Dyshonte se i ngacmonte gruan i sëmuri merr peng 25-vjeçarin

0
180

 Elton Qyno

policia-tirane-1Ngjarja në Pogradec, 34-vjeçari e goditi dhe e mbylli në garazh bashkëfshatarin e tij

Policia: K. M. do të ndiqet në gjendje të lirë, vuan nga sëmundje mendore dhe depresive

 

I sëmuri mendor mban peng një bashkëfshatarin e tij, tek i cili kishte dyshime se i ngacmonte gruan. Nga ana e policisë rajonale të Korçës, janë vlerësuar si veprime prej një personi që vuan nga shqetësime mendore ato të 34-vjeçarit me inicialet K. M. nga fshati Bezmisht i Pogradecit, kur ka plagosur dhe mbajtur në gjendje pengu një bashkëfshatarin e vet. Policia tha se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë pasi konsiderohet i sëmurë mendërisht, për 34-vjeçarin, i cili është shoqëruar në komisariatin e Pogradecit në orët e mbrëmjes të ditës së diel dhe akuzohet për plagosje të lehtë me dashje dhe heqje të pa drejtë të lirisë. “Ditën e diel në orët e vona të mbrëmjes, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit K. M. nga fshati Bezmisht i rrethit të Pogradecit, pasi ka goditur dhe më pas e ka mbajtur të mbyllur në garazhin e makinës së tij bashkëfshatarin e vet me inicialet I. Ç., 25 vjeç”, – ka bërë të ditur policia rajonale e Korçës. Policia që i referohet hetimeve për ngjarjen tha se 34-vjeçari vuan nga sëmundje mendore, e ndërkaq dyshon se bashkëfshatari i tij në moshë më të re i ngacmon gruan. Mbi këto dyshime ka ndodhur plagosja e 25-vjeçarit dhe mbajtja peng e tij në garazhin e makinës, derisa vetë autori ka vendosur ta lirojë.

Historia intime

25-vjeçari është parë kohët e fundit të hyjë dhe të dalë shpesh nga banesa e fqinjit të tij. Mirëpo këto hyrje-dalje janë interpretuar ndryshe nga 34-vjeçari, i cili ka menduar të hakmerret ndaj komshiut të tij. Nisur nga kjo situatë, gjatë orëve të mbrëmjes së të Dielës, 34-vjeçari e ka thirrur 25-vjeçarin, duke i kërkuar ndihmë për një defekt që kishte në makinë, të cilën e kishte futur në garazhin e shtëpisë. Sapo i riu është gjendur në ambientet e garazhit, 34-vjeçari e ka qëlluar me një send të fortë disa herë duke e lënë të plagosur lehtë. Nisur nga kjo situatë, situatë personi që konsiderohet si i sëmurë mendor ka mbyllur derën e garazhit dhe e ka mbajtur për disa minuta të mbyllur në të. 34-vjeçari gjatë kësaj, kohe i ka kërkuar të riut që të hiqte dore nga lidhja intime që kishte krijuar me bashkëshorten e tij, por siç ka pohuar 25-vjeçari në polici, ai nuk e ka kuptuar se për çfarë ishte duke folur fqinji i tij. Pasi disa minuta dhe me fjalën se nuk do t’ia shqetësonte gruan, 25-vjeçari është lënë i liri dhe se pas kësaj ai i është drejtuar komisariatit të Pogradecit ku dhe ka bërë denoncimin për plagosjen e lehtë dhe heqjes së paligjshme të lirisë së tij. Pas kallëzimit, policia ka shkuar në banesën e 34-vjeçarit të dyshuar si autor i krimit dhe ka shoqëruar atë në ambientet e komisariatit. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka shfaqur probleme të theksuara mendore dhe për pasojë është vendosur që hetimi i këtij shtetasi të zhvillohet në gjendje të lirë, për dy akuzat e sipërcituara. Ndërkohë që pas marrjes së denoncimit është transportuar për në spitalin rajonal të Pogradecit, shtetasi i dëmtuar, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është rikthyer sërish në banesën e tij.

Hetimet e policisë

Për të zbardhur rrethanat e këtij krimi, policia e Pogradecit nuk është mjaftuar vetëm me deklaratat e dy personave, protagonistë të ngjarjes. Në ambientet e policisë, është shoqëruar dhe bashkëshortja e autorit të krimit e cila ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me të riut e dëmtuar, të cilin e njeh për shkak se janë komshinj dhe se shkëmbehen çdo ditë në rrugë. Gruaja në polici ka pohuar se bashkëshorti i saj e ka qëlluar 25-vjeçarin, si pasojë e tronditjes së tij psikike dhe si rezultat i xhelozisë që ka pasur ndaj tij. Pavarësisht kësaj, oficerët e policisë, kanë vendosur të sekuestrojnë dy aparatet telefonike të gruas dhe të personit të dëmtuar për të mësuar nëse ndaj tyre ka pasur komunikim të fshehtë ose jo. Hetuesit i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare edhe kompanive telefonike, për të hedhur dritë lidhur me tabulatet telefonike të dy numrave. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, aktualisht materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Korçës, për hetimin e mëtejshëm të kësaj ngjarjeje.

 

Kartela

Kartela mjekësore dhe dëshmia e tij kontradiktore ka bërë që policia të mësojë se 34-vjeçari vuan nga çrregullime mendore. Në këto kushte, është urdhëruar menjëherë lirimi i tij, duke mos u mbajtur i izoluar në dhomat e izolimit, për shkak të frikës se 34-vjeçari mund të merrte ndonjë veprim për vetëvrasje. Për të shmangur çdo incident, policia ka vendosur ta hetojë atë në gjendje të lirë.

 

Shkatërrohet segmenti që lidh fabrikën e çimentos

Elbasan, vidhen 2 km shinat e hekurudhës

Drejtoria, inekzistente për ta parandaluar

 

Grabitësit e skrapit, por edhe jo vetëm, tashmë i kanë kthyer sytë nga hekurudha Shqiptare, ku vetëm gjatë kësaj periudhe janë vjedhur disa kilometra shina, dhe pjesët përbërëse prej çeliku të hekurudhës në zonën e Elbasanit. Mësohet se vjedhja është kryer nga disa persona, të cilët pasi i presin me troku gjatë orëve të natës i ngarkojë ato në kamionë dhe po gjatë natës i transportojnë në drejtim të Kombinatit Metalurgjik, ku i shesin për shkrirje. Por veç këtyre hajdutëve, nga ata që shinat e trenit, i marrin duke i përdorur në banesat e tyre për qëllime të ndryshme. Pjesa ku hekurudha është dëmtuar më tepër është ajo e segmentit hekurudhor që lidh stacionin e hekurudhës Elbasan me atë të fabrikës së çimentos. Ky segment prej vitesh nuk përdoret nga hekurudha dhe për pasojë është kthyer në një vend të dobishëm për grabitësit. Bëhet fjalë për 3.5 km ku në vetëm në katër muaj në këtë segment janë vjedhur për skrap nga persona të papërgjegjshëm afro 2 km shinë hekurudhore. Ndër vite, kjo linjë hekurudhore është përdorur për transportin e mallrave dhe të punonjësve të fabrikës por tashmë ky segment është katandisur në gjendje të mjeruar. Biznesi i skrapit vazhdon të mos kursejë as shinat e hekurudhës shqiptare, ku në shumicën e rasteve janë shina, të cilat janë funksionale ato që vihen në qendër të hajdutëve të hekurit. Në pjesën më të madhe të rasteve, ku shinat janë vjedhur për skrap, kanë qenë vetë banorët e zonave përreth grabitësit e tyre. Situata ka ardhur duke u rënduar gjatë muajve të fundit, ku vjedhjet kanë qenë më masive. Drejtori i mirëmbajtjes së hekurudhës në Elbasanit, Petrit Tola, është shprehur se, “situata paraqitet problematike në shumë zona të hekurudhës ku, drejtoria e Elbasanit duhet të mbulojë një sipërfaqe shumë të madhe me hekurudhë nga Rrogozhina deri në Pogradec”. Më tej, Tola ka theksuar se “për shkak të fenomenit të vjedhjes së shinave, ne si drejtori, për të gjitha rastet kemi plotësuar proces-verbalet e nevojshme dhe janë bërë kallëzimet pranë policisë së Elbasanit, di që ka pasur edhe arrestime”.

 

 

 

47-vjeçari: Do t’ua tregtonte të moshuarve

Athinë, pranga shqiptarit, hyri

në farmaci dhe vodhi Viagra

 

Një shtetas shqiptar nga Tirana është arrestuar orët e para të ditës së djeshme, pasi ka shpërthyer një farmaci në një zonë të Athinës, Halandri. Shqiptari nuk e ka kuptuar që ka aktivizuar sistemin e fshehtë të alarmit dhe në këtë mënyrë është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje pas pak minutash. Shtetasi shqiptar i moshës 47-vjeçare është arrestuar menjëherë pa rezistencë. Nga kontrolli që iu bë i janë gjetur plot 16 kuti me Viagra, të cilat i kishte grabitur nga farmacia. Shtetasi shqiptar, i cili është pronar i një kafeneje tradicionale në Agia Paraskevi të Athinës, pyetjes së policëve se përse vodhi vetëm Viagra i është përgjigjur me sinqeritet çarmatosës, se donte t’ua tregtonte pleqve dhe pensionistëve, që ishin klientë të kafenesë së tij dhe që nuk kryenin dot fiziologjikisht aktin e dashurisë, thuhet në portalin e internetit “news.gr”. Shtetasi shqiptar me inicialet L. M. do të çohet përpara prokurorit, i cili do të ngrejë akuzën ndaj tij. Pritet që në ditët në vijim ai të dalë para gjykatës së Athinës për të mësuar masën e sigurisë që do të kërkojë prokurori.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency