Botohet e plotë Edip Tërshana, letra e parë e ‘47-ës që denoncoi Enverin: Shiti Atdheun!

0
273

edipLetra e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës zyrtarisht del e plotë në albumin “Terrori komunist në Shqipëri”, botuar nga Muzeu Historik Kombëtar

 

Përfshirë në kapitullin e personaliteteve shtetërore dhe të fushave të tjera, të pushkatuar në diktaturë, pa dyshim një nga letrat më të përfolura, po asnjëherë e zbardhur e plotë është ajo e mësuesit Edip Tërshana. Vendosur në albumin “Terrori komunist në Shqipëri”, vepër e Muzeut Historik Kombëtar, do ta konsideronim zyrtarisht një denoncim të hapur që i riu Tërshana i bëri diktaturës, regjimit që po ndërtonte Enver Hoxha.

Është letër e hapur, që mban datën e shkrimit më 22 nëntor 1947 (në album është shkruar gabim dhe del data e saktë në një faqe tjetër), ku Tërshana shfaqet i plotë intelektualisht, duke na dhënë si dëshmi panoramën shumëdimensionale se si Enver Hoxha po vendoste regjimin komunist. Një letër paralajmëruese, jo vetëm denoncuese, për krimet që do të pasonin në vitet e mëvonshme, duke ekzekutuar elitën e vendit.

Është e rrallë kjo letër, ndoshta për të tërhequr vëmendjen e sociologëve dhe antropologëve në Shqipëri për një studim të mëtejshëm në raportet psikike të komunizmit me individin. Nëse deri tani kjo letër qarkullonte si një “bujë” apo minë e fshehur nëpër arkivat shqiptare, tashmë duhet marrë në konsideratë si qasje e disidencës së hapur, si kundërshtar i regjimit dhe Enver Hoxhës, pasi konsiderohet një nga dokumentet me të rëndësishme, që publikohet për herë të parë në këtë album. Vlerësohet si një nga letrat më të forta drejtuar Enverit. Në maj të ‘47-ës Edipi arrestohet dhe u nënshtrohet torturave të hetuesisë. Ai përdori dy anët e gazetës “Bashkimi” që ia kishin sjellë mbështjellë bukën, për të shkruar dy letra, një për të bijën dhe tjetrën për Enver Hoxhën. Kjo e dhënë vjen e shkruar nga Reshat Kripa, duke treguar se Tërshana vendosi t’i jepte fund jetës duke prerë damarët.

Deri më sot nuk kemi dëgjuar ndonjë institucion shtetëror që ta drejtojë vëmendjen në një “listë” të tillë disidentësh, duke u marrë me shkrimtarët e diktaturës se sa vargje u janë hequr nga libri apo cili libër iu shndërrua në karton, pasi askush nuk ka shpëtuar pa u përdorur si mashë e regjimit.

Përzierja e kësaj disidence të pastër, me kapacitet të plotë të ndjeshmërisë dhe heretizmit për të thënë të vërtetën e reaguar ndaj regjimit monstruoz që po vendosej, pra lënia në heshtje deri tani duket me shumë arsye. Pak a shumë, drejtori i Muzeut, Luan Malltezi, e tha këtë në ditën e promovimit të albumit, duke lënë nënkuptimin se ende mungojnë libra dhe studime për diktaturën shqiptare. Ndërsa shkrimtari Agron Tufa do ta tërhiqte vëmendjen në kastën politike sot, që trashëgojnë pushtetin e baballarëve.

V. M.

 

 

Letër e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës

 

Enver! Ideali Kombëtar më ka ba që jam kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhëti e Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin Popullor Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomisht. Sot organizatorët Sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtëme e juaj sllave,ka shkaktuar që UNB të jetë kundër nesh, humbin shumë miq; kjo është Tradhti.

Jam kundra për vrasjet me Gjyq dhe pa Gjyq, që i bëhen këtij Populli, pse kështu don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s’janë “Komunista” sllavë. Kjo është tradhti. Jam kundra se e plaçkiti. Ky është pushteti, që varfënoi tregun shqiptar për të vesh klyshët e Rusisë dhe e la popullin byth-lakuriq, ndërkoh, qëne kishim për 20 vjet rresht –mbathje, kjo është pra tradhtia. Jam kundra këtij Pushteti, se është spekulator tuee grabit popullin me Ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregëtarët po ja shet ma shtrejt se ç’e kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse spekullatorë. Kurse Pushteti është më spekullator, se ja mori misrin 10 lekë e ja shiti 11.50; ja mori grunin 10 lekë ja shiti 15, mori duhanin 15-20 Fr, ja shiti 100-120 Fr.

Mallin e U.N.R.A.S nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij, shkoi në Rusi e te Titua. Kjo është tradhti. Jam kundra se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliard e disa milion Fr.shq për të ushqyer Pecot e amshorët e Frontit. Sot thuhet gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistat thonin gjithçka për Atdheun. A nuk janë tradhëti këto?

Jam kundra thirrjeve “Jemi bij të Stalinit”, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë, sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundra, se injoranca s’don kulturën: kështu duan sllavët.Kjo bësoj është tradhëti. Jam kundra, sepse s’ka liri fjale e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Kjo është shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin?

Jam kundra, se në historinë për shkollat Unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën. Kështu i shërbejmë imperializmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy: Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepullli i tij Stalini me pushtetin tradhtar të sotshëm në Shqipëri, ja mbrriti dhe tek ne kësaj ëndrre.

Jam kundra, se grabitni teshat e “reaksionarëve”, si i quani ju pra grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundra, se oficerët të Mbrojtjes këtu në Dibër, arrijnë me grabit gratë e botës, me grabit karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam kundra, se tregtia, toka dhe nëntoka, Ekonomia Kombëtare janë në dorë të sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s’është kjo tradhti e naltë?

 

Enver

Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me Idealin Kombëtar, unë kam qenë, jam kundra Pushtetit e këtë ja kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue, se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mbanë. Pret nënë e mjerë, pasi i jati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhëti e pushtetit popullor.

Ky Pushtet futi përçarjen toske e gegë, katolikë e ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhëti e naltë. More të mjerë, ju ka verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit varrin. Këtë varr, jeni tue ja ba Atdheut dhe me politikën tuaj të jashtme. A s’është tradhëti?

 

Rroftë Ideali Kombëtar!

Rroftë Shqipëria me Kosovën,që ju ja falët Jugosllavisë!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Flamuri Kombëtar i panjollosur!

 

Edip Tërshana, 22.11.1947

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency