Ekspertët: Shqipëria ka zbuluar rezervat më të mëdha naftëmbajtëse tokësore në Evropë

0
205

Ervin Kaduku

naftaSipas drejtorit të Përgjithshëm të grupit kanadez “Petromanas”, Glen McNamara, me rezervën prej 430 milionë tonësh naftë të zbuluar, aktualisht mbetet vendi me fushën më të madhe naftëmbajtëse tokësore në Evropë

 

 

Shqipëria zotëron një potencial mjaft të madh, kur vjen fjala te pasuritë minerare. Ndërkohë që, sipas drejtorit të përgjithshëm të grupit kanadez “Petromanas”, Glen McNamara, me rezervën prej 430 milionë tonësh naftë të zbuluar, aktualisht mbetet vendi me fushën më të madhe naftëmbajtëse tokësore në Evropë. “Shqipëria zotëron fushën më të madhe naftëmbajtëse tokësore në Evropë, zotëron disa zona aktive, si dhe një potencial të konsiderueshëm ende të pazbuluar”, – tha McNamara gjatë forumit “Për zhvillimin e modelit ekonomik, bazuar në sektorin e energjisë dhe të hidrokarbureve”, të zhvilluar dje në Tiranë.
Nafta e gazi
Potenciali i konsiderueshëm i pasurive nëntokësore u shtjellua në mënyrë të hollësishme gjatë forumit nga Sokol Behaj, drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, i cili prezantoi arritjet e derisotme dhe projektet kryesore në fushën e hidrokarbureve, koncesionarët dhe projektet e kërkimit/zbulimit në tokë dhe në det.
Duke folur për situatën e licencimit në fushën e prodhimit dhe zhvillimit në zonat naftëmbajtëse ekzistuese, Behaj tha se janë shtatë, licencat e nënshkruara nga shteti shqiptar me kompani të ndryshme. Në zonën Ballsh-Hekalit operon kompania “Stream Oil & Gas”; në Cakran-Mollaj operon “Stream Oil & Gas”; në Patos-Marinez, “Bankers Petroleum”; në Gorisht-Koculit, “Stream Oil & Gas”; në Delvinë po “Stream Oil & Gas”; në Kuçovë, “Sherwood International”; dhe në Visokë, “Transoilgroup AG”.
Ndërsa u ndal te situata e kërkimeve të reja, drejtori i AKBN bëri me dije se në bllokun detar të Durrësit po zhvillon kërkime kompania “San Leone”. Për blloqet “A&B,D&E,2&3” janë nënshkruar tre marrëveshje me shoqërinë “Petromanas Albania”. Në bllokun “F” zhvillon kërkimet “Bankers Petroleum”.
Në bllokun e emërtuar Joni-5 zhvillon kërkime kompania “Capricorn”. Kompania “Emanuelle Adriatic Energy Limited” zhvillon kërkimet në blloqet detare 2,3,4, ndërkohë që blloqe të tjera detare e tokësore përfshihen në licencën e kompanisë shtetërore shqiptare “Albpetrol”.

Mineralet
Duke folur për burimet minerare, Sokol Behaj theksoi se Shqipëria zotëron një rezervë prej 34.9 milionë tonësh krom, 230 milionë ton hekur nikel e 32 milionë ton bakër. Sipas tij, në maj të vitit 2013 numri i lejeve minerare është 648.
Numri më i madh i licencave i përket industrisë nxjerrëse të kromit, ku aktualisht janë nënshkruar 226 leje, nga 203 në vitin 2012. Për hekur-nikel, në 6 rrethe të vendit numërohen 31 leje shfrytëzimi. Për mineralin e bakrit numërohen 7 leje shfrytëzimi, nga 4 në vitin 2012.

 

 

 

Pastrimi i parave, bankat nuk po kryejnë detyrat

Bankat duhet të marrin masa të tjerë lidhur me domosdoshmërinë e një rregullimi për mënyrën e mbajtjes dhe administrimit të analizave për kategori të përcaktuara sipas riskut të transaksioneve apo klientëve, me qëllim që të jetë e mundur gjurmueshmëria e përmbushjes së këtij detyrimi nga subjektet

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, institucion pranë ministrisë së Financave, gjatë kësaj periudhe të vitit 2013, megjithëse ka pasur zhvillime pozitive në drejtim të marrjes së masave parandaluese nga subjektet bankare, që konsistojnë në rritjen e numrit dhe cilësisë e RAD të dërguara, ka ende shumë për të bërë në lidhje me zbatimin nga bankat të masave te vigjilencës së duhur apo të zgjeruar, me efiçensën e strukturave të kontrollit të brendshëm në subjekte, me shtimin e trajnimeve të subjekteve për punonjësit duke përmirësuar edhe modulet e trajnimit që të jenë të diferencuara për punonjësit sipas operacioneve dhe veprimeve bankare që kryejnë, apo sipas riskut në punën e tyre etj.

 

Masat
Po kështu, bankat duhet të marrin masa të tjerë lidhur me domosdoshmërinë e një rregullimi për mënyrën e mbajtjes dhe administrimit të analizave për kategori të përcaktuara sipas riskut të transaksioneve apo klientëve, me qëllim që të jetë e mundur gjurmueshmëria e përmbushjes së këtij detyrimi nga subjektet.

E thënë me fjalë të tjera, bankat nuk e kanë vënë shumë ujin në zjarr për të realizuar luftën e duhur kundër fenomenit të pastrimit të parave, në përputhje me një kuadër të plotë ligjor dhe kërkesat e vazhdueshme nga ana e institucioneve qeveritare, shqiptare dhe të huaja.
Këto konsiderata janë shprehur më 24 maj 2013, kur Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave (AAB) organizoi në ambientet e “Sky Hotel”, Tiranë, një tryezë diskutimi mbi problematikat e hasura gjatë mbikëqyrjes së përmbushjes së detyrimeve për marrje të masave parandaluese nga subjektet bankare.
Në këtë tryezë morën pjesë përgjegjësit e përputhshmërisë dhe specialistë në çështje të parandalimit të pastrimit të parave në bankat tregtare dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë si Autoritet Mbikëqyrës i subjekteve bankare bankave.

Përfaqësuesja e Bankës së Shqipërisë duke e vlerësuar pjesëmarrjen në këtë panel të hapur si mjaft efiçent për shkëmbimin e eksperiencave, vuri theksin mbi probleme të evidentuara dhe në raportet e inspektimit të BSH-së, dhe mbi nevojën e rritjes së përgjegjshmërisë të punonjësve të Kontrollit të Brendshëm të bankave, për sa i përket zbatimit të saktë të ligjit. Më tej, pjesëmarrësit në takim u ndalën në problematika më teknike të hasura gjatë raportimeve, dhe diskutuan mbi mënyrat më të mira për t’i adresuar ato në të ardhmen.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency