Vendimi Aplikoi në emër të dy personave për pasaportë biometrike, dënohet me 2 vjet burg kosovari

0
190

Sonja Caka

pasaportI pandehuri Dëfrim Prekaj, nga Peja, tentoi të përfitonte dokument të dytë biometrik në emër të një shtetasi nga Tropoja. Kompania bllokoi aplikimin, gjurmët nuk përputheshin

 

Dy vjet burg do t’i duhet të vuajë një 25-vjeçari nga Peja e Kosovës, pasi akuzohet për falsifikim të dokumenteve dhe përfitim të të paktën një pasaporte biometrike në emër të një të riu nga Tropoja. Falsifikimi është konstatuar gjatë tentativës për aplikim të dytë për pasaportë biometrike në emër të një tjetër banori të Tropojës, ndërsa të dy rastet janë denoncuar ndërsa investigohej mbi përputhshmërinë e gjurmëve të gishtave. Hetimi zbuloi se Dëfrim Prekaj kishte aplikuar më parë dhe kishte përfituar pasaportë biometrike në emër të shtetasit Elidon Çokaj, ndërkohë që ishte ndaluar në portin e Durrësit gjatë tentativës për të kaluar me dokument të falsifikuar zviceran. Më pas, u zbulua se ky person nuk ishte as Çokaj dhe Kojeli, por bëhej fjalë për 25-vjeçarin kosovar Dëfrim Prekaj, nga Peja. Pas hetimit gjyqësor, gjykata vendosi ta shpallë fajtor dhe ta dënoje me 2 vite burg 25-vjeçarin, vendim i cili është dhënë në mungesë.

Akuza

Akuza e kryeqytetit ka paraqitur para gjykatës çështjen për gjykim në ngarkim të 25-vjeçarit Dëfrim Prekaj, me banim në Kosovë. I riu me të njëjtën moshë nga Tropoja, Bruno Kojeli është paraqitur pranë qendrës së aplikimit  për karta identiteti në Komunën Tropojë ku ka aplikuar për kartë identiteti në emër të tij, por që për arsye objektive nuk është pajisur me të, duke riaplikuar sërish dhe ka përfituar kartën e identitetit. Më pas, ky i ri ka aplikuar në Tiranë për pasaportë biometrike dhe e ka përfituar atë, pas verifikimeve të kryera nga kompania “Aleat”. Ndërkohë që, në datën 25.04.2011 në Qendrën e Aplikimit Tirana 11, i pandehuri Dëfrim Prekaj është paraqitur dhe ka aplikuar për pasaportë biometrike me të dhënat e shtetasit Bruno Kojeli, por që nuk është pajisur me këtë dokument. Ai ka nënshkruar formularin e aplikimit dhe është fotografuar duke i marrë gjurmët e gishtërinjve. Duke qenë se gjurmët e gishtërinjve kanë qenë të ndryshme me dy rastet e aplikimit të mëparshëm, por në identitet të njëjtë, nga ana e kompanisë ortave Aleat menjëherë pas këtij konstatimi është paraqitur raporti investigues përkatës në Prokurorinë e Tiranës. Nga hetimi ka rezultuar se gjurmët e aplikuesit të dytë në emër të Kojelit përputheshin me ato të skanuara në portin e Durrësit, në emër të shtetasit Dëfrim Prekaj. Akuza që u ngrit ndaj të riut nga Peja është ajo e “Falsifikimit të pasaportave, letërnjoftimeve”. Ndërkohë që, një vit më parë ka rezultuar se edhe shtetasi Elidon Çokaj, me banim në Tropojë ka bërë kallëzim penal, pasi ai ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportë biometrike në muajin shkurt të vitit 2012, por ajo nuk është prodhuar. Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi Elidon Çokaj është pajisur më përpara me pasaportë biometrike me nr. BJ8885683 sipas aplikimit të bërë në datën 4.5.2011 në Njësinë Bashkiake nr. 10 Tiranë, por fotografia nuk përputhet me kallëzuesin, me pasaportën e vjetër të tij dhe me aplikimin e bërë në muajin shkurt të vitit 2012. Nga verifikimi i bërë në sistemin TIMS rezulton se pasaporta biometrike është për të hyrë në kufirin shqiptar, në datën 22.05.2011. Nisur nga të dhënat e mësipërme, organi hetimor ngriti dyshimet se kjo pasaportë është prodhuar për ndonjë person me shtetësi të ndryshme nga ajo shqiptare, kryesisht kosovare me qëllim për ta përdorur atë, jashtë kufirit shqiptar, në vendet e Bashkimit Europian. Nga ekspertimi rezultoi se pasaporta është prodhuar në emrin e Elidon Çokaj për 25-vjeçarin kosovar Dëfrim Prekaj.

 

Gjyqi

Lirimi i Xhakes, rrëzohen kërkesat për pavlefshmëri të gjyqtarit Tabaku

Gjyqtari Bujar Krasniqi ka rrëzuar dje kërkesat e të pandehurit Neritan Tabaku, ish-gjyqtar i Gjykatës së Durrësit, i cili kërkonte pavlefshmëri absolute të të gjitha akteve të paraqitura në gjykatë, që nga momenti i regjistrimit të procedimit penal në Prokurori dhe deri në mbërritjen e çështjes në gjykatë. Sipas prokurorit dhe vetë gjykatës, kërkesa e të pandehurit është e pabazuar në ligj. Më pas, gjykata ia ka dhënë fjalën avokatit për të vijuar me kërkesat e tjera dhe nëse nuk kishte, t’i jepej fjala prokurorit Juljan Zonja për të lexuar kërkesën për gjykim. Por, avokati i Tabakut i kërkoi gjykatës ta shtynte seancën pasi nuk ishin të përgatitur për rrëzimin e kërkesës nga gjykata, kërkesë kjo që u mor me shumë rezerva nga gjyqtari Krasniqi, i cili i ka bërë një apel palës mbrojtëse pas se ta shtynte gjyqin. “Shoh një tendencë nga ana e mbrojtjes për të shtyrë këtë gjyq, duke shkaktuar zvarritje. Po ju paralajmëroj se kjo është seanca e fundit që shtyhet dhe se në vijimësi mund të merret vendim që gjyqi që zhvillohet çdo ditë ose çdo javë. Nuk di lejohen më shtyrje” përfundoi gjyqtari Krasniqi. Para se gjykata të rrëzonte kërkesën e të pandehurit për pavlefshmëri të gjithë akteve, prokurori Zonja paraqiti gjithë argumentet ligjore përse duheshin rrëzuar kërkesat e të pandehurit dhe avokatit të tij për pavlefshmëri absolute të çdo akti të paraqitur në gjykatë. Këto kërkesa të mbrojtjes vijnë pas tentativave për të përjashtuar fillimisht gjyqtarin e çështjes nga gjykimi, me argumentin se vajza e tij punonte në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo kërkesë u rrëzua dhe tashmë gjykimit i është hapur rruga për të vijuar normalisht, por që deri tani ka vijuar me shtyrje apo kërkesa për pavlefshmëri aktesh. I pandehuri Tabaku akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi për 9 muaj nuk zbardhi vendimin e pafajësisë për Ilir Xhaken, ky i fundit i akuzuar për vrasje. Gjatë inspektimeve rezultoi se kjo dosje nuk ishte e vetmja, pasi rezultoi të ishin edhe një numër i konsiderueshëm dosjesh të tjera. Rezultati i inspektimit bëri që KLD të shkarkonte gjyqtarin nga funksioni, duke i lënë rrugë të lirë Prokurorisë për hetime ndaj tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency