KQZ me 4 anëtarë Dy propozimet e Berishës për opozitën, rikthim të anëtarëve ose seancë të jashtëzakonshme për KQZ-në

0
106

Florenc Drizari

BEROKreu i qeverisë takon përfaqësuesit e KiE-së

KiE, atmosferë e civilizuar për fushatën

 

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me përfaqësues të Komitetit të Vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku gjatë bashkëbisedimit me ta, ai propozoi edhe alternativat e tij për zgjidhjen e ngërçit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dy mundësitë e Kryeministrit për plotësimin e vendeve vakante në KQZ janë ose rikthimi në detyrë i tre anëtarëve të opozitës pas dorëheqjes së tyre rreth dy muaj më parë ose opozita të propozojë emra të rinj. Për këtë kreu i qeverisë tha se është i gatshëm t’i votojë ato në Kuvendin e Shqipërisë.

BERISHA

“Përsa i përket bojkotit qe opozita i ka bërë KQZ, Kryeministri Berisha e siguroi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se, në kushtet kur Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë për të ushtruar funksionet e tyre në përputhje të plotë më Kushtetutën dhe kuadrin ligjor që rregullon zgjedhjet në Shqipëri, i cili është miratuar me konsensus të plotë duke implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe i bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës shqiptare. Si alternativë, Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme”, – deklaroi Berisha.

Ndërkaq, gjatë takimit me Anëtarët e Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e Berisha i siguroi ata për angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar ngushtësisht me misionin e KiE-së në mënyrë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje brenda standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët.

Parlamentarët e Këshillit të Evropës vlerësuan atmosferën e qetë politike dhe të civilizuar në të cilën po zhvillohet fushata elektorale, ku partitë politike po shpalosin pikëpamjet e tyre dhe aspektet e programit të tyre në shërbim të qytetarëve për mandatin e ardhshëm qeverisës, dhe nivelit të lartë të transparencës mediatike të përgjithshme në të cilat po zhvillohet kjo garë elektorale.

Kryeministri Berisha i siguroi parlamentarët se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë dhe do të jenë, zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ai i njohu parlamentarët e Këshillit të Evropës me urdhrin e Kryeministrit, i cili ndalon përdorimin e mjeteve dhe burimeve publike për qëllime elektorale qëllimi i të cilit është krijimi i kushteve të barabarta në fushatë për të gjithë konkurrentët.

Në takim u theksua gjithashtu rëndësia themelore e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit nga të gjitha palët, për të mos u përsëritur situata e vitit 2009 kur pavarësisht se KQZ certifikoi 7:0 rezultatet dhe ODIHR i cilësoi zgjedhjet në përputhje me shumicën e standardeve te OSBE-së, opozita nuk njohu rezultatin.

Duke i siguruar edhe njëherë se qeveria shqiptare do të bëj çdo gjë në dorën e saj për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Kryeministri Berisha shprehu dhe njëherë mirënjohjen e thellë për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha aspektet dhe në veçanti për angazhimin e saj për të dërguar ekipin më të kompletuar për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve të 23 qershorit”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit pranë Kryeministrisë.

 

 

 

Zgjedhjet e pjesshme, PS koalicion me 5 parti politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota pro kërkesën e Partisë Socialiste për regjistrimin e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane për zgjedhjet e pjesshme që priten të mbahen po me 23 qershor.

Sipas KQZ-së, kërkesa e PS-së përmban 5 parti në koalicion, edhe pse ASHE për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë numëron 37 subjekte politike në koalicion.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të regjistroi koalicionin Aleancën për Shqipërinë Evropiane si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend me parti pjesëtare si më poshtë: Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokracia Sociale, Partia Social Demokrate”, – deklaroi kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi). Ndërsa në fjalën e tij, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Niazi Kosovrasti, kërkoi nga komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor në vend, nëse është normale apo jo që koalicioni i PS-së të ketë 37 parti në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe 5 parti në zgjedhjet e pjesshme vendore. “Ky emërtimi Aleanca për Shqipërinë Evropiane është për herë të dytë që e dëgjojmë dhe njëherë ka 37 parti, ndërsa tani ka 6. Është normale kjo?”, – pyeti Kosovrasti kryetaren e KQZ-së. Në përgjigjen e saj, zonja Luzi tha se partinë në koalicionin e PS-së për zgjedhjen e pjesshme janë 5. Ndërkaq, përfaqësues të Partisë Demokratike pohuan jashtë mikrofonave të KQZ-së, se PD hyn në zgjedhje të pjesshme me tri aleatet kryesor të saj.

 

Arvizu: Të rinjtë të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të zgjedhin me zgjuarsi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, zhvilloi një takim me të rinj në qytetin e Kukësit, gjatë së cilës ai zhvilloi biseda edhe për çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Takimi i tij në Kukës zgjati për më tepër se një orë dhe ai u prit dhe nga kryetari i bashkisë, Hasan Halilaj, i cili e falënderoi për këtë vizitë.

Disa orë më vonë, në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në rrjetin social, Facebook, sqarohen dhe dy mesazhet e dhëna nga ambasadori Arvizu gjatë takimit me të rinjtë në qytetin e Kukësit.

“Doja vetëm t’ju thosha se vizita ime sot në Kukës ka qenë e mrekullueshme. Sapo përfundova një takim me të rinj. Ata kishin pyetje shumë të mira dhe së bashku folëm për shumë gjëra, përfshirë dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ashtu siç mund të pritej, kishte edhe pyetje mbi zgjedhjet. Mesazhi im thelbësor ishte i dyfishtë: unë u thashë që shpresoj që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe se shpresoj që të zgjedhin me zgjuarsi. Dhe u thashë që shpresoj të zgjidhni me zgjuarsi dhe vetë. Nëse jeni në moshë për të votuar dhe nëse jeni në moshë për të marrë vendimet tuaja; askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë për ju”, – shkruhet në rrjetin social të Ambasadës Amerikane në Facebook.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency