Basha, nderohet me titullin “Qytetar i Lirë i Londrës”

0
176

Driçim Çaka

bashaShqiptari i parë dhe politkani më i ri që merr këtë titull

Kryebashkiaku: Ta përdorim titullin për tërheqjen e investitorëve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha nderohet me titullin “Qytetar i Lirë i Londrës”. Si i pari shqiptar që merr këtë titull Basha, e ka konsideruar një privilegj për të dhe për Tiranën vlerësimin që ka marrë në Londër. “Është një nder i madh, jo për mua si kryetar i Bashkisë por për qytetin dhe Bashkinë e Tiranës dhe e konsideroj si një përgjegjësi të madhe pasi vetë marrja e këtij titulli dëshmon për një shkallë të re të njohjes dhe vlerësimit për kryeqytetin tonë, për Tiranën por edhe për Shqipërinë e shqiptarët” – u shpreh Kryetai i Bashkisë së Tiranës gjatë fjalës së tij. Lulëzim Basha është politikani më i ri që merr titullin “Qytetar i Lirë i Londrës” dhe bashkë me të iu dorëzua pllaka e njohur si “Liria e Londrës” ku janë gdhendur mjeshtërisht “Rregullat e qytetit”, të cilat janë formuluar që në shekullin XVIII. Titulli është dhënë në një ceremoni të vecante të zhvilluar  në Mansion House, rezidenca zyrtare e Lord Mayor dhe vendi ku zhvillohen disa nga ceremonitë më prestigjioze shtetërore e mbretërore.

Vlerësimet për Bashën

Titulli “Qytetar i Lirë i Londrës” i është dorëzuar Bashës nga Lord Mayor, Alderman Roger Gifford i cili është Lordi i 685-të në detyrë. “Kjo është një ceremoni historike. Ajo zhvillohet prej 500 apo 600 vjetësh. Është gjithashtu nder i madh për një kryetar bashkie të një vendi të huaj që i jepet ky çmim. Unë mendoj se është i merituar nga Kryetari Basha”- ka përmendur gjatë fjalës së tijë Lord Bates. “Është një  fakt shumë i rëndësishëm por më shumë është fakti se kryetari i Bashkisë Basha është shqiptari i parë që e merr çmimin e qytetarit të lirë të qytetit të Londrës. Unë mendoj se është nder si për kryetarin personalisht, ashtu edhe për qytetin e Tiranës por edhe për Shqipërinë”- tha Jonathan Bailey, përfaqësues nga Urdhëri i Perandorisë, dhënë nga Mbretëresha. “Mendoj se ceremonia ishte vërtet e shkëlqyer dhe tregon rëndësinë që ka për të dy vendet interesat që të dy vendet ndajnë sa i përket biznesit, kulturës apo fushave e mundësive të tjera, ndaj mendoj se jemi shumë krenarë të mirëpresim kryebashkiakun e Tiranës, pjesëtarin më të ri të “Qytetar i Lirë i Londrës” dhe duke shpresuar që ai të shijojë qëndrimin në Londër pasi mendoj se ka punë të tjera dhe evente të tjera sociale që e presin. Në emër të Kryetarit të Bashkisë së Londrës ne jemi shumë të kënaqur ta mirëpresim atë si “Qytetar i Lirë i Londrës”- tha Baroness Borëick – Nënkryetarja e Bashkisë së Londrës

 

Kryebashkiaku Basha

Pavarsisht këtij titulli, të një rëndësie te veçantë, Kreytari i Bashkisë Lulëzm Basha ka insistuar ta përdorë titullin si një mundësi për të tërhequr investitorët e huaj në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. “Në këtë pikëpamje, vëmendja që qyteti i Tiranës ka marrë sot përmes kësaj ceremonie është një kapital i çmuar për të drejtuar sytë e kapitalit britanik dhe në fakt kapitalit botëror që i thotë City of London, shtëpia e vet, tek Tirana, tek mundësitë që Tirana ofron, mundësitë që Shqipëria ofron për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, me potenciale të jashtëzakonshme dhe mundësi të jashtëzakonshme dhe natyrisht përmes investimeve, zhvillimit ekonomik e krijimit të vendeve të punës si një prioritet kryesor imi si kryebashkiak – Ishin fjalët e Bashës pas marrjes së titullit

Ceremonia

Dhënia e titullit të Lirisë së Londrës është një nga ceremonitë më të vjetra që i kanë mbijetuar historisë shekullore të këtij qyteti. Ky titull, i dhënë për herë të parë në vitin 1237, mbetet akoma sot një simbol i gjallë i kryeqytetit britanik.  Z. Basha ishte i ftuar nderi i darkës zyrtare të organizuar nga Lord Mayor of the City of London në pallatin historik Guildhall, ku dhe iu urua zyrtarisht mirëseardhja si “Qytetar i Lirë i Londrës”. Në këtë darkë mbajtën fjalën e tyre Mario Draghi, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane dhe Ministri britanik për Evropën David Lidington. Pjesë e axhendës së këtij evenimenti ishte edhe  koncerti ku u luajt simfonia Nr. 9 e Beethovenit në Katedralen e Shën Palit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin britanik, Kryebashkiaku Basha u prit në një takim nga drejtoresha për Evropën në Ministrinë e Jashtme si dhe nga zyrtarë  të Partisë Konservatore të Kryeministrit David  Cameron. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha morri pjesë edhe në një darkë, ku të ftuar ishin anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Parlamentit britanik.

 

Lul Basha, qytetari i pari

Violeta Murati
Askush nuk mund të mohojë se figura politike që ende nuk është gërvishur për nga kapaciteti politik është Lulzim Basha. Në këta 20 vjet profilet e rinj të politikës janë konsumuar edhe brenda 24 orëve.
Çfarë mbetet e padukshme nga daljet publike por dhe perceptimi politik është masa mbrojtëse gati e qelqte që vë përpara kryebashkiaku, si moral qytetari.
Me rezonancën e tij të brendshme me politikën, Basha është solemn dhe i besueshëm njëkohësisht. Nëse pedonalja ku shëtit në këtë pragfushate politika, të rinj e të vjetër, oshënar dhe masha të komunizmit, – pra në këtë hapësirë të ngushtë, gati lokale të kursesh imazhin është si të hidhesh me dëshirë në kosh të plehrave.
Por nga ana tjetër, ta lëshosh “fytyrën” në rrugë apo të jesh i detyruar të lash haraçet e së shkuarës është një disfatë që e paguan me projektimin e vetvetes në të ardhmen e pushtetit.
Si rasti i parë, ashtu edhë i dyti krijon humnera në këtë vend kushdo që lë pragun e shtëpisë për t’u martuar me atdheun. Pra për t’u marrë me politikë, e shndërruar jetën në një shërbëtor të popullit. Kjo shenjë biblike ende mbetet ëndrra qytetare, ajo më idealja jo vetëm për shqiparët por dhe për vende që tashmë e kanë standardin e jetës, dhe meritën e statusit të të qënit të lirë, si vetdije dhe moral qytetar.
Lulzim Basha është kryetar i bashkisë më të madhe të vendit prej dy vitesh. Shumë media, sidomos opozita, kryen ritualet kur vë në dukje diferencën mes premtimeve dhe mosrealizimeve. Është mëse normale, që gota të mos shihet gjysëm e mbushur. Por çfarë është e ç’bërë në vite, është më e vështirë në rikuperim se sa ta nisësh nga themelet. Kostoja e përditshmërisë me të cilën jetojnë qytetarët në Tiranë ka qenë e një shtëpie të ndërtuar keq në fillime. Vazhdoi me intensitetin e modelimit të keq të qytetarit, ashtu si blloqet e zaptuar të shesheve, apo pallatet geto, në qendër e periferi duke shkatërruar dhe arealin e qytetarit si identetitet arkitekturor.
Shpesh Tirana “akuzohet” nga qytetasit e vjeter se ardhja e te rinjve i ka dhënë atmosferën rurale kryeqytetit. Në fakt kjo mund të vërtetohej mjaft mirë kur rrugët qëndronin me baltë me muaj e vite, kur kazanët e plehrave tejmbusheshin e qelbej qyteti, kur ndotja ishte gati si të haje një vakt….shto dhe vetë zhulin e njerëzve si amoralë në vetdije, kjo e fundit është “lufta” më raskapitëse që duhet të sfidojë një kryetar bashkie.
Dhe sot nuk është çudi, edhe në mes të bllokut, që në ashensor të gjesh një qese plehrash që zbret vetë nga kati i 8-të e ngelet në katin 0, pa pronar.
Të ndërtosh një qytetar që të jetë i gatshëm të jetojë në kryeqytet është sfidë dhe për kryeqendrat evropiane, e jo më në Shqipëri. Ndoshta ky mund të jetë akoma si një sfidë e vështirë për t’u lexuar dhe motoja e Lulzim Bashës në fushatën për bashkinë: “Qytetari i pari”, prej shumëve e keqinterpretuar. E filluar këtu, nuk mbaron as te qytetari.
Kjo është arsyeja e heshtjes së Bashës në këto momente kur politika tronditet dhe del shpesh del jashtë binarëve në prag fushate. Të lexosh vëmendjen e kryebashkiakut është sikur të vihesh në anën e duhur të qytetit. Në rastin e Bashës “heshtja” është rezonanca e tij e brendshme për t’i lënë “luftës” së ftohtë politikës dorashkën e vullnetit pa instrumentalizuar jetën e qytetarit. Nëse kjo lëvizje e butë e Bashës pa shkaktuar dramë e trauma te njerëzit vazhdon, ai do marrë me vete edhe vite mandati, si një nga modelet më të moderuara të qytetarit, si jeta duhet të lëvize çështje zhvillimi, e kulture.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency