Debati brenda së majtës për taksimin Meta: Të mos ndryshojë tatim-fitimi

0
125

Gëzim Saliu

Kryetari-i-LSI-Ilir-Meta-faqe-3

Takimi me biznesin, kreu i LSI-së: Rimbursim automatik i TVSH-së, skemë e veçantë për shlyerjen e borxheve publike të papaguara

 

Lëvizja Socialiste për Integrim është kundër ndryshimit të skemës së tatim-fitimit. Kështu deklaroi dje kreu i kësaj force, Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi në qytetin e Shkodrës me biznesmenë, sipërmarrës dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit, duke kundërshtuar indirekt propozimin e PS-së për një skemë të re të taksimit. “Ne jemi për të mos ndryshuar tatim-fitimin, pasi në rast se kjo ndryshon, Shqipëria humbet një avantazh”, – tha Meta. Sipas tij, me situatën aktuale që po kalon vendi më imediate është diskutimi për një model të ri ekonomik, i cili bazohet jo thjesht tek konsumi, por tek prodhimi në vend. “Dhe akoma më tepër tek një ekonomi që jo vetëm prodhon por edhe eksporton. Kjo është rruga më e sigurt për një ekonomi kombëtare të qëndrueshme dhe njëkohësisht edhe për një punësim të qëndrueshëm duke qenë se për ne problemi kryesor në vend, sot dhe për të ardhmen, mbetet problemi i punësimit dhe rruga më efektive për të zbutur problemet sociale është ajo e punësimit”, – deklaroi kreu i LSI-së.

Takimi

Duke e cilësuar biznesin si një partner shumë të rëndësishëm të qeverisë, kreu i LSI-së tha dje në takimin me biznesmenët shkodranë se pa një ekonomi të zhvilluar integrimi evropian është i dështuar. “Sepse ne duam të shkojmë në Evropë dhe të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian që të rrisim më tej standardet ekonomike e sociale të qytetarëve tanë dhe këtë nuk mund ta bëjmë pa i dhënë atë mbështetje biznesit që ai të fitojë këtë betejë në tregjet evropiane dhe në tregjet ndërkombëtare”, – pohoi Meta. Sipas kreut të LSI-së, çështja e taksave është një çështje që duhet parë në funksion të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në prodhim, të bazuar në eksport, të bazuar në produkte ‘Made in Albania’. “Sepse në qoftë se dikush nuk prodhon ose dikush nuk shet, për çfarë do ta tatosh? Në qoftë se një njeri nuk siguron një të ardhme, nuk ka një rrogë, atëherë për çfarë do ta tatosh, çfarë do të paguajë? Kështu që mendoj se ky është një debat që nuk duhet nisur nga fundi por duhet nisur nga fillimi”, – theksoi ai. Më tej, Meta bëri të ditur piketat kryesore të programit të LSI-së në aspektin ekonomik, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një skeme të re. “Në ditët e ardhshme, brenda kësaj jave ne do të japim edhe një alternativë shumë të qartë për shlyerjen e borxheve në një periudhë shumë të shpejtë nga ana e qeverisë, të gjithë punëve publike të papaguara deri tani, por edhe të TVSH-së së parimbursuar deri tani për të gjitha bizneset. Është një skemë shumë e kolauduar, të cilën sikurse e thashë do ta bëjmë publike këto ditë dhe të cilën do ta bëjmë pastaj publike në të gjithë vendin. Sepse është e domosdoshme që shteti t’i shlyejë detyrimet ndaj gjithë kompanive”. Ndërsa sa i përket rimbursimit të TVSH-së, Meta tha se e vetmja zgjidhje mbetet rimbursimi automatik i saj. “Zgjidhja për të ardhmen, sikurse ne e kemi bërë publike këtu në Shkodër në vizitat e kaluara është rimbursimi automatik i TVSH-së. Kjo është e vetmja zgjidhje që të mos lihet në dorën e administratës, të burokracive të tjera, të veprimeve selektive e kështu me radhë”, – deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

 

PS: Tatim-fitim me dy nivele

Tatim-fitimi për kompanitë sipas PS-së do të ketë dy nivele. Një nivel tek biznesi i vogël, që pritet të përgjysmohet dhe niveli tjetër prej 10% për biznesin e madh, i cili mund të ndryshohet.

Taksimi i PS-së për pagat e larta

Paga mujore                         Tatimi në lekë

140.000 – 170.000               22.000 ose 13%

170.000 – 250.000               42.500 ose 17%

250.000 – 300.000               60.000 ose 20%

Mbi 300.000                          66.000 ose 22%

 

Meta: LSI, pro amnistisë fiskale, por më parë të bëhen konsultime të gjëra

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje se LSI është pro një amnistie fiskale për biznesin, por kërkoi realizimin e saj pas konsultimeve të gjëra me këtë komunitet. “LSI është pro një amnistie fiskale për biznesin, por kjo duhet të realizohet pas konsultimeve të gjëra me grupet e interesit, nuk duhen bërë ligje të nxituara për qëllime elektorale, por një ligj i menduar mirë, që çliron potencialet e biznesit”, – tha Meta gjatë një konference të përbashkët me përfaqësuesit e BiznesAlbania, të cilët i dorëzuan zyrtarisht kreut të LSI-së librin e propozimeve, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Kreu i LSI-së ka premtuar një partneritet të ri mes shtetit e sipërmarrjes, për një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë. “Shpreh angazhimin për të kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, respektimin e ligjeve dhe akteve të tjera për të konsoliduar një partneritet të ri mes shtetit e sipërmarrjes. Kjo është vendimtare për përmirësimin e ekonomisë së vendit, për mbarëvajtjen e biznesit, për gjallërimin dhe nxitjen e tij. I konfirmova zotit Bregasi që do vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë në këtë drejtim, sipërmarrja duhet parë pa ngjyrime politike dhe partiake. Politika ka për detyrë t’i kthejë besimin sipërmarrjes së lirë, për të çuar para iniciativat e tyre, për të hapur vende të reja pune, që do ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit”, – pohoi ai. Ndërsa kreu i BiznesAlbania, Luan Bregasi, nga ana e tij u shpreh se këto propozime do t’ua dërgojë të gjitha partive të tjera që garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa u shprehu vlerësimin e tij për mikpritjen e LSI-së ndaj tyre. “Këtë praktikë që po e nisim me LSI-në do ta bëjmë edhe me partitë e tjera në garë, për të treguar që ne pranojmë propozimet e partive që garojnë në zgjedhje”, – deklaroi Bregasi.

 

Nju Jork, Malaj: Integrim ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës

Deputeti Arben Malaj zhvilloi dje në Nju Jork një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Fondacioni i Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, ku bashkëbisedoi me bashkatdhetarët për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar në rrugën e përpjekjet e tyre për një të ardhme më të mirë dhe për një integrim sa më të shpejtë dhe sa më të plotë në BE. Përfaqësuesit e shoqatës shqiptaro-amerikane diskutuan edhe për nevojën për një harmonizim më të mirë të punës së qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës me faktorët politikë dhe shoqërorë, lidhur me problemet konkrete dhe sfidat që kanë shqiptarët në Serbi, Maqedoni dhe në Mal të Zi, të drejtat që ata meritojnë sipas standardeve të vendeve evropiane, duke qartësuar se kontributi i shqiptarëve në çdo vend ballkanik është përherë pozitiv për paqen dhe prosperitetin e çdo vendi të rajonit tonë e rajonit në tërësi. Po ashtu, u shkëmbyen ide konkrete për përforcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës si një hap që ndikon krijimin e një tregu unik nën konceptin “Dy shtete – Një ekonomi”. Në këtë këndvështrim, Malaj theksoi se përfaqësuesit e diasporës, dhe veçanërisht komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, ku rritja e shkallës së angazhimit dhe përfaqësimit të tyre është më se i mirëpritur. Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri diskutimi për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, plotësimi i standardeve të të cilave u vlerësua nga të gjithë të pranishmit si çështje me rëndësi jetike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency