Vendimi Greqi, Gjykata e Lartë: Arben Frroku do të ekstradohet, s’provohet kërcënimi për jetën në burgjet shqiptare

0
130

Sonja Caka

frrokuPas vendimit, ekstradimi i Frrokut dhe Jakut pritet të ekzekutohet së shpejti. Ministri i Drejtësisë në Greqi do të firmosë lejimin e ekstradimit

 

Arben Frroku do të ekstradohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me autoritetet e drejtësisë dhe dorëzimi i tij te pala shqiptare është vetëm çështje ditësh. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Lartë në Athinë, e cila i ka thënë “OK” kërkesës së palës shqiptare, duke deklaruar se nuk provohet aspak kërcënimi ndaj këtij personi prej palës shqiptare, ndërsa prania e tij në Shqipëri do të ndihmojë në zbardhjen e vrasjes së drejtuesit të policisë. Në këtë mënyrë, gjyqtarët dhe ekspertët e drejtësisë greke rrëzuan argumentet e avokatit grek të Frrokut se arrestimi i klientit të tij ishte me prapavijë politike, për shkak të kandidimit për deputet në qarkun e Shkodrës. Po i njëjti vendim u mor edhe për të arrestuarin e dytë, Jak Jaku, i cili së bashku me Frrokun do të lënë së shpejti Greqinë për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ku do t’i duhet të japë shpjegimet e tij rreth akuzës për implikimin në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ish-shef i komisariatit nr. 6 në Tiranë. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Athinë, pritet që ministri i Drejtësisë greke të firmosë lejimin e ekstradimit të Arben Frrokut dhe Jak Jakut drejt vendit tonë, vendim që duhet të ekzekutohet brenda 40 ditëve nga shpallja e vendimit.

Seanca

Mesditën e djeshme, Gjykata e Lartë në kryeqytetin helen ka marrë në shqyrtim kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin drejt Shqipërisë të Arben Frrokut dhe Jak Jakut, të dy të akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë u mblodh më 31 maj për t’u njohur me dosjen, pas shpalljes së moskompetencës nga Gjykata e Selanikut për vendimin e ekstradimit, me argumentin se çështja kishte marrë ngjyrim politik për shkak të përfshirjes në listat për deputetë të të akuzuarit. Një javë pasi dëgjoi palët, ku prokurori kërkoi lejimin e ekstradimit të Frrokut dhe Jakut për t’u përballur me akuzat në Shqipëri dhe pretendimeve të avokatit dhe vetë Frrokut se akuzat ndaj tij kishin prapaskenë politike, dje gjykata mori vendimin. Në vendimin e marrë dje, Gjykata e Lartë greke arsyeton se ekstradimi i të akuzuarit do të ndihmojë në zbardhjen e krimit të 24 shkurtit në Tiranë ku mbeti i vrarë kryekomisar Lamaj, ndonëse vetë i akuzuari mohoi të jetë përfshirë në këtë krim. Prokurori e cilësoi Frrokun si organizator të vrasjes së drejtuesit të policisë, duke lënë të dyshohet se ekzekutorët kanë qenë persona të tjerë që kanë vepruar në interes së të akuzuarit. Po ashtu, ne vendimin e djeshëm, autoritetet greke pranojnë se nuk ka asnjë kërcënim për jetën e Arben Frrokut nëse ai do të mbahet në burgjet shqiptare, ndërsa gjyqësori grek, pranon se në Shqipëri mund të kryhet një gjykim i drejtë ndaj tij. Pas këtij vendimi, pritet që në ditët e ardhshme të realizohet ekstradimi i dy të dyshuarve për vrasjen e Dritan Lamajt, ndërsa javën e ardhshme, nëse do të ekzekutohet ekstradimi, pritet që grupi hetimor dhe 3 prokurorët t’i marrin në pyetje për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Provat

Një bisedë telefonike dhe fjalia “kam mbaruar një punë të madhe sot” ndërsa Arben Frroku udhëtonte drejt Selanikut të Greqisë, mësohet të jetë një nga provat e forta që disponon akuza, ku dhe dyshohet implikimi i tij në vrasjen e kryekomisarit me të cilin kohët e fundit kishte konflikte të hapura. Por, ky pretendim rrëzohet nga familjarët e Frrokut dhe avokati i tij, të cilët deklarojnë se Arben Frroku është një biznesmen dhe fjalia se kishte përfunduar një punë të madhe ka të bëjë me marrëveshjet e tij ekonomike të mbyllura në fushën e biznesit. Ata e kanë konsideruar arrestimin e Frrokut si politik për shkak të ambicieve politike të këtij të fundit për të kandiduar për deputet në Shkodër, nën siglën e Partisë Kristian-Demokrate.

Në Shqipëri, dy të arrestuar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj

Arben Frroku dhe Jak Jaku nuk janë të vetmit të arrestuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Gentjan Bejtja dhe Enver Stafuka e kanë çuar në katër numrin e të arrestuarve për këtë ngjarje, ndërsa dyshohet të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në kryerjen e këtij krimi, gjithsecili me rol të përcaktuar. Ish-polici i burgjeve Bejtja akuzohet se ka ndihmuar Enver Stafukën në gjetjen e vjedhjen e automjetit me të cilën kanë lëvizur vrasësit e drejtuesit të policisë. Makina është vjedhur në Durrës dhe falë kompanive të telefonisë celulare, grupi hetimor mundi të gjejë edhe autorin e vjedhjes dhe së automjetit të gjetur tri ditë pas krimit në fshatin Domje, i braktisur pasi i ishte vënë flaka. Hetimi ka zbuluar nga antenat e telefonisë celulare se autori i vjedhjes dhe makina me të cilën u krye krimi kanë qenë në të njëjtin vend për një periudhë të gjatë. Gjithashtu, grupi hetimor ka zbardhur edhe tabulatet e bisedave telefonike mes Bejtes dhe Enver Stafukës, ky i fundit i njohur për precedentët në fushën e vjedhjes së automjeteve.

Somario

Gjykata e Lartë greke arsyetoi se ekstradimi i të akuzuarit do të ndihmojë në zbardhjen e krimit të 24 shkurtit në Tiranë ku mbeti i vrarë kryekomisar Lamaj, ndonëse vetë i akuzuari mohoi të jetë përfshirë në këtë krim

Autoritetet greke pranojnë se nuk ka asnjë kërcënim për jetën e Arben Frrokut nëse ai do të mbahet në burgjet shqiptare, ndërsa gjyqësori grek, pranon se në Shqipëri mund të kryhet një gjykim i drejtë ndaj tij

Gjirokastër

I fiket makina, përplaset me murin rrethues dhe humb jetën 57-vjeçari

I është fikur makina ndërsa zbriste nga lagjja e sipërme për në brendësi të fshatit Jorgucat të Dropullit të Sipërm në Gjirokastër dhe për pasojë është përplasur me murin rrethues të një banese, duke iu shkaktuar vdekja. Pavarësisht ndërhyrjes së banorëve, zjarrfikësve, policisë rrugore dhe transportit për në spital ku mjekët e urgjencës ndërhynë menjëherë, aksidenti ka qenë vdekjeprurës për 57-vjeçarin Vasil Pero, i cili udhëtonte me një automjet tip ‘Lancia’ me targa Gj 39 16 A. Sipas burimeve, përplasja e automjetit nga sipër poshtë ka qenë vdekjeprurëse për shkak të shtypjes së trupit mbi timon në momentin e zbritjes. Sipas policisë, 57-vjeçari ka qenë vetëm në makinë në momentin që ka ndodhur aksidenti, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë të cilat po vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency