Berisha i përgjigjet Ramës: S’merrem me ty, vitet e mia janë krenaria ime, motivi im janë qytetarët

0
194

Florenc Drizari

paskuqanTakimi në Bërzhitë, Vorë dhe Paskuqan

“Në dokumentarin e vegjëlisë, pa kujtimet e bashkisë, babai mungonte, nuk ekzistonte”

 

Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi dje takime me qytetarë në rrethinat e Tiranës, si në Bërzhitë, Vorë dhe Paskuqan. Gjatë mitingut elektoral që pati në Bashkinë e Pasqkuqanit, Kryeministri Berisha iu përgjigj edhe akuzave të kryesocialistit Rama për moshën e tij dhe daljen në pension pas 23 qershorit. Kreu i mazhorancës tha se Rama po ndjek një fushatë me shpifje, trillime dhe përçmime, ndërsa theksoi se alternativa e djathtë bazohet tek besimin në lirinë e individit, tek vlerat e solidariteti i familjes, puna e dashuria për Shqipërinë.

“Zoti Rama, jeta jote personale nuk do të jetë ndonjëherë axhendë imja. Axhendë imja do të jenë problemet e qytetarëve shqiptarë, punësimi i tyre, rrogat e pensionet e tyre që i kemi rritur e do t’i rrisim më tej, shërbimi shëndetësor, infrastruktura, shkollomini i fëmijëve të tyre. Por ti që i ke bërë vitet e jetës sime axhendë elektorale tënden, dua të të them dy fjalë. Vitet e jetës sime janë krenaria ime, janë bekimi i Zotit. Çdo njeri, çdo vit jete e ka bekim nga Zoti. Nipërit e mbesat e mia janë gurra të frymëzimit tim të jashtëzakonshëm. Kur unë i shoh ata, frymëzohem dy herë më shumë, për të punuar për të gjithë vogëlushët e Shqipërisë. Katërvjeçari i ardhshëm ta gjejë Shqipërinë me telefonat e tyre celularë, me internet kudo. Ajo rritet gjeneratë e teknologjisë së lartë, ti rri në autobusin mavi dhe me një mungesë totale edukate mendon se mund të qortosh tjetrin, për vitet e tij”, – deklaroi Berisha.

Gjithashtu Kryeministri komentoi edhe dokumentarin e publikuar pak ditë më parë lidhur me jetën dhe veprimtarinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Për këtë Berisha i rikujtoi atij kompleksin e Edipit duke thënë se as në dokumentar, nuk shfaqej figura e babait.

BERISHA PËR RAMËN

“Në fëmijëri ke vuajtur nga kompleksi i Edipit dhe këtë e di gjithë Shqipëria. Ky kompleks është kompleks i rrallë, kompleksi i urrejtjes ndaj babait. Për këtë nuk je përgjegjës ti. Por tani që je baba vetë, ti duhet të frenosh, të bësh çdo gjë të mos shpallësh shprehjet e këtij kompleksi, sepse siç më thanë mediat, edhe në dokumentarin e vegjëlisë, pa kujtimet e bashkisë, babai mungonte, nuk ekzistonte. Zotëri, për këto gjëra intime të jetës tënde nuk mund të shprehësh ti urrejtje për baballarët dhe gjyshërit e tjerë, se ata kanë lumturinë e tyre, familjet e tyre. Unë nuk do të merrem më me ty, por me qytetarët, me hallet e dertet e tyre, me Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë mobile, do merrem me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, – përfundoi Kryeministri Berisha me premtimin për një qeverisje më të suksesshme në katër vitet e ardhshme.

INVESTIMET NË PASQKUQAN

Duke bërë një përmbledhje të investimeve të kryera në zonën e Paskuqanit, Kryeministri Berisha tha se në këto vite, janë investuam rreth 35 herë më shumë sesa investoi Partia Socialiste në 8 vitet e saj. “Në këto vite, ne ndërtuam mbi 1300 shkolla, në Paskuqan u ndërtuan 4 shkolla të reja dhe të tjera janë në ndërtim e do ndërtohen, u ndërtuan 22 kilometra rrugë e dhjetëra të tjera janë ndërtim e do ndërtohen, u ndërtuan 8 ujësjellës dhe jam këtu për t’ju premtuar se do të ndërtojmë ujësjellësin e Babrru-Qendër, Barru-Sharrë, të Fushës së Këçikëve e në çdo skaj të tij. Sikundër ju garantoj se projekte të mëdha do ta shndërrojnë Paskuqanin në një nga zonat më të bukura të metropolit të shqiptarëve”, – theksoi ai. Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri premtoi se me “trefishimin e granteve dhe investimet private, katër vitet që vijnë, ne dot punësojmë 130 mijë qytetarë”.

 

 

Berisha: Rama thotë se paguajnë TVSH 400 mijë biznese, kur paguajnë vetëm 27400 kompani

Nga zona e Paskuqanit Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Ramën se manipulon shifrat në lidhje me numrin e bizneseve që paguajnë TVSH. Sipas kreut të qeverisë, në vendin tonë paguajnë TVSH vetëm 27400 kompani, ndërsa tha se vetëm në mendjen e Ramës numri i tyre është 400 mijë. “Shoku i autobusit mavi po premton të lumturojë shqiptarë se do të heqë TVSH për 5 produktet kryesore ushqimore. Ky është shkatërrimi i të gjitha fermave dhe prodhimit të vendit. Alternativa e tij e autobusit mavi është alternativa e Shqipërisë që vetëm ai ka në mendje dhe nuk ekziston kurrë mbi tokë dëgjoni se çfarë ju thotë ai shqiptarëve se 400 mijë biznese të vogla të vetëpunësuar shqiptarët po rrënohen sepse qeveria mbi tatimin e xhiros vendosi 10%, vendosi TVSH 20%. Zotërinj, të dashur miq, në Shqipëri sot paguajnë TVSH 27400 kompani, 366 mijë kompani të vogla që paguajnë TVSH ekzistojnë vetëm në autobusin mavi të shoku të autobusit”, – deklaroi Kryeministri Berisha.

 

 

Asllan Dogjani: Rama bllokoi statusin, po shkatërron PS-në

Ish-deputeti i PS-së, Asllan Dogjani, njëkohësisht kandidat për deputet në listat e Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, kritikoi qëndrimet e mbajtura nga kryesocialisti Rama lidhur me proceset integruese të vendit në Bashkimin Evropian.

Sipas Dogjanit, Rama pengoi integrimin dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetorin e vitit të ardhshëm. “Kishte në dorë të bllokonte Gjykatën Administrative, e bëri atë. Bllokoi biznesin. Edi Rama i ka bërë shumë dëm këtij vendi, por ai dëmton edhe më shumë Partinë Socialiste, e ka kthyer partinë në një saraj të një sulltani. Ajo parti dhe i gjithë vendi do të çlirohet më 23 qershor, duke ecur përpara me Partinë Demokratike”, – tha ai.

Gjithashtu Asllan Dogjani pranoi se në këtë mandat qeverisës, në zonën e Paskuqanit janë kryere një sërë investimesh nga qeverisja e Partisë Demokratike. “Janë shtruar rrugë, janë ndërtuar shkolla të reja, kanalizime. Të gjithë e mbajnë mend se si ka qenë Paskuqani më parë”, – tha Dogjani.

 

 

 

“Ne jemi ndryshimi”

Partia Demokratike prezantoi dje zyrtarisht këngën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Takimi i mbrëmshëm i Kryeministrit Berisha në zonën e Paskuqanit në Tiranë, u mbyll me këngën e re të fushatë, “Ne jemi ndryshimi”. Kënga e re e PD-së në fushatë riktheu edhe grupin e njohur muzikor “Elita 5”. Më parë gjatë zgjedhjeve të 2009-ës, kënga e PD-së në fushatë titullohej “Shqipëria po ndryshon”. Në të dyja këngët e PD-së vihet re përshtatja me sloganet e fushatës. Grupit “Elita 5” në fushatën e PD-së i janë bashkuar dhe këngëtarët Genta Ismaili, Vesa Luma, Renis Gjoka. Teksti i këngës është hartuar nga Armand Trebicka.

KËNGA E PLOTË

Strofa 1:

Në çdo moment, ky vend ndryshon,

të ardhmen shoh në horizont, në horizont.

E sotmja na përket, e ardhmja ne na pret

dhe krenari na zgjon, ne jemi ndryshimi.

Refreni:

Jemi ndryshimi, jemi ndryshimi,

të gjithë duart t’i bashkojmë.

Jemi ndryshimi, jemi ndryshimi

mbi çdo sfidë ne do fitojmë.

 

Strofa 2:

Nën qiellin blu dhe pa re,

na pret të gjithë një ditë e re

një shpresë e re.

Motivi ynë je ti, e jona Shqipëri,

prandaj çdo ditë ndryshon.

 

Basha në Paskuqan: Projekti i Bulevardit i ri do të krijojë mijëra vende pune

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, gjatë fjalës së mbajtur në zonën e Paskuqanit, tha se me planin e ri urbanistik dhe me projektet e Bashkisë, Tirana dhe zonat përreth saj do të shndërrohen në një nga rajonet më të gjelbëruara të Evropës. Sipas kryebashkiakut Basha plani i ri do të krijojë mundësinë për hapjen e mijëra vendeve të reja pune. “Tirana ka sot planin e saj urban, pjesë e së cilës është përfshirë edhe Paskuqani. Ky plan do të hapë me mijëra vende pune. Qytetarët do të trajtohen të barabartë, zëri i tyre do të dëgjohet. Të gjitha projektet e PD-së, do të krijojnë më shumë vende pune, do të sjellin më shumë zhvillim”- tha Basha. Gjatë prezantimit të disa prej investimeve të kryera në këtë zonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha akuzoi kryesocialistin Rama për bllokimin e statusit dukë thënë se dëmet që ai i solli Shqipërisë llogariten më miliona dollarë. “Për fat të keq në këto zgjedhje kemi edhe një alternativë tjetër. Ajo që do ta na kthejë pas edhe në kohën që lamë pas. Me bllokimin e statusit të vendit kandidat, Edi Rama i mohoi Shqipërisë 150 milionë euro grante shqiptarëve. 100 shkolla falas, 50 qendra shëndetësorë falas, 150 km autostradë; ne do të kishim çdo vit 18j mijë të punësuar më shumë nëse Rama nuk do të kishte vendosur interesat e tij të parat”, – deklaroi Lulzim Basha.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency