Kosovë, LDK insiston për kryeministrin

0
38

Kosovë, LDK insiston për kryeministrinLidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që ta çojë deri në fund kushtin e saj për të drejtuar qeverinë e re të koalicionit me PDK-në. Lideri i LDK-së Isa Mustafa tanimë nuk po kundërshtohet si kryeministër as nga lidershipi i Partisë Demokratike.  Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha pas një mbledhjeje me kryesinë se bashkëpunimi me Mustafën po ecën shumë mirë, ndërsa premtoi përmbyllje të shpejtë të marrëveshjes. Thaçi njoftoi se të dielën në mbrëmje kishte zhvilluar një takim kokë më kokë me Mustafën.  “Mund të them se gjithçka është duke shtuar sipas planit në axhendën e parashikuar. Natyrisht tani po punohet për harmonizimin e programeve, por është një lehtësi e madhe sepse që të dy partitë, edhe PDK-ja edhe LDK-ja janë parti të një orientimi që prezantojnë vlerat dhe interesat e qendrës së djathtë në Republikën e Kosovës”, deklaroi Thaçi.  Edhe pse marrëveshja finale për ndarjen e posteve udhëheqëse ende nuk ka përfunduar, në partinë e Isa Mustafës kanë përsëritur kushtin për postin e kryeministrit.  “Lidhja Demokratike e Kosovës ka vetëm një emër për kryeministër dhe ai është Isa Mustafa. Kjo është marrëveshja që është arritur në parim dhe në rast se kjo ajo prishet, atëherë LDK del në opozitë dhe PDK le të bëjë koalicion me kë të dojë”, deklaroi nënkryetari Lutfi Haziri.  Sipas marrëveshjes së arritur në parim, PDK-së dhe LDK-së do t’u takojnë nga 8 ministri, ndërsa 3 të tjera do t’u ofrohen minoriteteve. Por ndërsa partnerët e mëdhenj të koalicionit merren vesh për ndarjen e posteve kryesore, partitë e pakicave kanë nxjerrë në sipërfaqe kërkesat e tyre. Deri në arritjen e marrëveshjes finale të partnerëve të koalicionit, ende nuk dihet se kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive.