Berisha: 3 ish-deputetët e PS-së, në listat e PD-së

0
166

Ina Jano

berishaKandidimi në Tiranë, Kryeministri: Ramës i del humbja përpara, por hija e Lul Bashës i del në çdo qytet që do të kandidojë

Berisha për Bamir Topin: Kutia e votimit ishte gracka ku shpirti i Presidentit u kap si laraska

Kryeministri për Metën: Nuk zemërohem me ata që më tradhtojnë, por vetë nuk tradhtoj

Në llogarinë e kreut të qeverisë me koalicionin aktual, Aleanca e PD-së merr 71 mandate, kundrejt 69 të koalicionit të Rilindjes

 

 

Në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët në Kryeministri, zoti Berisha, duke vlerësuar punën e tyre, bëri me dije disa lajme të rëndësishme, që sigurisht do të ndikojnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Një prej lajmeve më të bujshme të numrit një të qeverisë, ishte fakti se tre ish-deputetët e Partisë Socialiste, tashmë të pavarur, do të jenë pjesë e listave të selisë blu. Duke pasur parasysh rolin e madh që ata patën në atë që u quajt votëbesimi i qeverisë, me gjasa tre të larguarit e selisë rozë do të jenë brenda vijës së sigurt të deputetëve të Parlamentit të ardhshëm. Tre ish-deputetët e PS-së: Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani, të cilët dolën kundër Partisë Socialiste për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së në Kuvend, sipas konfirmimit të Kryeministrit, do të jenë në listat e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit. “Tre deputetët socialistë, të cilët me qëndrimin e tyre të përgjegjshëm bënë të dështonte plani i zotit Rama, për të marrë pushtetin nëpërmjet aleancës tashmë të njohur e the vetë ti tani, dështoi, ata janë dhe do jenë në listat e PD-së”, – tha Berisha. Ndërsa ai u shpreh edhe në lidhje me përfshirjen në listë të emrave të krerëve të partive aleate dhe tha se marrëveshja e kryer me ta do të respektohet deri në fund dhe deri në pikën një.

Rama deputet

I pyetur nga media në lidhje me një kandidim të mundshëm të zotit Rama në Tiranë, Berisha tha se kjo gjë nuk mund të ndodhë dhe kryesocialisti e di mirë këtë gjë, pasi atij i del përpara humbja e Bashkisë së Tiranës. “Në Tiranë i del humbja përpara, humbja e Lul Bashës. Hija do ta shoqërojë kudo”, – u shpreh lideri demokrat. Më tej Berisha uroi që dhe Rama të jetë deputet në Parlament. “I ka filluar fobia e listës. Në 2009 nuk hyri kurrë në listë, tani po e bën si me këtu aty. Sidoqoftë, në krye apo në mes të listës, unë i uroj të gjejë një vend, sepse nuk është shumë bindëse opozita që nuk ka kryetarin e saj në Parlament. Dhe nuk është se unë nuk e kam vuajtur mungesën e kryetarit të opozitës në Parlament, por mandatin e ri të jetë në Parlament, sepse kjo sjell dëshirat e pakontrolluara të një serie të gjatë deputetësh që duan të paraqiten si kryeministra aty dhe të paktën e dinë se e kanë aty kryetarin. Nuk dua t’ia di nëse do jetë në mes apo në krye të listët ai, por mjafton të jetë në Parlament”, – vijoi kreu i ekzekutivit.

FRD

Një shprehje të Shekspirit zgjodhi Berisha që t’i përgjigjej pyetjes nëse do të ketë ndonjë ndikim Fryma e Re Demokratike në rezultatet e selisë blu. Kreu i kësaj të fundit deklaroi se kur Topi nuk bëri gjë sa kohë që ishte në krye të shtetit, aq më pak do të bëjë tani. “Si mund të më dëmtojë mua! Ai nuk më dëmtoi dot mua kur ishte President dhe votoi për Edi Ramën. Zotëria është krijesë e një inkubatori që detyroi të votojë për Edi Ramën. Si i thotë ai, ‘Fjala është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska’, poezi e përkthyer nga Noli. Kutia e votimit ishte gracka ku shpirti i Presidentit u kap si laraska’, them unë. Pra, problemi i kutisë, kudo që shkoi, i shkoi mbrapa atij”, – ironizoi Berisha.

Berisha deputet

Kryeministri u pyet edhe në lidhje me kandidimin e tij në një nga zonat e tjera elektorale dhe jo në Tiranë. Berisha i hodhi poshtë këta zëra, ndërsa sqaroi se do të jetë aty ku e kanë votuar gjithnjë, pra në qarkun e Tiranës, ndërsa shtoi se do të bëjë fushatë, ashtu siç bëjnë të gjithë deputetët, duke takuar elektoratin e tij. Ai gjithashtu pohoi se do ta kryesojë listën e Tiranës, pasi ka një rregull të tillë, duke e udhëhequr partinë në një betejë elektorale. “Ka një rregull në historikun elektoral. Ju rrëfej një telenovelë të Kazanzaqisit, ai mban flamurin e partisë së tij në betejë. Nuk i jam shmangur unë kurrë kësaj” , – theksoi Kryeministri.

Marrëdhëniet me Metën

Pavarësisht se kreu i LSI-së nuk është më në koalicion me Partinë Demokratike, duket se kjo gjë nuk e pengon Kryeministrin Berisha që të japë një mendim për të. Ai u shpreh se me ish-aleatin e tij ka ato marrëdhënie që mund të ketë një Kryeministër me opozitën, me një parti që qartësisht është në opozitë. “Unë nuk jam zemëruar kurrë me ata që më kanë tradhtuar, por vetë nuk tradhtoj”, – tha Berisha. Ndërkohë, ai u ndal edhe në tri ligjet dhe tha se demokratët janë të gatshëm t’i votojnë ato në çdo orë të ditës dhe të natës, sigurisht pa ndryshime apo amendime të tipin që bën Rama për qarkun e Fierit.

Aleanca

Berisha bëri edhe një analizë të koalicioneve dhe të mandateve që PD-ja do të marrë në këto zgjedhje. Për kreun e mazhorancës, koalicioni i tij do të ketë 71 mandate, duke deklaruar se një mandat do të dalë nga partitë e koalicionit, të cilët kanë një biografi të qartë politike. Në këtë prizëm, numri një i qeverisë tha se Rama do të ketë 69 mandate, pavarësisht se në koalicion me të janë një numër më i madh partish. Sipas Berishës, rezultatet që do të prodhohen do të jenë të tilla, pasi pjesa më e madhe e partive të Ramës janë parti që nuk kanë një biografi politike, tri prej tyre janë parti komuniste të Kubës, siç i quajti kreu i qeverisë, ndërsa tri të tjera të lidhura me krimin. “Ne në këto zgjedhje shkojmë në koalicionin më të gjerë në tërë historinë tonë politike. Shkojmë më këtë koalicionin të gjerë shumë të sigurt në spektrin e fitores, qendra e fitores është e djathta. Kurrë ndonjëherë një spektër kaq real, dhe jo fiktiv. Ky koalicion u bashkua me qëllimin e vetëm për të mbrojtur vlerat, programin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky koalicion nuk e ka çështje pazaresh vokacionin perëndimor të Shqipërisë. Në tërë historinë e këtij kombi agresionin më të rëndë ja ka bërë e majta shqiptare. Ajo me doktrinën e saj bllokoi ligjet për të marrë statusin. E majta ka problemet më themelore, dhe parësore me vokacionin perëndimor. Ka 21 vjet dhe nuk ka firmosur dot një dokument të vetëm akt madhor për vendin. Jo sepse të tjerët i kanë mbyllur derën, por ia ka mbyllur dyert vetes dhe vendit. Aleatët janë aleatë dhe do trajtohen me përputhje të plotë me marrëveshjen. Marrëveshjet janë aty, ato që kanë bërë negociata kanë pasur mandatin e plotë të udhëheqjes politike të PD-së. Ndaj këto zgjedhje PD është e vendosur t’i fitojë me koalicionin e saj, ndonëse vetë është forca kryesore politike. PD është e kënaqur me koalicionin që ka bërë”, – theksoi Berisha.

KQZ

Berisha akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama, se detyroi komisionerët e tij në KQZ të japin dorëheqjen si mjet për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Shefi i qeverisë tha se nuk ka pasur asnjë presion ndërkombëtar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkundrazi, sipas tij, Ramës i është kërkuar të heqë dorë nga këto ‘lojëra’ dhe përpjekje për të demonizuar procesin zgjedhor. “Pyetja po më çudit, si mund të ketë presion për një derë që është e hapur në të dy kanatet. Edi Rama, koalicioni i tij, u imponoi dorëheqjen anëtarëve të vet të KQZ-së. Çdo njeri që do më thoshte se i ka këshilluar Ramës tërheqjen e komisionarëve, çka nuk ka ndodhur. Nuk ka njeri që t’i kërkonte atij të heqë komisonerët që të ndihmoj unë. Është qesharake, nuk ka njeri që bën veprim të tillë. Rama e përdori problemin e komisonerëve për pazar, kryekëput. Pazari më i shëmtuar ishte i gjori Jani Jani. Po pse i gjori, sepse u ngri. Dhe pastaj e nxorën nga frigoriferi në diell. Pse e bënë këtë, për të hapur vend në listë, për kryetarin e partisë së Janit. Jo vetëm nuk kam pasur dhe nuk mund të imagjinohet të ketë asnjë lloj nga një mendje e shëndoshë. Por përkundrazi di mirë që në union zotit Rama i është kërkuar të lërë këto lodra me KQZ, të çojë anëtarët në KQZ në detyrën e tyre. Por, meqë po më pyet kapitullin e mbylli zoti Rama, sepse vetëm tri ditë pas shkrirjes së Jani Janit u deklaroi bashkëbiseduesve të vet të huaj se Edi Rama po humbi këto zgjedhje nuk do njohë rezultatin. Bashkëbiseduesit i dhanë përgjigjen se meritonte . U tha me fjalë të tjera se tërheqjen e komisonerëve e kam si mjet për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve Si ndjese ndaj mbështetësve të mi për të justifikuar humbjen dhe mosnjohjen e zgjedhjeve Edi Rama ka qartësuar të gjithë raportet e tij, me qëndrimin ndaj KQZ”, – tha Berisha. Sipas Kryeministrit, kreu i PS-së po bën çmos për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve. Kryeministri tha se Rama po tenton të përsërisë precedentin e vitit 2009, kur nuk pati asnjë arsye për të provuar parregullsitë. “Ai, edhe një herë, këtë situatë e krijoi dhe e ka krijuar vetëm për të përdorur si një pretekst, për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, siç i deklaroi ai një grupi të huajsh në zyrën e tij. Ky nuk e paska hallin tek Jani, as tek Muhoja, por tek rezultati, por rezultatin nuk ta gatuan njeri. Ai po përpiqet dhe po bën çmos të demonizojë një proces që askush nuk mund të demonizojë. Ju keni qenë këtu se çfarë përpjekje u bë në vitin 2009 dhe çfarë veprimesh u ndërmorën për të damkosur zgjedhjet vetëm se Rama nuk paraqiti qoftë një dokument të vetëm para jush dhe ndërkombëtarëve për parregullsi të zgjedhjeve. Gjithçka , çdo përpjekje për të demonizuar zgjedhjet e shqiptarëve nga Rama dhe cilido janë qesharake dhe donkishoteske. Shqiptarët dinë të votojmë më mirë se shumë të tjerë”, – tha Berisha.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency