Peshtani, një Bordo e vogël

0
821

9 qershor peshtaniReportazh/Ndoshta fjala Peshtan është me origjinë shqipe që do të thotë peshë, dmth një vend që ka mbajtur peshë të rëndësishme përgjatë historisë. Dikur në regjistrin turk të vitin 1431, Peshtani përmendet si një fshat me 80 shtëpi, i përmendur për vreshtarinë dhe ullirin, dy degët kryesore të ekonomisë bujqsorë, origjina e së cilave vijon qysh nga koha e Apolonisë antike. Jo larg prej këtu, tregon, përsëri mësues Esati, ndodhet Frakulla, qendra e komunës, e përmendur edhe nga autorët antikë si, vendi ku dikur ekzistonte një fontanë nafte dhe gazi, e cila digjej në mënyrë të pandërprerë

 

 

 

 

Ilirjan Gjika

U nisëm një ditë të zakonshme për në Peshtan, fshatin i cili i fshehur pas kurorave të ullinjve ndodhet vetëm tre kilometra në jug të qytetit të Fierit. Pasi morëm rrugën nacionale Fier-Vlorë dhe ngjitëm qafën e Koshovicës, u kthyem në të majtë atje ku tabela e sinjalistikës rrugore lexonte: Cakran. Nuk u deshën as njëqind metra udhëtim dhe përpara nesh u shfaq lugina e lumit Gjanica, aty ku ajo lë pas krahinën kodrinore të Mallakastrës dhe del në fushën e Myzeqesë. Pikërisht këtu u ngrit vite më parë Kompleksi –Kimiko-Energjitik, i cili i përbërë nga Azotiku, Ureja e Vjetër, Ureja e Re, TEC-i dhe Rafineria e Naftës, e shndërruan Fierin, në fillim të viteve 70-të, të shekullit të kaluar në qytet industrial.

Ndërkohë që, pasi bëmë disa shkrepje me aparatin fotografik, e lamë pas këtë ‘’relike’’ të ‘’kohës së shkuar’’ dhe pasi përshkuam me makinë vetëm një kilometer, ju shmangëm rrugës së Cakranit, duke u kthyer përsëri drejt jugut, ku përpara na u shfaq Peshtani, një nga fshatrat më të mëdhënj të rrethit të Fierit, mbi të cilin ngrihet maja e Likovunit, 302 m mbi nivelin e detit.

Interesant është fakti se, të gjithë udhëtarët që përshkojnë arterien Fier-Vlorë për qëllime të ndryshme udhëtimi, apo ‘’rrugëtojnë drejt jugut nëpër autostradën Levan-Tepelenë, e shohin vazhdimisht gjatë itinerarit të tyre këtë varg kodrinor, ku vëmëndjen ta tërheqin menjëherë antenat e shumta të televizioneve dhe kompanive celulare të ‘’istaluara’’ mbi të.

I vendosur në të majtë të rrugëve në drejtim të Vlorës dhe Tepelenës, apo në të djathtë kur kthehesh prej tyre, emri i kësaj kodre të tingëllon i çuditshëm: Likovun, që në greqisht do të thotë Mali i Ujkut. Ndoshta një emër i vendosur qysh në antikitet, atëherë kur ky vend ishte pjesë e polisit të Apolonisë, rrënojat e së cilës nga Peshtani nuk janë veçse 5-6 km në vijë ajrore. Megjithatë për Likovunin aludon edhe tregimi i ‘’Babait të Historisë’’, Herodotit të Halikarnasit. Në librin e IX-të të tij, të titulluar ‘’Historitë’’, ai na tregon se në prapatokën e Apolonisë kishte disa guva apo shpella, ku qytetarët më të shquar, ata me origjinë fisnike, ruanin me radhë përgjatë një viti delet e shenjta që i kushtoheshin perëndisë së Apolonit. Por kur, radhën e kishte njëri prej tyre, i quajtur Even, ndodhi një ngjarje e çuditshme. Një natë kur Evenin e zuri gjumi, ujqit u futën ‘’tinëz’’ në guvë dhe shqyen disa prej këtyre dhenve ‘’të shenjtë’’. Pasi u zgjua në mëngjes dhe vuri re dëmin e bërë, Eveni vendosi që të shkonte në treg dhe ti zëvendësonte bagëtitë e dëmtuara, me të tjera. Por ndërkohë kur ‘’bariu gjumash’’  mundohej të ‘’shlyente dëmin’’, apoloniatët e pikasën dhe pasi e hetuan e nxorën përpara gjykatës, e cila e dënoi Evenin me verbim.

Ndoshta kjo ngjarje e treguar nga një autor jo dosido, ka shërbyer që, disa arkeologë dhe historianë të sotëm, kanë të drejtë kur aludojnë se, pikërisht ngjarja e mësipërme ka ndodhur ketu në Peshtan, në kodrën që edhe sot quhet me të drejtë nga vendasit Likovun, apo Mali i Ujkut.

Intrigues është edhe fakti i fundit, të cilin na e tregon Shpëtimi, një nga banorët e Peshtanit, i cili na mirëpret në hyrje të fshatit. Pas përshendetjes së rastit dhe ftesës për të pirë kafen e mikpritjes, ai na tregon se përpara një vit,i një bariu vendas në të njëjtin vend ku aludohet ngjarja e mësipërme, ujku i shqeu gjatë një nate trembëdhjetë krerë dele.

Vërtet e çuditshme, por këtu ndërthuret e vjetra me të renë. Dhe kështu, pas mbërritjes sonë në Peshtan dhe bisedës së nisur aty nën hijen e ullinjve, pemës së jetës së që këtu mbulojnë gjithë territorin e fshatit, ulemi për të shijuar një kafe në një nga lokalet aty pranë. Pasi prezantohem,i nisim bisedat për të mbledhur materialin e reportazhit tonë. Aty pranë oxhakut biseda vijon nartyrshëm me Shpëtimin dhe Esatin, një mësues pasionant të historisë, i cili midis të tjerave na bën edhe një ekspoze të historisë së Peshtanit.

Peshtani është fshati më i madh i komunës së Frakullës, nis të tregojë ai. Është një vendbanim i cili ndahet në tre lagje si: Peshtan i vogël, Peshtan i madh dhe Peshtan Bregas, i shtrirë në një gjatësi prej 13 km, përgjatë vargut kodrinor Peshtan-Varibob, që nis nga Fieri në veri dhe zbret drejt Vjosës në jug. Ndoshta fjala Peshtan është me origjinë shqipe që do të thotë peshë, dmth një vend që ka mbajtur peshë të rëndësishme përgjatë historisë. Dikur në regjistrin turk të vitin 1431, Peshtani përmendet si një fshat me 80 shtëpi, i përmendur për vreshtarinë dhe ullirin, dy degët kryesore të ekonomisë bujqsorë, origjina e së cilave vijon qysh nga koha e Apolonisë antike. Jo larg prej këtu, tregon, përsëri mësues Esati, ndodhet Frakulla, qendra e komunës, e përmendur edhe nga autorët antikë si, vendi ku dikur ekzistonte një fontanë nafte dhe gazi, e cila digjej në mënyrë të pandërprerë. Këtu ndodhej Nimfeu dhe pranë tij edheorakulli i nimfave nga ku vjen edhe emri i sotëm Frakull. Këtu lindi edhe poeti i njohur i rrymës së bejtexhinjve Nezim Frakulla, pikërisht gjatë kohës kur ajo ishte qendër e krahinës së Myzeqesë së vogël, e dalluar edhe për pazarin e madh.

Ndërkohë që nga biseda mësojmë edhe për luginën e Kalinorës, kishën e Shën Thanasit, Shaban Peshtanin, personazhin e njohur të kryengritjes së Tanzimatit dhe pjesmarrjen e tij së bashku më Rrapo Hekalin, në betejën e Konizbaltës. Gjithashtu, gjatë bashkëbisedimit nuk mund të linim pa përmendur edhe verën dhe rakinë e famshme, saqë për prodhimet sasiore dhe cilësore të saj, Peshtanin e quajnë si një ‘’Bordo’’ të Fierit. Vërtet një paralelizëm i goditur. Ashtu si vera e famshme e Bordosë për Francën shërben edhe ‘’lëngu i rrushit’’ të Peshtanit për rajonin e Fierit.

Kësaj ngasjeje nuk mund ti shpëtonim edhe grupi ynë, ku sapo nisëm të shijonim ndikimin e ‘’avujve dhe vetive të tyre’’, dikush na tregoi për qeramikat e shumta që ‘’gjallojnë’’ përgjatë luginës së Kalinorës, në vendin e quajtur ‘’korija e zykajve’’, atje në pjesën lindore të fshatit. E kështu, duke ruajtur me besnikëri, ‘’egon profesionale’’ u nisëm në këmbë në këtë udhëtim të shkurtër brenda Peshtanit, me kuriozitetin se çfarë fshihej atje.

Korija e Zykajve ishte një faqe kodre e mbjellë me ullinj dhe vreshta, ashtu si shumica e arave të tjera të fshatit. Megjithëse duart punëtore të peshtanakëve nuk kishin lënë pa punuar as edhe një pëllëmbë të tokës, aty këtu dukeshin mbetjet antike të dhjetra tjegullave solene apo kaliptere, siç i quajnë arkeologët. Dukej se kishim të bënim me gjurmët e një vendbanimi të antikitetit, për të cilin nuk kishim dëgjuar më parë. Biles, Dashamiri një banor i lagjes na tregoi një fragment muri, i cili qëndronte i ‘’fshehur’’ pas një ‘’grumbulli’’ shkurresh. Pasi u afruam pranë tyre, pamë një trakt muresh që qarkonin shpatin e kodrës. Gurët ishin kuadratikë dhe nga materiali ishin gëlqerorë të marrë nga kodra përreth. Midis gurëve gjetëm një fragment tjegulle e cila kishte një pjesë mbishkrimi ku lexohej në greqishten e vjetër ‘’aigimos’’, për të cilin hodhëm hipotezën se ndoshta i përkiste një punishteje lokale të qeramikës. Ndoshta ajo që kishim aluduar më parë për toponiminë dhe të dhënat që ky vendbanim i përkiste dikur polisit të Apolonisë duhej të ishte i vërtetë.

Ashtu të gëzuar se ishim shdërruar befas në arkeologë shëtitës, bëmë disa shkrepje të aparatit me qëllim që, fotot ti dorëzonim në institucionet përkatëse për zbulime të mëtejshme. Rrugën e kthimit për në qendër të fshatit e bëmë pa e ndier lodhjen, sepse tashmë edhe ne do të linim ‘’gjurmët tona’’ në këtë zbulim të vogël arkeologjik. Për tu kthyer në Fier morëm rrugën drejt qendrës së komunës. Sapo zbritëm kodrën qëndruam në Kafaraj, një fshat piktoresk nga i cili dukej shumë pranë dhe qartë Vlora, Karaburuni, laguna e Nartës dheishulli i Sazanit. Tek çesma monumentale e tij u ndalëm se na tërhoqi arkitektura e veçantë, ku kombinohej diçka midis kulturës pagane dhe asaj orientale . Me moshë gati dy shekuj, kjo çezëm ishte e njohur për historitë që kishin ndodhur pranë saj. Por megjithëse temperature ishte e lartë uji na u duk i çuditshëm.

-Këtë veti ka çezma jonë, na tregoi një banor vendas, i cili kish ardhur që të mbushte ujin e pijshëm që konsumonte në familje. Ky ujë eshtë i ngrohtë në dimër dhe i ftohtë në verë, përfundoi ai. E ndërsa do të niseshim përsëri, sytë na shkuan tek autostrada Levan-Tepelenë, e cila kalonte vetëm njëqind metra në perëndim të këtij kroi. Atëherë, thamë duke qeshur, ky është zbulimi ynë i dytë. Nëpërmjet shkrimit tonë do të prezantojmë edhe këtë objekt kulturor, që pas disa vitesh udhëtarët dhe turistët që do të shkojnë për në jug, të freskohen dhe të bëjnë ndonjë foto këtu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency