Kryeministri, Ramës: Qeveria garanton votimin online të emigrantëve

0
178

Ina Jano

kwahilli“Arsyeja e mosvotimit të emigrantëve në vendet ku ata janë, është vetëm fobia e kryetarit të opozitës nga vota e tyre”

 

Nga mbledhja e përjavshme e qeverisë, kreu i ekzekutivit, zoti Berisha, i bëri thirrje Ramës që të japë konsensusin e tij për votën e emigrantëve. Duke garantuar shefin e opozitës për të gjitha mundësitë e ofrimit të teknologjisë më të fundit, Kryeministri pohoi se votimi online është një nga opsionet më të mira që mund t’u ofrohet emigrantëve, që të votojnë nga vendet ku ata punojnë dhe jetojnë. Thirrjen e ditës së djeshme kryetari i mazhorancës e ilustroi edhe me leximin e një mesazhi që i kishte ardhur atij nga Britania e Madhe. “Për t’i dhënë përgjigje Syljanës dhe të gjithë emigrantëve shqiptarë se mosvotimi i tyre nuk ka as edhe një shkak tjetër të vetëm, përveçse fobisë që ka kryetari i opozitës ndaj votës së tyre. Qeveria ka qenë dhe është aktualisht e gatshme t’u krijojë atyre mundësinë e votimit online ose në çdo formë tjetër që të pranojë opozita, me qëllim që ky detyrim, të cilin e përmbushin të gjitha vendet e qytetëruara të Evropës të përmbushej edhe nga Shqipëria. Qeveria është e gatshme të mobilizojë çdo fond, të përshtatë çdo teknologji të sigurisë më të lartë që ekziston, në mënyrë që vota e çdo qytetari të ketë peshën që meriton, por mjerisht kjo nuk pranohet nga opozita, sikundër nuk u pranua votimi i 16-vjeçarëve, të cilët kanë filluar të votojnë në kombe me moshë mesatare shumë më të latë se jona. Në qoftë se do të kishte një komb që i takonte t’u hapte dyert e qendrave të votimit për 16-vjeçarët, ky do të ishte kombi shqiptar”, – tha Berisha. Ai ironizoi për kryesocialistin duke thënë se siç duket, pëlqimet e Facebook-ut të tij janë bërë fobi dhe gogol për Ramën. Ndërkohë, të njëjtin vlerësim pati edhe për votën e 16-vjeçarëve, për të cilën u shpreh se është i gatshëm që ta garantojë edhe atë dhe të ndryshojë Kodi. Edhe më parë, shefi i mazhorancës e kishte bërë këtë propozim për Ramën, i cili nga ana e tij e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. “Like-t me sa duket në Facebook-un tim, janë bërë një lloj gogoli që e tremb opozitën nga vota e 16-vjeçarëve, gjë e cila duhet të jetë shumë kundërproduktive për opozitën, se duke i penguar ata nuk mund të pengosh prindërit e tyre, vëllezërit dhe motrat më të mëdhenj. Edhe ata nuk janë dakord që vajzat e djemtë e tyre 16-vjeçarë të mos votojnë. Kjo është një moshë maturimi politik, nuk mund t’ua u mohosh këtë. Për t’i shpallur krah pune e bëjnë, është me ligj, por të drejtën e votës nuk e pranojnë. Pra, ata mund të punësohen, të paguajnë sigurime shoqërore, të paguajnë të gjitha taksat dhe të mos kenë të drejtën e votës, çka është një diskriminim total, nga fobi kryekëput të pajustifikueshme”, – u shpreh numri një i qeverisë. Nga mbledhja e djeshme e kabinetit, zoti Berisha gjeti rastin që t’i kthente përgjigje zonjës Kastrati nga Britania, duke shprehur qëndrimin pozitiv të demokratëve. Për Kryeministrin votimi i emigrantëve fillimisht është një gjest respekti ndaj tyre dhe që për më tepër ata askush nuk mund t’i heqë nga lista. “Me gjithë dëshirën e madhe që kam që emigrantët tanë të votojnë, si një gjest respekti ndaj tyre, në radhë të parë, si një e drejtë e patjetërsueshme e tyre, si një respekt ndaj një të drejte të patjetërsueshme, ata të gjithë janë në listat e votimit dhe nuk mund t’i heqë kurrë askush nga lista. Ata të gjithë janë aksionerë të zhvillimit të fuqishëm të këtij vendi. Nuk mund t’i privosh ata nga vendimi i madh që marrin shqiptarët në zgjedhjet e përgjithshme. Megjithatë, le të urojmë se në serinë e bllokimeve të panumërta, në zinxhirin e tyre, këto të jenë ndër më të fundit. 23 qershori është një moment i veçantë për të hapur dyert, për të shembur muret dhe kjo do të ndodhë”, – përfundoi kreu i mazhorancës.

 

 

Përfundon rikonstruksioni i unazës së Fushë-Krujës, banorët: Do të votojmë PD-në

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në përurimin e rikonstruksionit të unazës së qytetit të Fushë-Krujës. Gjatë aktivitetit të zhvilluar paraditen e djeshme, fjalën e morën edhe banorë të zonës, të cilët shprehën falënderimet e tyre për këtë investim të realizuar nga qeverisja demokrate, duke deklaruar kështu edhe mbështetjen e tyre për këtë forcë politike në zgjedhjet e 23 qershorit. Zonja Dhurata Kalaja shprehu falënderim dhe mirënjohje për këtë investim, i cili përmirëson ndjeshëm trafikun dhe ul nivelin e ndotjes në qytet. Gjithashtu, ajo solli në vëmendje se si ka qenë qyteti i Fushë-Krujës në vitet para demokracisë, një qytet me pak ndërtime dhe pak investime, edhe qytetin e Fushës-Krujës sot, një qytet i madh, me më shumë banorë, më shumë ndërtime dhe me më shumë investime. “Unë, – vijoi ajo, – u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi, rinisë së Fushë-Krujës, të gjithë brezave që kam rritur dhe edukuar deri më sot, që më 23 qershor votën t’ia japim Partisë Demokratike, për të ecur dhe vazhduar më tutje, që Fushë-Krujën ta bëjmë një qytet evropian dhe Shqipërinë evropiane”. Ilir Lepi, një i ri, shprehu mirënjohje ndaj PD-së dhe kreut të ekzekutivit për mbështetjen dhe përkushtimin që kanë treguar ndaj këtij qyteti. “Zoti Kryeministër ka bërë të mundur që lokomotiva e qytetit tonë të ecë me ritme të larta dhe këtë e tregon lulëzimi i bizneseve gjithnjë e më tepër në qytetin tonë. Për të mirën e brezit tim, për të mirën e qytetit tim, për të mirën e të gjithë Shqipërisë, ne duhet të votojmë Partinë Demokratike dhe Kryeministrin Berisha”, – u shpreh ai. Unaza, me gjatësi 2.84 kilometra dhe e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, është një investim me vlerë 162 milionë lekë. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë 40.000 banorë dhe stabilizohet qarkullimi i automjeteve nga zona e sipërme e Fushë-Krujës, Bashkisë Krujë dhe Komunës Cudhi drejt superstradës Fushë-Krujë – Milot. Ndërtimi i unazës së Fushë-Krujës shkurton kohën e udhëtimit në vetëm 5 minuta, duke kursyer mjaftueshëm kohë për të gjitha mjetet e transportit. Për të rritur funksionalitetin dhe efiçiencën e këtij segmenti rrugor, pritet edhe ndërtimi i nyjës lidhëse midis unazës dhe superstradës Fushë-Krujë – Milot. Zoti Berisha përshëndeti banorët dhe u shpreh se kjo unazë, në projektin Fushë-Kruja – hyrja e bukur e Tiranës, plotëson një infrastrukturë të shkëlqyer për qytetin, modernizon trafikun në këtë qytet, parandalon ndotjen e qytetit dhe krijon një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët e Fushë-Krujës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency