Arbitrazhi, qeveria shqiptare arrin fitoret e para me rëndësi me biznesin ndërkombëtar

0
181

Ervin Kaduku

Pronat-ne-Strasburg-300x225Vendimi tjetër në favor të shtetit shqiptar ishte ai i përballjes me kompanitë “Eagle Games sh.a.” dhe “Burimi Srl”. Të dyja këto kompani, njëra shqiptare dhe tjetra italiane, kishin bërë padi ndaj qeverisë shqiptare duke kërkuar të përfitonin 10.2 milionë dollarë si dëmshpërblim për revokimin me pa të drejtë të licencës për lojëra të fatit

 

 

Shteti shqiptar ka arritur të korrë fitore, që janë shpresëdhënëse se jo gjithmonë “çekiçi” i gjyqtarit është kundër nesh. Në fillim të muajit maj, Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar dha në favor të Shqipërisë vendimin për një nga çështjet e nisura në vitin 2010, ku kompania amerikane nga Teksasi “Sky Petroleum” pretendonte një dëmshpërblim prej 1 miliard dollarësh për zgjidhje të pretenduar të pavlefshme të kontratës nga qeveria shqiptare. Nuk vonoi shumë dhe Shqipëria “koleksionoi” një tjetër fitore. Këtë radhë bëhej fjalë për një shoqëri shqiptare “Eagle Games sh.a.” dhe një shoqëri italiane “Burimi Srl” që pretendonin se qeveria shqiptare kishte cenuar investimin e tyre në vendin tonë. Odiseja gjyqësore nisi pas vitit 2004. Paditësit pretendonin një dëmshpërblim prej 10,2 milionë dollarësh. Të gjitha pretendimet e paditësve u rrëzuan nga Gjykata dhe pala shqiptare fitoi të drejtën t’i rimbursohen shpenzimet në masën 420,000 euro.

Por, këto përfaqësojnë shumë pak nga përballjet e shtetit shqiptar në Arbitrazhin Ndërkombëtar, rastet kur vendi ynë është thirrur janë me dhjetëra, si në Paris, Londёr, Cyrih etj.

Në anën tjetër, qëndrojnë edhe humbjet që llogarisin dëmshpërblime në miliona euro. Juristët thonë se kompanitë që padisin shtetin shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar e bëjnë këtë sepse nuk kanë besim te sistemi ynë i drejtësisë, duke qenë se ka shumë probleme dhe zvarritje pa fund, edhe pse rruga ndërkombëtare ka kosto më të madhe, që në fund i faturohen humbësit. Numri i kompanive që kanë trokitur tashmë në dyert e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, duke paditur shtetin tonë për moszbatim kontratash të ndryshme sa vjen e rritet. Gjeografia e “paditësve” të Shqipërisë është e ndryshme, amerikanë, italianë, danezë, turq etj. Pjesa më e madhe e rasteve gjyqësore janë: probleme pronësie, anulim kredie, mungesa studimesh profesionale nga pala shqiptare, zvarritje punimesh. Në jo pak raste, këto çështje shoqërohen edhe me ndërlikime në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare sepse vija ndarëse mes interesave ekonomike dhe atyre politike është aq e hollë, sa fare mirë mund të konsiderohet si e padukshme.

 

Rasti “Sky Petroleum”

Në shtatë maj, Gjykata e Arbitrazhit shpalli vendimin e saj sipas rregullave 1976 UNICITRAL lidhur me çështjen midis “Sky Petroleum” dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë (e përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore). Mosmarrëveshjet midis palëve nisën nga përfundimi i kontratës së ndarjes së prodhimit, të nënshkruar më 24 qershor 2010. Gjykata e Arbitrazhit vendosi që: (i) AKBN i ka dhënë njoftim të vlefshëm përfundimi kompanisë “Sky Petroleum” më 22 korrik 2011, për shkak të dështimit të kompanisë për të dorëzuar një garanci bankare të rregullt dhe (ii) kontrata u përfundua në mënyrë të rregullt më 17 nëntor 2011.

Gjykata e Arbitrazhit urdhëroi kompaninë “Sky Petroleum” që të rimbursojë shpenzimet e AKBN për tarifat dhe shpenzimet totale lidhur me këtë çështje, në shumën 382,774 euro. Theksohet se “Sky Petroleum” kishte kërkuar 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga AKBN, për përfundimin e njëanshëm të kontratës. Me këtë vendim, i hapet dhe zyrtarisht rruga qeverisë që të fillojë përsëri procedurat e dhënies me koncesion të blloqeve të naftës 4 dhe 5 dhe zonës së Dumresë. Këto zona naftëmbajtëse ishin nën administrimin e “Sky Petroleum”, por tashmë janë të lira dhe mund t’i jepen me koncesion çdo kompanie të interesuar nëpërmjet procedurave të konkurrimit sipas ligjeve në fuqi. Sipas juristëve ajo që vlen për t’u përshëndetur është përpjekja pozitive e Avokaturës së Shtetit, si dhe zyrës së huaj avokatore që i shpëtuan praktikisht plot 1 miliard dollarë buxhetit të shtetit.

 

Rasti “Eagle Games”

Vendimi tjetër në favor të shtetit shqiptar ishte ai i përballjes me kompanitë “Eagle Games sh.a.” dhe “Burimi Srl”. Të dyja këto kompani, njëra shqiptare dhe tjetra italiane, kishin bërë padi ndaj qeverisë shqiptare duke kërkuar të përfitonin 10.2 milionë dollarë si dëmshpërblim për revokimin me pa të drejtë të licencës për lojëra të fatit. Avokatura e Shtetit sqaron se në vitin 2004 “Eagle Games” ishte pajisur me licencë 10-vjeçare për organizim lotarie. Paditësit që e çuan çështjen në Arbitrazh shfaqën pretendimin se autoritetet shqiptare kishin cenuar investimin e tyre, në veçanti duke revokuar licencën e “Eagle Games” sipas ligjit të miratuar në maj 2007. Ky ligj revokoi të gjitha licencat e dhëna më parë, duke parashikuar edhe kompensimin e subjekteve të licencuara. Gjithsesi, dy kompanitë pretenduan një tjetër kompensim në vend të atij që parashikonte legjislacioni shqiptar. Në këto kushte, i kërkuan Arbitrazhit të shpallte fajtore Shqipërinë për shkelje të traktatit për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë. Gjykata pranoi të kundërtën e asaj që kërkonin kompanitë dhe i dha të drejtë Avokaturës së Shtetit, e asistuar në proces nga studioja ligjore “Derains & Gharavi”. Dy ishin argumentet që shpallën fituese palën shqiptare, sipas Avokaturës së Shtetit: i pari lidhej me faktin që “Eagle Games” nuk mund të konsiderohej një investitor i huaj, pasi ishte kompani shqiptare; e dyta, që “Burimi Srl” nuk kishte kryer një investim që të pretendonte zbatimin e normave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve të huaja. Në fund, Gjykata e Arbitrazhit vendosi se dy kompanitë, jo vetëm që nuk përfitonin kompensimin 10.2 milionë dollarë, por do të paguanin edhe shpenzimet e procesit për qeverinë shqiptare, që kapnin vlerën 420,000 euro.

 

“Ringu luksoz” i përballjes

Po çfarë i detyron këto kompani që të “udhëtojnë” drejt kryeqendrave europiane dhe t’i drejtohen arbitrazhit ndërkombëtar? Ka disa arsye, që renditen nga juristët. E para ka të bëjë me faktin se sistemi i drejtësisë në Shqipëri lë për të dëshiruar, si edhe mungon besimi se vendimet do të zbatohen. Nga ana tjetër, ka edhe pengesa ligjore dhe të zbatimit në praktikë.

Juristët thonë se, pavarësisht se kuadri rregullator që mundëson krijimin e gjykatave të përhershme, apo “ad hoc” të arbitrazhit ekziston, që prej miratimit nga Kuvendi të ligjit “Kodi i Procedurës Civile” nr. 8116, datë 22.03.1996, i ndryshuar, në Shqipëri nuk ka ende një praktikë të konsoliduar për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve me arbitrazh. Sipas Kodit të Procedurës Civile, në Republikën e Shqipërisë mund të zgjidhet me arbitrazh çdo pretendim pasuror ose kërkesë që rrjedh nga një marrëdhënie pasurore. Në dhjetor të vitit 2002, në Shqipëri u krijua dhe funksionoi deri në vitin 2009 një forum arbitrazhi i përhershëm pranë Dhomës së Tregtisë Tiranë, Qendra Shqiptare e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar MEDART, si një institucion i pavarur dhe privat, i themeluar me mbështetjen e Bankës Botërore. Kjo qendër, gjatë funksionimit të saj modest, administroi një numër të paktë rastesh dhe, pavarësisht qëllimit të saj, nuk arriti rezultate të ndjeshme në promovimin në mjedisin shqiptar të shërbimit të zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve me arbitrazh. Një ndër arsyet kryesore ka qenë fakti se shoqëritë tregtare dhe në përgjithësi bizneset shqiptare, në vitin 2002 e në vazhdim, për arsye jo të panjohura, karakterizohen nga mungesa e theksuar e besimit në sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe në drejtësinë e gjykatave shtetërore shqiptare në veçanti. Për rrjedhojë, kanë qenë të pakta gjasat që këto biznese apo individë të mund të besonin se një gjykatës apo një gjykatë private do të mund t’i siguronte drejtësinë, të cilën me vështirësi ia siguron shteti.

Një tjetër faktor që rendisin juristët ka të bëjë me nivelin e zhvillimit ekonomik. Arbitrazhi është një proces privat, i cili jep drejtësinë përmes një gjykate arbitrazhi të zgjedhur nga vetë palët e, për rrjedhojë, është shumë i kushtueshëm. Bizneset shqiptare e kanë parë si një zgjidhje tepër luksoze apo si një shpenzim të tepërt që të paguajnë për investimin e një gjykate private.

Ato thonë se edhe mungesa e entiteteve, që mund të promovojnë te publiku zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me arbitrazh, përbën një tjetër faktor, që ka ndikuar në mosnjohjen dhe në vonesën e zhvillimit të këtij institucioni në Shqipëri. Po kështu, edhe mungesa e institucioneve, që trajnojnë e formojnë arbitra profesionistë, si dhe i forumeve të arbitrazhit të përhershëm pranë dhomave të tregtisë të qyteteve të vendit, është një tjetër arsye që i shtohet argumentit se arbitrazhi shqiptar reflekton sot një stad thuajse të pazhvilluar.

Po cili është mekanizmi që përdoret nga investitorët e huaj? Bëhet fjalë për Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet në Uashington, (ICSID. Kjo është një strukturë ndërkombëtare brenda kuadrit të grupit të Bankës Botërore dhe funksionon në bazë të Konventës së Uashingtonit, e ratifikuar nga shteti shqiptar në vitin 1991. Kjo qendër ka natyrën e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, por përfshirja e saj në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën tregtare kushtëzohet nga dy gjëra: së pari, nga fakti nëse shteti shqiptar ka lidhur marrëveshje për mbrojtjen e investimeve me shtetin nga i cili është pala paditëse, dhe së dyti, nga fakti nëse pala paditëse është investuese. Me fjalë të tjera nuk mundet që një shoqëri që ndërton infrastrukturë publike me fondet e shtetit shqiptar ta padisë atë në ICSID, ndërkohë që një shoqëri që ndërton një projekt infrastrukture në bazë të një leje apo koncesioni mundet, sepse financimi i projektit është investim privat. Historia e ICSID në rastin e Shqipërisë fillon me një çështje të vitit 1994, ku shoqëria “Tradex Hellas” paditi, pa sukses, shtetin shqiptar për shpronësim në kundërshtim me ligjin “Për investimet e huaja”, për të vijuar me një çështje tjetër të vitit 1995, e cila u mbyll me marrëveshje pajtimi në vitin 1997, për të cilën nuk ka informacion. Më tej, shteti doli “pa u lagur”, kur pas gjykimit të çështjes së paraqitur nga shoqëria “Pantechniki S.A. Contractors & Engineers”, ICSID e rrëzoi padinë e saj. Rreziku i shtimit të rasteve ekziston, thonë juristët, pasi në kohë krizash, kushdo që përballet me humbje të investimit do të kërkojë të gjejë rrugë për dëmshpërblim, ku këto procedura janë më tipiket.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency