Mjekim i pakujdesshëm, e reja s’bën fëmijë, gjykata: Të hetohen mjekët

0
434

mjekimRasti i 22-vjeçares Sonila Neço nga Vlora, që mendohet se është kuruar gabimisht

E reja, kallëzim penal mjekëve për problemet që i sollën gjatë ekzaminimit për tumor

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar prokurorinë e kryeqytetit të hetojë mjekët e Spitalit Onkologjik në qendrën “Nënë Tereza”, për shkak të një denoncimi që ka bërë një paciente nga Vlora, e cila gjatë kurimit nga mjekët e këtij spitali, ka pësuar dëmtime të pariparushme shëndetësore, si rezultat i pakujdesisë së tyre. Sonila Neço është diagnostikuar nga një sëmundje e rëndë dhe gjatë kohës së trajtimit mjekësor, pacientja i është nënshtruar një sërë etapash kurimi, duke filluar nga operacioni, kimioterapia e deri tek procesi i rrezatimit. Si pasojë e këtij mjekimi jo të kujdesshëm, siç pretendon Sonila Neço, ajo ka humbur aftësinë për të lindur, ndërkohë që ka marrë dëmtime të pariparueshme në lëkurën e anës së majtë të gjoksit, çrregullime të thella të ciklit menstrual, si rrjedhojë është shkaktuar rëndimi i gjendjes shëndetësore të kësaj shtetaseje. Pikërisht për të gjitha këto pasoja, 22-vjeçarja nga Vlora ka akuzuar mjekët e Spitalit Onkologjik në Tiranë dhe konkretisht mjekun specialist Xhevdet Harasani, që mendohet se është babai i ish-deputetit të PS-së Andis Harasani. 22-vjeçarja e akuzon këtë të fundit për mjekim të pakujdesshëm, ndërkohë që prokuroria ka mbyllur një herë çështjen, duke mos gjetur asnjë nga fajtorët. Nisur nga kjo situatë, 22-vjeçarja Sonila Neço e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Tiranës, e cila i ka dhënë të drejtë, duke vendosur rikthimin e dosjes për gjykim.

Kurimi i gabuar për tumor

Nga materialet hetimore rezulton se shtetasja Sonila Neço ka kallëzuar në prokurori se në muajin qershor të vitit 2009 është shtruar në Spitalin Infektiv të QSUT Tiranë, pasi ka pasur temperaturë të lartë dhe dhimbje nën sqetull. Pasi ka qëndruar aty rreth 9 ditë mjekët e kanë transferuar në Spitalin Onkologjik, me qëllim që të kryente operacion në pjesën ku ndihej dhimbja. Më 11 qershor 2009, është bërë ndërhyrja kirurgjikale nga mjeku Artan Bodeci dhe pas disa ditësh kallëzuesja ka dalë nga spitali. Nga ndërhyrja kirurgjikale i është hequr një masë e qelbëzuar dhe pjesë të saj janë çuar për t’u ekzaminuar tek laboratori i vetë spitalit. Disa ditë më vonë, nga Spitali Onkologjik ka ardhur përgjigjja e analizës ku thuhej se shtetasja Sonila Neço vuante nga sëmundja e pashërueshme limfoma malinje jo hodgkiniane. Analiza e biopsisë është kryer në laboratorin e Spitalit Onkologjik nga mjeku Xhevdet Harasani. Kallëzuesja, e cila është nga Vlora, ka ardhur në Tiranë dhe nga mjekja Dhurata Tarifa, e cila referuar analizave ka vendosur t’i fillojë seancat me kimioterapi në Spitalin Onkologjik. Janë kryer 4 seanca me kimioterapi dhe më pas rreth 2 muaj rrezatim kobalti. Pas rreth një vit kallëzuesja ka bërë analizat në Greqi me të njëjtat mostra laboratorike të ruajtura në laboratorin e Spitalit Onkologjik. Përgjigjet nga Greqia tregonin se nuk ka tumor, por një infeksion që nuk kishte nevojë për trajtim me rreze dhe kimioterapi. Këto fakte ka shpjeguar në deklarim kallëzuesja Sonila Neço dhe vëllai i saj Leonard Neço më datën 24 mars 2011.

Dëshmia e mjekut

Ndërkohë, shtetasi Xhevdet Harasani deklaron gjatë hetimeve se ka punuar si mjek specialist onkolog në Spitalin Onkologjik të QSUT-së me specialitet histopatologji. Në lidhje me rastin e Sonila Neços deklaron se rasti i është përcjellë nga mjeku Artan Bodeci dhe materiali u është nënshtruar të gjithë procedurave të zakonshme histopatologjike dhe që në ekzaminimin e parë në analizën e biopsisë u konstatuan ndryshime të shprehura hiperplazike që kalonin kufirin e normës. Duke u nisur nga mosha dhe vështirësia diagnostike e sëmundjes limfomatoze ka përsëritur prerjet dhe ngjyrimet që mund të realizohen në institucionin shtetëror dhe përsëri nga riinterpretimi i të dhënave ka rezultuar e njëjta tablo që mjeku e ka klasifikuar si “limfome malinje jo hodgkniane”. Mjeku ka deklaruar se prindërit e vajzës i kanë thënë që rastin do ta dërgonin për mjekim jashtë shtetit. Nga laborantja i është thënë se nga laboratori pa rënë në kontakt me të janë tërhequr materiali (gjëndrat), blloqet e parafinës si dhe të gjitha lamat e përgatitura prej tyre. Pas rreth një viti ka takuar vëllain e Sonilës, i cili i ka thënë që motra është mirë dhe nuk kishte sëmundjen që u diagnostikua. Ai e ka pyetur për diagnozën që i kanë përcaktuar mjekët e huaj si dhe blloqet dhe xhamat respektive. Prej asaj dite nuk ka kontaktuar më me ta.

 

Mister shkaqet e zjarrit, dyshimet e policisë

Digjet xhamia në fshatin Zall-Herr

hetim personave ekstremistë në zonë

Çatia e xhamisë në Zall-Herr në Tiranë është shkrumbuar si pasojë e një zjarri të rënë rreth orës 03:00 të mëngjesit të së martës. Forca të shumta ndërhynë menjëherë, duke mundësuar izolimin e më pas edhe shuarjen e zjarrit. Nga zjarri janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale, ndërkohë po punohet për zbardhjen e shkaqeve që çuan në rënien e tij. Dyshimet e para flasin për një akt të qëllimshëm nga ndonjë person ekstremist brenda komunitetit islamik, ndërkohë që në këtë pistë komisariati nr. 5 dhe Shërbimi Informativ nuk ka arritur të sigurojnë asnjë provë. Burime pranë policisë së Tiranës u shprehën se janë duke hetuar në disa pista, duke mos përjashtuar edhe rënien e zjarrit në mënyrë aksidentale, duke u provokuar nga ndonjë shkëndijë e mundshme. Ndërkohë, siç mësohet, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shumë banorë, të cilët kanë ndihmuar shërbimet zjarrfikëse për shuarjen e flakëve. Pas kësaj situate në pyetje janë marrë disa persona, përfshirë këtu edhe drejtuesit e xhamisë së fshatit Zall-Herr. Në dëshminë e tyre, drejtuesit kanë qenë të paqartë, duke mos dhënë asnjë version rreth shkakut të rënies së zjarrit brenda ambienteve të xhamisë. Pritet që pas këtyre dëmeve të konsiderueshme, sërish xhamia t’i nënshtrohet rikonstruksionit, duke mundësuar rikthimin në gjendjen e mëparshme për besimtarët e zonës.

 

Arrestimi në Lezhë

Drejtori i burgut liroi vrasësit e dy policëve

Edhe vrasësit e dy policëve merrnin leje nga drejtori i burgut të Shën Kollit në Lezhë, Valentin Miri. Ai tashmë akuzohet për “Korrupsion” dhe “Shpërdorim detyre”. Përfitues të lejeve shpërblyese janë të shumtë, por sipas task-forcës së prokurorisë, mes të burgosurve janë edhe Mond Mulia e Rasim Rapaj, të dënuar për vrasje të punonjësve të policisë. Mond Mulia, sipas akuzës, rezulton i dënuar për vrasjen e 13 qershorit të 1997 të policit 26-vjeçar në atë kohë Arben Lasku. Kjo vrasje ka ndodhur në oborrin e shkollës së mesme “Dëshmorët e Zonës” në Laç të Vaut të Dejës, në momentin që brenda në shkollë nxënësit po zhvillonin provime. Shtetasit Rasim Rapaj, është dënuar për vrasjen e shefit të qarkullimit rrugor të Malësisë së Madhe Isa Tahirin dhe plagosjen e një efektivit të RENEA-së, gjatë operacionit për arrestimin e tij në vitin 2003. Sipas akuzës, drejtori Miri prej kohësh merrte para nga të burgosurit e tij për t’i dhënë leje shpërblyese nga 2 deri në 5 ditë. Për një ditë leje, drejtori merrte nga të dënuarit 100 euro.

 

Ngjarja në Itali

Pranga dy shqiptarëve, me 23 kg kokainë të pastër

Dy shqiptarë dhe një grua rumune janë arrestuar në Firence të Italisë, pasi u kapën me një sasi prej 23 kg kokainë, e cila mund të ndahej në 100.000 doza. Droga ndodhej në dy makina, të cilat drejtoheshin nga shtetasit shqiptarë të moshës 30 dhe 43 vjeç. Bashkë me ta u arrestua edhe një grua rumune, 31 vjeçe, e cila udhëtonte me njërin nga shqiptarët. Droga, sipas policisë, do t’u kishte sjellë shqiptarëve një fitim prej 10 milionë eurosh. Kjo sasi do të shpërndahej në zona të ndryshme të Italisë dhe se aktualisht, karabinierët janë duke hetuar me imtësi të gjitha lidhjet e dy shqiptarëve, me qëllim rënien në gjurmët e rrjetit kriminal.

 

 

Vdekja e 24-vjeçarit

Mjekësia ligjore: Ishte aksidentale

Mjekësia ligjore në raportin paraprak konkludon se vdekja e 24-vjeçarit Ervin Mordini ka qenë aksidentale. Ekspertiza e mjekut ligjor, sipas burimeve, konfirmoi pistën e policisë se Mordini ishte rrëzuar aksidentalisht nga biçikleta dhe fatkeqësisht një hekur që e kishte timoni, i ka hyrë në trup, duke i shkaktuar vdekjen. 24-vjeçari u gjet i vdekur në rrugën “Besa” në Tiranë pasditen e të hënës. Hetimet e policisë dhe raporti paraprak i mjekut ligjor pritet t’i bashkëngjitet dosjes që i përcillet prokurorisë së rrethit. Dyshimet e para folën për një vrasje të mundshme me thikë, por më pas është ngritur pista se 24-vjeçari mund të kishte gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale dhe aspak kriminale. Për të krijuar një ide bindëse, policia ka kërkuar kryerjen e ekspertimit mjekoligjor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency