Për grupin armiqësor në shërbimet postare

0
158

pasuriÇelo Hoxha

 

Deklarimi i pasurisë për zyrtarët e lartë është gjetur, nga shoqëritë demokratike, si një nga mënyrat për rritjen e transparencës së njerëzve me pushtet. Kjo procedurë në Shqipëri është në fillimet e saj, por ajo që tani bëhet me sforco, me kalimin e viteve do të kthehet në zakon të shoqërisë, dhe, synimi afatgjatë, nëse gjërat do të kenë vazhdimësi, është që një sjellje e tillë nga zakon të bëhet pjesë e karakterit të shoqërisë.

Ditët e fundit është diskutuar publikisht çështja e deklarimit të pasurisë së kryetarit të Partisë Socialiste. Akuzat, e ardhura nga Partia Demokratike, janë që ai nuk ka bërë deklarimin e pasurisë për këtë vit. Zoti Rama nuk e mohoi, por fajësoi për këtë njerëzit e kryeministrit Sali Berisha, të cilët “kanë bërë një shërbim të ulët për fushatë, ose duke mos e çuar deklarimin në adresën e duhur, ose duke e zhdukur atë nga institucionet ku duhet të kishte mbërritur”. Sipas deklaratës së PS për këtë çështje, kryetari i saj edhe sivjet, si çdo vit, e ka dërguar deklaratën e pasurisë së me postë dhe, sipas saj, njerëzit e zotit Berisha në shërbimet postare, ose në institucionin e deklarimit të pasurisë e nuk e kanë çuar dokumentin në destinacion.

Që një letër mund të humbasë në postë nuk është çudi. Rastistë bëjnë punën e tyre. Për shembull, herën e parë që unë hipa në avion, më ndodhi që bagazhi më erdhi me 3 ditë vonesë, sepse ishte ngatërruar diku gjatë rrugës. As kush nuk mund të përjashtohet nga rastësitë, as zoti Rama.

Kur vjen fjala, për sigurinë me të cilën PS deklaron se deklaratën nuk e kanë çuar në destinacion njerëzit e kryeministrit, këtu çështja ndryshon. Kjo sjellje, të akuzosh për gjithçka kundërshtarin politik, nëse nuk është shenjë paranoje, është e tepruar dhe e dëmshme për vetë subjektin që e shfaq.

Shqipëria nuk është një shtet policor. Shërbimi informativ është një institucion mbi të cilin kryeministri e ka ndikimin të kufizuar, të përcaktuar me ligj. Policia ka vite që nuk është vënë re të jetë përdorur për qëllime politike. Institucionet e tjera – të cilat mund të përdoren nga një pushtet policor, si prokuroria dhe gjykatat – janë të pavarura. Akuza e përdorimit të postierëve të thjeshtë për kontrollin e jetës së kundërshtarëve politikë është më qesharakja në botë. Shtet policor të postierëve nuk ka as në tregimet komike të historisë së letërsisë shqiptare e botërore. Në Shqipëri ka pasur një periudhë të caktuar kur jeta e qytetarëve dhe politikanëve ishte në dorë të një bashkësie teneqexhinjsh, furrtarësh, marangozësh, kriminelësh ordinerë etj, por postierët as aty nuk shquhen.

Gazeta “Panorama” botoi dje të dhëna nga deklarimi i pasurisë së zotit Rama një vit më herët, të cilën “njerëzit e Berishës”, në postë e në institucione të tjera, nuk e kishin zhdukur. Sipas krahasimeve që bënte gazeta, deklarimi ishte kontradiktor, sidomos në lidhje me të ardhurat nga botimi i një libri; shifrat që kishte deklaruar zoti Rama si autor ishin të ndryshme me ato të deklaruara nga shtëpia botuese. Nuk ka rëndësi t’u hyjmë krahasimeve të shifrave në këtë shkrim, gazeta kishte bërë një punë të hollësishme dhe e tregonte qartë që zoti Rama, edhe kur postierët nuk bënin veprimtarinë e tyre konspirative, nuk është shquar për korrektësi në deklarimin e pasurisë.

Dhe ti japim secilit sa i takon.. Tregu i librit (se deklarimi kishte të bënte të ardhurat nga libri i tij “Kurban”) në Shqipëri ka ardhur duke u disiplinuar, por nuk është më i disiplinuari. Marrëdhëniet e botuesve me autorët janë në nivele mizerje, dhe kur autorët marrin më shumë seç mund të imagjinohet (si në rastin e zotit Rama), është një rast që personalisht e shikoj me një lloj simpatie (një solidaritet autorësh dhe hakmarrës). Në rastin e zotit Rama është problemi se, duke qenë një politikan me profil të lartë, ai duhet të tregojë kujdes për çdo kacidhe që fut në xhep.

Megjithatë, përveç këtyre, në sjelljen e zotit Rama, jo vetëm në lidhje me deklarimin e pasurisë, reflektohet një tipar themelor i të majtëve, të cilët pëlqejnë të rregullojnë botën, por jo duke qenë ata vetë modeli i përsosmërisë. Kjo fillon që me Marksin, i cili vrau mendjen për hallet e gjithë botës, kurse familjen e tij i la në varfëri, madje prej saj i vdiqën dhe disa fëmijë. Kjo sjellje u kopjua nga Lenini, Stalini, Enveri e gjithë diktatorët komunistë. Për çdo gjë që ndodhte ata fajësonin të tjerët, dhe vetë nuk ishin model për asgjë (të imitoje sjelljen e tyre përfundoje vetëm në kriminel). Megjithatë, sado kriminelë e parajonakë që ishin, të gjithë diktatorët komunistë nuk inskenuan kurrë një grup armiqësor në shërbimet postare të vendeve të tyre. Në këtë pikë, zoti Rama i tejkalon ata.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency