoj unë nga ju. Unë kërkoj që edhe ju të më ndihmoni, sepse unë kam bërë shumë përpjekje dhe jam përpjekur më shumë se për çdo zonë tjetër, por të huajve që unë i kërkoja, sytë i ngulnin në Tiranë, se aty afër është porti e aeroporti. Tani ndërtimi i autostradës e ndryshon gjeografinë, kompenson me disa gjëra të tjera me krahun e punës etj dhe kjo mund të bëhet. Kjo kërkon që edhe ju, të kontribuoni. P.sh. biznesmenët e Vlorës kanë hartuar vetë një projekt nuk ka filluara akoma, pro e kanë bërë një punë dhe unë i kam mbështetur fuqimisht, kështu që edhe ju me lidhjet që keni, përpiquni ti ftoni dhe kjo do të jetë pozitive. Kushdo që më ka ardhur për park industrial, unë të parin i kam cituar Elbasanin, por me nxirrnin problem distancën”, – pohoi kreu i ekzekutivit. Duke folur për energjinë, kryetari i qeverisë tha se, “janë firmosur kontrata për 1650 megavat. Ndërtimi i HEC-eve po ecën me ritëm të lartë”, – tha Berisha, ndërsa garantoi se “edhe projekti i gazsjellësit TAP së shpejti pritet të miratohet”.

 

 

Nis rikonstruksioni i rrugës në Belsh, përfitojnë 19 mijë banorë

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Gostimë – Gjyrale – Belsh, me vlerë rreth 430 milion lekë. Rruga me gjatësi 16 km, investim i qeverisë shqiptare dhe donatorëve të tjerë do të bëjë përfitues 19 mijë banorë të komunave Gostimë, Shalës dhe Bashkisë Belsh. Kjo zonë e njohur kryesisht për kultivimin e bimëve bujqësore si drithëra buke, perime, bime foragjere e pemëtari, për vreshtarinë dhe ullishtat e saj, ka vuajtur prej kohësh mungesën e infrastrukturës për tregtimin dhe transportin e këtyre produkteve drejt tregjeve lokale dhe rajonale. Për të zhvilluar dhe mbështetur më tej këtë zonë, shefi i qeverisë risolli në vëmendje projektin qeverisës. “Ju jeni arkitektët e vërtetë të zhvillimit dhe ne ju mbështesim ju. Kemi investuar në fshatra 60% të buxhetit, në rrugë, shkolla, ujësjellës e kanalizime. Ne do të vijojmë me subvencionet, ndaj kryetari i komunës do të hapë një zyrë që të marrë aplikimet tuaja”, – vlerësoi Berisha. Sipas tij, përballë kësaj alternative është një alternativë e cila është e rrezikshme dhe rrënuese për fermerin. “Çfarë premton shoku i autobusit? Një gjë shumë të rrezikshme për ju, premton të heqë TVSH për grurin dhe natyrisht do të mbyste prodhimin tuaj. Ju iku bashkia e Tiranës tani u duhen monopolet e ushqimeve, njëri të marrë vajin, tjetri grurin tjetri miellin e me radhe. A do ndodhë kjo? Jo, sepse më 23 qershor fermerët do të votojnë për fermat e tyre, për rrugë të asfaltuara, për rimbursim me para në dorë të akcizës së naftës, të makinerive që përdorin për prodhim, pra për vlerësim të djersës tuaj, prodhimeve tuaja”, – deklaroi Kryeministri. Për të gjithë qytetarët e këtij qarku, por edhe për ata të zonës së juglindjes një lajm të madh, dha numri një i qeverisë. “Këto ditë kemi ngjarjen më të madhe për Elbasanin e gjithë Shqipërinë, hapim tunelin, hapim rrugën për trafik dhe të parët që arrini në Tiranë me prodhimet tuaja do të jeni ju, fermerë të Elbasanit, fermerë të Dumresë”, – bëri me dije Berisha. Ndërkohë që rruga e re do të ndërtohet do të jetë me të gjithë parametrat inxhinierik. Ajo do të ketë një gjerësi nga 5.5 deri në 6 m, shtresat asfaltike, veprat e artit, muret mbajtës dhe pritës si dhe infrastrukturën e duhur inxhinierike. Investimi do të kryhet në kuadër të një ndërhyrje rrënjësore në përmirësimin e infrastrukturës së zonës së Dumresë. Vetëm gjatë viteve të fundit Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërhyrë në akset kryesore të saj duke i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të bujqësisë dhe ekonomisë së zonës duke ndikuar direkt në përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre banorëve nëpërmjet punësimit të tyre në këto investime. Në zonën e Dumresë kanë përfunduar punimet në aksin Belsh – Fierzë – Kosovë, dhe po punohet në akset Grekan – Dëshiran – Vlashuk, Mollas – Selitë – Frashër, dhe Hygjokaj – Rrasë – Vashaj me gjatësi rreth 64 km rrugë me vlerë totale rreth 21 milionë dollarë.

 

 

Labinot-Mali, me shkollë të re

Berisha: Deri në 2017, pagat e arsimtarëve 700 dollarë

Gjatë aktiviteteve të djeshme elektorale në qarkun e Elbasanit, shefi i qeverisë Berisha inauguroi edhe shkollën 9-vjeçare në Labinot-Mal, ku inauguroi shkollën e re 9-vjeçare Osman Sllami – Guri i Zi, në këtë komunë, investim i qeverisë me vlerë 17 milion lekë. Shkolla e cila siguron për 110 nxënësit e saj nivel të standardeve të larta, të njëjta me ato të vendeve të zhvilluara, ka 8 klasa mësimore, 1 laborator të kompjuterëve më lidhje satelitore interneti, ka mjedise ndihmëse dhe administrative si dhe terren sportiv dhe oborr për çlodhje dhe aktivitet të ndryshme. Vlera e investimeve në arsim në rrethin e Elbasanit për periudhën 2006-2013 është rreth 1 miliard e 354 milion lekë, të investuara në 64 objekte shkollore nga të cilat 18 shkolla të reja dhe 46 të rikonstruktuara. Në këtë komunë të gjitha shkollat janë të reja ose të rikonstruktuara. Gjithashtu kjo komunë ka dy qendra të reja shëndetësore, si dhe rrugë të ndërtuara të cilat janë Qafërenëz-qendër e komunës, 7.5 km, Griqan-Labinot katund, si dhe rrugët e fshatrave Benë dhe Dritas.

Kryeministri i shoqëruar nga drejtues lokalë, si dhe mësues e nxënës vizitoi mjediset e brendshme të shkollës dhe shprehu kënaqësinë që banorëve të komunës Labinot-Mal iu ofrohej një institucion arsimor i niveleve më të larta, i njëjtë me shkollat e qytetit të Elbasanit dhe të kryeqytetit njëkohësisht. Duke vlerësuar maksimalisht rolin e mësuesit në procesin e mësimdhënies, Kryeministri premtoi se profesioni dhe misioni fisnik i mësuesit do të jetë i vlerësuar gjithnjë nga qeveria edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës duke premtuar se rroga e tyre do të arrijë në vlerën 700 dollarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency