Deklarata e Kryebashkiakut të Tiranës Legalizimet, Basha: Rama premton për një vit ato që nuk i realizoi për 11 vjet

0
139

Florenc Drizari

basha“Rama ia mbathi nga Tirana nga frika e bilancit 11-vjeçar”

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, akuzoi kryesocialistin Rama se po përdor për kartë elektorale legalizimet e shtëpive, ato që, sipas tij, ish-kryetari i bashkisë së kryeqytetit nuk i realizoi për 11 vite. Duke folur në konventën e Partisë Demokratike për programin politik, kryebashkiaku Basha tha se kjo nuk është një fushatë negative kundër Ramës, por qytetarët, tha ai, nuk duhet të harrojnë bilancet e një politikani që kryesoi për më shumë se një dekadë bashkinë më të madhe në vend.

BASHA

“Dhe e vërteta është se Tirana në 11 vite humbi shumë mundësi prej modelit “Rama”. Po të kishte drejtimin e duhur, për 11 vite kryeqyteti ynë do të ishte krejt tjetër… Na thotë se ne po shtrojmë rrugë dytësore, a thua se qytetarët që nuk jetojnë në bulevard, nuk meritojnë të kenë rrugë të shtruara. Po zoti ish-kryetar i bashkisë, ne jemi zotuar dhe po bëjmë realitet ndërtimin e infrastrukturës në rrugët kryesore, dytësore dhe tretësore, sepse për mua dhe çdo banor, Tirana fillon nga pragu i derës së çdo qytetari.

Ka një javë që na flet për legalizimet. Kësaj radhe nuk po i sulmon. Thotë që do t’i bëjë për një vit. Po si mund t’i besojmë kësaj deklarate, kur për 11 vjet nuk bëri asgjë për të hipotekuar mijëra apartamente në kryeqytet? A mund të bënte diçka? Sigurisht që po, sepse vetëm në më pak se dy vjet, janë hipotekuar 7521 apartamente me përfitues 31 mijë qytetarë”, – deklaroi Basha.

PËR TAKSAT

Duke folur për premtimet e kreut të PS-së, Edi Rama, për heqjen e taksës ndaj biznesit të vogël, Lulzim Basha iu rikthye sërish kohës kur kryesocialisti drejtonte Bashkinë e Tiranës, duke thënë se ai do të mbahet mend si rritësi më i madh i taksave kundër qytetarëve.

“Ish-kryetarin të gjithë e mbajmë mend si njeriun që për 11 vjet rriti taksat në Tiranë. Dhe kur qeveria vendosi ta ndalte këtë rritje të pafre taksash, ai vuri shiritin e pushtetarit lokal dhe doli në protestë para Kryeministrisë. Natyrisht, taksat në bashki nuk i paguanin të gjithë. Edhe këtu parimi “unë dhe miqtë e mi jemi të parët” u zbatua pa gabime.

Po a mund në 11 vjet të bënte diçka nëse vërtet i interesonte mbarëvajtja e biznesit tiranas? Sigurisht që po. Në më pak se dy vjet ne ia dolëm të heqim mbi 60 taksa dhe tarifa, e bëmë Tiranën një qytet tërheqës për të nisur, menaxhuar dhe rritur biznese, të cilat sjellin më shumë vende pune, sjellin zhvillim.

Sot, më pak se dy vjet më vonë, ne kemi 4763 biznese të reja më shumë në qytetin tonë dhe 12.036 më shumë të punësuar”, – tha Lulzim Basha.

Duke folur për planin urbanistik të kryeqytetit, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, tha se për këtë u deshën gati dy vite punë nga gjithë ekspertët dhe shoqëria civile, ndërsa, sipas tij, në tri mandate, në 11 vite, Rama nuk pati kohë as 24 muaj për hartimin e këtij plani urban.

“Brenda pak javësh ne nisim projektin e bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës, si dhe stacionin multimodal të pasagjerëve. Këto vepra të mëdha do t’i japin këtij komuniteti dhe gjithë Tiranës mundësi të reja dhe të mëdha për punësim, duke krijuar mijëra vende të reja pune dhe një pol të rëndësishëm të zhvillimit në Tiranë”, – deklaroi Lulzim Basha në konventën e Partisë Demokratike të mbajtur në Pallatin e Kongreseve.

 

 

 

 

 

Astrit Patozi: Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa të integrohemi në BE

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi në hapjen e konventës së PD-së se mazhoranca ka udhëhequr me përkushtim rrugën drejt integrimit të vendit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Gjithçka fillon me rrugët. Në këto vite kemi ndërtuar dhe rindërtuar 10 mijë km rrugë. Ne i kemi lidhur këto rrugë me pika kufitare. Kemi rikonstruktuar aeroportin “Nënë Tereza”, 1 mln e gjysmë udhëtarë në vit. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 45 rrjete të furnizimit me ujë. Ne po lidhim qytetarët me internet kudo që ata jetojnë. Ne kemi siguruar kujdes shëndetësor më të mirë. Në po lidhim Shqipërinë me botën, sot me PD-në liberalizmi i vizave është bërë realitet. Jemi anëtarë krenar të NATO-s. Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa të bëhemi anëtare me të drejta të barabarta në BE. Ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do t’ia dalim së bashku. Sot do flasim për zgjidhjen mes një lideri që po kërkon ta kthejë Shqipërinë vite dhe vite pas, dhe liderin dhe koalicionin e Sali Berishës që po kërkon ta çojë Shqipërinë para, për një Shqipëri të zhvilluar”, – theksoi Patozi.

 

Bashkia e Fierit heq simbolet e partive në qendër të qytetit dhe lë ato të Dritan Priftit

Bashkia e Fierit ndërmori dje një aksion për heqjen e banderolave dhe flamujve të partive politike të vendosura pa leje në sheshin qendror “Nënë Tereza”.

Sipas Bashkisë së Fierit, vendosja e simboleve politike në sheshet kryesore publike bëhet vetëm gjatë mitingjeve dhe më pas ato hiqen përsëri. Gjatë ditës së djeshme, Policia Bashkiake hoqi dekoret e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Ndërkaq, përfaqësues të shtabit elektoral të PD-së në Fier pretenduan se ka pasur një marrëveshje më bashkinë për vendosjen e tyre, gjë që u hodh poshtë nga kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqo. Gjatë heqjes së simboleve të dy partive kryesore nuk pati incidente. Ndërkohë, në dalje të sheshit mbetet vetëm banderola e Dritan Priftit, pasi për bashkinë nuk përbën shkelje, pasi nuk është në vend publik.

 

 

Olldashi: Rruga është zhvillim, Rama të rrijë në autobus

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, duke folur në konventën zgjedhore të Partisë Demokratike, tha se gjatë këtyre 8 viteve, janë ndërtuar 10 mijë km rrugë, ndryshe nga sa pretendon kryesocialisti Edi Rama. Sipas tij, sot duhen vetëm 3 orë për të shkuar në skajin më jugor të vendit, 3 orë për të shkuar në Valbonë, 2 orë e gjysmë për të pirë kafe në Prishtinë, ndërkohë që për pak javë, për 25 minuta do të shkohet në Elbasan.

“Të gjithë e dinë që PD ka ndërtuar më shumë rrugë, 10 mijë km rrugë, që lidhin komunat, fshatrat, qytetet. Ne ndërtojmë rrugë, sepse e dimë se rrugët janë damarët ku kalon zhvillimi ekonomik i vendit. Rrugët dhe zhvillimi janë e njëjta gjë. Ka ca të tjerë që kanë humbur rrugën, janë në autobus. Janë duke dremitur në autobus. Nuk na duhet. Sot në Kukës shkohet për 90 minuta dhe për 2 orë 30 minuta shkon pi kafe në Prishtinë. Në këtë rrugë kalon dhe Edi Kokëdhima, por nuk e sheh”, – tha Olldashi.

 

Ministri i Shëndetësisë: Numër pa pagesë 080089111 për të gjithë qytetarët

Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, gjatë fjalës së mbajtur në konventën e djeshme të PD-së, premtoi rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor në vend. Për këtë ministri Kosova publikoi edhe një numër pa pagesë për të qenë më afër qytetarëve në shërbimet shëndetësore. Sikurse deklaroi ai, 51 milionë euro janë investuar vetëm për aparatura, ndërkohë që 84 milionë dollarë shkojnë nga shteti për rimbursimin e ilaçeve. “Populli ynë meriton të bëjmë më tepër për të. Sistemi shëndetësor ka pësuar më shumë ndryshime. Rreth 50 mijë euro janë investuar në këtë sistem. Është instaluar sistemi i telemedicinës. Nuk duhet harruar ajo që qeveria investon 84 milionë për ilaçin kundër kancerit. Kriteret për punën tonë, vërejtjet e pacientëve. Një numër pa pagesë 080089111, për të qenë sa më afër qytetarit aty ku ndodhet. Në 52 ditë në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë së bashku me stafin tim kemi arritur të vendosim pacientin në qendër të sistemit tonë shëndetësor”, – tha ministri.

 

Bode: Rama, rritës serial taksash

“Shqipëria ia doli të mos binte në recension”, – tha dje ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë konventës së PD-së. “Kjo, – tha Bode, – është arritur falë programit qeverisës në këto 8 vite. Ulëm 2.5 herë taksën e kompanive, 2.3 herë taksën mbi dividendin, përgjysmuam taksën e punës dhe taksën e bizneseve të vogla. Ulëm në 1 euro tarifat për shërbimin dhe regjistrimin e biznesit. Investimet e huaja, – shtoi Bode, – nuk u ulën, janë 2 herë më të larta se vendet e rajonit dhe seç kanë qenë në kohën e qeverisjes së mëparshme”. Po kështu, shtoi ministri i Financave, janë rritur eksportet. “Është ulur papunësia, përtej zhvillimeve dramatike në rajon apo vendet e tjera evropiane”, – theksoi Bode.

Ministri Bode akuzoi Ramën dhe programin e “Rilindjes”, duke e quajtur kreun e PS-së si taksoman dhe rritës serial të taksave. “Vendi ka nevojë për më shumë punë, ndërsa ai premton rritje progresive të taksave. Vendi kërkon më shumë investime, mirëqenie, por ai sërish e ka zgjidhjen, rritje progresive e taksave. Por sa do t’i rrisë nuk dihet, atë e di vetëm Rama dhe Koçoja”, – tha Bode.

“Ne, – theksoi ai, – nuk jemi dakord me një gjë të tillë. Kjo nuk është çështje programesh, por çështja themelore e zhvillimit të vendit. Dhe ne nuk rreshtim së denoncuari këtë tentativë të Edi Ramës për të shkatërruar zemrën e zhvillimit tonë ekonomik, që është biznesi”.

 

Florion Mima: Investimet në infrastrukturë dhe energji do të vazhdojnë

“Partia Demokratike dhe Sali Berisha gjithmonë kanë punuar për Shqipërinë dhe hapjen e portave me botën”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Florion Mima. Sipas tij, mazhoranca në këto vite të qeverisjes së saj investoi në porte, aeroporte, rrugë dhe pika doganore, duke sjellë një zhvillim ekonomik për Shqipërinë. “Produktet lëvizin më shpejt. Portat e hapura me botën sjellin vetëm zhvillim. Sot eksportet shqiptare janë në rritje me 30 për qind nga viti në vit. Bizneset shqiptare eksportojnë më shumë nga porti i Durrësit. Emigrantët dhe turistët marrin një shërbim evropian. Ne ndërtuam doganën e re në Tiranë, për të ulur kosto dhe rritur cilësinë. Ne kemi ndërtuar pika të reja kufitare me Kosovën etj. Ne i kemi parë zhvillimet, i kemi prekur ato”, – deklaroi z. Mima gjatë fjalës së tij të mbajtur në konventën e Partisë Demokratike për programin politik të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit 2013.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency