Pastrimi i parave, gjykata shpall të pafajshëm Valer Xhekën dhe vjehrrin e tij

0
469

Sonja Caka

gjykataGjykata liron nga masa e sekuestros të gjitha pronat dhe llogaritë bankare të dy të pandehurve në mijëra euro dhe dollarë

Prokuroria i deklaroi fajtorë dhe kërkoi dënimin me 5 vite burg dhe konfiskim të pronave

 

Ish-kreu i Bashkimit të Sindikatave Shqiptare dhe vjehrri i tij shpallen të pafajshëm nga gjykata për akuzën e pastrimit të parave, ndërkohë që në të njëjtën kohë, lirohen nga masa e sekuestros të gjitha pronat dhe llogaritë bankare të vendosura pas marrjes të pandehur të tyre. Vendimi është marrë disa ditë më parë nga gjyqtarja Alkelina Gazidede, ndërsa më herët, prokurori kishte kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin me nga 5 vite burg për Valer Xhekën dhe vjehrrin e tij Klenathi Zoti, ndërsa për këtë të fundit u kërkua pezullimi i dënimit me burgim për një afat prej 18 muajsh. Gjithashtu, organi i akuzës kërkoi edhe kalimin në favor të shtetit të gjitha pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në emër të dy të pandehurve, si dhe llogaritë përkatëse të tyre, për të cilat ishte vendosur sekuestro preventive. Ndaj Xhekës dhe vjehrrit të tij rëndonte akuza e “Pastrimit të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal. Por, në përfundim të gjykimit, gjykata ka vlerësuar të pabazuar në prova akuzën e Prokurorisë, duke shpallur të pafajshëm dy të pandehurit, ndërsa ka liruar nga sekuestro 3 ndërtesa me sipërfaqe 1 800 metra katrorë, si dhe një sipërfaqe tjetër prej gati 7 mijë merr katrorë. Gjithashtu, gjykata heq sekuestron preventive për mijëra euro dhe dollarë të depozituara në emër të Xhekës e Zostos dhe në emër të familjarëve të tyre, në pesë banka në vend. Shuma që gjendje në këto banka e depozituar kryesisht në emër të Valer Xhekës dhe vajzës së tij, apo dhe gruas dhe prindërve të saj, kap vlerën e 280 mijë USD dhe afro 300 mijë eurove. Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dhe ka dërguar më 7 mars të vitit të kaluar për gjykim ish-kreun e Bashkimit të Sindikatave, Valer Xheka, i akuzuar për pastrim i produkteve të veprës penale. Bashkë me të, në cilësinë e të pandehurit, është marrë edhe vjehrri i Xhekës, Kleanthi Zoto, ndaj të cilit rëndon e njëjta akuzë, ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Akuza

Hetimi për çështjen ku është marrë i pandehur ish-kreu i Sindikatave ka nisur pas transaksioneve të dyshimta që ai dhe familjarë të tij kanë kryer gjatë vitit 2011. Këto transaksione janë verifikuar nga Drejtoria Kundër Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila i ka përcjellë policisë të gjithë informacionin e nevojshëm. Bashkë me të, në polici ka denoncuar edhe ish-drejtori i shtypshkronjës “11 Shkurti”, i cili më pas e ka privatizuar këtë ndërmarrje. Shtetasi Abdyl Dinga ka deklaruar në polici se Valer Xheka i ka kërkuar 100 mijë dollarë për t’i dhënë kontratën e qirasë së tokës ku ndodhej shtypshkronja, pasi më parë kishte paguar për sindikatën edhe 100 mijë dollarë të tjerë për privatizimin e objektit. Sipas hetimeve, rezulton se pasi Dinga ka paguar detyrimet që kishte ndaj Bashkimit të Sindikatave për privatizimin e shtypshkronjës, ka kërkuar kontratën e qirasë së tokës, e cila asokohe kishte probleme pronësie dhe si e tillë nuk mund të shitej. Por, sipas hetimeve, në një takim të zhvilluar në zyrën e ish-kreut të Sindikatave, Valer Xheka, ky i fundit i ka kërkuar shumën prej 100 mijë dollarë Abdyl Dingës. Për të mbuluar ryshfetin prej 100 mijë dollarë, Valer Xheka, sipas hetimit, i ka kërkuar personit që privatizoi shtypshkronjën të nënshkruante një kontratë, sikur i kishte marrë vjehrrit të tij shumën prej 100 mijë dollarë në formë huaje. Kjo kontratë është firmosur nga Abdyl Dinga, i cili më vonë ka mësuar se personi që “i kishte dhënë borxhin” prej 100 mijë dollarësh ishte vjehrri i Valer Xhekës. Sipas Valerit, kjo kontratë do të shërbente si garanci, pasi ai do të largohej jashtë vendit, ndërsa Dinga duhet të paguante shumën për të cilën ranë dakord me këste. Në vitin 1997, pra një vit pas lidhjes së kësaj kontrate, Valer Xheka ka marrë në telefon Abdyl Dingën, të cilit i ka kërkuar një shumë parash, duke e orientuar t’ia çojë vjehrrit të tij, shtetasit Kleanthi Zoto në banesë. Pas kësaj bisede, Dinga thotë se i ka paguar Valer Xhekës shumën prej 95 mijë dollarë në formë ryshfeti, por të maskuar si borxh ndaj vjehrrit të tij. Por, sikur të mos mjaftonte pagesa për privatizimin e shtypshkronjës dhe ryshfeti prej 100 mijë dollarësh, në vitin 1999 Abdyl Dinga do të humbiste dhe shtypshkronjën. Sipas hetimit rezulton se në mars të vitit 1999 Përmbarimi nëpërmjet një vendimi gjykate të formës së prerë ka sekuestruar shtypshkronjën, e cila ka kaluar në emër të Valer Xhekës, pasi rezultonte se shtetasi Abdyl Dinga i kishte një hua prej 100 mijë dollarësh. Nëpërmjet kontratës së firmosur, Zoto i ishte drejtuar gjykatës, duke kërkuar sekuestrimin e shtypshkronjës, pasi pronari i saj i kishte borxh, edhe pse Abdyl Dinga ka deklaruar në polici se paratë i kishte paguar, pavarësisht se ato ishin kërkuar në formë ryshfeti. Pas marrjes së shtypshkronjës nga Valer Xheka, ky i fundit ia ka dhuruar atë vjehrrit të tij, i cili nëpërmjet një kontrate që sipas prokurorisë është e falsifikuar, e ka kaluar pronën tek një person që ka deklaruar se nuk kishte marrë asnjëherë me qira prona nga Sindikatat. Pas përfundimit të këtij procesi në vitin 1999, godinat janë dhënë me qira, vlerën e të cilës, sipas prokurorisë, e përfitonte Valer Xheka. Për këtë arsye akuza kërkoi sekuestrimin e llogarive bankare që janë në emër të Valer Xhekës dhe familjarëve të tij në Shqipëri, pasi dyshohet se këto para janë siguruar nga veprimtari e paligjshme. Por, familjarët e ish-kreut të Sindikatave, përfshi edhe vjehrrin e tij, kanë hedhur poshtë versionin e paraqitur nga Abdyl Dinga. Gjatë marrjes në pyetje, Kleanthi Zoto ka deklaruar se Dinga i ka marrë hua shumën prej 100 mijë dollarë për privatizimin e shtypshkronjës, pasi kishte njohje me djalin e tij që jetonte dhe punonte në Greqi.

Lirohen nga sekuestroja

Tri ndërtesa, një njëkatëshe, një dykatëshe dhe një trekatëshe me sipërfaqe 1.800 metra katrorë

Një sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë në vendin e quajtur “Kodra e Priftit” Tiranë, të cilat ishin prona të BSPSH-së

Në “Banka Credins”

Llogari bankare në emër të Valer Xheka, Marsela Xheka ose Klenathi Zoti në shumën 61.979 USD

Depozitë në emër të Marsela Xheka ose Kleanthi Zoto në shumën 37.416 USD

Llogaria bankare e përbashket në emër të Valer Xheka dhe Aleksandra Xheka në shumën 535,71 lek

Llogari depozite me balancë 16.097.19 euro në emër të Marsela Xheka

Në “Bankën Intesa San Paolo”

Llogaritë bankare në emër të Valer e Marsela Xheka në masën 9,430 Euro dhe 394.055 Lek

Në “Bankën Kombëtare të Greqisë”

Llogaria në emër të Marsela Xhekës me vlerë 116,040 USD

Llogaria në emër të Florica Zotos me vlerë 10,400 Euro

Në “Bankën Veneto”

Llogaritë bankare ne emër të Valer Xheka dhe Aleksandra Xhekanë shumat 1,539.43 Euro dhe 1,495.09 Euro

Llogaria bankare në emër të Marsela Xheka në shumën 29,092.00 Euro

Llogaritë bankare në emër të Valer Xheka dhe Florica Zoto në shumën 29,092.00 Euro

Në “Bankën Kombëtare Tregtare”

Llogaria Bankare në emër të Florica Zoto (bashkëshortja e Kleanthit), depozitë shumë emërore (me Marsela dhe Valer Xheka) me gjendje 63,388 USD

 

Gjykatë

Ministri Noka hedh në gjyq për shpifje deputetin Tahiri

Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka paditur deputetin socialist Saimir Tahiri për shpifje, pas publikimit të disa fotove në rrjetin social Facebook, ku akuzonte ministrin për një takim me shoferin e Arben Frrokut, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Padia civile është depozituar dje nga përfaqësuesi ligjor i ministri Noka. Pak ditë më parë, deputeti Tahiri publikoi në rrjetin social Facebook disa fotografi, në të cilat ai pretendon se ministri Noka kishte takuar shoferin e Arben Frrokut, Vlash Gjoni. Në foto paraqitej dhe zv.ministri i Brendshëm, Arben Ristani. Në reagimin e saj të menjëhershëm, Ministria e Brendshme hodhi poshtë si të pavërteta deklarimet e deputetit socialist, mbi një takim të ministrit me njerëz që kanë lidhje me biznesmenin Arben Frroku, ndërsa lajmëroi ngritjen e një padie. Dhe, pas paralajmërimit për ngritjen e padisë, dje kjo u bë faktike, duke u depozituar në Kryesekretarinë Gjyqësore, ndërsa në ditët në vijim pritet të hidhet në short.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency