Bankat sekuestrojnë paratë e dy kandidatëve për deputetë

0
173

Elton Qyno

spartak ngjelaGjok Uldedaj dhe Spartak Ngjela nuk paguan dot këstet mujore, Përmbarimi fillon procedurat

 

Dy kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit u sekuestrohen lekët nga dy banka të nivelit të dytë. Bëhet fjala për Gjok Ulededajn që aktualisht është deputet i Partisë Demokratike dhe që rikandidon sërish në zonën e Bushatit në Shkodër si dhe Spartak Ngjelën që kandidon në qarkun e Tiranës, me Partinë Ligj dhe Drejtësi, të cilën ai e drejton vetë. Vendimi për sekuestrimin e lekëve të personazheve të njohur është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila me kërkesë të bankave respektive kanë vendosur të sekuestrojnë lekët. Argumenti për sekuestrimin e shumave të parave ka qenë mospagesa e kredisë dhe për pasojë, bankat kanë filluar procedurat ligjore për ngrirjen e të hollave, duke aktivizuar kështu Gjykatën e Tiranës, ku kanë nxjerrë urdhrin e ekzekutimit dhe më pas Përmbarimin. Sipas kërkesës së bankës, deputeti Gjok Uldedaj nuk ka respektuar kushtet e kontratës, duke mos paguar 17 mijë e 700 euro, ndërkohë që për sa i përket kandidatit për deputet të Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, ky i fundit ka marrë një kredi me shumën 20 milionë lekë të vjetra dhe nuk ka qenë në gjendje të paguajë edhe rreth 5 milionë lekë. Për pasojë, banka ka vendosur të marrë masat e saj administrative, me qëllim sekuestrimin e shumave të parave.

Vendimi për Uldedajn

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjok Uldedaj, ka marrë një kredi prej 42 mijë eurosh. Një shumë e tillë financiare është marrë nëpërmjet një marrëveshjeje mes tij dhe bankës që ka lëshuar paratë. Për disa kohë, deputeti ka qenë korrekt në dhënien e lekëve, por më pas derdhjet e tij në llogarinë bankare duket se kanë mundur. Gjatë gjykimit, kërkuesi pretendoi se kredimarrësi është në vonesë në shlyerjen e kredisë, pavarësisht njoftimit të bërë, çka, sipas tij, legjitimon dhe zgjidhjen e njëanshme të kontratës. Po ashtu, parashtron kërkuesi, vlera totale e detyrimit deri më datë 10.5.2013, është 17,774.84 euro. Duke e cilësuar titull ekzekutiv kontratën e sipërcituar, kërkuesi kërkon lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për kontratën në fjalë. Nga aktet në dosje, duke analizuar subjektet e kontratës objekt gjykimi, objektin si dhe të drejtat që burojnë prej saj, gjykata konkludoi se ndodhet para një kontrate kredie bankare, çka do të thotë se dhe në kuptim të dispozitave procedurale të sipërcituara ajo përbën titull ekzekutiv dhe si e tillë duhet t’i nënshtrohet ekzekutimit të detyrueshëm mbi bazën e urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga gjykata.

Vendimi për Ngjelën

Politikani Spartak Ngjela ka marrë një kredi prej 20 milionë lekë të vjetra, por që në periudhën e fundit nuk ka paguar këstet mujore. Nga ana e saj, banka që ka lëshuar kredinë ka njoftuar disa herë me radhë Ngjelën për të paguar këstet mujore, duke shlyer kështu sasinë e lekëve prej rreth 5 milionë. Mirëpo nga ana tjetër, Ngjela nuk ka bërë asnjë derdhje në llogari dhe për pasojë banka i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit, me qëllim sekuestrimin e shumës financiare prej rreth 5 milionë lekë që nuk është paguar nga ana e avokatit Spartak Ngjela. Mësohet se ky i fundit do ta apelojë vendimin e dhënë nga gjyqtarja Manjola Bejleri, duke dhënë argumentet e tij në Gjykatën e Apelit.

Kriza

Kriza ekonomike ka ndikuar në mospagimin e kësteve tek kredimarrësit. Shumë persona që u janë drejtuar bankave, duket se janë dorëzuar, pasi nuk kanë të ardhura për dhënien e kësteve mujore, duke i shtyre ato në mënyrë të vazhdueshme, derisa i vjen moment për sekuestrimin e pasurive të tyre nga ana e bankës ku kanë marrë kredinë.

 

 

Bllokohet drogë

Fier – Durrës, kapen 170 kg marijuanë

Policia e Durrësit ka bërë sekuestrimin e një sasie prej 50 kg droge të llojit kanabis, ndërsa është arrestuar një 36-vjeçar. Sipas burimeve policore, droga është kapur gjatë kontrollit që po i bëhej një automjeti tip “Mercedes-Benz”. Ajo ishte e fshehur në pjesën e bagazhit si dhe në gomën rezervë. Blutë e qytetit bregdetar kanë ndaluar 36-vjeçarin nga Fieri, Pandeli Mara, i cili ishte nisur drejt Italisë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe po punohet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në trafik. Ndërkohë po ditën e djeshme është bërë edhe sekuestrimi i një sasie prej 120 kg drogë po të llojit kanabis në fshatin Rreth Libofshë të Fierit. Nëpërmjet një deklarate për mediat policia shprehet se në mënyrë operative kanë ardhur informacione se në një gropë ndodheshin disa çanta me lëndë narkotike. Më pas është zbuluar se u gjetën katër çanta, me 120 kg hashash në total. Policia bën me dije se janë zbuluar poseduesit e saj, por për arsye hetimore nuk bëhen publikë. Po punohet për kapjen e tyre.

 

Vlorë – Sarandë

Bllokohet rruga nga shembja e gurëve

Për rreth dy orësh, qarkullimi në aksin rrugor që lidh qytetin e Vlorës me Sarandën u bllokua si pasojë e rrëzimit të një masivi shkëmbor Sipas dëshmitarëve, në vendin e quajtur Kalaja, për rreth 2 minuta gurë nga masivi shkëmbor kanë rënë duke bllokuar zonën dhe qarkullimin mbi rrugën që lidh qytetin e Sarandës dhe atë të Vlorës. Për fat të mirë nuk ka pasur lëndime në njerëz apo dëmtime të automjeteve që kanë kaluar aty në atë momente. Menjëherë ka ndërhyrë edhe firma e cila po punon në këtë segment për të pastruar rrugën dhe për të rifilluar lëvizja e automjeteve. Sipas banorëve, ky masiv gurësh ishte ndërtuar përpara pak kohësh për të mbajtur nga rënia pjesën e kodrës që ndodhet aty pranë. Por për shkak të rrëshqitjes së dheut është shembur mbi rrugë dhe vetë masivi i gurëve që ishte vendosur pikërisht për të parandaluar rënien e dherave në rrugë.

 

Zjarret në vend

Ministria përdor dy helikopterët francezë

Një verë e nxehtë jo vetëm prej temperaturave, por edhe prej zjarreve që përfshijnë pyjet dhe kullotat në vend. Zjarre në zona të thella, të pamundura për t’u shuar nga zjarrfikëset, për shkak të mungesës së mjeteve për ndërhyrje nga ajri. Kovat për shuarjen e zjarrit nga ajri dhe mekanizmi i tyre janë të adoptueshëm për helikopterët në përdorim të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe kapacitet e helikopterëve të fuqishëm “Cougar” dhe “AB 205”. Vetëm vitin e kaluar Ministria e Brendshme mori me qera 2 avionë nga Mali i Zi, 2 avionë nga Italia, një avion dhe një helikopter nga Turqia dhe një helikopter nga Sllovenia për operacionet nga ajri për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarreve. Kostoja është e konsiderueshme por edhe vonesat në marrjen e autorizimit, mbërritjen e mjeteve të ajrit nga vendet e tjera dhe mungesa e njohjes së terrenit nga pilotët ndikojnë në shuarjen e zjarreve. Dhe më mirë se çdokush e dinë zjarrfikësit se sa e rëndësishme është ndërhyrja në kohën dhe vendin e duhur për moslejimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e vatrave.

 

17-vjeçari arrestohet nga policia, në kërkim vëllai i tij

E përjashtuam nga shkolla, adoleshenti

bashkë me vëllain kanos me thikë drejtorin

Një adoleshent kërcënon me thikë drejtorin e shkollës, pas përjashtimit. B. M., 17 vjeç, nga Xhafzotaj i Durrësit, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, që është shpallur në kërkim, Gerald Muja, kanë goditur dhe kanosur me thikë drejtorin e shkollës së mesme të Shijakut, “16 Shtatori”. Nga hetimet paraprake të kryera lidhur me rastin rezultoi se rreth orës 08:00, këshilli pedagogjik i kësaj shkolle kishte marrë vendim unanim për përjashtimin nga shkolla përgjithmonë të nxënësit me inicialet B. M., për shkak të sjelljeve jo të hijshme kundrejt drejtorit të shkollës”, – thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit. Uniformat blu të këtij qarku thanë se kallëzimi është bërë nga drejtori i shkollës “16 Shtatori”, i cili ka vënë në dijeni komisariatin e Durrësit se është kërcënuar me thikë nga dy persona, të cilët janë vëllezër njëri me tjetrin. Kërcënimi i tyre është shoqëruar dhe me disa goditje, por jo me thikë, gjë e cila bëri që drejtori i shkollës t’i drejtohej policisë. Ai ka pohuar se një veprim i tillë kishte ndodhur, pasi javën e shkuar drejtori kishte propozuar largimin nga shkolla të një 17-vjeçari, për shkak se kishte sjellje tepër të ulët në ambientet e shkollës. Sikur të mos mjaftonin vetëm, sharjet, keqtrajtimet dhe ofendimet ndaj nxënësve, 17-vjeçari kohët e fundit ishte kthyer problematik edhe për mësuesit. Nisur nga kjo situatë, pas disa ditë konsultimesh në këshillin pedagogjik është vendosur largimi nga shkolla i nxënësit, vendim ky që shkaktoi irritimin e adoleshentit, i cili së bashku me vëllain ka kanosur me thikë drejtorin e shkollës ku studionte. Për këtë veprim aktualisht 17-vjeçari është arrestuar nga policia, ndërkohë që në kërkim është vëllai tjetër i tij, shtetasi Gerald Muja.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency