Fier dhe Gjirokastër Rama: Drejtorët e PD-së, në gjyq

0
189

Gëzim Saliu

rama

Të gjithë drejtorët demokratë që bëjnë presion mbi nëpunësit me votë, do të përfundojnë në gjyq. Kështu ka deklaruar dje nga Fieri, në prezantimin e kandidatëve për deputet në këtë qark, kreu i PS-së, Edi Rama, duke premtuar se socialistët do të bëjnë aq sa është nuk bërë për 20 vite radhazi. “Do më lejoni që në këtë tribunë t’u them dy fjalë njerëzve të zakonshëm demokratë, jo atyre drejtorëve që pas 23 qershorit i pret gjyqi i publikut. Të gjithë drejtorët demokratë që bëjnë presion mbi nëpunësit me votë, do të përfundojnë në gjyq, për të dhënë llogari për presionet e tyre. Pas 23 qershorit shteti do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e gjithë shqiptarëve. Unë e di fare mirë se çfarë do t’i thotë Fieri Saliut më 23 qershor”, – tha kryesocialisti. Ai ftoi votuesit fierakë të votojnë për “Rilindjen”, e cila, sipas tij, do të çlirojë rrogëtarët nga taksa mbytëse e sheshtë, duke vendosur një sistem taksimi më të ndershëm. “Shqiptarët me votën e tyre do të çlirohen nga pesha mbytëse e taksës së sheshtë dhe do të përfitojnë nga sistemi i taksimit të ndershëm. Çdo qytet që ka një lumë është i bekuar, çdo lumë është një bekim, vetëm në Shqipëri nën qeverinë e Saliut, lumenjtë nga bekimi i Zotit shndërrohen në mallkim. Ne do të kthejmë lumin e këtij qyteti në bekim për këtë qytet. Pas 23 qershorit, do t’i kthejmë ujërat e vendit në bekim për fshatin. Nuk do e lëmë më fshatin që të thahet. Me ne fshatarët do të fitojnë atë që u është mohuar në këto vite, shtetin në krah”, – deklaroi Rama. Në fund, kreu socialist e ka mbyllur fjalën e tij nga qyteti i Fierit me premtimin: “Ne e dimë se ça do bëjë Fieri në 23 qershor, por edhe ju duhet ta dini që ne do të bëjmë për Fierin atë që nuk është bërë kurrë”.

 

Takimi në Gjirokastër

Para Fierit, kreu socialist prezantoi kandidatët e PS-së për deputetë në qarkun e Gjirokastrës, ku premtoi se koalicioni i majtë do të marrë katër mandate. Rama u shpreh i bindur se populli i Gjirokastrës me votën e tij ka për t’i dhënë përgjigjen e merituar Kryeministrit dhe Partisë Demokratike. “Nuk e di me çfarë kuraje do t’i flasë Berisha popullit të Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt. Popull që jeton i izoluar, për shkak të mungesës së rrugës, në varfëri dhe papunësi. Popull që jeton me shpresën e “Rilindjes”. Por unë e di se çfarë do t’i thotë ky popull Berishës dhe shpurës së tij. Unë e di dhe jam i bindur që në 23 qershor me votën e tij do t’i japë një ndëshkim historik, duke çuar në Parlament katër deputetë të Partisë Socialiste dhe të Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, – tha kreu i PS-së. Duke deklaruar se drejtorët po bëjnë presion ndaj 18-vjeçarëve dhe mësuesve për të mos dalë në mitingjet e Partisë Socialiste, kryesocialisti tha se nuk do të ketë kurrë një qeveri që përdor shtetin për interesat e pushtetit. “Nuk e di çdo ju thotë Saliu tregtarëve të vegjël që janë në prag të falimentimit, por di çdo t’i thonë ata Saliut më 23 qershor, ata me votën e tyre do heqin taksën e biznesit të vogël, do ulin tatimfitimin dhe do krijojnë kushte për zhvillimin e biznesit të tyre. Mësuesve, mjekëve, infermierëve do ju thotë se ju ka dyfishuar rrogat, por ata me votën e tyre do ju thonë se dyfishimi i rrogave është shoqëruar me dyfishimin e çmimeve të papërballueshme edhe ata do ta ndëshkojnë me votë”, – u shpreh kreu socialist Rama.

 

Lista e kandidateve për deputetë e PS-së për qarkun Fier

1-Gramoz Ruçi

2-Erion Braçe

3-Eglantina Gjermeni

4-Ilirjan Celibashi

5-Armando Subashi

6-Arben Çuko

7-Pirro Lutaj

8-Majlinda Bufi

9-Ervin Koçi

10-Anduel Xhindi

 

Lista e kandidateve për deputetë e PS-së për qarkun Gjirokastër

1. Arben Ahmetaj

2. Erion Veliaj

3. Anastas Angjeli

4. Vladimir Kosta

5. Dashamir Kamberi

 

 

 

Rrëfehet Rama

“Fëmijëria ime në Vlorë, pse sot emocionohem si në provimet e maturës?”

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehet i emocionuar për prezantimin e sotëm si kandidat për deputet në qarkun e Vlorës, duke e krahasuar ndjesinë e tij me atë që ka ndier gjatë provimeve të maturës. Në një njoftim në rrjetin social Facebook, Rama ftoi fillimisht të gjithë vlonjatët që të jenë të pranishëm në prezantimin e tij, duke theksuar nga ana tjetër se sfida e madhe që paraqet Vlora do të bëhet realitet pas 23 qershorit. “Me shumë dëshirë i ftoj sot të gjithë ndjekësit e kësaj faqeje që jetojnë në Vlorë, për të ndarë nesër pasdite në Pallatin e Sportit emocionin e posaçëm të prezantimit tim si deputet i Vlorës. Si asnjëherë në rrugën e jetës sime politike, ndihem i emocionuar si të isha përpara provimit më të vështirë të maturës. Kam shumë gjëra për të thënë për Vlorën dhe më duket sikur nuk do di t’i them. Sot Vlora është një sfidë e madhe. Një projekt i mbetur në mes, që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Varet nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim nesër. Ju pres në Pallatin e Sportit, në ora 18:00”, – shkruante Rama në Facebook. Më tej, lidershipi i socialistëve rrëfeu detaje të fëmijërisë, ku kujton me nostalgji vitet kur vizitonte në Vlorë gjyshen e tij. “Këto ditë më kujtohen shpesh rrugëtimet e fëmijërisë drejt Vlorës, në ditët më të bukura të vitit gjatë pushimeve verore që nisnin me tren deri në Fier, pastaj me autobus për në Vlorë. Më kujtohet se si më rrihte zemra fort nga padurimi i gëzuar për të mbërritur, kur shfaqeshin në ekranin e dritares së autobusit të vjetër malet e bardha të kripores, të cilët ishin edhe shenja që lajmëronte fundin e udhëtimit të gjatë. Pastaj se si më shkonte buza vesh më vesh dhe shtrëngoja dorën e dajës që zakonisht vinte më merrte në Tiranë, kur shfaqej poshtë, tek kthesa e fundit majë kodrave me ullinj, vetë kurrizi joshës i Vlorës së shtrirë buzë detit. Dhe në fund se si merrja vrapin, kur hynim në rrugicën gjithë diell, gjelbërim e lule të varura mureve të kopshteve me hardhi e kumbulla vlonjate, për të mbërritur tek dera e oborrit të shtëpisë më të bukur në botë. Dera me hekur të punuar kishte një muzikë të vetën kur hapej, duke ndjellë vrik qenin besnik të shtëpisë dhe lajmëruar gjyshen time që dilte gjithnjë në krye të oborrit për të pritur vizitorët. Përqafimi me të ishte fundi i rrugëtimit dhe fillimi i një qejfi të papërshkrueshëm që e prisja gjithë vitin. Kanë kaluar dhjetëra vite që atëherë. Gjyshja ime ka kohë që ka ikur nga kjo botë. As shtëpia nuk është më. Plazhi ynë i Skelës ngjan si vendxhirimi i braktisur i një filmi. Vlora sot ngjan me Vlorën dje, sa ç’ngjaj unë me atë fëmijën që përqafonte gjyshen si për t’u siguruar se nuk ishte në ëndërr. E pamundur ta mohoj se mes kësaj dhe asaj Vlore, unë do zgjidhja pa asnjë ngurrim atë. Por e pamundur po ashtu të thuash se Vlora duhet të mbetej ashtu”, – rrëfeu kreu i PS-së.

 

AK: Tahiri po blen me 200 euro anëtarët tanë. Deputeti i PS-së: Fobi e Nik Spahiut

Aleanca Kuqezi denoncoi dje përpjekjet e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri, në lidhje me ofertat që ky i fundit sipas saj po bën në drejtim të veprimtarëve të AK-së. Në faqen e saj në Facebook, AK denoncoi se Tahiri i ka ofruar 200 euro çdo aktivisti të Aleancës për t’u larguar nga partia. “Tahiri po telefonon pothuajse çdo veprimtar të AK-së në Tiranë, ku u bën oferta për t’u larguar nga kjo forcë politike”. Ndaj këtyre akuzave nuk ka munguar reagimi i deputetit socialist, i cili e ka cilësuar një fobi të kuptueshme deklaratën e AK-së, pasi, sipas tij, largimet nga kjo forcë politike kanë ardhur sapo kreu i saj vendosi të mos përfshihet në koalicion me PS-në. “Dhe po të vendos ta marrë seriozisht, me aq anëtarë sa i kanë mbetur Nikut, i bie të kisha kursyer lekë… Ata që besonin se Nik Spahiu ishte alternativë e denjë, kanë ikur sapo panë se ishte vetëm një pazar i shpëlarë, ndaj nuk ka as nevojë të harxhojmë telefonata për të marr kurrkënd. Fobi e kuptueshme e Nik Spahiut. Po sheh se ka mbetur vetëm e i duket sikur ia kanë fajin të tjerët”.

 

Pëllumbi: Tek PS ka shkujdesje, jo euforisë, se gërryen fitoren

Ish-kryetari i Kuvendit, profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, kërkoi dje që PS të mos shkujdeset për garën elektorale të 23 qershorit, duke theksuar se euforia e tepërt gërryen fitoren. “Në radhë të parë ne kemi një lloj shkujdesje dhe themi që fitoren e kemi të sigurt, nuk ka kush fiton kësaj here, ata janë të demaskuar, janë të kritikueshëm për çdo gjë, populli nuk do t’i mbështesë, kanë humbur mbështetjen etj., prandaj fitoren e kemi të sigurt dhe na kap ndonjëherë euforia. Euforia është si ai ndryshku që gërryen hekurin, që në këtë rast konkret, gërryen fitoren. Të mos lejojmë euforinë që të na gërryej fitoren”, – tha Pëllumbi në Peqin, i ftuar nga kandidati për deputet Alfred Peza. Po ashtu, ai theksoi: “Nga ana tjetër, ka ndonjëherë një lloj indiferentizmi në radhët tona. Ka vota PS, po s’vajta unë do ta marri. Edhe kjo është negative, edhe kjo është e disfavorshme. E rëndësishme në këto zgjedhje është çdo vote. Prandaj, do të thosha që një nga faktorët që duket negativ që mund ta kthejmë në pozitiv është pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje”. Ndërkohë, në takimin me simpatizantët socialistë të Peqinit, Pëllumbi vlerësoi koalicionin e majtë, ku tha: “PS arriti të krijojë një koalicion me 37 parti, që është një garanci për fitoren. Në këtë kuadër u hodh hapi për të bashkuar e majta, që zakonisht vepron e çarë dhe përçarë edhe në Evropë, por kur vjen puna për zgjedhjet, duhet të gjejë nervin e duhur për t’u bashkuar. Kësaj here PS e gjeti këtë dhe e majta është e bashkuar”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency